Gjykata e Lartë mirëpret kandidatët për magjistratë nga Holanda

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë mirëpriti një grup kandidatësh për magjistratë nga Holanda, me profil gjyqtar, në kuadër të vizitës së tyre studimore në Shqipëri. Takimi u zhvillua në frymën e Ditës së Hapur të Gjykatës së Lartë, si dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Tiranë.
Kandidatët u pritën në Gjykatën e Lartë nga Zëvendëskryetari, z. Ilir Panda, dhe anëtari i Kolegjit Penal, z. Sander Simoni.
Gjatë takimit, z. Panda prezantoi një panoramë të sistemit gjyqësor shqiptar, duke u ndalur në zhvillimin historik të tij, organizimin dhe funksionimin aktual të sistemit të drejtësisë, si dhe në rolin e Gjykatës së Lartë në këtë sistem. Në mënyrë të veçantë, ai foli për funksionimin dhe rëndësinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), si dhe për misionet kryesore të Gjykatës së Lartë në garantimin e interpretimit dhe zbatimit të njëtrajtshëm të ligjit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua vendimeve njësuese të Gjykatës së Lartë, rëndësisë së tyre për jurisprudencën dhe ndikimit që ato kanë në konsolidimin e praktikës gjyqësore.
Në vijim, z. Simoni u ndal më gjerësisht në rolin e vendimeve njësuese në zhvillimin e jurisprudencës dhe në sigurimin e qëndrueshmërisë së praktikës gjyqësore. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rolit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në formimin profesional të brezave të rinj të magjistratëve, përmes përcjelljes së standardeve të jurisprudencës dhe përvojës së tyre profesionale.
Bashkëbisedimi vijoi me pyetje dhe diskutime mbi organizimin e gjyqësorit në Shqipëri dhe Holandë, rolin e gjyqtarit, sfidat e profesionit dhe mekanizmat që synojnë garantimin e një drejtësie cilësore, transparente dhe të pavarur.
Vizita studimore është pjesë e programit të formimit profesional të kandidatëve për magjistratë në Holandë, i cili parashikon njohjen me sisteme të ndryshme gjyqësore dhe shkëmbimin e përvojave përpara përfundimit të formimit të tyre profesional. Për këtë vit, Shqipëria është përzgjedhur si vendi ku kandidatët do të njihen nga afër me sistemin shqiptar të drejtësisë dhe institucionet e tij.
Gjykata e Lartë e konsideron dialogun dhe shkëmbimin e përvojave me institucionet homologe dhe me brezat e rinj të profesionistëve të drejtësisë si një element të rëndësishëm për zhvillimin e jurisprudencës, forcimin e standardeve profesionale dhe afrimin e sistemeve gjyqësore.