N J O F T I M – V E N D I M N J Ë S U E S
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, në datën 18.07.2024, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen penale me nr. 53402-562-2020 regjistri, me kërkues: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, Kundër: Gj.L., Akuzuar: Për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i kompetencave”, parashikuar nga neni 164 i Kodit Penal. Gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi, Kolegji konstatoi se për këtë rast janë ngritur si shkak rekursi çështje të rëndësishme të interpretimit të parashikimeve të nenit 427 të KPP, në lidhje me ndalimin për të vendosur fajësi vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe me provat që duhet të merren në rast të përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor në apel. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 438, paragrafët 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Kalimin e çështjes penale me nr. 53402-562-2020, datë 06.10.2020, për shqyrtim në seancë gjyqësore me qëllim njësimin e praktikës gjyqësore në lidhje me çështjet:
- Zbatimi i pikës 4 të nenit 427 të KPP, a e detyron Gjykatën e Apelit, që në çdo rast kur apelohet vendimi i pafajësisë të përsërisë shqyrtimin gjyqësor (tërësisht apo pjesërisht)?
1.1.Vendimi për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, a kushtëzohet nga shkaqet e paraqitura në apel nga prokurori ?
2. Cilat prova mund të merren gjatë gjykimit në apel në rast të përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor, sipas pikës 4 të nenit 427 të KPP?
3.Në rast se çështja është gjykuar në shkallë të parë me procedurën e gjykimit të shkurtuar, a duhet të zbatohet parashikimi i pikës 4 të nenit 427 të KPP në lidhje me përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor dhe marrjen e provave të reja dhe a ruhet përfitimi nga gjykimi i shkurtuar ?
Kolegji Penal në përfundim të gjykimit të çështjes, në datë 06.11.2024, në seancë gjyqësore, arriti në këto konkluzione njësuese:
Për pyetjen 1: Zbatimi i pikës 4 të nenit 427 të KPP, a e detyron gjykatën e apelit, që në çdo rast kur apelohet vendimi i pafajësisë të përsërisë shqyrtimin gjyqësor (tërësisht apo pjesërisht)?
Kolegji vendosi: Parashikimi i nenit 427, pika 4, të Kodit të Procedurës Penale nuk e detyron gjykatën e apelit që në çdo rast kur apelohet vendimi i pafajësisë, të përsërisë shqyrtimin gjyqësor. Kur gjykata vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, e vlerëson këtë disponim në raport me nevojën e verifikimit të fakteve ose provave të çështjes në gjykim, nëse në apel janë ngritur çështje të vlerësimit të gabuar të provave nga gjykata e shkallës së parë.
Për pyetjen 1.1: Vendimi për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, a kushtëzohet nga shkaqet e paraqitura në apel nga prokurori ?
Kolegji vendosi: Vendimmarrja e gjykatës së apelit për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor kushtëzohet nga kërkimi i prokurorit në apel për vlerësim të gabuar të provave nga gjykata e shkallës së parë, por kur gjykata e apelit e çmon të domosdoshme, mund të marrë prova të tjera edhe kryesisht, me qëllim garantimin e kontrollit efektiv rishikues.
Për pyetjen 2: Cilat prova mund të merren gjatë gjykimit në apel në rast të përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor, sipas pikës 4 të nenit 427 të KPP?
Kolegji vendosi: Gjatë gjykimit në shkallë të dytë, në përputhje me nenin 427, pika 4 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka detyrimin të përsërisë shqyrtimin gjyqësor duke marrë provat deklarative që janë të nevojshme në drejtim të përcaktimit të fajësisë ose pafajësisë së të pandehurit.
Për pyetjen 3: Në rast se çështja është gjykuar në shkallë të parë me procedurën e gjykimit të shkurtuar, a duhet të zbatohet parashikimi i pikës 4 të nenit 427 të KPP në lidhje me përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor dhe marrjen e provave të reja dhe a ruhet përfitimi nga gjykimi i shkurtuar ?
Kolegji vendosi: Nëse çështja është gjykuar në shkallë të parë me procedurën e gjykimit të shkurtuar, parashikimi i nenit 427, pika 4 të Kodit të Procedurës Penale nuk e pengon gjykatën e apelit të përsërisë shqyrtimin gjyqësor edhe përmes marrjes së provave të reja. Të pandehurit i takon e drejta e përfitimit të uljes së një të tretës së dënimit, në rast të dhënies së vendimit të fajësisë nga ana e gjykatës së apelit.
Në lidhje me çështjen konkrete, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 110, datë 30.07.2020, të Gjykatës së Apelit Shkodër.
2. Ky vendim është njësues dhe dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.