Buletini informativ 2023 - 8

Buletini informativ 2023 - 8

I. Jurisprudencë e përzgjedhur

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

1. Ndërprerja e marrëdhënies së punës kur nuk ka ligj specifik bëhet sipas Kodit të Punës (Fjalë kyçe: Marrëdhënie pune, anëtar i grupit/këshillit mbikëqyrës, ligji i zbatueshëm)

vendimin nr.00-2023-3616(287), datë 14.09.2023, KAGJL vlerëson se, përderisa ligjet e posaçme nr.8215/1997 dhe nr.41/2012 nuk përmbajnë dispozita për zgjidhjen e marrëdhënies së punës së anëtarëve të grupit/këshillit mbikëqyrës për kontrollin financiar të personave juridikë jobankarë qe kanë marrë hua nga publiku i gjerë, në këtë rast gjen zbatim në mënyrë subsidiare Kodi i Punës. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/287_00_2023_3616_19622_c72423567e.doc 

2. Përfitimi i njëkohshëm i pagesës kalimtare dhe shpërblimit të menjëhershëm me paga referuese (Fjalë kyçe: Dëmshpërblim page, lirim nga puna, përjashtim nga puna, pagesë kalimtare, shpërblim i menjëhershëm me paga referuese)

vendimin nr.00-2023-3353(288), datë 14.09.2023, KAGJL çmon se pagesa kalimtare dhe shpërblimi i menjëhershëm me paga referuese përbëjnë një trajtim për punonjësit e Policisë së Shtetit për shkak të natyrës së veçantë të punës që kryejnë, me kushtin që ata të mos kenë kryer vepër penale apo të jenë përjashtuar nga Policia e Shtetit me masë disiplinore. Për sa kohë gjykatat më të ulëta kanë shfuqizuar aktin e përjashtimit të paditësit nga Policia e Shtetit si të paligjshëm dhe paditësi është ripranuar në Policinë e Shtetit, ai konsiderohet “i liruar” dhe përfiton pagesën kalimtare, së bashku me shpërblimin e menjëhershëm me paga referuese. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/288_00_2023_3353_19649_78888d7cbd.doc 

3. Paditë për kundërshtimin e akteve të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës dhe dëmshpërblimin me paga (Fjalë kyçe: Dëmshpërblim me paga, ndërprerje e marrëdhënieve të punës, shfuqizimi/kundërshtim i aktit të lirimit)

vendimin nr.00-2023-3531(303), datë 26.09.2023, KAGJL çmon se dëmshpërblimi me paga në rastet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës mund të kërkohet në mënyrë të pavarur nga shfuqizimi i aktit të lirimit/përjashtimit/largimit të punonjësit nga detyra, për sa kohë që ligji nuk parashikon ndryshe. Gjykata ka detyrimin që të vlerësojë në mënyrë të tërthortë aktin e lirimit/përjashtimit/largimit të punonjësit nga detyra, pa u shprehur përfundimisht për ligjshmërinë apo bazueshmërinë e tij, edhe kur paditësi nuk e ka kërkuar atë. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/303_00_2023_3531_19954_c83424d0eb.doc 

4. Lidhja e disa kontratave të njëpasnjëshme për më shumë se 3 vjet konsiderohet kontratë me afat të gjatë (Fjalë kyçe: Marrëdhënie pune, kontratë pune me afat të pacaktuar, kontratë pune me afat të gjatë)

vendimin nr.00-2023-3728(310), datë 28.09.2023, KAGJL vlerëson se kur marrëdhënia e punës ka vijuar për një periudhë prej më shumë se tre vjetësh me shkëputje të shkurtra, duke u lidhur disa kontrata të njëpasnjëshme pune me afat të caktuar, atëherë ndodhemi përpara kontratës me afat të gjatë, të përcaktuar në nenin 151 të Kodit të Punës. Në këto raste, marrëdhënia e punës konsiderohet me afat të pacaktuar dhe për ndërprerjen e saj zbatohen nenet 141 dhe 144 të Kodit të Punës. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/310_00_2023_3728_19650_fb64535e0a.doc 

5. Ndërprerja e marrëdhënies së punës në mënyrë të menjëhershme për shkaqe të justifikuara  (Fjalë kyçe: Marrëdhënie pune, kontratë pune, ndërprerje në mënyrë të menjëhershme, ndërprerje për shkaqe të justifikuara)

vendimin nr.00-2023-4049(337), datë 19.10.2023, KAGJL çmon se ndodhemi në kushtet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në mënyrë të menjëhershme për shkaqe të justifikuara, kur punëmarrësi nuk paraqitet në punë për një periudhë prej më shumë se shtatë ditësh dhe nuk njofton me shkrim punëdhënësin. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/337_00_2023_4049_19925_196a13e31f.doc 

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

1. Akti i njoftimit të akuzës apo vendimi i dërgimit të çështjes në gjyq nuk janë veprime hetimore (Fjalë kyçe: Veprime hetimore)

vendimin nr.00-2023-1242(226), datë 25.07.2023, KPGJL vëren se për qëllim të përcaktimit të nismës së prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq, akti i njoftimit të akuzës apo vendimi i dërgimit të çështjes në gjyq nuk mund të konsiderohen në kuptim të nenit 324/4 të KPP si veprime hetimore dhe, si të tilla, t’i nënshtrohen eventualisht sanksionit procedural të papërdorshmërisë. Me termin “veprime hetimore” duhet të kuptohen të gjitha ato veprime që janë ose mund të përbëjnë objekt prove, në lidhje me mjetet e provës dhe mjetet e kërkimit të provës, pra jo me të gjithë morinë e akteve të tjera që kryhen gjatë fazës së hetimeve paraprake në një procedim penal të caktuar. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/226_00_2023_1242_20014_5f40e9954a.doc 

2. Kompetenca tokësore për shqyrtimin e kërkesës  “Kthim i garancisë pasurore” (Fjalë kyçe: Kompetencë tokësore, garanci pasurore)

vendimin nr.00–2023–1390, datë 14.09.2023, KPGJL vlerëson se kompetente për shqyrtimin e kërkesës me objekt “Kthimin e garancisë pasurore” është gjykata që ka dhënë vendimin përfundimtar të çështjes nëse gjykata e shkallës së parë nuk është shprehur për të. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/00_2023_1390_20094_f627830740.doc 

3. Kompetenca tokësore “Shqyrtim kërkese për ekzekutim letërporosie të autoriteteve të huaja” (Fjalë kyçe: Kompetencë tokësore, ekzekutim letërporosie)

vendimin nr.00-2023-1375(241), datë 14.09.2023, KPGJL vlerëson se kompetenca tokësore në rastin e kërkesave penale nga autoritete të huaja për ekzekutimin e letërporosisë i takon gjykatës pranë së cilës është dhe vendqëndrimi i të pandehurit. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/241_00_2023_1375_20227_fd04a05617.doc 

4. Momenti i ekzekutimit të vendimit penal të huaj (Fjalë kyçe: Vendim penal i huaj, ekzekutim vendimi, proces njohje, masë sigurimi)

vendimin nr.00-2023-1442(245), datë 19.09.2023, KPGJL vlerëson se momenti i ekzekutimit të vendimit penal të huaj është momenti kur ekzekutohet masa e sigurimit caktuar ndaj personit ndaj të cilit ka filluar procesi i njohjes dhe ekzekutimit të vendimit penal të huaj.  https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/245_00_2023_1442_19970_d323b4bb0b.doc 

5. Kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk mund të bëhet nga avokati pa prokurë të posaçme (Fjalë kyçe: Gjykim i shkurtuar, tagër, mosprezencë në seancë)

vendimin nr.00-2023-1912(243), datë 19.09.2023, KPGJL vlerëson se kërkesa e bërë nga avokati për gjykim të shkurtuar në mënyrë verbale, pa prezencën e të pandehurit në sallë gjyqi dhe pa prokurë prej tij për të kërkuar gjykim të shkurtuar, si një nga format e gjykimeve të posaçme nuk mund të pranohet. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/243_00_2023_1912_20270_b9cfa601e7.doc 

6. Ekzekutim i amnistisë/faljes së dënimit të gjykatës së huaj (Fjalë kyçe: Amnisti, falje, dënim jashtë vendi)

vendimin nr.00-2023-1458(248), datë 19.09.2023, KPGJL vlerëson se të dënuarit jashtë shtetit, të cilët e vuajnë dënimin po jashtë shtetit, do të përfitojnë nga ligjet e amnistisë apo faljes vetëm për atë periudhe që dënimi i tyre është ekzekutuar jashtë shtetit. Për pjesën e dënimit të vuajtur në Republikën e Shqipërisë do të zbatohen ekskluzivisht vetëm ligjet shqiptare. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/248_00_2023_1458_20320_90e334a79f.doc  

7. Shpenzimet gjyqësore pas përfitimit të amnistisë nuk shkelin të drejtat civile (Fjalë kyçe: Amnistia, shpenzime gjyqësore, të drejta civile)

vendimin nr.00-2023-1499, datë 26.09.2023, KPGJL vlerëson se zbatimi i ligjit “Për amnistinë” nuk cenon të drejtat civile (as shpenzimet gjyqësore të kryera gjatë gjykimit deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji). Nëse kërkuesit kërkojnë mospagim të shpenzimeve gjyqësore, duhet të kundërshtojnë aplikimin e amnistisë. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/00_2023_1499_19591_69b301cb34.doc 

8. Legjitimiteti për të bërë ankim/rekurs i palës kallëzuese (Kontrollit të Lartë të Shtetit) (Fjalë kyçe: Kallëzues, KLSH, fonde publike)

vendimin nr.00-2023-1494(252), datë 26.09.2023, KPGJL thekson se duke marrë në konsideratë ridimensionimin e rolit të kallëzuesit në procesin penal, si dhe statusin kushtetues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, çmon se ky i fundit gëzon në çdo rast legjitimitet për të paraqitur ankim dhe rekurs ndaj çështjeve në të cilat është në cilësinë e kallëzuesit në proces. Kontrolli i Lartë i Shtetit, pavarësisht se në proces nuk paraqitet me cilësinë e viktimës nga vepra penale, për shkak të funksionit kushtetues, rëndësisë që paraqet si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar që mbikëqyr administrimin e fondeve publike, gëzon legjitimitet formal të paraqesë ankim, në çdo rast ku në proces mban cilësinë e kallëzuesit. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/252_00_2023_1494_20322_7bb0dc3ed0.doc 

9. Funksionari publik ka detyrimin të deklarojë veprën penale të falsifikimit (Fjalë kyçe: Falsifikimi i formularëve, formular vetëdeklarimi, integritet i personave që ushtrojnë funksione publike)

vendimin nr.00–2023–1857(237), datë 28.09.2023, KPGJL vlerëson se dënimi për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” është i detyrueshëm për tu deklaruar në formularin e vetëdeklarimit nga personat që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Vlerësimin nëse ky vendim penal përbën ose jo pengesë për të vazhduar funksionin ku është emëruar i gjykuari, nuk e bën subjekti deklarues (i gjykuari) por organet kompetente mbi bazën e rezultateve të verifikimit.  https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/237_00_2023_1857_20183_0e56a4c3c5.doc 

10. Kriteret për caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” (Fjalë kyçe: Sekuestro preventive, caktim mase sigurimi)

vendimin nr.00-2023-1602(272), datë 12.10.2023, KPGJL vendosi se vërtetimi i veprës penale kundër të cilës kërkohet caktimi i një mase sigurimi pasuror, përcaktohet në gjykimin në themel të çështjes, gjatë të cilës prokurori duhet të provojë akuzën përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Kolegji rithekson se, për caktimin e masës së sekuestros preventive mjafton të krijohet një dyshim se vepra penale ekziston, pra kërkohet ekzistenca e një minimumi provash që lidhen me elementet objektive të veprës penale.  https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/272_00_2023_1602_20251_4c01c87855.doc 

11. Sekuestro preventive (Fjalë kyçe: Masë sigurimi, sekuestro, pronë)

vendimin nr.00-2023-1798, datë 07.11.2023, KPGJL vlerëson se gjatë fazës së hetimit është e nevojshme vendosja e masës së sigurimit “Sekuestro preventive” për të mbajtur gjendjen aktuale të pronave shtetërore (të Forcave të Armatosura) me qëllim moszhvillimin më tej apo qarkullimin e lirë civil me pasojë përfshirjen e shtetasve të tjerë në posedimin e këtyre provave. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/00_2023_1798_20107_3e7fffe5b0.doc 

12. Ndryshimi i deklarimeve të dëshmitarëve nuk përbën shkak për rishikim të vendimit (Fjalë kyçe: Rishikim vendimi, dëshmi, dëshmitarë, motiv i vlefshëm)

vendimin nr.00-2023-1800, datë 07.11.2023, KPGJL vlerëson se ndryshimi i mëvonshëm i deklarimeve të dëshmitarëve, nuk mund të shërbejë si element i domosdoshëm për rishikimin e vendimit. Rishikimi i vendimit gjyqësor bëhet në ato raste kur dëshmitari është dënuar me vendim gjyqësor penal të formës së prerë për dëshmi të rreme dhe kur dëshmia e tij është e vetmja që mund të adresojë fajësinë e autorit, me një analizë të detajuar në raport me provat e tjera që ka marrë në shqyrtim gjykata në kohën e deklarimit fajtor të kërkuesit. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/00_2023_1800_copy_1_20118_939f1f6f5b.doc 

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

1. Dallimi midis “interesit” dhe “kamatëvonesës” si elemente të kontratës së huasë (Fjalë kyçe: Interes, kamatëvonesë, hua pa interes)

vendimin nr.00-2023-3130(438), datë 05.07.2023, për mosekzekutimin në afat të detyrimit nga pala debitore, KCGJL shprehet se interesi dhe kamatëvonesat janë dy nocione të ndryshme. Interesi në kuptimin ekonomik përfaqëson koston e borxhit për huamarrësin që parashikohet nga palët kontraktuale si një formë kompesimi për huadhënësin për humbjen që i shkaktohet nga fakti i përdorimit të parave të tij nga huamarrësi gjatë periudhës së huasë, ndërsa në kuptimin ligjor përfaqëson marrëveshjen e palëve për përcaktimin e masës apo normës së kompesimit në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi. Konfondimi i dy koncepteve i ka çuar në përfundim të gabuar gjykatat e ulëta. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/438_00_2023_3130_19771_158a5115d3.doc 

2. Mospërmbushje e detyrimeve kontraktore (Fjalë kyçe: Kontratë sipërmarrje, dëmshpërblim për mosrealizim të sipërfaqes, sipërfaqe banimi, penalitet për vonesë, kusht penal)

vendimin nr.00-2022-3054(482), datë 19.07.2023, KCGJL vëren se lidhur me shkaqet e ngritura në rekurs nga pala paditëse e kundërpaditur është e nevojshme të përcaktohet natyra juridike e kontratave mes palëve, duke mos u ndalur në emërtimin që ata i kanë dhënë këtyre veprimeve. Kolegji vlerëson se marrëdhënia juridike e krijuar që materializohet në momentin e realizimit të sendit objekt i kontratës së sipërmarrjes, do të konsiderohet e përfunduar me nënshkrimin e kontratës së shkëmbimit në një kohë të dytë, pasi efektivisht trualli për realizimin e ndërtimit i është dorëzuar palës sipërmarrëse nga ana e pronarit të truallit, që në momentin fillestar, përpara marrjes së lejes së ndërtimit, duke përmbushur njëherazi një prej kushteve për miratimin e saj.  Kolegji vlerëson se përfundimet e arritura nga gjykata në lidhje me përmbushjen e detyrimeve nga ana e sipërmarrësit, janë rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material në lidhje me interpretimin e kontratës sipas qëllimit të vërtetë dhe të përbashkët të palëve, kuptimit të vonesës së debitorit si dhe natyrës së kushtit penal, si mjet që siguron ekzekutimin e detyrimit në mënyrën e duhur. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/482_00_2022_3054_20115_dcd0bcfbff.doc 

3. Kushti për t’u legjitimuar në kërkimet e padisë për rivendikimin e pronës (Fjalë kyçe: Padi rivendikimi, legjitimim aktiv)

vendimin nr.00-2023-4353(487), datë 26.07.2023, KCGJL vëren se në vendimin nr.4353(487), datë 26.07.2023, meqë padia e rivendikimit kërkon si kusht të legjitimimit aktiv që nëse i padituri mohon të drejtën e pronësisë së paditësit, ai ka detyrimin që të provojë se titullin e pronësisë e ka të ligjshëm, duke mbajtur në konsideratë vendimin njësues nr.5/2012. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/487_00_2023_4353_19996_6715e42c53.doc 

4. Gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kur gjyqtari del si palë në proces (Fjalë kyçe: Mosmarrëveshje për kompetencë, papajtueshmëri gjyqtari, konflikt interesi)

vendimin nr.00-2023-4343, datë 13.09.2023, për zgjidhjen e mosmarrveshjes së kompetencës, KCGJL shprehet se prania si palë në gjykimin civil e një prej gjyqtarëve të gjykatës ku është ngritur padia ose e vetë gjykatës si institucion nuk përbën shkak për moskompetencën e gjykatës dhe as për transferimin e gjykimit të çështjes në një gjykatë tjetër. Situata e papajtueshmërisë quhet e zgjidhur në rastin e delegimit të gjyqtarit me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Fakti që ai do të japë vendimin në emër e për llogari të kësaj gjykate por jo me caktimin e saj nuk e vendos atë në konflikt interesi.  https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/00_2023_4343_19993_381a469a6c.doc 

5. Aksesi në gjykatë parashikohet nga ligji dhe nuk është në diskrecion të gjykatës (Fjalë kyçe: Shpërblim dëmi, momenti i regjistrimit të kërkesëpadisë, e drejta e ankimit, kundërshtimi i vendimit të gjykatës, diskrecion i gjykatës)

vendimin nr.00-2023-3482(515), datë 20.09.2023, për shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror, kur ngjarja aksidentale ka ndodhur pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10076/2009, nëse gjen zbatim rregullorja nr.53/2009 mbahet në vëmendje momenti i regjistrimit të kërkesë padisë në gjykatë sepse është ligji ai që përcakton rastet dhe mjetet e ankimit ndaj vendimeve gjyqësore, duke mos e lënë këtë çështje në diskrecion të gjykatës. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/515_00_2023_3482_20158_be8336467d.doc 

6. Vendimi jopërfundimtar shqyrtohet nga GJL vetëm lidhur me kushtet procedurale, jo materiale (Fjalë kyçe: Pushim i gjykimit, vendim jopërfundimtar, kushte procedural, ligj material)

vendimin nr.00-2023-3496(517), datë 20.09.2023, KCGJL vlerëson se pushimi i gjykimit të çështjes si një padi që nuk mund të ngrihet, sipas nenit 125 të KPC, përbën një vendim jopërfundimtar, i cili nuk mund të ndryshohet nga Gjykata e Lartë pasi në rastet e vendimeve jopërfundimtare ajo analizon vetëm ekzistencën e kushteve procedurale për vendimin jopërfundimtar objekt ankimi dhe jo ato  materiale. https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/517_00_2023_3496_20159_3473890997.doc 

II. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë

1 Detyrimi pozitiv i shtetit për të garantuar të drejtën për t`u mbrojtur me përfaqësues ligjor dhe për të zhvilluar një gjykim të drejtë (Fjalë kyçe: Gjykim i drejtë, e drejta për t`u mbrojtur, përfaqësues ligjor, heqje dorë nga mbrojtja)

çështjen Çupi kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 27187/08, vendim i datës 14.11.2023, për cenimin e të drejtës për t`u mbrojtur me përfaqësues dhe për gjykim të drejtë, GJEDNJ shprehet se kërkesa është e bazuar sepse kërkuesit i është kufizuar e drejta për t`u mbrojtur me përfaqësues ligjor, pasi nuk i është komunikuar gjatë hetimit e drejta për t`u mbrojtur me avokat dhe nuk ka hequr dorë nga kjo mbrojtje. GJEDNJ vëren se, nga tërësia e procesit penal të zhvilluar ndaj kërkuesit nuk rezulton që të jetë realizuar një gjykim i drejtë. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228848

2 Detyrimi pozitiv i shtetit për të garantuar të drejtën e jetës (Fjalë kyçe: E drejta e jetës, hetim penal joefektiv, detyrim pozitiv i shtetit, proporcionalitet)

çështjen Nika kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 1049/17, vendim i datës 14.11.2023, për cenimin e të drejtës së jetës, GJEDNJ shprehet se kërkesa është e bazuar, pasi nuk është kryer një hetim efektiv për të zbuluar të vërtetën dhe ndëshkuar fajtorët e ngjarjes ku ndërroi jetë familjari i kërkuesve. GJEDNJ thekson se forca e ushtruar nga oficerët e Gardës Kombëtare kundrejt protestuesit me pasojë vdekjen e tij, ka qenë joproporcionale dhe bie ndesh me kërkesat e nenit 2 të KEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/?i=001-228850

3. Cenim i të drejtës për të ekzekutuar vendimin e formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm (Fjalë kyçe: Vendim i formës së prerë, afat i arsyeshëm, ekezekutim brenda afatit të arsyeshëm)

çështjen Alsula dhe dy të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 63975/10, vendim i datës 30.11.2023, për moszbatimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ çmon se kërkesa është e bazuar, pasi nuk janë marrë masat e nevojshme nga autoritetet shtetërore për të ekzekutuar vendimet gjyqësore. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-229137

III. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë

Në datën 10 nëntor 2023 u mbajt një takim i përbashkët midis anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku u diskutua për zbatimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor.

Në datën 16 nëntor 2023, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zgjodhi z. Ilir Panda Zëvendëskryetar të Gjykatës së Lartë.

Në datën 14.12.2023 anëtarët e Gjykatës së Lartë morën pjesë në aktivitetin e përbashkët me temë “Ekuilibri ndërmjet kontrollit të ligjshmërisë dhe të kushtetutshmërisë, kufijtë e juridiksionit dhe qasja në drejtësi”. Në aktivitet morën pjesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shiqpërisë dhe Kosovës, si dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë të Kosovës.

IV. Statistika

Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për muajt janar – nëntor 2023

Kolegji Administrativ ka dhënë 2683 vendime, nga të cilat 2576 janë vendime themeli, 42 kompetence/juridiksioni, si dhe 65 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi.

Kolegji Civil ka dhënë 2396 vendime, nga të cilat 2276 janë vendime themeli, 47 kompetence/juridiksioni, si dhe 73 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim.

Kolegji Penal ka dhënë 1997 vendime, nga të cilat 1294 janë vendime themeli, 675 kompetence/masa sigurimi, si dhe 28 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.

Në total për muajt janar – nëntor 2023 janë dhënë 7076 vendime gjyqësore.

V. Formulari i aplikimit elektronik

Për marrjen e dokumenteve në mënyrë elektronike, informacion mbi çështjen, si dhe për datën e gjykimit të çështjes, Gjykata e Lartë mundëson për çdo përdorues formularin e aplikimit elektronik. /web/Informacione_kontakti_2_1.php

VI. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/format_rekursi_5207_3d74fa0fc4.doc 

VII. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/Open court)

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun  http://gjykatalarte.gov.al/sq/akreditimi 

Kontakto:

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri