• 1
    Sallë gjyqi
  • 2
    Salla e Mbledhjeve te gjyqtareve
  • 3
    Gjykata e Lartë
  • 4
    Salla e Kolegjeve te Bashkuara

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 22.02.2022

NJOFTIM PËR MEDIAN

I ndodhur në Tiranë për një vizitë zyrtare, Ministri Kroat i Drejtësisë dhe Administratës Publike Z. Ivan Malenica, është takuar të martën me Zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi. Z. Ivan Malenica dhe delegacioni që e shoqëronte, është pritur në Gjykatën e Lartë edhe nga Kryetari i Kolegjit Penal, Z. Ilir Panda.

Duke vlerësuar këtë takim, Z. Sadushi ka theksuar se prej vitesh Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka marrëdhënie bashkëpunimi me Gjykatën e Lartë të Kroacisë, duke e konsideruar këtë marrëdhënie më shumë se një miqësi e zakonshme mes dy shteteve, pasi mbi të gjitha ka në thelb të saj bashkëpunimin mes dy gjykatave të larta, duke shprehur edhe vullnetin e tij në krye të kësaj gjykate, për ta vazhduar më tej këtë bashkëpunim. Z. Sadushi u shpreh se marrëdhënie të tilla me vende anëtare të Bashkimit Evropian, do t'i jepnin drejtësisë dhe gjyqësorit Shqiptar një ndihmë konkrete për të arritur nivelet e kërkuara në forcimin e shtetit të së drejtës. Lidhur me situatën aktuale në Gjykatën e Lartë, Z. Sadushi bëri një prezantim të aktivitetit të deritanishëm të anëtarëve të kësaj gjykate, që nga momenti i marrjes së detyrës si dhe punën e kryer prej tyre në evadimin e një numri të konsiderueshëm çështjesh. Sipas Z. Sadushi, sot Gjykata e Lartë edhe pse jo e plotë në përbërjen e saj, ka marr një ritëm tjetër pune, dhe mundësitë maksimale që ajo sot po përdor, do ta ndihmojnë për të realizuar qëllimin e vet, për një drejtësi të shpejtë, cilësore dhe efektive.

Ministri Kroat i Drejtësisë dhe Administratës Publike Z. Ivan Malenica konfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit, i cili nuk duhet të mbetet vetëm në nivel zyrtar, por dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërise dhe Kroacisë në fushën e së drejtës dhe gjyqësorit. Ai ofroi mbështetjen e tij, për të bërë të mundur shfrytëzimin e programeve të ndryshme në ndihmë të gjyqësorit shqiptar, duke konfirmuar zhvillimin e vizitave zyrtare apo studimore të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë me homologet e tyre Kroat.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte