Forumi dy ditor i Harmonizimit Gjyqësor - 18-19 shtator 2025

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Forumi dy ditor i Harmonizimit Gjyqësor, i organizuar nga Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Evropës bëri bashkë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë (Kolegjet Civile dhe Penale), gjyqtarë të Gjykatave të Apelit (juridiksioni i përgjithshëm dhe i posaçëm) dhe këshilltarë ligjorë/ magjistratë të Gjykatës së Lartë.
Hapjen e forumit e përshëndetën z. Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë, dhe Znj. Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri. Një moment i veçantë i ditës së parë ishte dhe kontributi i Gjyqtarit shqiptar në GJEDNJ, z. Darian Pavli, i cili ndau perspektiva mbi zbatimin e Nenit 6 të KEDNJ-së dhe standardeve evropiane mbi procesin e rregullt ligjor, kohëzgjatjen e procedurave dhe mjetet juridike efektive.
Ky forum synoi të krijojë një hapësirë të strukturuar dialogu mes niveleve të ndryshme të gjyqësorit shqiptar, duke trajtuar çështje kyçe për:
✔️ forcimin e unitetit në interpretimin e ligjit,
✔️ rritjen e koherencës në vendimmarrje,
✔️ dhe zbatimin më të plotë të standardeve të GJEDNJ në praktikën vendase.
Diskutimet e ditës së parë u përqendruan tek trajtimi i kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore dhe efektivitetin e mjeteve juridike të brendshme.
Gjatë ditës së dytë, fokus ishin praktikat gjyqësore të Kolegjit Civil dhe Penal të Gjykatës së Lartë, me sesione të moderuara nga gjyqtarët e kësaj gjykate. 
Qëllimi i diskutimeve të ditës së dytë u fokusua tek analizimi i divergjencave më të shpeshta nga gjykatat e shkallëve më të ulëta dhe tek identifikimi i mekanizmave për një qasje të harmonizuar në të gjithë sistemin gjyqësor.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një gjyqësori më të unifikuar, efikas dhe në përputhje me standardet evropiane të të drejtave të njeriut.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri” (D-REX III), pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, një iniciativë bashkëpunimi e bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al