
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Vizitë zyrtare e delegacionit të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë në Varshavë
Në datat 17–20 mars 2026, një delegacion i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Varshavë, me ftesë të institucioneve homologe polake, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërgjyqësor dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.
Delegacioni u kryesua nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, dhe përbëhej nga Zëvendëskryetari, z. Ilir Panda, si dhe gjyqtari z. Artur Kalaja.
Gjatë vizitës, u zhvilluan takime pune me drejtuesit e Gjykatës së Lartë të Polonisë, ku u diskutuan çështje që lidhen me funksionimin e gjykatave të larta, unifikimin e praktikës gjyqësore dhe sfidat në administrimin e drejtësisë. Delegacioni zhvilloi gjithashtu vizita institucionale në Gjykatën e Lartë Administrative dhe në Gjykatën Kushtetuese të Polonisë, duke thelluar dialogun profesional mbi organizimin dhe rolin e tyre në garantimin e shtetit të së drejtës.
Në takimin me Kryetaren e Gjykatës së Lartë të Polonisë, znj. Małgorzata Manowska, u riafirmua angazhimi për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Kryetari Sadushi vlerësoi mikpritjen dhe theksoi se “dialogu gjyqësor mes dy vendeve tona është thelbësor për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e standardeve të drejtësisë”. Nga ana e saj, Kryetarja Manowska shprehu vlerësim për sistemin gjyqësor shqiptar, duke nënvizuar se “arritjet e reformës në drejtësi janë të dukshme dhe përbëjnë një bazë të fortë për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve tona”.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al

Gjykata e Lartë









