• 1
    Sallë gjyqi
  • 2
    Salla e Mbledhjeve te gjyqtareve
  • 3
    Gjykata e Lartë
  • 4
    Salla e Kolegjeve te Bashkuara

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 19.04.2022

NJOFTIM PËR MEDIAN

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, organizoi në datat 13-15 prill 2022 trajnimin tematik të Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe Qendrës së Dokumentacionit, mbi arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe kërkimin ligjor.

Bashkëpunimi mes këtyre dy strukturave, në funksion të përmirësimit të vendimmarrjes së Gjykatës dhe zbatimit të unifikuar të ligjit prej saj, dokumentimi, publikimi, shkrimi, arsyetimi dhe gjuha e vendimeve gjyqësore, njohja dhe aftësimi me mjetet e kërkimit të jurisprudencës së gjykatave homologe, evropiane e më gjerë, ishin në fokus të këtij aktiviteti.

Ky aktivitet u konsiderua si mjaft i rëndësishëm nga ana e Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, i cili theksoi nevojën për rritjen e vazhdueshme të cilësisë së vendimmarrjes së kësaj gjykate në të gjitha aspektet. Në takim morën pjesë edhe anëtarë të tjerë Gjykatës së Lartë si edhe Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gutzkow.

Trajnimi u zhvillua me asistencën e ekspertëve zj. Sonja Prostran dhe zj. Kristina Jorgaqi. Zj Postran u fokusua tek metodat e publikimit të vendimeve të gjykatave, mjetet dhe mënyrat e kërkimit shkencor, rolin dhe shërbimet juridike të qendrave të dokumentacionit, aksesin në libraritë ligjore, menaxhimin e njohurive juridike dhe qarkullimin e tyre brenda për brenda gjykatës, duke u bërë pjesë e diskutimeve dhe disa ushtrimeve praktike, veçanërisht lidhur me gjetjen e metadatave të vendimeve gjyqësore. Ndërsa zj. Jorgaqi u ndal veçanërisht në aspektin gjuhësor të arsyetimit të vendimeve të Gjykatës, duke orientuar pjesëmarrësit në shkrimin e drejtë, të saktë dhe të kuptueshëm të shqipes ligjore.

 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte