Njohje me praktikën/vendimmarrje të reja për Kolegjin Administrativ !

Njohje me praktikën e re të Kolegjit Administrativ

“Kriteri i vlerës dhe objekti lëndor në kufizimin e të drejtës së ankimit dhe të rekursit”

  1. Vendimi zhvillues nr. 00-2026-2626 (231), datë 23.04.2026 i Kolegjit Administrativ

Maksima: Në interpretim të neneve 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012, në dritën e neneve 17 dhe 43 të Kushtetutës dhe të standardeve konventore për aksesin në gjykatë, kufizimi i së drejtës së ankimit dhe të rekursit është i lejueshëm vetëm si përjashtim i parashikuar shprehimisht me ligj, i justifikuar nga një qëllim legjitim dhe i zbatueshëm në mënyrë proporcionale. Në të katër rastet, kriteri i vlerës është i njëjtë, ndërsa objekti lëndor i kufizimit përcaktohet ndryshe nga ligji për secilën hipotezë.

Në rastet e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, objekti lëndor i kufizimit lidhet me kundërshtimin e një akti administrativ të formalizuar, përkatësisht të aktit ndëshkues për kundërvajtje administrative dhe të aktit që përmban detyrim në të holla. Në këto raste, pragu monetar zbatohet mbi një objekt të përcaktuar shprehimisht nga ligji në formën e aktit administrativ.

Në rastin e shkronjës “c”, kufizimi mbështetet po ashtu mbi kriterin e vlerës monetare, por objekti i tij nuk kufizohet vetëm te ekzistenca e një akti formal refuzues. Refuzimi i dhënies së një detyrimi në të holla nga organi publik përfshin jo vetëm rastin kur ai shprehet me akt administrativ, por edhe rastin kur ai manifestohet me heshtje ose mosveprim. Për rrjedhojë, në këtë hipotezë, objekti i kufizimit përcaktohet jo vetëm nga forma e jashtme e refuzimit, por nga vetë natyra e mosmarrëveshjes që ka për objekt mosdhënien e përfitimit monetar nga organi publik.

Në rastin e shkronjës “ç”, ligjvënësi nuk i është referuar kundërshtimit të një akti administrativ të caktuar, por një kategorie të posaçme mosmarrëveshjesh, të përcaktuara në mënyrë materiale. Edhe në këtë rast, kriteri i vlerës mbetet kusht i domosdoshëm për zbatimin e kufizimit, ndërsa termi “mosmarrëveshje” përcakton vetëm objektin lëndor të tij.

Për rrjedhojë, kufizimi i parashikuar në nenet 45 dhe 56 nuk mund të kuptohet as si i lidhur vetëm me ekzistencën e një akti formal administrativ, as si i zbatueshëm ndaj çdo mosmarrëveshjeje administrative me vlerë të vogël. Ai gjen zbatim vetëm kur përmbushen njëherazi dy kushte: vlera e mosmarrëveshjes të jetë nën pragun ligjor përkatës dhe objekti i saj të përputhet me hipotezën lëndore të parashikuar në secilën nga shkronjat përkatëse të dispozitave të sipërcituara.

Fjalë kyçe: kufizim i të drejtës së ankimit, vlerë e vogël, kontratë administrative, prokurim publik, faturë tatimore, detyrim në të holla

Përmbledhje - Pala paditëse, shoqëria “X” SHPK, kërkoi detyrimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për përmbushjen e detyrimit në vlerën 58.800 lekë, që pretendonte se rridhte nga fatura tatimore e shitjes për furnizimin me 700 copë letra adezive. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe ajo e Apelit e rrëzuan padinë, duke arsyetuar se fatura ishte e pavlefshme dhe nuk sillte pasoja juridike, pasi furnizimi nuk ishte kryer në përputhje me procedurën ligjore për prokurimin e mallrave dhe personi që kishte firmosur në emër të Ministrisë nuk ishte i autorizuar. Kundër këtij vendimi ushtroi rekurs pala paditëse. Në këtë vendim, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e mori çështjen për shqyrtim, me qëllim zhvillimin e praktikës gjyqësore lidhur me interpretimin e neneve 45 dhe 56 të ligjit nr. 49/2012, konkretisht nëse kufizimi i rekursit për shkak të vlerës zbatohet apriori për çdo padi administrative nën pragun ligjor. Kolegji Administrativ vlerësoi se kufizimi i parashikuar në nenet 45 dhe 56 nuk mund të kuptohet as si i lidhur vetëm me ekzistencën e një akti formal administrativ, as si i zbatueshëm ndaj çdo mosmarrëveshjeje administrative me vlerë të vogël. Ai gjen zbatim vetëm kur përmbushen njëherazi dy kushte: vlera e mosmarrëveshjes të jetë nën pragun ligjor përkatës dhe objekti i saj të përputhet me hipotezën lëndore të parashikuar në secilën nga shkronjat përkatëse të dispozitave të sipërcituara. Për këtë arsye, çështja konkrete klasifikohet në fushën e mosmarrëveshjeve kontraktore administrative/prokurimit publik dhe nuk bie në fushën e kufizimeve të parashikuara nga nenet 45 dhe 56, vetëm për shkak të vlerës së vogël të shumës së kërkuar. Kolegji theksoi se, megjithëse personi që ka nënshkruar faturën konsiderohet se nuk është personi i autorizuar, ky konstatim, në vetvete, nuk mjafton për të rrëzuar padinë pa një hetim të plotë dhe të gjithanshëm mbi marrëdhënien juridike të krijuar ndërmjet palëve. Në këtë rast, Kolegji evidenton se respektimi i procedurës së prokurimit i ngarkohet organit publik, i cili gëzon pozitë superiore në raport me palën private. Mosrespektimi i rregullave të parashikuara në ligjin e posaçëm dhe pasojat e këtyre veprimeve nuk mund t’i ngarkohen apriori palës private, kur provohet se ka ofruar mallin dhe se ai është marrë efektivisht në dorëzim. Kolegji vlerësoi se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit nuk është rrjedhojë e respektimit dhe e zbatimit të drejtë të ligjit material dhe procedural, prandaj vendimi duhet të prishet dhe çështja duhet të kthehet për rishqyrtim në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

1. Abonohu në buletinin informativ elektronik

Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini

 

2. Njihu me jurisprudencën në JUDIX

Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/

Kontakto:

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.