
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë merr pjesë në edicionin e 29-të të Kongresit Botëror të Ligjit, i cili po zhvillohet në Santo Domingo, Republika Dominikane. Ky forum i rëndësishëm ndërkombëtar ka nisur punimet me një ceremoni madhështore në ambientet e Universidad Autónoma de Santo Domingo, ku personalitete të njohura ndërkombëtare kanë riafirmuar angazhimin e tyre për forcimin e shtetit të së drejtës.
Në kuadër të përgatitjeve për mikpritjen e Kongresit Botëror të Ligjit 2027 në Shqipëri, një nga ngjarjet më të mëdha globale në fushën e drejtësisë, pjesëmarrja e Gjykatës së Lartë në edicionin e sivjetshëm përbën një hap konkret dhe të dukshëm në këtë proces të rëndësishëm.
Delegacioni shqiptar përfaqësohet gjerësisht në këtë aktivitet, me një përfshirje të drejtpërdrejtë të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët do të jenë pjesë aktive në diskutimet mbi sfidat bashkëkohore të drejtësisë, gjatë ditëve të zhvillimit të konferencës.
🔹 Sokol Sadushi – “Shteti i së drejtës, shkenca dhe teknologjia”
🔹 Ilir Panda – “Dinjiteti njerëzor”
🔹 Albana Boksi – Shteti i së drejtës brenda sistemit të së drejtës familjare
🔹 Asim Vokshi – “Rishikimi i kushtetutshmërisë së ligjeve”
🔹 Sonila Hoxha – “Teknologjia, privatësia dhe siguria kibernetike”
🔹 Iva Zemani – “Ligji, ndryshimet klimatike dhe natyra”
🔹 Alda Sadiku – “Sigurimi i aksesit të fëmijëve në drejtësi”
🔹 Arta Vorpsi – “Dinjiteti njerëzor” dhe “Drejtësia Kushtetuese në një perspektivë krahasuese II”
Përmes kësaj pjesëmarrje, Gjykata e Lartë afirmon rolin e saj si një aktor aktiv dhe kontribuues në debatin ndërkombëtar mbi sfidat dhe zhvillimet në fushën e drejtësisë, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shkëmbimin e përvojave me sisteme të tjera ligjore.
Kongresi Botëror i Ligjit 2027, që do të mbahet në Shqipëri, nuk përfaqëson vetëm një ngjarje që po afrohet, por një proces që po ndërtohet me përkushtim, profesionalizëm dhe vizion.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al