Takim i përbashkët i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Në datën 1 prill 2026, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese zhvilluan një takim të përbashkët, në funksion të forcimit të dialogut gjyqësor dhe konsolidimit të kulturës juridike ndërmjet dy gjykatave.

Në fjalën e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u shpreh se “kufijtë mes dy gjykatave nuk mbrohen nga kompetencat, por nga mënyra si ato ushtrohen. Kur secila qëndron brenda rolit të vet, sistemi funksionon; kur njëra fillon të zëvendësojë tjetrën, dëmtohet jo vetëm ekuilibri institucional, por vetë besimi te drejtësia.”

Në fjalën e saj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, theksoi rëndësinë e këtij dialogu në një moment kur koherenca e jurisprudencës dhe siguria juridike janë thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës, duke nënvizuar se shkëmbimi i praktikave kontribuon në shmangien e divergjencave dhe në garantimin e një trajtimi të parashikueshëm të të drejtave themelore.

Gjyqtarët paraqitën referime mbi çështje me rëndësi për praktikën gjyqësore, përfshirë standardin kushtetues të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe parimin e sigurisë juridike, ndërsa diskutimet e tyre u shoqëruan me shkëmbime të frytshme përvojash dhe perspektivash profesionale.

Në këtë takim u theksua se, pavarësisht roleve të dallueshme kushtetuese, të dyja gjykatat ndajnë një përgjegjësi të përbashkët: që drejtësia jo vetëm të jepet, por edhe të perceptohet si e drejtë, e paanshme dhe e besueshme.

Takimi u zhvillua me mbështetjen e Këshilli i Evropës, në kuadër të projektit D-REX III, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për diskutim mbi sfidat e përbashkëta të sistemit të drejtësisë.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al