Dita e Hapur në Gjykatë – Studentët e Universitetit Mesdhetar në Gjykatën e Lartë

Në kuadër të nismës “Dita e Hapur në Gjykatë”, një traditë që synon të afrojë studentët me sistemin e drejtësisë, Gjykata e Lartë mirëpriti sot studentët e Fakultetit të Drejtësisë nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

Vizita u zhvillua në kuadër të leksioneve dhe njohurive mbi të Drejtën Penale dhe atë Civile, si pjesë e përpjekjeve për të lidhur teorinë me praktikën dhe për t’u ofruar studentëve një përvojë konkrete mbi funksionimin e sistemit gjyqësor.

Studentët u pritën nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Enton Dhimitri, ndihmësmagjistratja Alda Sadiku dhe juristja e Qendrës së Dokumentacionit, Elisava Thaçi, të cilët ndanë me studentët aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së Gjykatës, organizimit të brendshëm dhe rolit të saj në garantimin e interpretimit dhe zbatimit të njëtrajtshëm të ligjit.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, gjyqtari Dhimitri theksoi rëndësinë e formimit profesional dhe etik të juristëve të rinj, duke i inkurajuar ata të ndërtojnë karrierën mbi përkushtimin ndaj dijes, integritetit dhe përgjegjësisë në shërbim të drejtësisë.

Takimi u shoqërua me diskutime të hapura dhe pyetje nga studentët, duke e kthyer këtë vizitë në një moment të vlefshëm reflektimi dhe frymëzimi për të ardhmen e tyre profesionale.