Buletini tematik i Kolegjit Administrativ- Vlerësimi financiar i pronave nga ATP dhe afatet e njoftimit sipas ligjit nr. 133/2015, të ndryshuar

Përmbledhje mbi ecurinë e qëndrimeve të Gjykatës së lartë

 

Referuar jurisprudencës së viteve të fundit, Gjykata e Lartë ka ruajtur një linjë të qëndrueshme në interpretimin e dispozitave të ligjit nr. 133/2015 dhe të akteve nënligjore që rregullojnë vlerësimin financiar të pronave dhe afatet e njoftimit të vendimeve të ATP.

Në këtë buletin tematik paraqitet linja e qëndrimit të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë lidhur me vlerësimin financiar të pronave nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) dhe me afatet e njoftimit të vendimeve sipas ligjit nr. 133/2015. Nga shqyrtimi i vendimeve rezulton se jurisprudenca ka ndjekur një qasje të qëndrueshme në përcaktimin e kompetencës funksionale ndërmjet gjykatave, në trajtimin e elementeve të metodologjisë së vlerësimit financiar, si dhe në interpretimin e afateve për ushtrimin e padisë kundër akteve të ATP.

Gjykata ka konsoliduar kriteret për përcaktimin e zërit kadastral të pronës në kohën e shpronësimit, për detyrimin e administratës në hetimin e plotë të rrethanave faktike dhe në mbajtjen e barrës së provës mbi ligjshmërinë e aktit. Në vendimet më të fundit vihet re unitet interpretimi për standardin minimal të kompensimit financiar (10%) dhe për trajtimin e treguesve “inflacion” dhe “interes bankar” si elemente të pavarur.

Në lidhje me afatet e njoftimit dhe të ushtrimit të padisë, linja e Gjykatës së Lartë ka qenë e qartë dhe e harmonizuar, duke theksuar se njoftimi publik në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare përbën një formë të vlefshme komunikimi të aktit administrativ, ndërsa në rastet kur ky njoftim është i metë, afati për ushtrimin e padisë interpretohet në favor të palës, për garantimin e aksesit në gjykatë.

Në tërësi, jurisprudenca e periudhës 2022–2025 tregon një riformulim të qartë të standardeve procedurale dhe materiale në drejtim të unifikimit të praktikës gjyqësore për trajtimin e çështjeve që burojnë nga zbatimi i ligjit nr. 133/2015 dhe i akteve nënligjore të tij.

Për një qasje më të plotë mbi trajtimin e çështjeve që lidhen me vlerësimin financiar të pronave dhe afatet e njoftimit të vendimeve sipas ligjit nr. 133/2015, më poshtë paraqiten vendimmarrjet konkrete të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, të përmbledhura në funksion të analizimit të kësaj tematike.

 

  1. Gjykata kompetente për mosmarrëveshjet që burojnë nga vlerësimet financiare të pronave sipas ligjit nr. 133/2015 

Maksima - 1. Sipas ligjit nr. 133/2015, janë katër dispozita që përcaktojnë gjykatën kompetente për mosmarrëveshjet civile dhe administrative që lindin nga trajtimi i pronës. Kur Agjencia e Trajtimit të Pronës (ATP) nuk kryen vlerësimin financiar të pronës brenda tre vitesh, atëherë subjekti mund t’i drejtohet Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për të përfituar vlerësimin financiar. 2. Kur subjekti kundërshton vlerësimin financiar të pronës nga ATP, atëherë kompetente nga ana funksionale për trajtimin e çështjes është Gjykata Administrative e Apelit Tiranë. 3. Ankimet kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronës bien në kompetencën e Gjykatës së Apelit (gjykata civile), ndërsa gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes, kur kërkesa është depozituar përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 133/2015 dhe nuk është shqyrtuar brenda tre vjetësh nga organi publik, është gjykata civile e shkallës së parë ku ndodhet sendi.

Fjalë kyçe - gjykatë kompetente, mosmarrëveshje civile, mosmarrëveshje administrative, vlerësim financiar prone, kompetencë funksionale.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2022-616, datë 07.04.2022, rezulton se, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë i është drejtuar Gjykatës së Lartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës me Gjykatën e Apelit Vlorë, në lidhje me padinë e paraqitur nga paditësja kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP). Paditësja kishte kërkuar ndryshimin e vendimit të ATP-së, duke pretenduar se vlerësimi financiar i pronës së trashëgimlënësit të saj ishte bërë në mënyrë të pasaktë dhe se kompensimi fizik duhej zëvendësuar me kompensim financiar. Në këtë vendim, KAGJL vlerësoi se mosmarrëveshja lidhej me kundërshtimin e vlerësimit financiar të pronës dhe formën e ekzekutimit të kompensimit, çka e përfshin në kuptimin e nenit 19 të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Në bazë të këtij ligji dhe të neneve 11 dhe 13 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, kompetente për shqyrtimin e padive që kundërshtojnë vlerësimin financiar të pronës është Gjykata Administrative e Apelit Tiranë. Për këtë arsye, Kolegji rregulloi kompetencën lëndore, duke përcaktuar si gjykatë kompetente Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.

  1. Vlerësimi financiar i pronës së njohur për kompensim dhe detyrimi i gjykatës për zbatimin e standardit minimal 10% sipas ligjit nr. 133/2015 dhe jurisprudencës kushtetuese

Maksima - Në shqyrtimin e çështjeve që lidhen me vlerësimin financiar të pronave të njohura për kompensim, gjykata është e detyruar të zbatojë standardet ligjore dhe kushtetuese në fuqi, duke hetuar plotësisht rrethanat faktike, duke përfshirë vlerësimin e pjesës së kthyer dhe të kompensuar, përcaktimin e zërit kadastral në kohën e shpronësimit dhe aplikimin e standardit minimal prej 10% të vlerës aktuale të pronës, sipas praktikës së GJEDNJ dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Fjalë kyçe - vlerësim financiar i pronës, standardi 10%, zëri kadastral, metodologjia ligjore, kompensim i drejtë.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2025-2462 (260), i datës 19.06.2025, rezulton se paditësit, si trashëgimtarë të ish-pronarit, kanë kërkuar vlerësimin financiar të pronës së njohur për kompensim me vendimin e ish-KKKP Vlorë. Sipas këtij vendimi, është njohur një truall me sipërfaqe 2570 m² në qytetin e Vlorës, prej të cilave 1076 m² të poseduara dhe 1494 m² të njohura për kompensim. Pas djegies së arkivës së KKKP-së, trashëgimtarët kanë rindërtuar dosjen dhe e kanë dorëzuar pranë ish-Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vitin 2008. Kërkesa e tyre për kompensim financiar është refuzuar për mungesë fondesh, ndërsa në vitet pasuese (2016–2018) ATP ka publikuar vetëm emrin e subjektit X pa përcaktuar vlerën e kompensimit. Në vitin 2019, trashëgimtarët kërkuan vlerësimin financiar të pronës, por ATP u përgjigj se vendimi i vitit 1996 ekzistonte vetëm si “kopje e njësuar” dhe për këtë arsye nuk mund të vlerësohej administrativisht, duke i udhëzuar t’i drejtoheshin gjykatës. Në vijim, ata paraqitën kërkesëpadi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila pranoi padinë dhe përcaktoi vlerën e kompensimit në shumën 16.289.082 lekë. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata Administrative e Apelit. Në këtë vendim, KAGJL konstatoi se Gjykata Administrative e Apelit nuk ka zbatuar drejt metodologjinë ligjore dhe standardet e përcaktuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 4, datë 15.02.2021, veçanërisht detyrimin për të hetuar dhe përcaktuar “standardin minimal 10%” të kompensimit, në rastet kur zëri kadastral aktual ndryshon nga ai i kohës së shpronësimit. Po ashtu, GJAA nuk ka administruar prova për vlerën e pjesës së kthyer dhe të kompensuar, nuk ka kërkuar ekspertizë për vlerësimin e pronës dhe nuk ka sqaruar çështjen e “vijës së verdhë” në Vlorë në kohën e shpronësimit, as autenticitetin e vendimit të KKKP të paraqitur si “kopje e njësuar”. KAGJL nënvizoi se gjykata e apelit në rigjykim duhet të garantojë hetim të plotë dhe të gjithanshëm, cilësim të saktë të fakteve, administrim të provave dhe ekspertizës përkatëse, si dhe zbatim të drejtë të metodologjisë ligjore të vlerësimit financiar, në përputhje me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

  1. Përcaktimi i zërit kadastral në kohën e shpronësimit për vlerësimin financiar të pronës së kompensuar

Maksima - Përcaktimi i zërit kadastral të pronës në kohën e shpronësimit është element themelor për vlerësimin financiar të saj, trajtimi i gabuar i pronës si tokë bujqësore kur ajo ka qenë truall përbën zbatim të gabuar të ligjit.

Fjalë kyçe - vlerësimi financiar i pronës, zë kadastral, truall, tokë bujqësore, ATP, kompensim prone.

Përmbledhje (1) - Në vendimin nr. 00-2025-1010 (129), datë 25.03.2025, rezulton se paditësi, si trashëgimtar i ish-pronarit, ka kërkuar rivlerësimin e pronës së njohur për kompensim, duke pretenduar se Agjencia e Trajtimit të Pronave e kishte trajtuar gabimisht si tokë bujqësore, ndërkohë që në momentin e shpronësimit ajo kishte pasur karakterin e truallit. Gjykata Administrative e Apelit, pas një hetimi të plotë të dokumentacionit kadastral dhe të vijës kufizuese të qytetit në kohën e shpronësimit, pranoi padinë dhe detyroi ATP të kryejë vlerësimin financiar të pronës në bazë të zërit kadastral “truall”, në përputhje me VKM nr. 89, datë 03.02.2016. Në këtë vendim, KAGJL vlerësoi se gjykata e apelit ka zbatuar drejt ligjin material dhe aktet nënligjore përkatëse, duke interpretuar në mënyrë të qëndrueshme dispozitat e ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave. Kolegji theksoi se identifikimi i saktë i zërit kadastral në momentin e shpronësimit është element themelor që përcakton vlerën e kompensimit financiar dhe se trajtimi i gabuar i pronës nga ATP përbën zbatim të gabuar të ligjit. Në përfundim, Kolegji la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, duke konfirmuar detyrimin e organit publik për të zbatuar vendimin gjyqësor dhe për të rivlerësuar pronën në përputhje me zërin kadastral të kohës së shpronësimit.

Përmbledhje (2) - Në vendimin nr. 00-2025-240 (30), datë 23.01.2025, rezulton se, pala paditëse, si trashëgimtare e ish-pronarit, ka kundërshtuar vlerësimin financiar të kryer nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për një pasuri në qytetin e Durrësit, me pretendimin se ajo duhej vlerësuar si truall dhe jo si tokë bujqësore, pasi në kohën e shpronësimit ishte përdorur për ndërtim industrial. Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë, duke pranuar që ATP kishte vepruar në përputhje me dokumentacionin arkivor të kohës, sipas të cilit prona ishte regjistruar si tokë bujqësore. Në këtë vendim KAGJL konstatoi se gjykata e apelit nuk kishte zhvilluar hetim të plotë dhe të gjithanshëm lidhur me regjimin juridik të pronës në momentin e shpronësimit dhe nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm mbi provat kontradiktore. Kolegji theksoi se në rigjykim duhet të garantohet zhvillimi i hetimit të plotë, cilësimi i saktë i fakteve dhe zbatimi i drejtë i ligjit material nr. 133/2015 dhe akteve nënligjore përkatëse. Gjithashtu, Kolegji vlerësoi se gjykata e apelit ka detyrimin të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 4, datë 15.02.2021 dhe jurisprudencën e GJEDNJ në çështjen “Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, duke aplikuar standardin minimal 10% të vlerës aktuale të pronës, në rastet kur zëri kadastral ka ndryshuar nga koha e shpronësimit në atë të vlerësimit. 

  1. Konsolidimi i praktikës gjyqësore mbi përcaktimin e zërit kadastral dhe metodologjinë e vlerësimit financiar sipas ligjit nr. 133/2015

Maksima - Në çështjet që lidhen me vlerësimin financiar të pronave të njohura për kompensim, gjykatat duhet të garantojnë hetim të plotë dhe zbatim të saktë të ligjit material, duke përcaktuar me kujdes zërin kadastral të pronës në kohën e shpronësimit dhe metodologjinë përkatëse të vlerësimit financiar, në përputhje me ligjin nr. 133/2015 dhe aktet nënligjore të zbatimit. Saktësia në përcaktimin e zërit kadastral përbën kusht thelbësor për sigurimin e kompensimit të drejtë financiar dhe për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor.

Fjalë kyçe - vlerësim financiar i pronës, zë kadastral, kompensim i drejtë financiar, metodologjia ligjore.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2025-1358 (84), datë 19.02.2025, rezulton se trashëgimtarët e ish-pronarëve kanë kërkuar ndryshimin e vlerësimit financiar të pronës së njohur për kompensim, duke pretenduar se Agjencia e Trajtimit të Pronave e kishte vlerësuar gabimisht pronën me zërin kadastral “Arë”. Gjykata Administrative e Apelit, pas zhvillimit të hetimit gjyqësor, administrimit të dokumentacionit arkivor, hartografik dhe kryerjes së ekspertimit teknik, konstatoi se pasuria ndodhej brenda kufijve urbanë të qytetit të Elbasanit që në momentin e shpronësimit, dhe për rrjedhojë kishte zërin kadastral “Truall”. Në përputhje me nenet 6, 7 dhe 8 të ligjit nr. 133/2015 dhe me VKM nr. 223/2016, gjykata përllogariti vlerën e kompensimit financiar në shumën 68.172.524 lekë, duke aplikuar metodologjinë e bazuar në zërin kadastral të origjinës dhe në hartën e vlerës së tokës të miratuar me VKM nr. 89, datë 03.02.2016. Në vendim, KAGJL vlerësoi se vendimi i gjykatës së apelit është i mbështetur në prova dhe në ligj, pasi garanton zbatim të drejtë të metodologjisë së vlerësimit dhe të parimeve të procesit të rregullt ligjor, siç përcaktohet edhe në jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës dhe në standardet e vendimit pilot “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”. Për këtë arsye, Kolegji la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit.

  1.  Detyrimi i organit publik për të provuar ligjshmërinë e vendimit të tij dhe përcaktimin e saktë të zërit kadastral të pronës

Maksima - Në çështjet që lidhen me vlerësimin financiar të pronave të njohura për kompensim, organi publik (ATP) mban barrën e provës për të provuar ligjshmërinë e vendimit të tij dhe përcaktimin e saktë të zërit kadastral të pronës, mbi bazën e dokumenteve zyrtare dhe akteve të administruara. Mungesa e hetimit të plotë dhe përmbysja e barrës së provës në ngarkim të subjektit privat përbën shkelje të ligjit material dhe procedural.

Fjalë kyçe - vlerësim financiar prone, organ publik, barrë prove, përcaktim i zërit kadastral.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2025-144 (38), datë 23.01.2025, rezulton se paditësi kishte kërkuar shfuqizimin e vlerësimit financiar të pronës së njohur me vendimin e ish-KKKP Bashkia Tiranë, për shkak se Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) e kishte trajtuar pasurinë si “Tokë bujqësore” dhe jo “Truall”. Gjykata Administrative e Apelit e kishte rrëzuar padinë, duke arsyetuar se nga dokumentacioni kadastral i vitit 1993 dhe nga përmbajtja e vendimit të ish-KKKP, prona rezultonte si tokë e punueshme dhe livadh, pra tokë bujqësore. Në vendim KAGJL, theksoi se barrën e provës për ligjshmërinë e veprimeve administrative dhe për përcaktimin e saktë të zërit kadastral e ka organi publik (ATP), dhe jo pala paditëse. Organi publik duhet të sigurojë administrimin e provave të nevojshme, konkretisht titullin ose aktet e pronësisë mbi të cilën pretendohet origjina e pronës dhe aktet zyrtare në momentin e marrjes së vendimit për kompensim dhe/ose ato aktualisht, për të përcaktuar drejt zërin kadastral, si dhe të arsyetojë në lidhje me qëndrimin ndaj aktit të ekspertimit, në kuadër të detyrimit që përcakton neni 224 i Kodit të Procedurës Civile. Kolegji gjithashtu vuri në dukje se, gjatë rishqyrtimit, Gjykata Administrative e Apelit duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 4, datë 15.02.2021, i cili ka shfuqizuar si antikushtetuese shkronjat “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 7 të ligjit nr. 133/2015, duke sanksionuar detyrimin për të garantuar shpërblim të drejtë për subjektet kur zëri kadastral ka ndryshuar. 

  1.  Aplikimi i indeksit të inflacionit dhe interesit bankar si tregues të pavarur në vlerësimin financiar të pronave për kompensim

Maksima - Nga interpretimi sistematik i nenit 6/7 të ligjit nr. 133/2015 dhe të VKM nr. 223/2016, rezulton se treguesit “vlera zyrtare e inflacionit” dhe “interesi bankar” kanë kuptime të veçanta dhe duhet të trajtohen si elemente të pavarur në funksion të sigurimit të shpërblimit të drejtë financiar.

Fjalë kyçe - vlerësim financiar prone, metodologji, vlerë zyrtare e inflacionit, indeksim bankar, përllogaritje e obligacioneve.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2025-2569 (153), datë 07.04.2025, rezulton se paditësi, si trashëgimtar i ish-pronares ka kundërshtuar vlerësimin financiar të bërë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) për vendimin e ish-KKKP Tiranë, lidhur me kompensimin e sipërfaqes 150.000 m² tokë bujqësore, duke pretenduar se llogaritja në shumën 5.746.545 lekë ishte e gabuar dhe nuk përfaqësonte një shpërblim të drejtë. Gjykata Administrative e Apelit ka pranuar pjesërisht padinë, duke detyruar ATP të kompensojë trashëgimtarët me shumën 15.263.268 lekë, pasi kishte konstatuar se përllogaritja e bërë nga ATP ishte e paplotë, duke përdorur vetëm koeficientët e rivlerësimit të inflacionit pa përfshirë normën e interesit bankar, në kundërshtim me nenin 6 pika 7 të ligjit nr. 133/2015 dhe aktet nënligjore përkatëse. Kundër këtij vendimi kanë ushtruar rekurs si paditësi, duke kërkuar njohjen e një vlere më të lartë në bazë të VKM nr. 1620/2008 ose VKM nr. 89/2016, ashtu edhe pala e paditur ATP dhe Avokatura e Shtetit, duke kërkuar prishjen e vendimit me pretendimin se gjykata kishte interpretuar gabimisht ligjin dhe se koeficientët e rivlerësimit të INSTAT përfshijnë si inflacionin, ashtu edhe interesin bankar. Në këtë vendim, KAGJL vlerësoi se gjykata e apelit kishte dhënë një arsyetim të mangët lidhur me mënyrën e aplikimit të nenit 6 pika 7 të ligjit nr. 133/2015. Kolegji theksoi se “vlera zyrtare e inflacionit” dhe “indeksi bankar” janë tregues të ndarë që duhet të aplikohen veçmas, duke çmuar se mungesa e arsyetimit për elementin e interesit bankar cenon të drejtën e subjektit për një shpërblim të drejtë dhe përbën zbatim të pasaktë të ligjit. Për këtë arsye, Kolegji udhëzoi që në rigjykim të hetohen plotësisht pretendimet mbi zbatimin e VKM nr. 89/2016 ose VKM nr. 1620/2008 dhe të përcaktohen qartë kriteret për indeksimin dhe interesin bankar, sipas nenit 6 pika 7 të ligjit nr. 133/2015.             

  1. Llogaritja e vlerës financiare e vendimeve të kompensimit të përcaktuara në vlerë dhe ende të paekzekutuara sipas ligjit nr.133/2015

Maksima - Kur kemi vendime kompensimi të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara, referuar nenit 6 (7) të ligjit nr. 133/2015, i ndryshuar, llogaritja e vlerës financiare kryhet mbi dy elemente: (i) indeksimin sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe (ii) interesin bankar sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë. Periudha e llogaritjes është nga njohja e të drejtës për kompensim deri në datën e publikimit nga ATP, pra ligji nuk njeh aplikimin e këtyre elementeve përtej kësaj date.

Fjalë kyçe - vlerësim financiar, metodologji vlerësimi, kompensim pronash, interes bankar, indeksim, INSTAT, obligacione, vendime kompensimi të paekzekutuara, datë publikimi nga ATP.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2025-2559 (91), datë 27.02.2025, rezulton se paditësi ka kundërshtuar vlerësimin financiar të bërë nga ATP, lidhur me vendimin nr. 73, datë 27.03.2002 të ish-KKKP Lezhë, duke pretenduar se metodologjia e përdorur nuk ishte e rregullt dhe duke kërkuar vlerësim financiar të pronës sipas çmimit të tregut. Gjykata Administrative e Apelit ka pranuar pjesërisht padinë, duke detyruar ATP të llogarisë interesin bankar mbi shumën 1.999.350 lekë, nga data 24.02.2016 (sipas VKM nr. 223, datë 23.03.2016) deri në marrjen e shpërblimit, ndërkohë që ka vlerësuar të ligjshme përllogaritjen e indeksimit sipas INSTAT, por pa arsyetuar nëse kjo formulë përfaqëson vetëm indeksimin apo përfshin edhe interesin bankar. Në vendim KAGJL vlerësoi se vendimi i apelit ishte marrë në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit nr. 133/2015, duke qenë kontradiktor dhe i paqartë lidhur me periudhën dhe mënyrën e aplikimit të interesit bankar, si dhe pa hetuar nëse paditësi kishte përfituar obligacionet e përcaktuara në vendimin e ish-KKKP. KAGJL theksoi se, sipas nenit 6 (7) të ligjit nr. 133/2015, llogaritja financiare për vendimet e kompensimit të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara kryhet mbi dy elemente, indeksimin sipas inflacionit dhe interesin bankar sipas mesatares vjetore të Bankës së Shqipërisë, për periudhën nga njohja e së drejtës për kompensim deri në datën e publikimit nga ATP, pa u shtrirë përtej kësaj date.                                             

  1.  Kompensimi financiar për sipërfaqen e mbetur të pronës së njohur me vendim të ish-KKKP

Maksima -Në rastet kur subjekti është kompensuar pjesërisht për pronën e njohur me vendim të ish-KKKP, organi përgjegjës ka detyrimin të kryejë kompensimin financiar për sipërfaqen e mbetur, duke u mbështetur në ligjin nr. 133/2015 dhe duke aplikuar zërin kadastral që kishte prona në kohën e shpronësimit, sipas përcaktimeve të VKM nr. 89/2016 dhe nr. 223/2016.

Fjalë kyçe - kompensim financiar, organi përgjegjës, sipërfaqe e mbetur, zë kadastral.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2025-969 (13), datë 20.01.2025, rezulton se paditësja, si trashëgimtare e ish-pronares ka kërkuar kompensimin financiar për një sipërfaqe toke të njohur për kompensim, pjesërisht të papërfituar. Nga aktet rezulton se ajo ishte kompensuar për 230 m², ndërsa 30 m² kishin mbetur pa u kompensuar. Në këtë vendim, KAGJL theksoi se qëndrimi i mbajtur nga Gjykata Administrative e Apelit ishte i drejtë, pasi pala paditëse është kompensuar financiarisht nga shteti për sipërfaqen prej 230 m², duke mbetur pa u kompensuar vetëm për pjesën prej 30 m². Kolegji vlerësoi se në zbatim të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronës”, pala e paditur ka detyrimin të kompensojë financiarisht palën paditëse për sipërfaqen e mbetur, sipas zërit kadastral që ka pasur toka në kohën e shpronësimit dhe në përputhje me përcaktimet e VKM nr. 89/2016 dhe VKM nr. 223/2016. Kolegji sqaroi se gjykatat administrative kanë detyrimin të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave legjitime të palëve përmes një procesi të rregullt gjyqësor, në përputhje me nenin 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ. Në përfundim, Kolegji vlerësoi se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është marrë në përputhje me ligjin dhe me provat e administruara në dosje, ndaj vendosi lënien e tij në fuqi.

  1.  Afati i ngritjes së padisë për të kundërshtuar shpronësimin e pronës për interes publik me VKM

Maksima - 1. Afati 30 ditor për të kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shpronësimin e pronës për interes publik, nis pas botimit të tij në fletoren zyrtare. 2. Botimi i VKM në fletoren zyrtare shërben si një nga format e njoftimit që përcakton Kodi i Procedurave Administrative, ligji organik i kohës për botimet në fletoren zyrtare, si dhe ligji për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.

Fjalë kyçe - njoftimi përmes botimit zyrtar, afat i ngritjes së padisë, vendim i Këshillit të Ministrave, shpronësim, interes publik, njoftim me botim në fletoren zyrtare, njoftim individual, afat parashkrimi, shpërblim proporcional.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2022-987(223), datë 02.06.2022rezulton se paditësi ka kundërshtuar VKM “Për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike”, duke kërkuar ndryshimin e pjesshëm të tij dhe rritjen e vlerës së shpërblimit. Gjykatat e faktit e kanë pranuar pjesërisht padinë, ndërsa KAGJL konstatoi se padia është paraqitur jashtë çdo afati ligjor. Në këtë vendim, KAGJL analizoi nenin 18 të ligjit nr. 49/2012 dhe theksoi se afati për ushtrimin e padisë administrative është afat ligjor dhe i prerë, shkelja e të cilit sjell humbjen e të drejtës për padi. Kolegji vlerësoi se botimi i VKM në fletoren zyrtare përbën një formë të vlefshme njoftimi për subjektet e shpronësuara, nga e cila fillon të rrjedhë afati për paraqitjen e padisë. U theksua se botimi në fletoren zyrtare është një moment thelbësor, që i jep aktit fuqi juridike dhe garanton dijeninë e publikut për përmbajtjen e tij. Kolegji sqaroi gjithashtu se parashikimet e neneve 21 dhe 24 të ligjit nr. 8561/1999 nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, por plotësojnë njëri-tjetrin, pasi qëllimi i tyre është të garantojnë vënien në dijeninë të subjekteve të shpronësuara, si përmes njoftimit publik (botimi në fletoren zyrtare), ashtu edhe përmes njoftimit individual. Duke konstatuar se VKM është botuar në fletoren zyrtare më datë 01.04.2014, ndërsa padia është depozituar më 12.01.2016, Kolegji arriti në përfundimin se padia është ushtruar jashtë afatit ligjor dhe, rrjedhimisht, ndryshoi vendimet e gjykatave të faktit, duke rrëzuar padinë.

  1. Afati i padisë për të kundërshtuar gjyqësisht vlerësimin financiar të pronës

Maksima - Afati për paraqitjen e kërkesëpadisë përpara Gjykatës Administrative të Apelit për kundërshtimin e vlerësimit financiar të pronës sipas ligjit nr.133/2015 është 30 ditë nga njoftimi i tij. Kur akti administrativ i vlerësimit financiar të pronës nuk tregon qartë të drejtën dhe afatin e ngritjes së padisë, ky afat zgjatet automatikisht në 1 vit, në zbatim të nenit 18, pika 2, të ligjit nr. 49/2012 të ndryshuar. 

Fjalë kyçe - afati i ngritjes së padisë, njoftim me botim në fletoren zyrtare, vlerësim financiar i pronës, zgjatje afati.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2022-2287 (321), datë 22.09.2022, rezulton se paditësit, kanë kundërshtuar vlerësimin financiar të bërë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) në zbatim të ligjit nr. 133/2015, lidhur me vendimin e ish-KKKP, duke kërkuar që kompensimi për sipërfaqen 1008 m² të kryhet si “Tokë truall” dhe jo si “Tokë bujqësore”. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë e pranoi padinë, shfuqizoi vlerësimin financiar të ATP dhe detyroi këtë të fundit të vlerësonte pronën sipas zërit kadastral “Truall”, në shumën 19.490.688 lekë. Në këtë vendim, KAGJL analizoi afatin e parashikuar në nenin 19 të ligjit nr. 133/2015 për ushtrimin e padisë brenda 30 ditëve nga publikimi i vlerësimit financiar, në lidhje me nenin 18 të ligjit nr. 49/2012, dhe vlerësoi se në rastet kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e ankimit, ky afat zgjatet në një vit. Duke konstatuar se vendimi për vlerësimin financiar ishte botuar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare më datë 18.09.2017, pa përmbajtur njoftim të qartë për të drejtën e ankimit, Kolegji çmoi se padia e paraqitur nga paditësit ishte brenda afatit ligjor. Për këto arsye, Kolegji la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

  1.  Njoftimi publik i vlerësimit financiar të pronës në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare. Afati 1- vjeçar për ngritjen e padisë, kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatine ankimit në gjykatë

Maksima – Në rast se në njoftimin publik të realizuar nga ATP në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e ankimit në gjykatë, afati për ngritjen e padisë është 1 vit.

Fjalë kyçe - afati i ngritjes së padisë, vlerësim financiar i pronës, njoftim në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, pronë e njohur për kompensim, njoftim publik i aktit administrativ.

Përmbledhje - Në vendimin nr. 00-2024-2203 (227), datë 22.05.2024, rezulton se paditësit kanë kundërshtuar vlerësimin financiar të bërë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) në zbatim të ligjit nr. 133/2015, lidhur me vendimin e ish-KKKP duke kërkuar anulimin e rivlerësimit financiar dhe detyrimin e ATP për kompensimin e sipërfaqes së mbetur prej 4100 m², të vlerësuar si “Tokë truall” në bazë të çmimit aktual të përcaktuar në VKM nr. 89, datë 03.02.2016. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka vendosur mospranimin e padisë, duke arsyetuar se ajo është paraqitur jashtë afatit 30-ditor të përcaktuar në nenin 19 të ligjit nr. 133/2015, pasi vlerësimi financiar është botuar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare më 04.03.2019, ndërsa padia është paraqitur më 30.04.2019. Në këtë vendim, KAGJL analizoi nenin 19 të ligjit nr. 133/2015 në lidhje me nenin 18 të ligjit nr. 49/2012 dhe nenin 163 të Kodit të Procedurave Administrative, duke theksuar se kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e padisë, afati për paraqitjen e saj zgjatet në një vit. Kolegji konstatoi se njoftimi i aktit të ATP, i bërë përmes Buletinit të Njoftimeve Zyrtare, nuk përmbante informacion të qartë për të drejtën e ankimit dhe afatin përkatës ligjor, duke përbërë një të metë që vepron në favor të palës paditëse. Në këto kushte, Kolegji vlerësoi se padia është paraqitur brenda afatit ligjor dhe se Gjykata Administrative e Apelit ka gabuar kur e ka rrëzuar atë si të vonuar.

  1.  Fillimi i afatit të padisë ndaj vlerësimit financiar të ATP-së dhe interpretimi në favor të palës në rast njoftimi të metë

Maksima – 1. Afati 30-ditor për paraqitjen e padisë ndaj vlerësimit financiar të ATP fillon 10 ditë pas publikimit të aktit në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare. 2. Kur akti administrativ nuk tregon qartë të drejtën dhe afatin e ankimit, njoftimi konsiderohet i metë dhe afati për ushtrimin e padisë është njëvjeçar, sipas nenit 18/2 të ligjit nr. 49/2012, duke u interpretuar në favor të palës për garantimin e aksesit në gjykatë.

Fjalë kyçe - publikimi në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare , afati i padisë, vlerësim financiar (ATP), akses në gjykatë.

Përmbledhje – Në vendimin nr. 00-2025-3176 (342), datë 18.09.2025, rezulton se pala paditëse ka kundërshtuar përpara gjykatës vlerësimin financiar të bërë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) për një vendim të ish-KKKP, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit e ka rrëzuar padinë si të paraqitur jashtë afatit ligjor. Nga shqyrtimi i KAGJL, rezultoi se, ATP kishte publikuar aktin në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe sipas nenit 163 të Kodit të Procedurave Administrative, afati 30-ditor për paraqitjen e padisë fillon 10 ditë pas këtij botimi. Megjithatë, duke qenë se në njoftim nuk ishte treguar qartë e drejta dhe afati i paraqitjes së padisë, Kolegji vlerësoi se njoftimi është i metë dhe, në zbatim të nenit 18 pika 2 të ligjit nr. 49/2012, afati është njëvjeçar. Kolegji theksoi se një e metë e tillë duhet interpretuar në favor të palës, në funksion të garantimit të së drejtës për akses në gjykatë dhe të sigurisë juridike. Për këto arsye, u vendos prishja e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe kthimi i çështjes për rigjykim me tjetër trup gjykues.

1. Abonohu në buletinin informativ elektronik

Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini

 

2. Njihu me jurisprudencën në JUDIX

Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/

 

Kontakto:

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.