Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në datën 11.02.2026, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen administrative nr. 31003-02304-2018 akti, që u përket palëve: Paditës: Shoqëria “Albdesign” shpk, I Paditur: Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (ish Ministria e Punëve të Jashtme), me objekt: Përmbushje detyrimi. Shpërblim i dëmit të shkaktuar në formën e kamatëvonesave të arrira, fitimit të munguar dhe shpenzimeve gjyqësore. Marrjen e masës për sigurimin e padisë, nëpërmjet vendosjes së sekuestros mbi llogarinë bankare të palës së paditur; Baza Ligjore: Nenet 7, 10, 11, 15 e vijues, 28 e vijues i ligjit nr. 49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”; Nenet 31, 32, 154 e vijues, 202 e vijues të K.Pr.Civile; Nenet 419, 420, 445 e vijues, 450 e vijues, 476 e vijues, 486 e vijues, 659 e vijues, 690 e vijues, 698 e vijues të Kodit Civil.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 12, pika 3, dhe në nenin 62 (1) (c) të ligjit nr.49/2012 “Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” (i ndryshuar), vendosi:
- Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore në datë 31.03.2026, ora 13:00, me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtar, me qëllim zhvillimin e praktikës gjyqësore.
- Pyetja e shtruar për zhvillimin e praktikës gjyqësore në gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative:
o A zbatohet kufizimi i të drejtës së ankimit dhe rekursit, i lidhur me vlerën e padisë dhe i parashikuar në nenet 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012, vetëm për llojet e padive të parashikuara shprehimisht në këto dispozita, apo shtrihet edhe mbi çdo padi tjetër në kompetencë të gjykatave administrative, kur vlera e padisë nuk e kalon pragun e përcaktuar?
- Palët ndërgjyqëse të njoftohen për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore.

Gjykata e Lartë