Gjykata e Lartë mirëpriti sot një grup studentësh të drejtësisë, pjesë e rrjetit të European Law Students' Association Albania (ELSA Albania), në kuadër të një vizite institucionale të organizuar për njohjen nga afër me funksionimin dhe rolin e institucionit më të lartë gjyqësor në vend.
Studentët u pritën nga Kryetari i Gjykata e Lartë, Sokol Sadushi, ndihmësmagjistrati Elton Frashëri, si dhe specialistja e Qendrës së Dokumentacionit, Elisava Thaçi.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, Kryetari Sadushi ndau reflektime mbi rolin e juristit të ri në shoqërinë e sotme, duke theksuar rëndësinë e dijes, integritetit dhe përgjegjësisë në ushtrimin e profesionit, si dhe nevojën që brezi i ri i juristëve të mbetet i përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës dhe besimit publik tek drejtësia.
Studentët u njohën gjithashtu me organizimin dhe veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, procesin e shqyrtimit të çështjeve, si dhe me funksionin e Qendrës së Dokumentacionit në mbështetje të praktikës gjyqësore dhe kërkimit juridik.
Vizita u zhvillua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për afrimin e studentëve të drejtësisë me institucionet e sistemit të drejtësisë dhe forcimin e edukimit juridik praktik për brezin e ri të juristëve.

Gjykata e Lartë



