Njoftim për vendim njësues, Kolegji Civil, datë 22.12.2025

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, në datën 10.07.2025, mori në shqyrtim, dhomë këshillimi, çështjen civile me nr. 21001-00392-00-2025, regjistri, me Rekursuese: D.V., Kundër: Vendimit nr. 1459 (13-2024-5077), datë 22.4.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me objekt: Zgjidhja e martesës ligjore me të paditurin A.V., etj. 

Me vendim të ndërmjetëm, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vendosi: Kalimin e çështjes civile me nr. 21001-00392-00-2025, datë regjistrimi 30.6.2025, për shqyrtim në seancë gjyqësore me qëllim njësimin e praktikës gjyqësore në lidhje me çështjet:

1. Në konsideratë të parashikimeve të ligjit nr. 10428/2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private” dhe konventat ndërkombëtare në këtë fushë, shtrohen pyetjet:

a. A kanë gjykatat shqiptare juridiksion për të gjykuar çështjet me objekt “Zgjidhje martese”, kur gjykata duhet të shprehet edhe për rregullimin e pasojave që vijnë nga zgjidhja e martesës në raport me bashkëshortët dhe fëmijët e mitur të ardhur në jetë nga martesa, kur vendqëndrimi i zakonshëm i të miturit nuk është në Shqipëri?

b. A kanë gjykatat shqiptare juridiksion për të gjykuar çështjet me objekt rregullimin ose ndryshimin e mënyrës së ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ndaj fëmijës së mitur, kur vendqëndrimi i zakonshëm i të miturit nuk është në Shqipëri?

c. A kanë gjykatat shqiptare juridiksion për të gjykuar çështjet me objekt përcaktimin ose ndryshimin e detyrimit për ushqim për fëmijët e mitur, kur vendqëndrimi i zakonshëm i të miturit nuk është në Shqipëri? 

ç. A kanë gjykatat shqiptare juridiksion për të gjykuar çështjet me objekt lejimin e lëvizjes së fëmijës jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kur vendqëndrimi i zakonshëm i të miturit nuk është në Shqipëri?

2. Si qëndron juridiksioni i gjykatave shqiptare për këto çështje, në raport me zbatimin e Konventës “Për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve?”

 

Sa më sipër, në lidhje me pyetjen nr.1 dhe nënpyetjet e saj, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, arrin në konkluzionet njësuese si më poshtë vijon:

1. Në gjykimet me objekt “Zgjidhjen e martesës”, kur nga kjo martesë ka fëmijë të mitur, gjykata, kur pranon padinë, ka detyrimin të shprehet krahas zgjidhjes së martesës edhe për rregullimin e pasojave të kësaj zgjidhje në raport me fëmijët. Në këto raste, për të gjithë gjykimin merr përparësi vlerësimi i interesit më të lartë të të miturit

Kur i mituri jeton në një vend tjetër, jashtë Republikës së Shqipërisë, gjykata duhet të konstatojë, bindet dhe përcaktojë “vendqëndrimin e zakonshëm” të fëmijës, duke iu referuar kohëzgjatjes së qëndrimit në atë vend, arsyeve të zhvendosjes së familjes dhe kushteve social-ekonomike të fëmijës.

Nëse në vlerësim të këtyre fakteve, gjykata shqiptare bindet se interesi më i lartë i të miturit vlerësohet para saj si dhe të dy prindërit janë dakord me këtë juridiksion, gjykata shqiptare ka juridiksion për zgjidhjen e martesës dhe rregullimin e pasojave të kësaj zgjidhjeje në raport me fëmijët.

Në të kundërt, nëse referuar kritereve të mësipërme, gjykata shqiptare përcakton se “vendqëndrimi i zakonshëm” i fëmijës është jashtë Republikës së Shqipërisë, duhet të deklarojë nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të saj.

2. Gjykimi për çështje me objekt “rregullimin ose ndryshimin e mënyrës së ushtrimit të përgjegjësisë prindërore”, duhet të zhvillohet në vendqëndrimin e zakonshëm të fëmijës, konstatuar kjo referuar kritereve të përcaktuara më lart.

Në rast se ky vendqëndrim i zakonshëm ka ndryshuar në raport me vendqëndrimin e mëparshëm dhe gjykatën që ka përcaktuar fillimisht mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, gjykimi për ndryshimin e saj duhet të zhvillohet në gjykatën e vendqëndrimit të zakonshëm të ri.

Kur gjykata shqiptare konstaton se vendqëndrimi i zakonshëm i fëmijës së mitur është jashtë Republikës së Shqipërisë, deklaron nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit, përveç kur vlerëson se kjo bie ndesh me interesin më të lartë të fëmijës.

3. Përcaktimi apo ndryshimi i detyrimit për ushqim të fëmijës së mitur është pjesë e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore dhe gjykimi mbi këtë kërkim bëhet nga gjykata e vendqëndrimit të zakonshëm të të miturit.

Në rastet kur ky vendqëndrim i zakonshëm është jashtë Republikës së Shqipërisë, gjykata shqiptare nuk ka juridiksion, përveç kur vlerëson se kjo bie ndesh me interesin më të lartë të fëmijës.

Gjykata shqiptare ka juridiksion kur kërkimet për përcaktimin apo ndryshimin e detyrimit për ushqim ngrihen si kërkime më vete, si masa mbrojtëse për të miturin, përpara gjykimit për zgjidhjen e martesës dhe rregullimin e pasojave, me efekt deri në rregullimin e tyre, kur prindi kërkues e ka vendqëndrimin e zakonshëm në Republikës së Shqipërisë.

4. Lejimi i lëvizjes së fëmijës së mitur jashtë vendit, si pjesë e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, rregullohet nga gjykata e vendqëndrimit të zakonshëm të të miturit.

Gjykata shqiptare nuk ka juridiksion nëse ky vendqëndrim është jashtë Republikës së Shqipërisë.

Gjykata shqiptare ka juridiksion në rastet kur fëmija i mitur, për arsye të ndryshme ndodhet përkohësisht në Republikës së Shqipërisë, për lëvizjen e tij drejt vendit ku ka vendqëndrimin e zakonshëm ose kur nga Republikës së Shqipërisë nevojitet autorizim për hyrjen e tij përkohësisht në Republikës së Shqipërisë. 

Në lidhje me pyetjen nr.2, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, arrin në konkluzionin njësues si më poshtë vijon:

Në zbatim të Konventës së Hagës “Për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve”, juridiksioni për çështjet e përgjegjësisë prindërore u takon gjykatave të shtetit të vendqëndrimit të zakonshëm të fëmijës përpara largimit apo mbajtjes së paligjshme. Gjykatat e shtetit ku fëmija është sjellë, përfshirë ato shqiptare, kanë juridiksion të kufizuar vetëm për të vendosur mbi kthimin e menjëhershëm të fëmijës, pa ndërhyrë në themelin e mosmarrëveshjes mbi përgjegjësinë prindërore, e cila zgjidhet nga gjykata e vendqëndrimit të zakonshëm.

Kërkesa për kthimin e fëmijës nuk varet nga ekzistenca e një procesi zgjidhje martese, por thjesht nga fakti i largimit pa pëlqimin e prindit tjetër që ushtron përgjegjësinë prindërore. Vendimet e autoriteteve që urdhërojnë kthimin e fëmijës nuk zgjidhin në themel aspektet e kujdestarisë apo të drejtave prindërore, por synojnë vetëm rivendosjen e status quo, në mënyrë që gjykata e vendqëndrimit të zakonshëm të fëmijës të marrë vendimin përfundimtar mbi këto çështje.

 

Në lidhje me zgjidhjen e çështjes konkrete, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vendosi:

-     Lënien në fuqi të vendimit nr.1459(13-2024-5077), datë 22.04.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

-     Ky vendim është njësues dhe dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.