Buletini nr. 6 - 2026

1. Jurisprudencë e Gjykatës së Lartë

 

 

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

 

            I. Vendimi zhvillues nr. 00-2026-2675 (221), datë 16.04.2026 i Kolegjit Administrativ

Maksima - Shprehja “gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel”, e parashikuar në nenin 20/1 të ligjit nr. 111/2017, duhet kuptuar nën dritën e neneve 2, 4, 19, 21 dhe 22 të këtij ligji, si dhe të nenit 42 të Kushtetutës, si gjykata që në fazën konkrete të procesit ka kompetencën funksionale të shqyrtojë çështjen ose kërkesën procedurale nga e cila varet ushtrimi efektiv i së drejtës së aksesit në gjykatë. Për rrjedhojë, kur kërkesa për ndihmë juridike dytësore paraqitet gjatë gjykimit në apel, kompetente është gjykata e apelit ku ndodhet çështja. Kur nevoja për ndihmë juridike dytësore lind në fazën e ushtrimit të ankimit ose të rekursit, kompetenca i përket gjykatës pranë së cilës depozitohet ankimi ose rekursi dhe ku verifikohet rregullsia formale e tij”.

Fjalë kyçe - ndihmë juridike dytësore, kompetencë lëndore, kompetencë funksionale, akses efektiv në drejtësi.

Përmbledhje - Në këtë çështje, kërkuesja kërkoi përfitimin e ndihmës juridike dytësore për t’u përfaqësuar në një çështje administrative. Kërkesa u paraqit pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila deklaroi moskompetencën lëndore dhe ia dërgoi aktet Gjykatës Administrative të Apelit, pasi çështja kryesore ndodhej e regjistruar për shqyrtim pranë kësaj të fundit. Gjykata Administrative e Apelit ngriti mosmarrëveshjen e kompetencës përpara Gjykatës së Lartë, duke vlerësuar se kërkesa për ndihmë juridike dytësore duhej të shqyrtohej nga gjykata administrative e shkallës së parë, si gjykata kompetente fillestare për shqyrtimin e çështjes në themel. Për shkak të qëndrimeve të ndryshme të mbajtura më parë në praktikën gjyqësore, Kolegji Administrativ e shqyrtoi çështjen për njësimin e praktikës lidhur me përcaktimin e gjykatës kompetente kur kërkesa për ndihmë juridike dytësore paraqitet në fazën e apelit ose të rekursit. Kolegji vlerësoi se ndihma juridike dytësore nuk është procedurë e shkëputur nga procesi kryesor, por një mekanizëm funksional për garantimin e aksesit real dhe efektiv në drejtësi, i cili duhet të prodhojë efekt në fazën konkrete ku pala ka nevojë për mbrojtje profesionale. Për këtë arsye, shprehja “gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel”, e parashikuar në nenin 20/1 të ligjit nr. 111/2017, nuk duhet të kuptohet vetëm si gjykata e shkallës së parë, por si gjykata që, në momentin e paraqitjes së kërkesës, ka kompetencën funksionale për shqyrtimin e çështjes ose të veprimit procedural përkatës. Kolegji njësoi praktikën duke përcaktuar se, kur kërkesa paraqitet gjatë gjykimit në apel, kompetente është gjykata e apelit ku ndodhet çështja, ndërsa kur nevoja për ndihmë juridike lidhet me ushtrimin, nënshkrimin ose depozitimin e ankimit apo të rekursit, kompetenca i përket gjykatës pranë së cilës depozitohet mjeti procedural dhe verifikohet rregullsia formale e tij. Në çështjen konkrete, duke qenë se procesi administrativ ndodhej në pritje të shqyrtimit pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Kolegji vlerësoi se kjo gjykatë ishte kompetente për shqyrtimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore. Për rrjedhojë, Kolegji la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, që kishte deklaruar moskompetencën lëndore dhe kishte dërguar aktet pranë Gjykatës Administrative të Apelit. 

            II. Vendimi nr. 00-2026-2564 (307), datë 18.06.2026 i Kolegjit Administrativ

Maksima - Kontrolli gjyqësor i masës disiplinore ndaj nëpunësit civil përfshin jo vetëm verifikimin e shkeljes, por edhe vlerësimin e rëndësisë dhe pasojave të saj, shkallës së fajësisë dhe masave disiplinore të mëparshme. Largimi nga shërbimi civil është i ligjshëm vetëm kur, në zbatim të kritereve të përshkallëzimit dhe individualizimit, masa është proporcionale me shkeljen e kryer.

Fjalë kyçe - nëpunës civil, procedim disiplinor, largim nga shërbimi civil, shkelje shumë e rëndë, masa disiplinore të mëparshme, përshkallëzim i masës disiplinore, individualizim i masës disiplinore, proporcionalitet.

Përmbledhje - Në këtë çështje, paditësja, nëpunëse civile pranë një organi të administratës shtetërore, kundërshtoi vendimin e komisionit disiplinor pranë organit publik, me të cilin ndaj saj ishte dhënë masa disiplinore “largim nga shërbimi civil”. Procedimi disiplinor ishte mbështetur në gjetjet e një auditimi të brendshëm, sipas të cilit paditësja kishte kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me detyrat e saj funksionale, ndërsa në dosjen e personelit rezultonin edhe dy masa disiplinore të mëparshme të pashuara. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë pranoi padinë, shfuqizoi masën disiplinore dhe urdhëroi kthimin e paditëses në detyrë dhe pagimin e pagave, duke vlerësuar se organi publik nuk kishte provuar konkretisht shkeljet, fajësinë dhe pasojat e ardhura prej tyre. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata Administrative e Apelit. Kundër këtij vendimi ushtruan rekurs organi publik punëdhënës dhe Departamenti i Administratës Publike, duke pretenduar se shkeljet ishin të provuara, se kishin sjellë pasoja të rënda dhe se masa ishte individualizuar duke marrë parasysh edhe masat disiplinore të mëparshme. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se gjykatat e faktit nuk kishin kryer një analizë të plotë dhe të gjithanshme të elementeve që kushtëzojnë përgjegjësinë disiplinore dhe përcaktimin e masës sipas neneve 57, 60 dhe 61 të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”. Kolegji theksoi se kontrolli gjyqësor nuk mund të kufizohet vetëm në konstatimin nëse administrata kishte provuar shkeljen, por duhet të përfshijë edhe verifikimin e pasojave konkrete, shkallës së fajësisë, rëndësisë së shkeljes, ndikimit të masave të mëparshme dhe proporcionalitetit të largimit nga shërbimi civil. Gjykatat nuk kishin analizuar nëse nga veprimet ose mosveprimet e paditëses kishin ardhur pasoja konkrete për interesin publik dhe organin e administratës shtetërore, si dhe nëse dy masat e mëparshme përbënin element të përshkallëzimit dhe individualizimit të masës. Për këto arsye, Kolegji Administrativ prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me tjetër trup gjykues.

            III. Vendimi nr. 00-2026-1386 (216), datë 16.04.2026 i Kolegjit Administrativ

Maksima - Paraqitja e kërkesës për legalizim nuk e bën ndërtimin pa leje automatikisht të ligjshëm dhe as nuk garanton legalizimin e tij, por krijon një pritshmëri të ligjshme vetëm kur ndërtimi plotëson kriteret ligjore. Prishja e objektit gjatë procedurës së legalizimit nuk sjell vetvetiu të drejtën për dëmshpërblim, pa u provuar se ndërtimi mund të legalizohej dhe se plotësohen kushtet e përgjegjësisë jashtëkontraktore të shtetit.

Fjalë kyçe - ndërtim pa leje, procedurë legalizimi, pritshmëri e ligjshme, prishje objekti, përgjegjësi jashtëkontraktore, dëm pasuror, paligjshmëri e veprimit administrativ, lidhje shkakësore, kriteret e legalizimit.

Përmbledhje - Në këtë çështje, paditësi kundërshtoi vendimin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për prishjen e një objekti dykatësh, të përdorur për veprimtari tregtare, dhe kërkoi shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor të shkaktuar nga prishja e tij. Për objektin ishte paraqitur fillimisht kërkesë për legalizimin e katit të parë dhe më pas edhe për katin e dytë, ndërkohë që organi kompetent për legalizimin nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë e pranoi padinë, konstatoi pavlefshmërinë absolute të vendimit të prishjes dhe e detyroi organin publik të shpërblente paditësin për dëmin e shkaktuar. Gjykata Administrative e Apelit e la në fuqi këtë vendim, duke vlerësuar se, për sa kohë objekti ishte në proces legalizimi dhe nuk ishte përjashtuar me vendim nga ky proces, organi i inspektimit nuk mund të procedonte me prishjen e tij. Kundër vendimit ushtruan rekurs Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Avokatura e Shtetit, duke pretenduar se objekti ishte ndërtim pa leje dhe se mungonte një vendim që ta kualifikonte për legalizim. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë theksoi se paraqitja e kërkesës për legalizim nuk e ligjëron automatikisht ndërtimin dhe as nuk krijon një të drejtë të garantuar për legalizim, por vetëm një pritshmëri të ligjshme, e cila varet nga përmbushja e kritereve teknike dhe ligjore të parashikuara nga ligji nr. 9482/2006. Ndërhyrja e organit shtetëror për prishjen e objektit, pa pritur përfundimin e procedurës së legalizimit, mund të ngrejë çështje mbi ligjshmërinë e veprimit administrativ, por nuk mjafton vetvetiu për të njohur të drejtën për dëmshpërblim. Kolegji vlerësoi se duhej verifikuar nëse objekti kishte mundësi dhe perspektivë reale për t’u legalizuar, nëse paditësi gëzonte një pritshmëri të ligjshme dhe nëse ekzistonte lidhje shkakësore ndërmjet veprimit të organit publik dhe dëmit të pretenduar. Për këto arsye, Kolegji Administrativ prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me tjetër trup gjykues.                          

            IV. Vendimi nr. 00-2026-125 (35), datë 22.01.2026 i Kolegjit Administrativ

Maksima - Në mosmarrëveshjet që lidhen me regjistrimin e një pasurie të paluajtshme të fituar me kontratë shitjeje me rezervë pronësie, detyrimi i organit kadastral për kryerjen e regjistrimit nuk mund të vendoset pa u administruar praktika e plotë e regjistrimit dhe pa u verifikuar titulli që përbën origjinën e pronësisë, përmbushja e kushteve të kontratës dhe plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga organi publik.

Fjalë kyçe - regjistrim i pasurisë së paluajtshme, kontratë shitjeje me rezervë pronësie, pagimi i këstit të fundit, fitimi i pronësisë, titulli që përbën origjinën e pronësisë, praktikë dokumentare e regjistrimit, plotësim dokumentacioni.

Përmbledhje - Në këtë çështje, paditësi kërkoi detyrimin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të zëvendësuar proceduralisht gjatë gjykimit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për regjistrimin në emrin e tij të një njësie tregtare të blerë me kontratë shitjeje me rezervë pronësie. Çmimi i shitjes ishte parashikuar të paguhej me këste, ndërsa për këstin e katërt dhe të fundit palët kishin rënë dakord që pagesat mujore të kryheshin nëpërmjet sistemit bankar në favor të një personi të tretë. Pas paraqitjes së kërkesës për regjistrim, organi kadastral i kërkoi paditësit plotësimin e dokumentacionit për formalizimin e pagimit të këstit të fundit, nëpërmjet paraqitjes së deklaratës noteriale nga pala shitëse ose të aktit përfundimtar të shitjes. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë pranoi padinë dhe urdhëroi regjistrimin e pasurisë, duke vlerësuar se pagimi i plotë i çmimit provohej me deklaratat noteriale dhe mandatpagesat bankare. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila çmoi se kontrata e shitjes me rezervë pronësie përbënte titull të vlefshëm për regjistrim dhe se nuk ishte e nevojshme lidhja e një kontrate tjetër përfundimtare. Kundër këtij vendimi paraqiti rekurs organi kadastral, duke pretenduar, ndër të tjera, se nuk kishte refuzuar regjistrimin e pasurisë, por i kishte kërkuar paditësit plotësimin e dokumentacionit për pagimin e këstit të fundit dhe se regjistrimi nuk mund të kryhej vetëm mbi bazën e mandatpagesave bankare. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se gjykatat e faktit nuk kishin administruar praktikën e plotë dokumentare të regjistrimit dhe nuk kishin verifikuar kronologjinë e regjistrimeve, titullin që përbënte origjinën e pronësisë dhe dokumentet mbi të cilat mbështetej kërkesa për regjistrim. Kolegji theksoi se regjistrimi i një pasurie të paluajtshme të fituar në mënyrë të ligjshme përbën detyrim të organit kadastral, ndërsa regjistruesi ka kompetencë t’i kërkojë personit të interesuar paraqitjen e dokumentacionit të nevojshëm dhe, në rast të mosparaqitjes së tij brenda afatit ligjor, të refuzojë kërkesën për regjistrim. Në rastin konkret, Kolegji konstatoi se organi kadastral nuk kishte refuzuar në mënyrë të mirëfilltë regjistrimin, por i kishte lënë paditësit afat për plotësimin e dokumentacionit. Për këtë arsye, gjykatat duhej të saktësonin shkakun ligjor të padisë dhe të vlerësonin se si qëndronte mospërmbushja e kërkesës së organit publik në raport me padinë e paraqitur. Për këto arsye, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.                         

V. Vendimi nr. 00-2026-984 (177), datë 27.03.2026 i Kolegjit Administrativ

Maksima - Në procesin e inventarizimit dhe transferimit të pronave publike në njësitë e qeverisjes vendore mund të përfshihen vetëm pasuritë në pronësi të shtetit. Kur pretendohet se pasuria e transferuar është fituar më parë nga një subjekt privat nëpërmjet privatizimit dhe ushtrimit të së drejtës së parablerjes, zgjidhja e mosmarrëveshjes kërkon verifikimin e titullit të pronësisë, identifikimin dhe pozicionimin e pasurisë, si dhe përcaktimin e raportit të saj me pasuritë e përfshira në aktin e transferimit.

Fjalë kyçe - transferim i pronave shtetërore, pronë private, inventarizim i pronës shtetërore, e drejtë parablerjeje, privatizim, kontratë shitjeje, titull pronësie, identifikim i pasurisë.

Përmbledhje - Në këtë çështje, paditësi kërkoi konstatimin e pavlefshmërisë absolute të pjesshme të VKM nr. 771, datë 14.11.2007, me të cilën disa pasuri të ish-punishtes “Poçeria” ishin transferuar në pronësi të Bashkisë Burrel. Ai pretendoi se objektin e kishte fituar që në vitin 1996 nëpërmjet një kontrate privatizimi, duke ushtruar të drejtën e parablerjes si ish-pronar i truallit. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe Gjykata Administrative e Apelit e rrëzuan padinë, duke vlerësuar se paditësi nuk kishte provuar pronësinë dhe se Këshilli i Ministrave kishte vepruar brenda kompetencave të tij. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë theksoi se sipas ligjeve nr. 8743/2001 dhe nr. 8744/2001 mund të inventarizohen dhe transferohen vetëm pasuritë shtetërore, ndërsa pasuritë private përjashtohen nga ky proces. Kolegji vlerësoi se Gjykata e Apelit nuk kishte hetuar nëse kontrata e privatizimit dhe vendimi i kthimit të pronës kishin sjellë fitimin e pronësisë mbi objektin dhe truallin, si dhe nuk kishte përcaktuar raportin ndërmjet pasurisë së pretenduar nga paditësi dhe pasurive të përfshira në VKM. Gjykata duhej të kryente identifikimin dhe pozicionimin e pasurisë, edhe nëpërmjet ekspertimit, nëse ishte e nevojshme. Për këto arsye, Kolegji Administrativ prishi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit dhe e ktheu çështjen për rigjykim me tjetër trup gjykues.

VI. Vendimi nr. 00-2026-1655, datë 29.04.2026 i Kolegjit Administrativ 

Maksima - Fakti që punëdhënësi është organ publik nuk i jep vetvetiu natyrë administrative mosmarrëveshjes së punës. Kur marrëdhënia e punës së punonjësit administrativ rregullohet nga Kodi i Punës dhe jo nga një ligj i posaçëm, edhe kërkimi për përfitime që burojnë nga kjo marrëdhënie, përfshirë trajtimin me ushqim, i përket kompetencës së gjykatës së juridiksionit të përgjithshëm.

Fjalë kyçe - kompetencë lëndore, marrëdhënie pune, punonjës administrativ, Kodi i Punës, ligj i posaçëm, trajtim me ushqim, pagë në natyrë.

Përmbledhje - Në këtë çështje, paditësja, e punësuar si specialiste në strukturën e burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit, kërkoi detyrimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë që t’i njihte dhe t’i paguante trajtimin me ushqim në vlerën 300 lekë për çdo ditë pune, sipas VKM nr. 68, datë 07.02.2018. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë shpalli moskompetencën lëndore, duke vlerësuar se kërkimi lidhej me mosveprimin e një organi publik dhe se mosmarrëveshja kishte natyrë administrative. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë parashtroi konfliktin e kompetencës përpara Gjykatës së Lartë, duke arsyetuar se paditësja ishte punonjëse administrative, pa status nëpunësi civil dhe pa gradë policore dhe se marrëdhënia e saj e punës rregullohej nga Kodi i Punës. Kolegji Administrativ theksoi se natyra juridike e mosmarrëveshjes dhe kompetenca e gjykatës përcaktohen nëpërmjet analizës së pretendimeve të padisë, së drejtës subjektive të pretenduar dhe regjimit juridik të marrëdhënies së punës. Sipas Kolegjit, një ligj konsiderohet i posaçëm në kuptim të nenit 7, shkronja “ç”, të ligjit nr. 49/2012 vetëm kur rregullon në mënyrë të detajuar dhe të pavarur nga Kodi i Punës elementet thelbësore të marrëdhënies, përfshirë rekrutimin, të drejtat dhe detyrimet, përfitimet, disiplinën, ankimin dhe përfundimin e saj. Në rastin konkret, ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” parashikon shprehimisht se marrëdhënia e punës e punonjësve administrativë rregullohet nga Kodi i Punës dhe nuk përmban një rregullim të plotë e të pavarur për këtë kategori. Për rrjedhojë, kërkimi për trajtimin me ushqim përbën një mosmarrëveshje që buron nga marrëdhënia e punës e rregulluar nga Kodi i Punës dhe i përket kompetencës së juridiksionit të përgjithshëm. Kolegji rregulloi kompetencën lëndore duke përcaktuar si gjykatë kompetente Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, prishi vendimin e kësaj gjykate për shpalljen e moskompetencës dhe e dërgoi çështjen për vijimin e gjykimit pranë saj.                             

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

 

  1. Vendimi nr. 00-2026-127 (23), datë 05.02.2026 i Kolegjit Penal

Maksima  - 1. Ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal nuk kushtëzohet nga një formalizim i shprehur, anëtarësi e qëndrueshme apo organizim i zhvilluar, por vërtetohet nga bashkërendimi i veprimeve, ndarja funksionale e detyrave dhe veprimtaria e vazhdueshme mes tre ose më shumë personave, me qëllim përfitimin material të paligjshëm. Përdorimi i një veprimtarie të ligjshme ekonomike (siç është blegtoria) si mburojë për të fshehur operacionet e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, provon praninë e një mekanizmi të paramenduar e të strukturuar.  2. Veprimet aktive të hapjes së gropave, mbjelljes, ujitjes dhe prashitjes së fidanëve përbëjnë veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, ndërsa veprimet e mëtejshme të grumbullimit, tharjes, presimit dhe paketimit përbëjnë veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Këto dy vepra mund të qëndrojnë në konkurrim me njëra-tjetrën dhe kryerja e tyre nga i njëjti grup personash nuk sjell përthithjen e njërës vepër nga tjetra, por dënimin për të dyja normat penale njëkohësisht. 3. Mungesa e veprimeve të zyrtarëve publikë (si administratorë njësish apo kryepleq) për të ushtruar kontroll dhe për të raportuar veprimtaritë e paligjshme të kultivimit të narkotikëve në zonat e tyre të juridiksionit, të cilësuara si zona me rrezik të lartë, përbën favorizim të grupeve kriminale dhe passjell përgjegjësi penale për veprat e shpërdorimit të detyrës apo moskallëzimit të krimit.  

 

Fjalë kyçe - ​grup i strukturuar kriminal,​ kultivim i bimëve narkotike, ​prodhim dhe shitje e narkotikëve , bashkëpunim i posaçëm, ​moskallëzim krimi, shpërdorim detyre.  

Përmbledhje  - ​Në këtë çështje penale trajtohet akuza e ngritur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj disa të pandehurve, me në krye shtetasin X, për kryerjen e veprave penale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Të pandehurit shfrytëzuan një terren të vështirë e të pabanuar në fshatin Y dhe kamufluan veprimtarinë e tyre kriminale si një biznes të ligjshëm blegtoral. Gjatë një operacioni policor, ata u kapën në flagrancë duke përpunuar sasi të mëdha produktesh të ndaluara (176.5 kg), të cilat ishin në proces tharjeje dhe paketimi brenda banesës dhe stallave. Gjithashtu, në këtë veprimtari të paligjshme u përfshinë me mosveprimet e tyre edhe funksionarë vendorë e punonjës policie, të cilët nuk raportuan kultivimin e lëndëve narkotike. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë i deklaroi të pandehurit fajtorë për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, por vendosi pushimin e akuzës për “Kultivim të bimëve narkotike”. Kjo gjykatë arsyetoi gabimisht se bimët në proces tharjeje përbënin objekt material vetëm për prodhim dhe shitje, duke zbatuar parimin e përthithjes  së normave. Vendimi u ndryshua në Gjykatën e Posaçme të Apelit, e cila i deklaroi të pandehurit fajtorë për të dyja veprat penale njëkohësisht. Gjykata e Apelit theksoi se veprimet e kultivimit (mbjellja, ujitja, prashitja) janë të ndryshme nga veprimet e prodhimit (tharja, presimi, paketimi), dhe të pandehurit i kishin konsumuar të dyja këto vepra me dashje dhe në bashkëpunim të posaçëm. Të pandehurit ushtruan rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar pafajësi dhe duke argumentuar se nuk ekzistonte një bashkëpunim i paramenduar, nuk kishte prova për organizim dhe se vendimet ishin mbështetur në supozime apo shkelje procedurale. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i rrëzoi këto pretendime, duke arsyetuar se veprimet e kryera nga të pandehurit nuk ishin të izoluara, por pjesë e një zinxhiri të unifikuar ku çdo individ kishte një ndarje funksionale të detyrave për qëllime fitimi ekonomik. Kolegji theksoi se mungesa e një formalizimi strikt nuk e përjashton ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal (neni 28/4 i KP), pasi u provua plotësisht koordinimi mes tyre dhe përdorimi i biznesit të ligjshëm për të mbuluar veprimtarinë e paligjshme. Për rrjedhojë, Kolegji vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke i dënuar përfundimisht të pandehurit për të gjitha akuzat.  

 

  1. Vendimi nr. 00-2026-5, datë 13.01.2026 i Kolegjit Penal

 

Maksima - 1. Kompetenca lëndore për shqyrtimin e kërkesës së prokurorit për pushimin e procedimit penal përcaktohet ekskluzivisht nga vepra penale konkrete për të cilën është regjistruar fillimisht procedimi, dhe nuk mund të zgjerohet bazuar mbi objektin material të hetimit apo vlerësimin e gjykatës për një kualifikim të ri juridik.  2. Në fazën e shqyrtimit të kërkesës për pushim, opsionet e gjyqtarit të seancës paraprake janë taksative dhe kufizohen në: pranimin e kërkesës, kthimin e akteve për hetime të mëtejshme, ose urdhërimin për formulimin e akuzës, dhe ligji procedural nuk parashikon mundësinë e deklarimit të moskompetencës lëndore mbi bazën e një cilësimi tjetër juridik në këtë fazë.  3. Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale gjatë hetimeve paraprake dhe deklarimi i moskompetencës si pasojë e këtij rikualifikimi, është atribut ekskluziv i organit të akuzës (prokurorisë), gjykata mundet vetëm të orientojë këtë ndryshim duke kthyer aktet, por nuk mund të zëvendësojë prokurorin në këtë vendimmarrje.  

 

Fjalë kyçe - kompetenca lëndore, kërkesë për pushim të procedimit penal, kualifikim juridik i veprës penale, gjyqtari i seancës paraprake, ndarja e procedimeve penale.

 

Përmbledhje - Në këtë çështje, KPGJL trajtoi një mosmarrëveshje të kompetencës lëndore ndërmjet Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Konflikti lindi pasi Prokuroria e Kukësit kërkoi pushimin e procedimit penal nr. 238 të vitit 2021, të regjistruar për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës" (neni 248 i KP), në ngarkim të tre personave.  

Gjyqtari i seancës paraprake në Kukës shpalli moskompetencën lëndore duke pretenduar se faktet e hetuara lidheshin me një procedurë prokurimi publik dhe dyshimet çonin drejt veprës penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" (neni 258/2 i KP), e cila është në kompetencë të GJKKO. Gjithashtu, gjykata e Kukësit argumentoi se prokurori kishte ndarë çështjen gabimisht dhe dëmtohej vërtetimi i fakteve, duke iu referuar procedimeve të lidhura sipas nenit 80 të KPP. GJKKO refuzoi kompetencën dhe ngriti mosmarrëveshjen në Gjykatën e Lartë, duke arsyetuar se gjyqtari i seancës paraprake që shqyrton kërkesën për pushim nuk mund të deklarojë moskompetencën duke ndryshuar vetë kualifikimin juridik.  

Gjykata e Lartë i dha të drejtë GJKKO, duke konkluduar se Gjykata e Kukësit ishte kompetente për shqyrtimin e kërkesës. Kolegji theksoi se kompetenca lëndore nuk përcaktohet nga lënda ose objekti material (psh. tenderi), por nga vepra penale konkrete për të cilën është regjistruar procedimi (neni 248 KP), e cila nuk bën pjesë në kompetencat taksative të GJKKO sipas nenit 75/a të KPP. Për më tepër, Kolegji rrëzoi argumentin e procedimeve të lidhura, pasi aktet e procedimit të ndarë ishin kthyer mbrapsht nga drejtuesi i SPAK, çka do të thotë se nuk kishte asnjë procedim të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme që të tërhiqte kompetencën e gjykatës.  

Së fundi, KPGJL sqaroi kufijtë e disponimit të gjyqtarit paraprak. Bazuar në nenet 329/b dhe 329 pika 3 të KPP, gjyqtari që shqyrton pushimin ka alternativa shteruese me të cilat mund të vendosë të pushojë çështjen, ose të kthejë aktet për hetime/formulim akuze. Ligji nuk e lejon atë të shpallë moskompetencën lëndore mbi një cilësim të ri juridik. Nëse gjyqtari ka një kualifikim të ndryshëm nga prokurori, ai duhet ta arsyetojë këtë dhe t'i kthejë aktet prokurorisë, duke e urdhëruar atë të reflektojë. Është ekskluzivitet i prokurorit që, pasi të ndryshojë cilësimin në regjistër, të shpallë vetë moskompetencën për hetime të mëtejshme. Ky mekanizëm ruan ekuilibrin procedurial dhe shmang zvarritjet e panevojshme institucionale.  

 

  1. Vendimi nr.  00-2026-156 (30), datë 10.02.2026 i Kolegjit Penal

Maksima - 1. Emërimi i një mbrojtësi kryesisht, i diktuar nga mungesa në seancë e mbrojtësit të zgjedhur, përbën një masë rregullatore për garantimin e paprerë të mbrojtjes dhe nuk prodhon asnjëherë efektin juridik të revokimit të mbrojtësit të zgjedhur, në mungesë të një deklarimi të shprehur dhe të qartë nga vetë i përfaqësuari. 2. Refuzimi i mjetit të ankimit nga gjykata e apelit, i bazuar në një qasje apriori dhe thellësisht formaliste mbi legjitimitetin e mbrojtësit, pa verifikuar vullnetin e vërtetë të titullarit të së drejtës, përbën një cenim flagrant të parimit kushtetues të aksesit efektiv në gjykatë. 

Fjalë kyçe -  e drejta e ankimit, mospranim i ankimit,  mbrojtës i zgjedhur, revokim i shprehur, akses në gjykatë. 

Përmbledhje - Kërkuesi X i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë me një kërkesë për bashkim dënimesh, të cilat ishin dhënë me disa vendime të formës së prerë. Në këtë procedim, kërkuesi e zgjodhi mbrojtësin e tij me një deklarim të shprehur. Megjithatë, për shkak të mungesave të avokatit të zgjedhur në disa seanca, kërkuesi kërkoi të përfaqësohej nga një avokat shteti, i cili iu caktua kryesisht nga gjykata. Gjykata e pranoi kërkesën në themel dhe i caktoi atij një dënim të vetëm prej 6 vjetësh burgim. Mbrojtësi i zgjedhur nga kërkuesi ushtroi ankim kundër këtij vendimi. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi mospranimin e ankimit, duke vlerësuar se mbrojtësi ishte i palegjitimuar. Arsyetimi i kësaj gjykate u mbështet në supozimin se kërkuesi kishte hequr dorë nga mbrojtësi i zgjedhur në momentin që kërkoi një avokat shteti, duke mos i njohur atij të drejtën për të paraqitur ankim. Gjykata e Lartë e cilësoi vendimmarrjen e gjykatës së apelit si një zbatim të gabuar të ligjit procedural. Kolegji Penal vlerësoi se kërkesa e kërkuesit për avokat shteti gjatë shkallës së parë ishte thjesht një masë për garantimin e mbrojtjes për shkak të mungesës së mbrojtësit të zgjedhur. Ajo nuk përbënte një revokim të mbrojtësit, pasi ky i fundit kërkon domosdoshmërisht një deklarim të shprehur dhe të qartë sipas nenit 55 të KPP. Kolegji Penal theksoi se neni 410/1 i KPP lejon mbrojtësin të paraqesë ankim pa autorizim të posaçëm kur i pandehuri ka qenë i pranishëm në gjykimin e shkallës së parë. Gjykata e Apelit refuzoi ankimin apriori duke i dhënë përparësi formalizmit mbi thelbin e mbrojtjes. Ajo duhej të kërkonte sqarimin e vullnetit të kërkuesit në vend që ta privonte atë nga e drejta thelbësore e ankimit, për sa kohë ai në mënyrë implicite nuk e kishte kundërshtuar këtë ankim. Mbi këto shkaqe, Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit, me të njëjtin trup gjykues.    

  1. Vendimi nr.  00-2026- 176 (31), datë 17.02.2026 i Kolegjit Penal

Maksima - 1.Regjimi i pavlefshmërive absolute në procesin penal i nënshtrohet rreptësisht parimit të taksativitetit. Ometimet e prokurorit për njoftimin e akteve përmbyllëse të hetimit nuk cenojnë interesat thelbësore të përfaqësimit të detyrueshëm, duke u kualifikuar si pavlefshmëri relative që shërohen nëse nuk pretendohen brenda afateve prekluzive. 2. Kërkimi i pavlefshmërive relative të akteve të hetimit paraprak prekludohet në mënyrë të pakthyeshme nëse i pandehuri pranon pa rezerva ritin e gjykimit të shkurtuar, akt ky që konsumon të drejtën e kundërshtimit formal të procedurave paraprake. 

Fjalë kyçe - pavlefshmëri absolute dhe relative, gjykim i shkurtuar, shpërdorim detyre,  funksioni korrektues i apelit, afate prekluzive, proces i rregullt ligjor.

Përmbledhje - Prokuroria dërgoi për gjykim disa të pandehur, përfshirë punonjës policie dhe punonjës të një shoqërie private që menaxhonte Terminalin e Kontenierëve në Durrës, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Ata akuzoheshin se kishin lejuar daljen e jashtëligjshme të një kontenieri me banane jashtë zonës doganore, kontrollin e tij në një parking privat dhe rikthimin e tij në port pa asnjë regjistrim. Gjyqtari i seancës paraprake, i cili kaloi si gjyqtar themeli, pranoi kërkesën e të pandehurve për të proceduar me gjykim të shkurtuar. Gjykata e Shkallës së Parë i deklaroi fajtorë shumicën e të pandehurve për shpërdorim detyre, ndërsa njërit prej tyre i rikualifikoi veprën në "Moskallëzim krimi" dhe një tjetër e shpalli të pafajshëm. Pas ankimeve të palëve, Gjykata e Apelit e prishi vendimin e shkallës së parë dhe e ktheu për rigjykim. Apeli argumentoi se mosnjoftimi i akteve të zgjatjes dhe përfundimit të hetimeve për mbrojtësit përbënte pavlefshmëri absolute. Po ashtu, Apeli pretendoi se gjykata e faktit nuk kishte arsyetuar nëse punonjësit privatë ishin subjekte të posaçme (funksionarë publikë) për t'u dënuar për shpërdorim detyre dhe se hetimet ishin të paplota. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e prishi vendimin e Apelit, duke theksuar se kishte zbatuar gabim ligjin procedural. Kolegji Penal arsyetoi se ometimi i prokurorit për njoftimin e akteve nuk hyn tek rastet taksative të nenit 128/a të KPP (pavlefshmëri absolute), por është një pavlefshmëri relative. Të pandehurit nuk e ngritën këtë pretendim në momentin e duhur dhe e humbën këtë të drejtë (prekludim) kur kërkuan gjykimin e shkurtuar. Gjykata e Lartë theksoi se Gjykata e Apelit është gjykatë fakti dhe ligji, dhe e ka vetë detyrimin të ndreqë vendimet e pambështetura apo të paarsyetuara mirë të shkallës së parë (si p.sh. kualifikimi i subjektit të veprës) pa e kthyer çështjen në pikënisje, duke respektuar kështu procesin e rregullt ligjor. Për këtë arsye, çështja u kthye në Apel për t'u rishqyrtuar në themel nga një trup tjetër gjykues.

  1. Vendimi nr. 00-2026-189 (40) datë 19.02.2026 i Kolegjit Penal

Maksima- 1. Për të bërë dallimin e saktë midis “Vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “Plagosjes së rëndë me dashje”, gjykata nuk mund të mbështetet vetëm në pasojën e ardhur, por duhet të analizojë me rigorozitet treguesit objektivë të veprimit, si lloji i mjetit të përdorur, intensiteti i goditjeve dhe zona e trupit të synuar , për të zbuluar vullnetin e vërtetë dhe qëllimin e brendshëm të autorit.  2. Vendimi gjyqësor kërkon një arsyetim shterues dhe të mbështetur në prova tërthore të pakundërshtueshme kur subjekti aktiv nuk ka bërë një pohim të shprehur të qëllimit të tij, mungesa e kësaj analize e bën vendimin të cenueshëm dhe të pabazuar në ligjin material penal. 

Fjalë kyçe - ana subjektive, vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare e mbetur në tentativë, plagosje e rëndë me dashje, mjet mbretës, kualifikimi juridik. 

Përmbledhje - Prokuroria dërgoi për gjykim të pandehurin X dhe djalin e tij, Y, me akuzën e tentativës së vrasjes ndaj Z (kunatës së të pandehurit X) për shkak të një konflikti të thellë e të hershëm pronësie mbi një rrugë hyrëse. Ngjarja precipitoi pasi Inspektoriati Ndërtimor (INUK) kishte hapur rrugën dhe, të nesërmen, i pandehuri goditi viktimën me një mjet të fortë në kokë dhe në trup, duke i shkaktuar politraumë. Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e deklaroi të pandehurin  X fajtor për "Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare" e mbetur në tentativë, duke e dënuar me 22 vjet burgim, ndërsa shpalli të pafajshëm Y pasi u provua alibia e tij. Gjykata e Apelit la në fuqi këtë vendim, duke rrëzuar argumentet e të pandehurit X, i cili pretendonte se ai nuk kishte pasur dashje për të kryer vrasje, por vetëm plagosje, pasi e kishte goditur viktimën vetëm një herë me pjesën e drurit (mbretëse) dhe jo me tehun metalik prerës, me qëllim për ta trembur atë. Pasi çështja kaloi në Gjykatën e Lartë përmes rekursit, Kolegji Penal vlerësoi se Gjykata e Apelit kishte bërë një zbatim të gabuar të ligjit material penal në kualifikimin e veprës. Kolegji theksoi rëndësinë e analizimit të thelluar të anës subjektive (dashjes). Për të dalluar nëse një autor ka dashur të vrasë apo thjesht të plagosë, në mungesë të një pohimi të tij, gjykata duhet të vlerësojë kriteret treguese si: lloji i mjetit të përdorur, zona e trupit ku janë përqendruar goditjet, numri i goditjeve, dhe arsyet e ndërprerjes së veprimeve (nëse u ndërprenë vullnetarisht apo nga shkaqe të jashtme). Kolegji arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit nuk kishte bërë një interpretim të drejtë të këtyre fakteve për të arsyetuar vullnetin dhe qëllimin e vërtetë kriminal të të pandehurit. Rrjedhimisht, Kolegji Penal vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim nga një trup tjetër gjykues, me detyrimin për të bërë një analizë të thelluar e të saktë të anës subjektive të veprës penale. 

  1. Vendimi nr. 00-2026- 647 (68), datë 14.04.2026 i Kolegjit Penal

Maksima  1. Parimi i reciprocitetit në marrëdhëniet juridiksionale ndërkombëtare nuk mund të prevalojë asnjëherë mbi mbrojtjen absolute të së drejtës për jetën, duke mbetur i pazbatueshëm nëse nuk shoqërohet me garanci diplomatike eksplicite. 2. Dorëzimi i një individi nga shteti i kërkuar drejt një juridiksioni që aplikon dënimin kapital, pa instrumente detyruese që neutralizojnë rrezikun, angazhon drejtpërdrejt përgjegjësinë e shtetit dorëzues për cenimin e mundshëm të jetës dhe lirive themelore. 3. Në mungesë të një historie të konsoliduar të respektimit të të drejtave të njeriut nga shteti kërkues, deklaratat e thjeshta apo premtimet e mirëbesimit janë të pamjaftueshme, ekstradimi kushtëzohet nga garanci specifike, të qarta dhe ligjërisht të detyrueshme për të gjithë aparatin shtetëror kërkues. 

Fjalët kyçe - ekstradim, garanci diplomatike, dënimi me vdekje, parimi i reciprocitetit, parimi i specialitetit.

Përmbledhje - Prokuroria shqiptare kërkoi lejimin e ekstradimit të shtetasit të Bangladeshit, X, bazuar në një urdhër-arrest ndërkombëtar për veprën penale të "Mashtrimit" dhe "Përvetësimit" në vlera të mëdha. Në mungesë të një marrëveshjeje dypalëshe ekstradimi midis Shqipërisë dhe Bangladeshit, kërkesa u bazua në parimin e reciprocitetit. Mbrojtja e personit të kërkuar pretendoi se dorëzimi përbënte rrezik për jetën, pasi në shtetin e tij ai ishte objekt i një përndjekjeje politike si ish-zyrtar i qeverisë së kaluar dhe rrezikonte dënimin me vdekje për shkak të përfshirjes së supozuar në një tjetër procedim penal për vrasje. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit vendosën pro ekstradimit, duke arsyetuar se vepra për të cilën kërkohej nuk kishte karakter politik, rreziku i dënimit me vdekje nuk ishte i vërtetuar për akuzën e mashtrimit, dhe shteti kërkues kishte ofruar informacione se ai nuk po ndiqej për vrasje. Gjykatat vlerësuan se garancitë e ofruara ishin të mjaftueshme. Kolegji Penal e prishi vendimin e Apelit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim. Kolegji theksoi se kur shteti kërkues (Bangladeshi) e ruan dënimin me vdekje në legjislacionin e tij dhe nuk ka një histori të qëndrueshme bashkëpunimi në ekstradim me shtetet e Këshillit të Evropës, premtimet e thjeshta të reciprocitetit janë të pamjaftueshme. Duke iu referuar drejtpërdrejt jurisprudencës së GJEDNJ-së (Soering, Rrapo), Gjykata vendosi se ekstradimi kërkon domosdoshmërisht garanci diplomatike specifike, të qarta dhe detyruese që angazhojnë të gjithë shtetin kërkues. Këto garanci duhet të sigurojnë në mënyrë absolute që personi i kërkuar nuk do t'i nënshtrohet asnjë procedure tjetër paralele të karakterit politik që mund të sjellë një dënim kapital, duke respektuar rreptësisht parimin e specialitetit. 

  1. Vendimi nr. 00-2026- 455 (70), datë 16.04.2026 i Kolegjit Penal

 

Maksima - 1. ​Në zbatim të nenit 68 të Kodit Penal, bazuar në interpretimin literal dhe teleologjik të kësaj dispozite, për dënimet penale deri në 15 vjet burgim aplikohet fasha e parashkrimit prej 10 vjetësh (shkronja b) ndërsa fasha e parashkrimit prej 20 vjetësh (shkronja a) gjen zbatim vetëm nëse dënimi është qoftë edhe 15 vjet e 1 ditë burgim.  2. Ekzekutimi i dënimit penal në masën ekzakte prej 15 vjetësh burgim parashkruhet me kalimin e periudhës 10-vjeçare, periudhë e cila fillon të llogaritet nga dita kur vendimi i dënimit ka marrë formë të prerë (gjë e gjykuar). 3. Rregullat e interpretimit të ligjit penal nuk lejojnë që teknika legjislative apo mbivendosja gjuhësore në formulimin e dispozitave materiale të dëmtojë të dënuarin, duke konfirmuar se kufiri maksimal i shkronjës “b’’ përfshin edhe vetë dënimin 15 vjet.  

 

Fjalë kyçe - ​parashkrim i ekzekutimit të dënimit, ​kufijtë numerikë të sanksionit penal, ​interpretim literal dhe teleologjik, siguri juridike, ​gjë e gjykuar, res judicata​.

 

Përmbledhje -   ​Në këtë çështje, KPGJL mori në shqyrtim rekursin e paraqitur nga i dënuari A.P., i cili kërkonte shuarjen e ekzekutimit të dënimit të tij me 15 vjet burgim për shkak të kalimit të afateve të parashkrimit. Kërkuesi argumentoi se nga data kur vendimi i tij kishte marrë formë të prerë me vendim të Gjykatës së Lartë (13.03.2014) kishte kaluar afati 10-vjeçar i parashikuar nga neni 68, shkronja "b" e Kodit Penal.  Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë e pranoi kërkesën, duke arsyetuar se afati i parashkrimit për një dënim fiks me 15 vjet burgim është 10 vjet. Mbi ankimin e prokurorisë, Gjykata e Apelit e ndryshoi këtë vendim dhe e rrëzoi kërkesën. Apeli vlerësoi se dënimi fiks me 15 vjet përfshihet në shkronjën "a" të nenit 68 (dënime nga 15 deri në 25 vjet), e cila imponon afatin 20-vjeçar, duke argumentuar se shkronja "b" e Kodit Penal e konsideron kufirin "gjer në 15 vjet" si përjashtues dhe jo përfshirës. Ndaj këtij vendimi i dënuari bëri rekurs, duke theksuar se interpretimi i Apelit ishte i gabuar, shkelte sigurinë juridike dhe parimin in dubio pro reo të sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese.  

​Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. Kolegji arsyetoi se, nga interpretimi literal dhe teleologjik i nenit 68 të Kodit Penal (ratio legis), rezulton se për dënimet deri në 15 vjet burgim duhet të aplikohet paragrafi "b". Sipas Kolegjit Penal, paragrafi "a" i nenit 68, i cili parashikon afatin 20-vjeçar të parashkrimit, do të gjejë zbatim vetëm në rastin kur dënimi i caktuar është qoftë edhe 15 vjet e 1 ditë burgim.  

  1. Vendimi nr.  00-2026-544 (89), datë 12.05.2026 i Kolegjit Penal

Maksima - 1. Sipas parimin “Ne bis in idem”,  ndalimi i gjykimit të dyfishtë për të njëjtin fakt penal kushtëzohet në mënyrë absolute nga ekzistenca e një vendimi të formës së prerë (res judicata). 2. Një vendim gjyqësor penal nuk merr formën e prerë dhe nuk prodhon efekte të gjësë së gjykuar për sa kohë që ndaj tij është ushtruar ankim nga organi i akuzës dhe çështja është në pritje të shqyrtimit në Gjykatën e Apelit. 

Fjalë kyçe - ne bis in idem, gjë e gjykuar, vendim i formës së prerë, procedime paralele,  mashtrim me pasoja të rënda, res judicata.

Përmbledhje - Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte regjistruar në kohë të ndryshme dy procedime penale për të njëjtin fakt penal kundër të pandehurit X. Këto procedime lidheshin me pretendimet e viktimës Y se i pandehuri e kishte mashtruar, duke i përvetësuar pasurinë e paluajtshme nëpërmjet veprimeve juridike fiktive dhe duke e shpërdoruar besimin e saj. Për procedimin e parë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit, por Prokuroria ushtroi ankim ndaj këtij vendimi dhe çështja kaloi për shqyrtim në Gjykatën e Apelit. Për procedimin e dytë, e njëjta gjykatë e shkallës së parë e deklaroi të pandehurin fajtor për "Mashtrim" (neni 143/3 i KP) dhe e dënoi atë me 6 vjet burgim. I pandehuri ushtroi të drejtën e ankimit kundër këtij vendimit të dytë. Gjatë shqyrtimit të ankimit të të pandehurit për vendimin e dënimit (procedimi i dytë), Gjykata e Apelit vendosi ta prishë vendimin e dënimit dhe të pushojë çështjen penale. Gjykata e Apelit argumentoi se zhvillimi i këtij procedimi shkelte parimin ne bis in idem, pasi i pandehuri ishte gjykuar një herë po për të njëjtat fakte në procedimin e parë penal. Pasi Prokuroria ushtroi rekurs, Gjykata e Lartë konstatoi se Gjykata e Apelit kishte zbatuar gabim ligjin procedural penal. Kolegji Penal theksoi se për t'u aktivizuar mbrojtja e nenit 7 të KPP (ne bis in idem), kërkohet ekzistenca e një vendimi të formës së prerë. Vendimi i pafajësisë në procedimin e parë nuk ishte i formës së prerë dhe nuk përbënte “gjë të gjykuar”, pasi ndaj tij ishte ushtruar ankim nga Prokuroria dhe çështja ishte ende e pashqyrtuar në Apel. Rrjedhimisht, Kolegji Penal vlerësoi se Gjykata e Apelit ishte nxituar me pushimin e çështjes dhe e kishte detyrim ligjor që ta shqyrtonte ankimin e të pandehurit në themel. Për këto arsye, Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me një trup tjetër gjykues, për të vijuar me shqyrtimin e çështjes në themel.

  1. Vendimi nr.  00-2026-85 (14), datë 29.01.2026 i Kolegjit Penal

Maksima 1. Provokimi dhe orientimi i përgjigjeve të dëshmitarit nga oficeri i policisë gjyqësore gjatë simulimit të bisedës, përmes pyetjeve sugjestionuese dhe diktimit me shkrim të emrave të të dyshuarve, kompromenton vullnetin e lirë subjektiv të deklaruesit, duke e bërë informacionin e përfituar pjesërisht të papërdorshëm. 2.Vlefshmëria materiale dhe fuqia provuese e një të dhëne të marrë nëpërmjet përgjimit ambiental kushtëzohen drejtpërdrejt nga garancia e mosorientimit paraprak të përmbajtjes së deklarimeve nga vetë subjekti procedues (oficeri i policisë gjyqësore). 3. Gjykata nuk mund ta formojë bindjen e saj të brendshme dhe të deklarojë fajësinë e të pandehurve duke i dhënë vlerë të plotë provuese një transkripti përgjimi, vërtetësia e të cilit është cenuar nga sugjestionimi dhe mungesa e vullnetit të lirë të personit të përgjuar. 

Fjalë kyçe - Përgjim ambiental, pyetje sugjestionuese, cenim i vullnetit të lirë, papërdorshmëri e provës, vrasje me dashje, vlerësim i provave. 

Përmbledhje - Në këtë çështje penale, prokuroria ngriti akuzë ndaj të pandehurve X dhe Y për veprat penale të "Vrasjes me paramendim", të kryer në bashkëpunim ndaj viktimave A dhe B, si dhe "Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë ndaj shtetasit C. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1997 në Elbasan, ku mjeti me të cilin udhëtonin viktimat u qëllua me breshëri automatiku. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 10.01.2014, i deklaroi të pandehurit të pafajshëm, duke arsyetuar se nuk kishte prova të mjaftueshme dhe duke i shpallur të papërdorshme materialet e përgjimit ambiental mes dëshmitares D dhe oficerit të policisë gjyqësore. Gjykata e Apelit Durrës, më 14.01.2016, la në fuqi këtë vendim pafajësie. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pas rekursit të prokurorit, prishi vendimin e apelit në vitin 2021 dhe e ktheu çështjen për rigjykim, duke kërkuar një vlerësim më të kujdesshëm dhe në harmoni të të gjitha provave sipas nenit 152 të KPP. Në rigjykim, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e ndryshoi cilësimin juridik në "Vrasje me dashje", duke qenë se ligji i kohës ishte më i favorshëm dhe i dënoi të dy të pandehurit me nga 25 vjet burgim. Gjykata e Apelit konsideroi se përgjimet ambientale ishin të vlefshme dhe se dëshmitarët e ndryshuan thënien në gjykatë për shkak të frikës, duke i marrë të vlefshme dëshmitë e dhëna në hetimet paraprake. Pas rekursit të paraqitur nga të pandehurit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë analizoi zbatimin e ligjit procedural nga Gjykata e Apelit. KPGJL theksoi se Gjykata e Apelit kishte gabuar kur kishte konsideruar plotësisht të rregullt dhe të përdorshme provën e marrë nga transkriptimi i bisedës mes dëshmitares dhe oficerit të policisë. Gjatë përgjimit ambiental, oficeri i policisë kishte simuluar dhe orientuar përgjigjen e dëshmitares, duke i shkruar emrat e të dyshuarve në një letër për të marrë pohimin e saj. Kjo metodë e provokimit përmes pyetjeve sugjestionuese cenoi vullnetin e lirë subjektiv të dëshmitares për të dhënë deklarim. Për këtë arsye, rezultati i përgjimit, për sa i përket identifikimit të autorëve, është pjesërisht i papërdorshëm dhe nuk mund të shërbejë si provë determinante. Në përfundim, Kolegji Penal vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe ta kthejë çështjen sërish për rishqyrtim me një trup tjetër gjykues, për t'u bërë një rivlerësim thelbësor të fuqisë provuese pa u bazuar në provat e marra në kundërshtim me ligjin.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

 

I. Vendimi nr. 00-2025-3618 (441), datë 10.10.2025 i Kolegjit Civil

Maksima  - Në rastet kur një bashkëpronar kundërshton tjetërsimin e pasurisë së përbashkët për mungesë të pëlqimit të tij, kërkimi për njohjen e së drejtës së bashkëpronësisë nuk mund të ngatërrohet me rregullimin e pasojave të pavlefshmërisë së veprimit juridik. Pas konstatimit të pavlefshmërisë së kontratës, pasoja juridike rregullohet sipas restitucionit të parashikuar nga neni 106 i KC dhe jo nëpërmjet detyrimit të blerësve të njohin paditësin si bashkëpronar. 

Fjalë kyçe - bashkëpronësi, padi njohjeje, pavlefshmëri e veprimit juridiktjetërsim pasurie e përbashkët, restitutio in integrum.

Përmbledhje - Çështja lidhet me padinë e ish-bashkëshortes së përfituesit të tokës bujqësore sipas ligjit nr. 7501/1991, e cila kërkoi njohjen si bashkëpronare për 1/2 pjesë të disa parcelave të tjetërsuara nga ish-bashkëshorti i saj në favor të personave të tretë. Paditësja pretendoi se, duke qenë anëtare e familjes bujqësore në datën 1.8.1991 dhe bashkëpronare mbi tokën e përfituar, kontratat e shitjes ishin lidhur pa pëlqimin e saj dhe, për këtë arsye, ishin absolutisht të pavlefshme. Gjykata e shkallës së parë pranoi padinë, ndërsa gjykata e apelit la në fuqi këtë vendim, duke arsyetuar se paditësja kishte fituar bashkëpronësinë mbi tokën në bazë të ligjit nr. 7501/1991 dhe se mungesa e pëlqimit të saj e bënte tjetërsimin në kundërshtim me dispozitat detyruese të ligjit. Si rrjedhojë, gjykatat detyruan blerësit ta njihnin paditësen si bashkëpronare për pjesën takuese të pasurive. KCGJL vlerësoi se gjykatat e faktit nuk kishin bërë një identifikim të saktë të objektit dhe shkakut të padisë, duke ngatërruar padinë e njohjes së bashkëpronësisë me rregullimin e pasojave të pavlefshmërisë së veprimit juridik. Kolegji theksoi se, kur kundërshtohet një kontratë shitjeje për mungesë të pëlqimit të bashkëpronarit, kërkimi për njohjen e bashkëpronësisë duhet të shqyrtohet në lidhje të pandashme me kërkimin për pavlefshmërinë e kontratës dhe me pasojat që burojnë prej saj. KCGJL arsyetoi se, pas konstatimit të pavlefshmërisë së veprimit juridik, pasoja juridike që duhet të rregullohet është kthimi i palëve të kontratës në gjendjen e mëparshme (restitutio in integrum), sipas nenit 106 të KC, dhe jo detyrimi i blerësve për të njohur paditësen si bashkëpronare. Gjithashtu, gjykatat e faktit nuk kishin analizuar nëse pavlefshmëria duhej të ishte e plotë apo e pjesshme, nuk kishin përcaktuar llojin e bashkëpronësisë (në tërësi apo në pjesë) dhe nuk kishin hetuar shtrirjen konkrete të pjesës takuese të paditëses në pasurinë e familjes bujqësore. Këto mangësi sollën kontradiktë ndërmjet arsyetimit dhe dispozitivit të vendimeve, si dhe zbatim të gabuar të ligjit material, duke e bërë të cenueshëm vendimin e gjykatës së apelit. Në përfundim, KCGJL vendosi prishjen e vendimit të apelit dhe kthimin e çështjes për rishyqrtim në apel me tjetët trup gjykues.

II. Vendimi nr. 00-2025-4198 (558), datë 02.12.2025 i Kolegjit Civil 

 

Maksima – 1. Në rastet e kërkimit të dëmit jopasuror, afati 90-ditor nuk fillon automatikisht me paraqitjen e kërkesës pranë shoqërisë së sigurimit, por vetëm pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm. Afati i shqyrtimit të kërkesës përbën jo vetëm afat për njohjen e detyrimit nga siguruesi, por edhe afat për përmbushjen e tij, ndaj mosveprimi i siguruesit e vendos atë në vonesë dhe legjitimon padinë gjyqësore të të dëmtuarit. 2. Kërkesa për dëmshpërblim e paraqitur pranë shoqërisë së sigurimit ka efektin juridik të ndërprerjes së afatit të parashkrimit, sipas nenit 131/c të Kodit Civil, dhe jo thjesht të pezullimit të tij.

 

Fjalë kyçe - dëm jopasuror, afat i shqyrtimit të kërkesës, mosveprim i siguruesit, kërkesë për dëmshpërblim, ndërprerje e afatit të parashkrimit, pezullim i afatit të parashkrimit.

 

Përmbledhje - Në këtë çeshtje, pas një aksidenti automobilistik, paditësit, duke pasur dëmtime shëndetësore dhe shkatërrim të mjetit automobilistik, kanë kërkuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve shpërblimin për dëmin pasuror dhe jopasuror të pësuar në aksident dhe shpërblimin e dëmit për mjetin motorik. Pasi i janë drejtuar me kërkesë në rrugë administrative palës së paditur e cila, nuk rezultoi që t’i ketë kthyer përgjigje kërkesën e tyre, në datën 05.05.2015, paditësit i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke kërkuar edhe pagimin e kamatvonesave të shumës që do të përcaktohet si dëmi që duhet të paguajë pala e paditur. Pala e paditur ka prapësuar në gjykim se kërkesa e paditësve  është paraqitur tej afatit ligjor të parashikuar në ligj dhe për pasojë e drejta e paditësve është parashkruar. Kërkesa është depozituar në gjykatë në datë  06.05.2015,  duke kaluar afatin e parashkrimit të padisë që është dy vjet. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë, detyrimin e palës së paditur Byroja Shqiptare e Sigurimit të shpërblejë paditësit, për dëmin pasuror dhe jopasuror të shkaktuar si pasojë e aksidentit automobilistik dhe për dëmin material pasuror nga dalja jashtë përdorimit e automjetit. Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë me argumentimin se e drejta e paditësve është parashkruar. Arsyetimi i Kolegjit Civil është ndërtuar mbi dy çështje kryesore: (i) nëse padia konsiderohet e parashkruar kur i dëmtuari i është drejtuar fillimisht Byrosë Shqiptare të Sigurimeve brenda afatit ligjor, por kjo e fundit nuk është përgjigjur brenda afateve 30 ose 90 ditore të nenit 12 të ligjit nr. 10076/2009; dhe (ii) efektet juridike që sjell kalimi i këtyre afateve mbi të drejtën për ngritjen e padisë dhe mbi rrjedhën e parashkrimit. Lidhur me çështjen e parë, Kolegji vlerëson se gjykata e apelit ka interpretuar gabimisht nenin 12 të ligjit nr. 10076/2009, duke konsideruar se afati i parashkrimit vetëm pezullohej gjatë periudhës 30 ose 90 ditore. Sipas Kolegjit, në rastet e dëmit jopasuror, kur shoqëria e sigurimit nuk kryen asnjë veprim për të verifikuar plotësinë e dokumentacionit dhe nuk i përgjigjet të dëmtuarit, nuk mund të përcaktohet momenti i fillimit të këtij afati dhe, rrjedhimisht, as momenti kur lind e drejta për ngritjen e padisë. Pasiviteti i siguruesit nuk mund të sjellë pasoja negative për palën e dëmtuar. Në lidhje me çështjen e dytë, Kolegji arsyeton se kalimi i afatit 30 ose 90-ditor nuk përbën thjesht mbarimin e një afati procedural, por aktivizon të drejtën e të dëmtuarit për t’iu drejtuar gjykatës dhe njëkohësisht i jep të drejtën të kërkojë interesat për vonesën në pagesën e dëmshpërblimit. Mbi këtë bazë, Kolegji arrin në përfundimin se kërkesa për dëmshpërblim e paraqitur pranë shoqërisë së sigurimit ka efektin juridik të ndërprerjes së afatit të parashkrimit, sipas nenit 131/c të KC, dhe jo thjesht të pezullimit të tij. Duke qenë se vetëm ndërprerja e parashkrimit justifikon lindjen e vonesës së debitorit dhe të drejtën e të dëmtuarit për të kërkuar edhe interesat ligjore, KCGJL prishi vendimin e gjykatës së apelit dhe e ktheu çështjen për rigjykim me tjetër trup gjykues. 

            III. Vendim  nr. 00-2025-4913 (581), datë 4.12.2025 i Kolegjit Civil

Maksima  -  1.Në përcaktimin e shpërblimit të dëmit jopasuror të shkaktuar nga një vepër penale kundër jetës, të kryer me dashje, gjykata duhet të kryejë një vlerësim të individualizuar të rrethanave konkrete të çështjes, duke marrë në konsideratë natyrën e veprës penale, shkallën e fajësisë së autorit, intensitetin e cenimit të marrëdhënies familjare dhe pasojat morale e ekzistenciale të shkaktuara tek secili i dëmtuar. Për shkak të natyrës së veçantë të këtyre dëmeve, nuk mund të zbatohen në mënyrë mekanike kriteret tabelare ose formulat e parashikuara për dëmet e shkaktuara nga pakujdesia apo aksidentet rrugore. Masa e dëmshpërblimit duhet të përcaktohet në përputhje me parimin e dëmshpërblimit të plotë dhe proporcional, duke reflektuar intensitetin real të cenimit. 2. E drejta për të kërkuar shpërblimin e dëmit lind në çastin e ndodhjes së faktit të paligjshëm dhe jo në momentin e dhënies së vendimit gjyqësor që e njeh atë. Për rrjedhojë personi i dëmtuar si kreditor potencial legjitimohet të kundërshtojë veprimet juridike të debitorit të kryera pas lindjes së kësaj të drejte, edhe nëse kredia ende nuk është kthyer në titull ekzekutiv. Kur veprimi i disponimit është kryer në kundërshtim me dispozitat urdhëruese të ligjit ose në mënyrë fiktive, me qëllim pakësimin e pasurisë së debitorit në dëm të kreditorit, interesi i këtij të fundit për të kërkuar pavlefshmërinë absolute të veprimit juridik bashkekziston me mjetin mbrojtës të parashikuar nga padia pauliane. Mbrojtja e kreditorit mund të realizohet si përmes kërkimit për pavlefshmëri absolute, ashtu edhe nëpërmjet padisë pauliane. 3. Kontrata e dhurimit, e lidhur nga përfaqësuesi në favor të vetes pa autorizimin e shprehur të të përfaqësuarit, në kundërshtim me nenin 67 të KC, dhe e realizuar për të shmangur përmbushjen e detyrimit ndaj kreditorit të ardhshëm, përbën veprim juridik absolutisht të pavlefshëm sipas nenit 92 të KC, pasi bie ndesh me dispozitat urdhëruese të ligjit dhe është kryer në mashtrim të tij. 4. Përmbajtja reale e vendimit gjyqësor prevalon mbi emërtimin formal të dispozitivit. Kualifikimi procedural që gjykata i bën dispozitivit të vendimit nuk përcakton natyrën e tij juridike. Pavarësisht se gjykata mund të ketë vendosur pushimin e gjykimit, nëse ajo ka shqyrtuar dhe zgjidhur në themel pretendimet e palëve, vendimi konsiderohet përfundimtar dhe i nënshtrohet kontrollit të Gjykatës së Lartë, e cila vlerëson përmbajtjen reale të vendimit dhe pasojat juridike që ai sjell dhe nuk kufizohet thjesht dhe vetëm tek formulimi i dispozitivit. 

 

Fjalë kyçe - Shpërblim i dëmit, dëm jopasuror, vepër penale kundër jetës e kryer me dashje, shkalla e fajësisë së autorit, intensiteti i cenimit të marrëdhënies familjare, pasojat morale dhe ekzistenciale tek të dëmtuarit, dëmshpërblim i plotë dhe proporcional, intensiteti real i cenimit, çasti i lindjes së të drejtës për dëmshpërblim, veprimi i disponimit, pavlefshmëri absolute e veprimit juridik, padia pauliane, kontrata e dhurimit, përfaqësimi, mashtrim i ligjit, pushim i gjykimit, formulimi i dispozitivit.

Përmbledhje - Çështja lidhet me padinë e prindërve të viktimës për shpërblimin e dëmit jopasuror dhe pasuror të shkaktuar nga vrasja me dashje e vajzës së tyre, si edhe me kërkimin për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës së dhurimit, me të cilën autori i veprës penale kishte disponuar pasurinë e tij në favor të të birit pas paraqitjes së padisë civile për dëmshpërblim. Paditësit pretenduan se kontrata ishte lidhur në kundërshtim me rregullat e përfaqësimit dhe në mashtrim të ligjit, me qëllim shmangien e ekzekutimit të detyrimit për dëmshpërblim. Gjykata e shkallës së parë pranoi pjesërisht padinë, duke akorduar dëmshpërblim për dëmin moral dhe ekzistencial, si edhe duke konstatuar pavlefshmërinë absolute të kontratës së dhurimit. Gjykata e apelit la në fuqi masën e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa prishi vendimin për pavlefshmërinë e kontratës së dhurimit dhe vendosi pushimin e gjykimit për këtë kërkim, me arsyetimin se paditësit nuk legjitimoheshin ta ushtronin atë. KCGJL vlerësoi se, në rastet e dëmit jopasuror të shkaktuar nga një vepër penale kundër jetës e kryer me dashje, masa e dëmshpërblimit nuk mund të përcaktohet në mënyrë mekanike mbi bazën e kritereve tabelore ose formulave të parashikuara për dëmet që rrjedhin nga aksidentet rrugore apo rastet e sigurimit të detyrueshëm në transport. Duke iu referuar jurisprudencës unifikuese të Gjykatës së Lartë, Kolegji theksoi se gjykata duhet të individualizojë dëmshpërblimin në çdo rast konkret, duke vlerësuar natyrën e veprës penale, shkallën e fajësisë së autorit, intensitetin e cenimit të marrëdhënies familjare, vuajtjen shpirtërore dhe pasojat ekzistenciale të pësuara nga secili i dëmtuar, në mënyrë që masa e dëmshpërblimit të jetë në përputhje me parimin e dëmshpërblimit të plotë dhe proporcional. Për shkak se gjykata e apelit nuk kishte zbatuar këto standarde, vendimi u prish në këtë pjesë dhe çështja u dërgua për rishqyrtim. Në lidhje me kërkimin për pavlefshmërinë e kontratës së dhurimit, KCGJL arsyetoi se e drejta për shpërblimin e dëmit lind që në momentin e shkaktimit të faktit të paligjshëm dhe jo me dhënien e vendimit gjyqësor që e njeh atë. Për rrjedhojë, personi i dëmtuar ka interes të ligjshëm të kundërshtojë veprimet juridike të disponimit të kryera nga debitori pas lindjes së kësaj të drejte, edhe përpara krijimit të një titulli ekzekutiv. Kolegji theksoi se kërkimi për konstatimin e pavlefshmërisë absolute nuk përjashton dhe nuk zëvendëson padinë pauliane, por bashkekziston me të si një mjet i pavarur mbrojtjeje kur pretendohen shkaqe absolute pavlefshmërie. Duke analizuar përmbajtjen e aktit të prokurës dhe kontratës së dhurimit, Kolegji arriti në përfundimin se përfaqësuesi kishte vepruar në favor të vetes pa autorizimin e shprehur të të përfaqësuarit, në kundërshtim me nenin 67 të KC, ndërsa kontrata ishte lidhur në kushte fiktiviteti dhe në mashtrim të ligjit, me qëllim shmangien e ekzekutimit të detyrimit të ardhshëm për dëmshpërblim. Për këto arsye, veprimi juridik u vlerësua absolutisht i pavlefshëm sipas nenit 92 të KC dhe u la në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë për rregullimin e pasojave të pavlefshmërisë. Kolegji Civil vlerësoi gjithashtu se natyra juridike e një vendimi nuk përcaktohet nga formulimi i dispozitivit, por nga përmbajtja e tij. Për rrjedhojë, edhe pse gjykata e apelit kishte disponuar formalisht pushimin e gjykimit për kërkimin mbi pavlefshmërinë e kontratës, ajo kishte shqyrtuar dhe zgjidhur në themel pretendimet e palëve lidhur me legjitimimin dhe interesin e ligjshëm të paditësve. Në këto kushte, kjo pjesë e vendimit përbënte një vendim përfundimtar në kuptim material dhe i nënshtrohej kontrollit në rekurs nga Gjykata e Lartë. Përfundimisht, KCGJL prishi vendimin e gjykatës së apelit në pjesën që kishte të bënte me masën e shpërblimit të dëmit jopasuror dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues, ndërsa në pjesën që kishte disponuar pushimin e gjykimit për kërkimin e konstatimit të pavlefshmërisë absolute të kontratës së dhurimit, e prishi atë dhe la në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor, duke lënë në fuqi edhe rregullimin e pasojave të pavlefshmërisë së kontratës.

 

            IV. Vendimi nr. 00-2026-539 (48), datë 05.02.2026 i Kolegjit Civil

 

Maksima - Në mosmarrëveshjet lidhur me regjistrimin gabuar të pronësisë, zyra e regjistrimit nuk ka kompetencë të korrigjojë gabime që cenojnë të drejtat e subjekteve të tjera pa marrëveshjen e tyre. Në mungesë të një marrëveshjeje ndërmjet palëve, mosmarrëveshja nuk mbetet një çështje administrative me ASHK, por shndërrohet në një konflikt civil ndërmjet subjektit të regjistruar dhe atij që pretendon se është pronari real.

 

Fjalë kyçe - gabim në regjistrimin e pronësisë, kompetencë e zyrës së regjistrimit, marrëveshjeje mes palëve, konflikt civil.

 

Përmbledhje - Në këtë çështje trajtohet një mosmarrëveshje lidhur me regjistrimin e gabuar të një pasurie të përfituar me Akt Marrjeje Toke në Pronësi (AMTP). Paditësi pretendoi se pasuria e regjistruar në emër të të paditurit, në të vërtetë përkonte me parcelën që ai kishte fituar sipas AMTP së tij, ndërsa regjistrimi në favor të të paditurit ishte pasojë e një pozicionimi të gabuar gjatë procesit të regjistrimit. Gjykatat e faktit e rrëzuan padinë, duke arsyetuar se konflikti nuk lidhej me të drejtën e pronësisë, por me një gabim administrativ të regjistrimit, i cili duhej të ndiqej sipas procedurave të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. KCGJL vlerësoi se Gjykata e Apelit kishte gabuar në identifikimin e natyrës së mosmarrëveshjes, duke e trajtuar atë si çështje administrative dhe jo si konflikt civil mbi të drejtën e pronësisë. Sipas Kolegjit, fakti që një pasuri figuron e regjistruar në emër të një subjekti krijon prezumimin formal të pronësisë në favor të tij, ndaj kundërshtimi i këtij regjistrimi përbën në thelb kundërshtim të së drejtës së pronësisë së regjistruar. Për rrjedhojë, padia për njohjen e pronësisë dhe korrigjimin pasues të regjistrimit është mjeti procedural i duhur për zgjidhjen e konfliktit. Në analizën e tij, Kolegji iu referua nenit 144 dhe vijues të KC, vendimit njësues nr. 1/2009 dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se regjistrimi i pasurisë ka karakter deklarativ dhe nuk krijon vetvetiu të drejtën e pronësisë. Megjithatë, regjistrimi ka rëndësi thelbësore juridike, pasi mundëson ushtrimin e tagrit të disponimit dhe krijon prezumimin e ligjshmërisë së të drejtës së regjistruar. Për këtë arsye, fshirja e një regjistrimi dhe regjistrimi i pasurisë në favor të një subjekti tjetër nuk mund të realizohen në mënyrë administrative kur preken të drejtat e një pale tjetër, por kërkojnë zgjidhjen paraprake të konfliktit mbi pronësinë nga gjykata. Kolegji theksoi gjithashtu se në mungesë të një marrëveshjeje ndërmjet palëve, mosmarrëveshja nuk mbetet një çështje administrative me ASHK, por shndërrohet në një konflikt civil ndërmjet subjektit të regjistruar dhe atij që pretendon se është pronari real. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rastet e regjistrimit të AMTP, ku regjistrimi nuk ka vetëm funksion publikues, por edhe identifikues të sendit të paluajtshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbajtjen e së drejtës së pronësisë. Në përfundim, duke vlerësuar se paditësi kishte ngritur me të drejtë padinë për njohjen e pronësisë kundër mbajtësit të certifikatës së pronësisë, KCGJL prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës dhe e dërgoi çështjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me detyrimin që të shqyrtojë në themel të drejtën e pronësisë dhe, në varësi të rezultatit të këtij hetimi, të disponojë edhe për regjistrimin e pasurisë

            V. Vendim nr. 00-2026-1026 (127), datë 11.03.2026, i Kolegjit Civil

Maksima - Fitimi i pronësisë nëpërmjet privatizimit sipas regullimit të posaçëm ligjor, ka kriter vendimtar për përcaktimin e përfituesve përbërjen familjare të qiramarrësit në datën referuese, ndërsa gjendja e strehimit nuk përbën kriter autonom për fitimin e bashkëpronësisë. 

Fjalë kyçe - fitimi i pronësisë, proces privatizimi, përbërje famijare, gjendje e strehimit.

 

Përmbledhje - Çështja ka të bëjë me kërkimin e paditësve për t'u njohur bashkëpronarë në masën 2/5 pjesë të një apartamenti të privatizuar në vitin 1993, me pretendimin se, si pjesëtarë të familjes dhe banues në këtë banesë, gëzonin të drejtën e bashkëpronësisë sipas ligjit për privatizimin e banesave shtetërore. Gjykata e Shkallës së Parë e rrëzoi padinë, ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë e pranoi atë, duke njohur paditësit bashkëpronarë në masën e pretenduar..Kolegji arsyetoi se interpretim të neneve 9 dhe 20 të ligjit nr. 7652/1992, kriteri themelor për identifikimin e subjekteve përfituese nga privatizimi është përbërja familjare e qiramarrësit në datën referuese, ndërsa gjendja e strehimit ka funksion vetëm verifikues dhe nuk përbën një kriter autonom për fitimin e bashkëpronësisë. Për rrjedhojë, prania fizike në banesë, bashkëjetesa apo regjistrimi në të njëjtën adresë nuk mjaftojnë për të fituar të drejtën e bashkëpronësisë nëse personi nuk rezulton pjesë e familjes së qiramarrësit sipas dokumentacionit zyrtar të gjendjes civile. Kolegji konstatoi se Gjykata e Shkallës së Parë nuk kishte analizuar nëse paditësit plotësonin kushtet ligjore për përfitimin nga privatizimi, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte mbështetur vendimmarrjen kryesisht në faktin e banimit, pa dalluar ndërmjet nocioneve juridike të "përbërjes familjare" dhe "gjendjes së strehimit" dhe pa interpretuar në mënyrë të plotë raportin ndërmjet neneve 9 dhe 20 të ligjit nr. 7652/1992. Gjithashtu, ajo nuk kishte vlerësuar formularin nr. 2 të procedurës së privatizimit dhe certifikatat familjare, të cilat përbënin provat kryesore për përcaktimin e përbërjes familjare në datën referuese dhe, rrjedhimisht, të rrethit të përfituesve të privatizimit. Për këto arsye, Kolegji prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim me tjetër trup gjykues.

 

            VI. Vendim nr. 00-2026-1484 (214), datë 17.4.2026 i Kolegjit Civil

 

Maksima - 1. Në rastet e konflikteve ndërmjet titujve konkurrues të pronësisë gjykatat nuk duhet të kufizohen vetëm kontrollin formal të ligjshmërisë së vendimit të ish-KKKP, pa analizuar në mënyrë të plotë vlefshmërinë, burimin dhe raportin juridik të të gjithë titujve të pronësisë të palëve. 2. Falsifikimi i dokumentit duke rritur sipërfaqen e pronësisë, duhet dalluar nga ekzistenca e vetë titullit themelor, duke përcaktuar nëse ai cenon të drejtën e pronësisë, apo vetëm zgjerimin e pretenduar të sipërfaqes dhe përcaktimin e kufijve të saj.

Fjalë kyçe - tituj konkurrues të pronësisë, vendimi i ish-KKKP, falsifikimi i dokumentit të pronësisë.  

Përmbledhje - Në këtë çështje, paditësi A, si trashëgimtar i B, kërkoi njohjen e pronësisë mbi një sipërfaqe toke në fshatin Gjeç, Prezë dhe pavlefshmërinë absolute të vendimit të datës 11.06.1996 të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me të cilin ishte njohur pronësia e trashëgimtarëve të C. Paditësi e mbështeti pretendimin në dokumentacionin kadastral të vitit 1946 dhe në vendime gjyqësore të mëvonshme, megjithëse në proceset penale u konstatua përdorimi i një dokumenti të falsifikuar, në të cilin sipërfaqja ishte ndryshuar nga 88.5 në 188.5 dynym. Nga ana tjetër, trashëgimtarët e C mbështeteshin në vendimin e ish-KKKP, në përfitime sipas ligjit nr. 7501/1991 dhe në kontrata privatizimi. Kolegji vlerësoi se mosmarrëveshja përbënte një konflikt ndërmjet titujve konkurrues të pronësisë dhe se gjykatat e faktit ishin kufizuar vetëm në kontrollin formal të ligjshmërisë së vendimit të ish-KKKP, pa analizuar në mënyrë të plotë vlefshmërinë, burimin dhe raportin juridik të të gjithë titujve të pronësisë të palëve. Gjithashtu, nuk ishte vlerësuar nëse mbivendosja e konstatuar nga ekspertimi prekte pronën prej 88.5 dynym të paditësit, si dhe nëse falsifikimi i dokumentit cenonte vetë titullin e pronësisë apo vetëm zgjerimin e pretenduar të sipërfaqes. KCGJLi theksoi se gjykatat duhej të identifikonin burimin juridik të secilit titull pronësie, të dallonin të drejtat që burojnë nga vendimi i ish-KKKP, ligji nr. 7501/1991 dhe kontratat e privatizimit, si dhe të verifikonin dokumentacionin mbi të cilin ishte mbështetur njohja e pronësisë së familjes së C. Po kështu, nëse një pjesë e pasurisë rezultonte e fituar sipas ligjit nr. 7501/1991, gjykata duhej të verifikonte ekzistencën e bashkëpronarëve dhe të siguronte pjesëmarrjen e tyre në proces si bashkëndërgjyqës të detyrueshëm. Për këto arsye, Kolegji Civil arriti në përfundimin se gjykatat e faktit nuk kishin zhvilluar një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të konfliktit pronësor, duke mos administruar dhe vlerësuar të gjitha provat e nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Për rrjedhojë, KCGJL prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me tjetër trup gjykues.

            VII. Vendimi nr. 00-2026-1738 (245), datë 29.04.2026 i Kolegjit Civil

 

Maksima - 1. Pavlefshmëria absolute e kontratës për privatizimin e truallit nuk cenohet nga pretendimet e ngritura në rekurs mbi vlerësimin e provave ose mbi gjënë e gjykuar, kur këto çështje janë shqyrtuar dhe zgjidhur nga gjykatat e faktit dhe nuk evidentohen shkelje në zbatimin e ligjit. 2. Kur njësia tregtare ka rezultuar në bashkëpronësi, e drejta për blerjen e truallit u përket të gjithë bashkëpronarëve dhe jo vetëm njërit prej tyre; për rrjedhojë, organi publik kompetent është i detyruar të lidhë kontratën e shitblerjes me subjektin në cilësinë e bashkëpronarit dhe jo si pronar të vetëm, pasi çdo disponim në kundërshtim me regjimin e bashkëpronësisë përbën zbatim të gabuar të ligjit material. 

Fjalë kyçe - bashkëpronësi, pavlefshmëri absolute, kontratë shitblerje trualli, pjesëtim  pasurie.

 

Përmbledhje - Në këtë çështje, paditësja kërkoi konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës së shitblerjes së truallit të lidhur në vitin 1996, fshirjen e regjistrimit hipotekor të kryer mbi bazën e saj, detyrimin e organit publik për lidhjen e kontratës së shitblerjes së truallit, si dhe shpërblimin e dëmit nga përdorimi i sendit. Nga rrethanat e pranuara në gjykim rezultonte se paditësja kishte privatizuar në vitin 1992 një njësi tregtare, ndërsa truallin nën të e kishte marrë fillimisht me qira. Më pas, ajo kishte lidhur me të paditurin një aktmarrëveshje bashkëpronësie mbi njësinë tregtare. Pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7980, datë 27.07.1995 "Për shitblerjen e trojeve", ishte lidhur kontrata e shitblerjes së truallit, ndërsa gjatë gjykimit rezultoi se nënshkrimi i paditëses në këtë kontratë ishte falsifikuar, fakt i provuar edhe me vendim penal të formës së prerë. Gjithashtu, rezultonte se pasuria ishte pjesëtuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe paditësja kishte përfituar vlerën monetare të pjesës së saj. (§§ 28-29) Në shqyrtimin e rekursit të të paditurit, Kolegji konfirmoi se kontrata e shitblerjes së truallit ishte absolutisht e pavlefshme për shkak të falsifikimit të nënshkrimit të paditëses. Megjithatë, arriti në përfundimin se gjykatat kishin zbatuar gabim nenin 4 të ligjit nr. 7980, datë 27.07.1995 "Për shitblerjen e trojeve", pasi kishin detyruar organin publik të lidhte kontratën e shitblerjes vetëm me paditësen, ndonëse njësia tregtare rezultonte në bashkëpronësi. Duke interpretuar këtë dispozitë, në lidhje edhe me VKM nr. 562, datë 09.10.1995, Kolegji vlerësoi se e drejta për blerjen e truallit u takon pronarëve të objektit të privatizuar dhe, për rrjedhojë, kontrata e shitblerjes duhej të lidhej me paditësen në cilësinë e bashkëpronares. Meqenëse gabimi i konstatuar lidhej vetëm me interpretimin dhe zbatimin e ligjit material dhe nuk kërkonte rivlerësim të fakteve apo provave të administruara në gjykim, Kolegji ndryshoi pjesërisht vendimet e gjykatave të faktit vetëm për sa i përket formulimit të detyrimit të Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, duke disponuar që kontrata e shitblerjes së truallit të nënshkruhej me paditësen në cilësinë e bashkëpronares, ndërsa për pjesën tjetër la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

 

            VIII. Vendim nr. 00-2026-2636 (338), datë 26.05.2026 i Kolegjit Civil

 

Maksima - 1. Në padinë për përjashtimin e ortakut, legjitimimi i përket shoqërisë mbi bazën e një vendimi të Asamblesë së Përgjithshme dhe jo ortakut individualisht, përveçse kur rrethana të posaçme juridike krijojnë prima facie një pozitë mbrojtëse. 2. Sigurimi i padisë nuk mund të përdoret për të paraprirë zgjidhjen e themelit të mosmarrëveshjes apo për të prodhuar efekte të barasvlershme me njohjen e të drejtës së pretenduar. Legjitimimi aktiv prima facie duhet të mbështetet në një të drejtë të dukshme dhe aktuale3. Në mosmarrëveshjet ndërmjet ortakëve të shoqërisë koncesionare zbatimi i ligjit për shoqëritë tregtare duhet të harmonizohet me detyrimet koncesionare dhe mbrojtjen e interesit publik. 

 

Fjalë kyçe - sigurimi i padisë, përjashtimi i ortakut, legjitimimi aktiv prima facie, legjitimim procedural, transferim i kuotave, shoqëri koncesionare, parimi i proporcionalitetit.

 

Përmbledhje - Në këtë çështje, shoqëria “V” SHPK, e krijuar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë për zbatimin e një kontrate koncesionare, kishte lidhur me shoqërinë “B” një marrëveshje për transferimin e 47% të kuotave të ortakut “M”. Ndonëse pretendohej se çmimi i transferimit ishte shlyer, kalimi i kuotave nuk ishte regjistruar në QKB. Paditësit pretenduan se ortaku “M” kishte ndërmarrë dhe regjistruar vendimmarrje pa miratimin e rregullt të Asamblesë së Përgjithshme, përfshirë ndryshimin e adresës, kufizimin e transferimit të kuotave, shkarkimin e administratorit dhe emërimin e administratorëve të rinj, duke cenuar të drejtat e ortakut tjetër dhe funksionimin e ligjshëm të shoqërisë. Në kuadër të sigurimit të padisë, gjykata e shkallës së parë pezulloi çdo vendimmarrje të Asamblesë, ndërsa gjykata e apelit e kufizoi masën vetëm te veprimet për tjetërsimin e 47% të kuotave objekt gjykimi. Kolegji Civil vlerësoi se legjitimimi aktiv prima facie përbënte kusht procedural paraprak për shqyrtimin e kërkesës për sigurimin e padisë. Paditësi duhej të evidentonte marrëdhënien juridike nga e cila buronte e drejta e pretenduar, subjektin që e kishte cenuar atë, cenimin konkret dhe të drejtën që kërkohej të mbrohej. Në mosmarrëveshjet ndërmjet ortakëve zbatoheshin me përparësi dispozitat e ligjit nr. 9901/2008. Sipas nenit 102, kërkesa për përjashtimin e një ortaku mund të paraqitej vetëm nga vetë shoqëria, mbi bazën e një vendimi të Asamblesë së Përgjithshme, dhe jo drejtpërdrejt nga një ortak. Për më tepër, duke qenë se “A” figuronte formalisht si zotërues i vetëm 2% të kuotave, ai nuk plotësonte pragun prej 5% të parashikuar për ushtrimin e disa të drejtave të ortakëve të pakicës dhe, në parim, nuk legjitimohej të kërkonte përjashtimin e ortakut që zotëronte 98% të kapitalit. Kolegji theksoi se marrëdhënia juridike nuk mund të vlerësohej vetëm në kuadrin e së drejtës së shoqërive tregtare, pasi “V” SHPK ishte krijuar posaçërisht për realizimin e një kontrate koncesionare. Përjashtimi i një ortaku mund të ndryshonte identitetin dhe kapacitetet e operatorit fitues, ndaj konflikti duhej të zgjidhej duke harmonizuar të drejtat e ortakëve, detyrimet e marra në kuadër të bashkimit të operatorëve dhe mbrojtjen e interesit publik në realizimin e koncesionit. Megjithëse marrëveshja për transferimin e kuotave dhe kufizimi gjyqësor i së drejtës së votës së ortakut tjetër krijonin prima facie një pritshmëri që “A” të bëhej zotërues i 49% të kapitalit, këto rrethana nuk përbënin titull përfundimtar pronësie dhe nuk mjaftonin për të justifikuar masën e kërkuar. Sigurimi i padisë nuk mund të prodhonte paraprakisht pasoja të barasvlershme me njohjen e transferimit të kuotave ose me përjashtimin faktik të ortakut  në shumicë, veçanërisht kur prekej struktura e shoqërisë koncesionare dhe interesi publik. Për këto arsye, Kolegji ndryshoi vendimet e dy gjykatave më të ulëta dhe rrëzoi kërkesën e shoqërive “V” SHPK dhe “A” për marrjen e masës së sigurimit të padisë.                                           

            IX.       Vendimi nr. 00-2026-2367 (367), datë 03.06.2026 i Kolegjit Civil

Maksima - Mosrespektimi i mënyrës së njoftimit të personave juridikë të parashikuar nga ligji passjell pavlefshmërinë e njoftimit, pasi një njoftim i tillë nuk mund të konsiderohet se ka prodhuar pasoja juridike, përfshirë fillimin e afateve procedurale për ushtrimin e mjeteve të ankimit. Çdo interpretim i kundërt do të cenonte të drejtën e aksesit efektiv në gjykatë dhe do të kufizonte në mënyrë të pajustifikuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor.

 

Fjalë kyçe -  rivendosje ne afat, njoftim i rregullt i personave juridikë, afate procedurale,  e drejta e aksesit në gjykatë, e drejta për proces të rregullt ligjor.

Përmbledhje – Shoqëria “A” SHPK kërkoi rivendosjen në afatin e ankimit kundër vendimit nr. 1260, datë 08.09.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili e detyronte të lejonte kalimin e shoqërisë “B” nëpërmjet një pasurie të saj për të komunikuar me rrugën publike. Kërkuesja pretendoi se nuk ishte njoftuar rregullisht as për zhvillimin e procesit dhe as për vendimin përfundimtar, duke marrë dijeni për të vetëm gjatë ekzekutimit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e pranoi kërkesën për rivendosje në afat. Ajo konstatoi se fletëthirrja ishte dërguar në adresën e saktë të selisë së shoqërisë, por shënimi postar se subjekti ishte larguar nga adresa nuk përputhej me të dhënat e regjistrit tregtar. Gjithashtu, shpallja nuk ishte afishuar pranë adresës së selisë së regjistruar të shoqërisë dhe nuk provohej komunikimi i rregullt i vendimit. Gjykata e Apelit Durrës e ndryshoi këtë vendim dhe e rrëzoi kërkesën duke vlerësuar se njoftimi me shpallje në njësinë administrative dhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit ishte i mjaftueshëm për t’u konsideruar i kryer sipas nenit 133 të KPC. Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit nuk ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat procedurale lidhur me institutin e rivendosjes së të drejtës së ankimit në afat. Kolegji vlerëson se palët ndërgjyqëse për shkaqe të ndryshme mund të humbasin afatin për ushtrimin e së drejtës së ankimit ndaj vendimit gjyqësor dhe në këtë rast, ligji procedurial civil, sipas përcaktimeve të neneve 151, 458 parashikon se kërkuesi gëzon legjitimitetin aktiv në ngritjen e kërkesës. Përsa i përket ekzistencës së shkaqeve të arsyeshme, kërkuesi pretendon se shkaku i arsyeshëm qëndron në faktin se nuk ka marrë dijeni efektive për gjykimin dhe vendimmarrjen e gjykatës në lidhje me çështjen në të cilën ai ka qenë në pozicionin procedurial të të paditurit. Në raport me parashikimin e posaçëm që neni 133 i KPC, lidhur me njoftimin e personave juridikë, Kolegji vlerëson se, me të drejtë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka arsyetuar se njoftimi nuk është realizuar në përputhje me dispozitat procedurale që, për shkak të natyrës së tyre, përbëjnë rregulla të detyrueshme dhe nuk mund të zëvendësohen me forma të tjera njoftimi. Për rrjedhojë, njoftimi me shpallje në njësinë administrative dhe në QKB nuk përmbush kërkesat procedurale. Për këtë arsye KCGJL vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

2. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë

 

  1. Licaj kundër Shqipërisë, vendim papranueshmërie, datë 16 qershor 2026, aplikimi nr. 16399/20

Maksima -  1. Kërkesa që subjekti i rivlerësimit të provojë burimin e ligjshëm dhe kapacitetin financiar të huadhënësve për dhënien e huave të konsiderueshme është, në parim, në përputhje me nenin 8 të Konventës dhe nuk përbën barrë disproporcionale, për sa kohë subjekti ka pasur një mundësi reale dhe efektive për të paraqitur prova. 2. Shkarkimi nga detyra nuk cenon nenin 8 kur bazohet në gjetje të arsyetuara mbi deklarime të pasakta të pasurisë dhe pamundësi për të justifikuar burimet financiare, duke respektuar standardin e proporcionalitetit.

Fjalë kyçe - Neni 8 KEDNJ, procesi i rivlerësimit kalimtar (vetting), shkarkim nga detyra, deklarimi i pasurisë, hua private, kapaciteti financiar i huadhënësit, proporcionaliteti 

Përmbledhje - Kërkuesja, ish-kryetare e Gjykatës së Apelit Vlorë, u shkarkua nga detyra në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, pasi KPK dhe më pas KPA konstatuan deklarime të pasakta dhe mungesë burimesh të ligjshme për financimin e disa pasurive të familjes së saj. Në veçanti, organet e rivlerësimit vlerësuan se ankuesja nuk kishte provuar kapacitetin financiar të personave që pretendonte se kishin financuar blerjen e dy apartamenteve nëpërmjet huave private, nuk kishte dokumentuar bindshëm një ulje të konsiderueshme të çmimit të një apartamenti dhe kishte kryer transaksione automobilistike që ngrinin dyshime serioze mbi korrektësinë e deklarimeve pasurore. Kërkuesja pretendoi se shkarkimi i saj cenonte të drejtën për respektimin e jetës private dhe se organet e vettingut i kishin vendosur një barrë të pamundur prove, duke kërkuar të provonte burimet financiare të huadhënësve në një kohë kur një detyrim i tillë nuk parashikohej shprehimisht nga legjislacioni, si edhe duke mos vlerësuar në mënyrë të drejtë provat e paraqitura prej saj. GJEDNJ theksoi se verifikimi i burimeve financiare të huadhënësve është një mekanizëm legjitim për të parandaluar përdorimin e huave fiktive si mjet për justifikimin e pasurisë së pajustifikuar të funksionarëve publikë (§§ 20-22). Gjykata vlerësoi se ankuesja kishte pasur një mundësi reale për të siguruar dhe paraqitur dokumentacionin përkatës mbi gjendjen financiare të huadhënësve dhe nuk kishte provuar se ishte përballur me një barrë të pamundur ose jorealiste prove. Po kështu, ajo konstatoi se organet e rivlerësimit kishin analizuar në mënyrë të detajuar provat lidhur me huatë, deklarimet pasurore, pretendimin për uljen e çmimit të apartamentit dhe transaksionet me automjete, duke arritur në përfundime që nuk rezultonin arbitrare apo haptazi të paarsyeshme. Në këto rrethana, Gjykata Evropiane arriti në përfundimin se shkarkimi i ankueses nuk ishte joproporcional në raport me qëllimin legjitim të garantimit të integritetit të sistemit gjyqësor dhe ruajtjes së besimit të publikut në drejtësi. Për rrjedhojë, ankesa u shpall haptazi e pabazuar dhe u deklarua e papranueshme në bazë të nenit 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës (§§ 24, 27-29 ). 

  1. Koboçi kundër Shqipërisë, vendim papranueshmërie, datë 16 qershor 2026, aplikimi nr. 55784/21 

Maksima – 1. Një vendim i Gjykatës së Lartë që deklaron të papranueshëm rekursin nuk është në kundërshtim me nenin 6 § 1 të Konventës vetëm për shkak se përmban një arsyetim të kufizuar, për sa kohë që ai mbështetet në një bazë ligjore të qartë dhe nuk rezulton arbitrar. 2. Po kështu, prishja e një ndërtimi të paligjshëm dhe refuzimi i kompensimit për pronarin nuk cenojnë nenin 1 të Protokollit nr. 1 kur autoritetet kombëtare kanë vendosur një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesit publik dhe të drejtave të individit.

Fjalë kyçe - Neni 6 § 1 KEDNJ, e drejta për një vendim të arsyetuar, rekursi, papranueshmëria e rekursit, arsyetim i kufizuar, neni 1 i Protokollit nr. 1 KEDNJ, gëzimi paqësor i pasurisë, ndërtim i paligjshëm, prishja e objektit, kompensimi

Përmbledhje - Çështja ka të bëjë me prishjen e një ndërtese, përfshirë katin përdhes në pronësi të ankuesit, si ndërtim pa leje, si edhe me refuzimin e kërkesës së tij për dëmshpërblim. Ankuesi pretendoi shkeljen e nenit 6 § 1 të Konventës për mungesë arsyetimi të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe të nenit 1 të Protokollit nr. 1 për cenimin e së drejtës së pronës. (§§ 1-15). Në lidhje me nenin 6 § 1, GJEDNJ ritheksoi se, ndonëse gjykatat janë të detyruara të japin arsye për vendimet e tyre, kjo nuk nënkupton detyrimin për t'iu përgjigjur në mënyrë të detajuar çdo argumenti të palëve. Veçanërisht, kur një gjykatë e lartë deklaron një rekurs të papranueshëm duke zbatuar një dispozitë të posaçme procedurale, Konventa nuk kërkon një arsyetim të zgjeruar. Duke vlerësuar rrethanat konkrete, Gjykata konstatoi se vendimi de plano i Gjykatës së Lartë identifikonte bazën ligjore të papranueshmërisë, ndërsa çështja ishte shqyrtuar më parë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Për pasojë, ajo nuk gjeti elemente arbitrariteti apo mungesë të tillë arsyetimi që të cenonin garancitë e nenit 6 § 1 (§ 18-20). Sa i përket nenit 1 të Protokollit nr. 1, Gjykata vlerësoi se, pavarësisht pretendimeve mbi pavlefshmërinë e titullit të pronësisë, ankuesi gëzonte një "posedim" në kuptim të Konventës, pasi kishte blerë pronën me kontratë dhe e kishte regjistruar atë në regjistrin e pasurive të paluajtshme (§§ 24-26). Gjykata theksoi se prishja e ndërtimeve pa leje përbën një masë të kontrollit të përdorimit të pronës, e cila mund të justifikohet nga interesi publik për zbatimin e rregullave urbanistike, për sa kohë është e ligjshme dhe proporcionale (§§ 27-30). Në analizën e proporcionalitetit, Gjykata vuri në dukje se gjykatat vendase kishin konstatuar se e gjithë ndërtesa ishte ndërtuar pa leje, se regjistrimi kadastral nuk është kusht për vlefshmërinë e titullit të pronësisë në sistemin shqiptar, se ankuesi nuk kishte provuar se autoritetet kishin toleruar ndërtimin dhe se ai nuk kishte kërkuar përgjegjësi civile nga shitësi i pronës (§§ 31-33). Në këto rrethana, Gjykata arriti në përfundimin se prishja e objektit dhe mosdhënia e dëmshpërblimit nuk kishin vendosur mbi ankuesin një barrë individuale dhe të tepruar, ndaj ankimi u shpall haptazi i pabazuar (§§ 34-35). 

3. Njohje e praktikës së huaj

  1. Gestore dei Servizi Energetici Gse s.p.a. kundër Altomonte Fv s.r.l. etj. Vendimi nr. 05085/2026, Këshilli i Shtetit Itali  

Maksima - E drejta për të përfituar stimuj publikë kërkon domosdoshmërisht një përputhje të plotë dhe të pandërprerë midis mbajtësit formal të lejes administrative dhe subjektit përgjegjës për ushtrimin e veprimtarisë, duke përjashtuar çdo kalim automatik të titullit publik pa miratimin dhe kalimin formal nga organi kompetent. Kalimi i të drejtave përmes bashkimit me përthithje të subjekteve juridike përbën një fenomen shuarjeje të shoqërisë së vjetër dhe kalimi të të drejtave te e reja, çka kërkon përditësimin formal të lejeve administrative. Mungesa e këtij përditësimi zhvlerëson legjitimitetin për t'u kualifikuar si përfitues i të drejtave specifike publike të lidhura me atë leje. Afati i parashkrimit për rikuperimin e detyrimeve financiare publike fillon të ecë nga momenti i lindjes së të drejtës dhe nuk mund të shtyhet për shkak të vonesave faktike ose diskrecionit të administratës në kohën e ushtrimit të kontrolleve. Ky afat pengohet ose pezullohet vetëm nga pamundësia absolute ligjore për të ushtruar të drejtën.

Fjalë kyçe - Bashkim me përthithje, autorizim unik, stimuj financiarë shtetërorë, parashkrimi i padisë, mospërputhje e mbajtësit të titullit.

Përmbledhje - Në këtë çështje trajtohet kërkesa për anulimin e vendimit që urdhëronte reduktimin e stimujve financiarë shtetërorë për energjinë e rinovueshme. Fillimisht, pala paditëse kishte përthithur përmes bashkimit një shoqëri tjetër, e cila zotëronte lejen e ndërtimit dhe të operimit të një impianti fotovoltaik. Pas bashkimit, kalimi formal i lejes nga autoriteti kompetent u vonua për disa vite. Për shkak të kësaj vonese, institucioni i paditur (GSE) konstatoi një mospërputhje midis subjektit që operonte impiantin dhe atij që ishte zyrtarisht mbajtës i lejes, duke aplikuar një reduktim financiar mbi pagesat e kryera ndër vite. Pretendimet u përqendruan te ligjshmëria e këtij reduktimi dhe te koha e parashkrimit të të drejtës së administratës për të rikuperuar shumat e paguara. Kolegji i Këshillit të Shtetit arsyetoi se rregullat për aksesin në stimujt financiarë nuk lejojnë asnjë mospërputhje mes mbajtësit të lejes dhe subjektit përgjegjës për ushtrimin e impiantit, duke e bërë të detyrueshme që përfituesi të jetë bartësi i miratuar i aktit administrativ. Kolegji i Këshillit të Shtetit theksoi se bashkimi me përthithje nuk ishte thjesht një modifikim sipërfaqësor tregtar, por një fenomen i vërtetë shuarjeje juridike dhe kalimi të të drejtave, çka e bënte kalimin formal administrativ të lejes një kusht të domosdoshëm dhe jo një efekt të fituar automatikisht. Lidhur me pretendimet financiare, Kolegji i Këshillit të Shtetit arsyetoi në mënyrë të prerë se afati i parashkrimit nuk mund të shtyhet në varësi të momentit kur administrata zgjedh të ushtrojë kompetencat e saj të kontrollit, duke marrë në konsideratë vetëm pamundësinë ligjore dhe jo vonesat e saj organizative apo faktike. Kolegji i Këshillit të Shtetit vlerësoi se në mungesë të një mashtrimi ose fshehjeje të qëllimshme të fakteve nga debitori, e drejta e të paditurit për të kërkuar mbrapsht pagesat e vjetra konsiderohet e parashkruar pas kalimit të afatit standard dhjetëvjeçar.

  1. Pesenti Alfio dhe Pesenti Giuseppe kundër Tironi Carlino. Vendimi nr. 20878/2026, Gjykata e Kasacionit 

Maksima - 1. Kushtëzimi i vlefshmërisë së një marrëveshjeje me lëshimin e një akti administrativ nga një autoritet publik përbën një kusht zgjidhës negativ dhe jo një klauzolë zgjidhëse të shprehur, pasi efekti zgjidhës lidhet drejtpërdrejt me një ngjarje të ardhshme të pasigurt dhe objektivisht të pavarur nga vullneti apo veprimet e palëve kontraktuese. 2. E drejta e mbajtjes së kaparit përjashtohet automatikisht kur prishja e marrëdhënies kontraktuale ndodh për shkak të pamundësisë objektive dhe  është jashtë sferës së përgjegjësisë së palëve. Kjo e bën çdo pagesë të mëparshme të pambështetur në ligj dhe lind ekskluzivisht vetëm detyrimin e menjëhershëm për rikthimin e shumave. 

Fjalë kyçe - Kontratë paraprake, kusht zgjidhës negative, kapar, zgjidhje e kontratës, mospërmbushje

Përmbledhje - Në këtë çështje u trajtua kërkesa e paditësit për t'u njohur zgjidhja e një kontrate paraprake shitblerjeje dhe për t'u kthyer shumat e paguara si kapar dhe paradhënie.  Palët kishin lidhur një marrëveshje për shitjen e një trualli, finalizimi i së cilës kushtëzohej në mënyrë absolute me nënshkrimin e një marrëveshjeje urbanistike brenda një afati kohor të përcaktuar. Meqenëse ky akt administrativ nuk u lëshua nga autoriteti publik, paditësi kërkoi prishjen e marrëveshjes dhe kthimin e parave të dhëna.  Nga ana tjetër, i padituri kundërshtoi, duke paraqitur një kundërpadi për të mbajtur të gjithë shumën e paguar si dëmshpërblim, me pretendimin se pala tjetër kishte mospërmbushur detyrimet e saj. Gjykatat e faktit (Shkalla e Parë dhe Apeli) vendosën në favor të paditësit, duke e detyruar të paditurin të kthente të gjitha shumat e marra.  Kolegji Civil i Gjykatës së Kasacionit e la në fuqi vendimin, duke argumentuar dallimin thelbësor mes klauzolës zgjidhëse të shprehur dhe kushtit zgjidhës negativ. Kolegji Civil i Gjykatës së Kasacionit  arsyetoi se, meqenëse realizimi i kushtit varej tërësisht nga një palë e tretë (administrata publike), mosplotësimi i tij nuk mund t’i atribuohet asnjërit prej bashkëkontraktuesve si mospërmbushje me faj. Për rrjedhojë, kur një kontratë humbet fuqinë për shkak të mosplotësimit të një kushti negativ, palët çlirohen nga detyrimet reciproke dhe lind menjëherë detyrimi për të rikthyer pagesat e kryera, pasi ato mbeten pa shkak të ligjshëm justifikues. Kolegji Civil i Gjykatës së Kasacionit  theksoi në mënyrë të shprehur se mbajtja e kaparit është një mekanizëm sanksionues që kërkon në mënyrë të domosdoshme mospërmbushjen me faj të palës tjetër. Ky element mungonte plotësisht në rastin konkret, duke e bërë mbajtjen e shumës nga i padituri krejtësisht të pabazuar në ligj.

  1. Piras Antonio. Vendimi nr. 23644/2026, Gjykata e Kasacionit Itali 

Maksima - 1. Tjetërsimi i një aseti përmes krijimit të një mbrojtjeje artificiale juridike, siç është fondi pasuror familjar, në kushtet e paaftësisë paguese, përbën një asgjësim të paligjshëm të garancisë së përgjithshme ndaj kreditorëve. Kjo vlen pavarësisht pranisë paralele të të drejtave reale të garancisë (barrëve të përkohshme siguruese). 2. Kryerja e një vepre të re penale brenda afatit të provës gjeneron një efekt asgjësues zinxhir nga forca e ligjit (“ope legis”). Ky efekt zhvlerëson automatikisht jo vetëm pezullimin e fundit të dënimit, por edhe të gjitha përfitimet e tjera të mëparshme të lidhura me të, duke e kthyer dënimin në ekzekutim të menjëhershëm. 

Fjalë kyçe - Falimentim mashtrues, fond pasuror familjar, tjetërsim pasurie, revokim i pezullimit të ekzekutimit të dënimit me kusht, garanci ndaj kreditorëve 

Përmbledhje - Në këtë çështje u trajtua kërkesa për prishjen e vendimit të Apelit që deklaroi fajtor të pandehurin për veprën e falimentimit mashtrues dhe që urdhëroi revokimin e pezullimit të dënimeve të mëparshme. I pandehuri, në cilësinë e një sipërmarrësi në kushte të rënda paaftesie paguese, kishte tjetërsuar nëntë pasuri të paluajtshme në vitin 2010 duke u dhënë trajtën e një fondi pasuror familjar. Gjithashtu, ai kishte fshehur pajisje e mjete përmes faturave fiktive në vitin 2014. Pala akuzuese (Prokuroria) theksoi se ky veprim shkatërronte garancinë pasurore për llogari të kreditorëve. Nga ana tjetër, i pandehuri u mbrojt me argumentin se pronat ishin tashmë të ngarkuara me hipoteka dhe sekuestro. Sipas tij, kjo i bënte ato efektivisht të papërdorshme për masën e kreditorëve pavarësisht krijimit të fondit, duke përjashtuar kështu rrezikun konkret. Gjykatat e faktit e dënuan të pandehurin dhe i hoqën atij favorin ligjor të dënimeve me kusht të dhëna disa vite më parë (në 2008, 2010 dhe 2013). Kolegji Penal i Gjykatës së Kasacionit e la në fuqi dënimin, duke arsyetuar se tjetërsimi i aseteve drejt një destinacioni që bllokon aksesin e kreditorëve, siç është fondi pasuror, e konsumon plotësisht veprën penale të falimentimit mashtrues. Kolegji Penal i Gjykatës së Kasacionit  shpjegoi se të drejtat reale të garancisë (si hipotekat) kanë një natyrë thelbësisht të përkohshme dhe shlyhen me kalimin e kohës. Prandaj, prania e tyre nuk e asgjëson dëmin konkret të shkaktuar ndaj masës së kreditorëve gjatë kohës së kryerjes së aktit tjetërsues. Më tej, për sa i përket pezullimit me kusht të dënimit, Kolegji theksoi se akti i revokimit ka natyrë thjesht deklarative dhe nuk varet nga diskrecioni i organit vendimmarrës. Kryerja e një vepre të re penale është një kusht i cili, sapo verifikohet, e asgjëson përfitimin vetvetiu që në momentin kur dënimi i dytë merr formë të prerë. Ky zhvillim rrëzon njëkohësisht të gjitha pezullimet e lejuara më parë, duke rivendosur ekzekutimin detyrues të të gjitha sanksioneve në një efekt të mirëfilltë zinxhir.

4. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së lartë

Në datën 30 qershor 2026, në vijim të bashkëpunimit të nisur ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Holandës, u zhvillua ëorkshop-i i dytë me temë “Procedura paragjykimore përpara Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian”. Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, Kryetares së Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Holandës, znj. Dineke de Groot, dhe Zëvendësambasadores së Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, znj. Asli Çetinel. Në kuadër të ëorkshop-it u trajtua kuadri juridik i procedurës së vendimmarrjes paraprake, sipas nenit 267 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, roli i gjykatave kombëtare dhe i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, detyrimi dhe përjashtimet nga paraqitja e kërkesave për vendimmarrje paraprake, si dhe aspektet praktike të hartimit të kërkesave dhe të zbatimit të vendimeve paraprake në procesin gjyqësor. Nëpërmjet diskutimeve të mbështetura në raste konkrete dhe shkëmbimit të përvojës krahasuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë shkëmbyen pikëpamje mbi zbatimin praktik të kësaj procedure, në funksion të forcimit të dialogut gjyqësor dhe të kapaciteteve institucionale. https://gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/shkembim-pervojash-shqiperi-holande-mbi-proceduren-paragjykimore-perpara-gjykates-se-drejtesise-se-bashkimit-evropian

Në datën 8 korrik 2026, një delegacion i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Madrid, me ftesë të institucioneve homologe spanjolle, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërgjyqësor dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Delegacioni, i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, dhe i përbërë nga Zëvendëskryetari, z. Ilir Panda, Kryetari i Kolegjit Civil, z. Valbon Çekrezi, gjyqtari z. Ervin Pupe dhe Drejtoresha e Kabinetit, znj. Arta Vorpsi, zhvilloi takime me drejtues dhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Spanjës, Gjykatës së Lartë të Spanjës dhe Këshillit të Përgjithshëm të Drejtësisë. Vizita u përqendrua në shkëmbimin e përvojave mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave të larta, procedurat e pranimit të rekurseve, efikasitetin e administrimit të çështjeve dhe rolin e jurisprudencës në garantimin e një sistemi gjyqësor të qëndrueshëm dhe të njësuar. Në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës, Kryetari Sadushi u prit nga Kryetari i kësaj gjykate, z. Cándido Conde-Pumpido Tourón, dhe nënshkroi në Librin e Nderit të institucionit. Në Gjykatën e Lartë të Spanjës, delegacioni u mirëprit nga Zëvendëskryetari, z. Dimitry Berberoff, dhe mori pjesë në një tryezë diskutimi kushtuar procedurave të pranimit të rekurseve dhe rolit të tyre në zhvillimin e jurisprudencës. Vizita vijoi në Këshillin e Përgjithshëm të Drejtësisë, ku u diskutuan praktikat më të mira lidhur me organizimin e sistemit gjyqësor, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe garantimin e shtetit të së drejtës. Kjo vizitë shënoi një hap të rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve më të larta gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës. https://gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/vizite-zyrtare-e-delegacionit-te-gjykates-se-larte-ne-madrid-per-forcimin-e-bashkepunimit-ndergjyqesor

Në datën 14 korrik 2026, një delegacion i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, dhe i përbërë nga Zëvendëskryetari, z. Ilir Panda, si dhe gjyqtarët z. Sokol Ngresi, znj. Arbena Ahmeti, z. Sandër Simoni dhe z. Enton Dhimitri, zhvilloi një vizitë pune në Karlsruhe, në Republikën Federale të Gjermanisë. Delegacioni u prit në Gjykatën Federale të Drejtësisë nga Presidentja e kësaj gjykate, znj. Bettina Limperg, me të cilën zhvilloi një takim të zgjeruar mbi çështje që lidhen me funksionimin e gjykatave supreme dhe zhvillimin e jurisprudencës. Diskutimet u përqendruan në rolin e gjykatës supreme në njësimin dhe zhvillimin e jurisprudencës, mekanizmat për garantimin e unitetit të praktikës gjyqësore, marrëdhëniet ndërmjet Gjykatës Federale të Drejtësisë dhe Gjykatës Federale Kushtetuese, si dhe dialogun gjyqësor me Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në kuadër të procedurës së referimit paraprak. Delegacioni shqiptar prezantoi përvojën e Gjykatës së Lartë në ushtrimin e funksionit kushtetues për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, rëndësinë e vendimeve njësuese dhe sfidat që lidhen me konsolidimin e standardeve të qëndrueshme të jurisprudencës. Gjithashtu, u trajtuan përgatitjet institucionale të Gjykatës së Lartë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe roli që ajo do të ushtrojë pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në vijim të vizitës, delegacioni zhvilloi një takim edhe në Gjykatën Federale Kushtetuese të Gjermanisë, ku diskutimet u përqendruan në kufirin ndërmjet gabimit ligjor dhe shkeljes kushtetuese, standardet e vetëpërmbajtjes gjyqësore, zbatimin e parimit të proporcionalitetit, si dhe dialogun ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian. Takimet kontribuuan në shkëmbimin e praktikave më të mira, forcimin e rolit të gjykatave supreme dhe kushtetuese, rritjen e sigurisë juridike dhe përgatitjen e sistemit gjyqësor shqiptar për sfidat që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.  https://gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/gjykata-e-larte-e-shqiperise-forcon-dialogun-institucional-me-gjykatat-me-te-larta-te-gjermanise.

Në datën 15 korrik 2026, Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, mori pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë me institucionet e drejtësisë, mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030. Në fjalën e tij, Kryetari Sadushi paraqiti rezultatet e Gjykatës së Lartë në drejtim të rritjes së efikasitetit, garantimit të zbatimit të njëtrajtshëm të ligjit, përhapjes dhe aksesit në jurisprudencë, si dhe transparencës dhe hapjes ndaj publikut. Kryetari Sadushi evidentoi se, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, numri i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë u ul me 12.9%, duke zbritur në 12,031 çështje, ndërsa norma e likuidimit arriti në 213%. Gjithashtu, Kolegjet dhanë 4 vendime njësuese dhe identifikuan 11 çështje të tjera si praktika që kërkojnë njësim. Ai vuri në dukje konsolidimin e platformës JUDIX, e cila përmban mbi 2,000 vendime të kërkueshme, si dhe përgatitjen e 5 Buletineve Periodike dhe 9 Buletineve Tematike gjatë gjashtëmujorit të fundit, duke e çuar në 55 numrin e publikimeve që prej vitit 2022. Në vijim, Kryetari i Gjykatës së Lartë theksoi nevojën për krijimin e një metodologjie të unifikuar për matjen e ngarkesës efektive dhe të kohës reale të punës gjyqësore, përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në sistemin e drejtësisë dhe ruajtjen e cilësisë së vendimmarrjes gjatë rritjes së efikasitetit. Sipas tij, inteligjenca artificiale duhet të mbetet një mjet mbështetës, ndërsa interpretimi i ligjit, vlerësimi i fakteve dhe vendimmarrja duhet të qëndrojnë nën kontrollin dhe përgjegjësinë e plotë të gjyqtarit. Në përfundim, ai nënvizoi se faza e ardhshme e reformës duhet të mbështetet në planifikimin e burimeve mbi bazën e evidencës, administrimin modern të drejtësisë dhe përdorimin e teknologjisë në funksion të një drejtësie cilësore, efikase dhe të qëndrueshme. Fjala e plotë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë gjendet në linkun më poshtë: https://gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/fjalime/fjala-e-kryetarit-te-gjykates-se-larte-ne-takimin-e-ministrise-se-drejtesise-me-institucionet-e-drejtesise

5. Abonohu në buletinin informativ elektronik

 

Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://ëëë.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://ëëë.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini 

 

6. Njihu me jurisprudencën në JUDIX

 

Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/ 

 

7. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

 

Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaës.com/format_rekursi_5207_1_3d 

 

8. Informacion mbi zgjidhjen e çështjeve gjyqësore

 

Gjykata e Lartë këshillon aksesimin e rubrikës njoftime për publikun, për t`u njohur me vendimmarrjet e përditshme të trupave gjyqësore të çdo Kolegji të Gjykatës së Lartë në linkun: https://ëëë.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/publiku 

 

9. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e Hapur/Open court)

 

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun: https://ëëë.gjykataelarte.gov.al/sq/akrediti 

 

Kontakto:

 

Tel.: +355 4 2257304;

 

Fax: +355 (4) 228837;

 

Email: info@gjykataelarte.gov.al

 

Adresa postare: Rruga: “Ibrahim Rugova”, 1001, Tiranë, Shqipëri.