Ceremonia solemne e Hapjes së Vitit Gjyqësor 2026

DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, në sallën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë u zhvillua ceremonia solemne e hapjes së Vitit Gjyqësor, me synimin për të vendosur një traditë institucionale të përvitshme reflektimi, përgjegjësie dhe transparence ndaj publikut.

Në fjalën e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, theksoi se drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standard dhe e denjë ndaj qytetarit, duke nënvizuar se besimi publik nuk kërkohet, por fitohet, vendim pas vendimi dhe standard pas standardi. Ai vuri theksin te bashkëpunimi institucional, respekti reciprok dhe investimi në institucione të forta si kusht për një drejtësi të fortë.

Ceremonia u përshëndet nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, i cili theksoi rëndësinë e ndarjes dhe balancës së pushteteve, si dhe nga Ministri i Drejtësisë, z. Besfort Lamallari, i cili nënvizoi nevojën e bashkëpunimit korrekt ndërinstitucional për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, u ndal te rëndësia e qeverisjes së gjyqësorit, meritokracisë, integritetit dhe modernizimit të sistemit, ndërsa Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, z. Arqilea Koça, theksoi rolin e prokurorisë në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe garantimin e një procesi të drejtë.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, z. Maksim Haxhia, vuri në dukje rolin thelbësor të avokatisë në mbrojtjen efektive të të drejtave dhe barazinë e palëve në proces.

Ceremonia u mbyll me urimin për një vit gjyqësor me standarde më të larta profesionale, integritet dhe rezultate konkrete në shërbim të qytetarit.


Për kontakt: Ida Vodica Laska
Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë
Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al
www.gjykataelarte.gov.al