Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në përbërje të plotë të anëtarëve të tij dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ftuar, në përputhje me pikën 2, të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, zhvilloi të hënën, më datë 30.03.2026, mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës të publikuar në njoftimin zyrtar.
Pas prezantimit të relacioneve të përgatitura nga relatorët, për kandidatët që kanë aplikuar për vendet vakante të shpallura nga Institucioni i Presidentit të Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi:
- Ndërprerjen e procedurave të verifikimit për kandidaturën e zj. Fatmira Luli, për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë.
- Shtyrjen e diskutimeve lidhur me kandidaturën e z. Alaudin Malaj, i cili kandidon për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës, për në mbledhjen e radhës së KED.
- Vijimin e procedurës së verifikimit të kritereve pasurore nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit për kandidatët Roland Ilia dhe Lulzim Hamitaj, që kandidojnë për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës.
Mbledhja e radhës do të zhvillohet në datën 15 Prill 2026, ora 13.00.

Gjykata e Lartë