
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore
Shqipëria mirëpriti një ndër ngjarjet më të rëndësishme rajonale në fushën e drejtësisë, Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u mbajt në qytetin e Vlorës, në datat 9 dhe 10 qershor 2025. Kjo ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare u organizua nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, në bashkëpunim me CEELI Institute dhe me mbështetjen e gjyqtarëve amerikanë të angazhuar në nisma për forcimin e sundimit të ligjit.
Në këtë forum morën pjesë kryetarë gjykatash, zëvendëskryetarë dhe gjyqtarë të lartë, të cilët përfaqësuan sistemet gjyqësore të Shqipërisë, Bullgarisë, Republikës Çeke, Kosovës, Lituanisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Sllovenisë, Ukrainës dhe SHBA-së. Prania e tyre konfirmoi rëndësinë e këtij takimi si një hap drejt forcimit të bashkëpunimit ndërgjyqësor dhe shkëmbimit të përvojave në nivel rajonal dhe më gjerë.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, në fjalën përshëndetëse të hapjes së punimeve të konferencës, theksoi:
"Është një nder i veçantë që, pas 13 vjetësh, të presim sërish këtë Konferencë të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore. Si Kryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, ndjej një përgjegjësi të madhe dhe një privilegj të veçantë për t’ju përshëndetur në emër të kolegëve të mi gjyqtarë. Kjo konferencë zhvillohet në një kohë sfidash të përbashkëta për gjyqësorin – nga ndikimi i teknologjisë, globalizimi i çështjeve juridike, te rreziqet e dezinformimit dhe ndërhyrjeve. Pikërisht për këtë arsye, rëndësia e dialogut ndërgjyqësor bëhet edhe më e madhe. Le ta shndërrojmë këtë konferencë në një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një drejtësie më të mirë, më të shpejtë dhe më të besueshme për qytetarët tanë."
Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj, në hapjen zyrtare të aktivitetit, theksoi:
"Pavarësia e sistemit gjyqësor nuk është një privilegj, por një themel i patjetërsueshëm i demokracisë. Ajo është garanci për paanshmërinë e gjykimit dhe kusht i domosdoshëm për një drejtësi që u shërben qytetarëve. Pavarësia nuk do të thotë shkëputje nga llogaridhënia, por liri për të marrë vendime të drejta, të ndershme dhe objektive, larg çdo ndërhyrjeje politike apo financiare. Vetëm një drejtësi e tillë mund të fitojë besimin e publikut dhe të përmbushë pritshmëritë për një sistem gjyqësor të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës.”
Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, në fjalën e tij, u shpreh:
“Reforma në drejtësi nuk është thjesht një proces institucional, por një kontratë e re besimi me qytetarët tanë. Sot, Shqipëria përveçse nuk synon integrimin europian, është edhe një partner që kontribuon konkretisht në forcimin e drejtësisë ndërkombëtare,”
Gjatë dy ditëve të Konferencës, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime intensive dhe shkëmbime të frytshme mbi tema thelbësore për funksionimin dhe të ardhmen e gjyqësorit, si: besimi i publikut tek gjyqësori; sfidat në garantimin e interpretimit të unifikuar të ligjit nga Gjykatat e Larta; marrëdhënia ndërmjet juridiksionit kombëtar dhe atij ndërkombëtar; garantimi i drejtësisë nëpërmjet gjykimit në kohë; si dhe përdorimi i mjeteve digjitale për një drejtësi më efikase.
Pjesëmarrësit folën gjerësisht dhe me kompetencë mbi këto çështje, duke ndarë përvoja konkrete, sfida dhe zgjidhje të mundshme. Diskutimet u karakterizuan nga një frymë bashkëpunimi dhe angazhimi të lartë profesional, ndërsa pjesëmarrja ishte tejet aktive, çka dëshmon interesin dhe vullnetin e përbashkët për të përforcuar rolin e gjyqësorit në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave themelore të qytetarëve.
Gjykata e Lartë falënderon të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë për praninë dhe kontributin e tyre në këtë konferencë, e cila përforcon më tej rolin e drejtësisë si themel i demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al