Përmbledhje mbi qëndrimet e Gjykatës së Lartë dhe standardet e GJEDNJ në çështjet e diskriminimit
Nga vendimet e përzgjedhura rezulton se mbrojtja nga diskriminimi është trajtuar si një mbrojtje konkrete dhe efektive, e lidhur ngushtë me barazinë përpara ligjit, me të drejtën për punë, me mbrojtjen gjyqësore efektive, si edhe me nevojën për të siguruar mjete reale për ndreqjen e pasojave të trajtimit të pabarabartë. Në këtë drejtim, jurisprudenca e Gjykatës së Lartë nxjerr në pah se diskriminimi nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por kërkon një shqyrtim të plotë të rrethanave të çështjes, të pasojave të ardhura dhe të mjeteve juridike që shërbejnë për rivendosjen e të drejtës së cenuar.
Në vendimet nr. 00-2026-1242 (103), datë 17.02.2026, nr. 00-2025-630 (88), datë 20.02.2025 dhe nr. 00-2024-3621 (370), datë 24.09.2024, theksi vihet te karakteri efektiv i mjeteve të mbrojtjes nga diskriminimi. Në këtë drejtim ligji nr. 10221/2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi” trajtohet si një instrument i posaçëm për mbrojtjen nga diskriminimi, i cili nuk kufizohet vetëm në konstatimin e shkeljes, por shtrihet edhe te marrja e masave të përshtatshme për ndreqjen e pasojave të saj. Këto vendime evidentojnë rëndësinë e masave efektive të shqyrtimit të plotë të dëmit pasuror dhe jopasuror, si edhe të vlerësimit të diskriminimit jo vetëm kur ai shfaqet përmes veprimeve të drejtpërdrejta, por edhe kur rrjedh nga mosveprimi i autoritetit publik, nëse ky sjell trajtim të pabarabartë në rrethana të njëjta ose të ngjashme.
Ndërkohë, vendimet nr. 00-2022-887, datë 20.05.2022, nr. 00-2024-4282 (623), datë 25.10.2023, nr. 00-2022-1497 (210) dhe nr. 00-2020-393, datë 30.09.2020, trajtojnë kryesisht çështje që lidhen me natyrën e mosmarrëveshjes, kompetencën lëndore dhe tokësore, barrën e provës dhe detyrimin e gjykatave për hetim të plotë e të gjithanshëm. Nga këto vendime rezulton se kur pretendimet për diskriminim ngrihen në kuadër të marrëdhënieve të punës të rregulluara nga Kodi i Punës, natyra e mosmarrëveshjes përcaktohet nga marrëdhënia juridike dhe shkaku i padisë. Po kështu, Gjykata e Lartë ka vënë në dukje se gjykatat duhet të identifikojnë drejt shkakun e padisë, të zbatojnë rregullat për kompetencën, të marrin parasysh barrën e provës në çështjet e diskriminimit dhe të mos kufizohen në një shqyrtim formal të pretendimeve të palëve.
Në raport me standardet e GJEDNJ, vendimet e përzgjedhura tregojnë se mbrojtja nga diskriminimi duhet të jetë praktike dhe efektive, jo vetëm formale. Jurisprudenca e GJEDNJ thekson se dallimet në trajtim, veçanërisht kur lidhen me seksin, përgjegjësitë prindërore, veprimtarinë sindikale apo ushtrimin e ankimit për diskriminim, duhet të mbështeten në një justifikim objektiv, të arsyeshëm dhe bindës. Këto standarde shtrojnë para gjykatave vendase detyrimin për të verifikuar në mënyrë konkrete nëse trajtimi i ndryshëm ka pasur një bazë të ligjshme dhe të arsyeshme, nëse mjetet e përdorura kanë qenë proporcionale, si edhe nëse personit të prekur i janë garantuar mjete reale ankimi, mbrojtje nga masat ndëshkuese dhe mundësi efektive për dëmshpërblim ose rivendosje të së drejtës së shkelur.
Në tërësi, vendimet e përzgjedhura pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt mbrojtjes reale nga diskriminimi, ku rëndësi merr jo vetëm konstatimi i trajtimit të pabarabartë, por edhe mënyra se si gjykata shqyrton pasojat e tij dhe garanton mjete juridike të përshtatshme për ndreqjen e tyre. Më poshtë paraqiten vendimet e përzgjedhura të Gjykatës së Lartë, si edhe çështjet e përzgjedhura të GJEDNJ që pasqyrojnë këtë linjë.
I. Vendimi nr. 00-2026-1242 (103), datë 17.02.2026 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Në rastet e diskriminimit në marrëdhëniet e punës, rikthimi në punë përbën një nga masat efektive përmes së cilës rivendoset gjendja e ligjshmërisë dhe garantohet mbrojtja efektive nga diskriminimi, në ushtrim të kompetencave të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi sipas ligjit nr. 10221/2010.
Fjalë kyçe - mbrojtje nga diskriminimi, marrëdhënie pune, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, masa efektive, rregullim i pasojave të diskriminimit, gjendje shëndetësore, pavlefshmëri absolute e aktit administrativ, tejkalim i kompetencave.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, në cilësinë e punëdhënësit, ka kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr. 7, datë 18.01.2016 të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të nxjerrë pas ankesës së një punonjësi, i cili kishte pretenduar diskriminimin për shkak të gjendjes shëndetësore. Nga rrethanat e pranuara nga gjykatat e faktit rezulton se ankuesi, pasi ishte diagnostikuar me kancer, kishte kërkuar lëvizje në një pozicion pune më të përshtatshëm për gjendjen e tij shëndetësore, por më pas ishte emëruar në një detyrë më të ulët se pozicioni i mëparshëm dhe pas kërkesës për riemërim punëdhënësi i kishte ndërprerë marrëdhëniet e punës. Në vijim, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi diskriminim për shkak të gjendjes shëndetësore dhe urdhëroi marrjen e masave të menjëhershme për rikthimin e tij në punë në një pozicion në përputhje me nivelin arsimor dhe gjendjen shëndetësore. Gjykatat e faktit e pranuan pjesërisht padinë, duke vlerësuar se vetëm pika 2 e vendimit të Komisionerit, që lidhej me rikthimin në punë, ishte absolutisht e pavlefshme, pasi ishte nxjerrë në tejkalim të kompetencave të këtij organi. Në këtë vendim, KAGJL arriti në përfundimin se gjykatat e faktit kishin keqinterpretuar ligjin nr. 10221/2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, duke iu referuar gabimisht rregullimeve të KPu dhe praktikës gjyqësore të dalë në zbatim të tij. Kolegji vlerësoi se ligji nr. 10221/2010, si ligj i posaçëm, gjen zbatim të pavarur në rastet e diskriminimit në marrëdhëniet e punës dhe se Komisionerit i është njohur kompetenca për të marrë masa efektive për ndreqjen e shkeljeve ligjore dhe rregullimin e pasojave të diskriminimit, përfshirë kthimin në gjendjen e mëparshme. Në këtë kuptim, Kolegji çmoi se rikthimi në detyrë, në rastet e diskriminimit në marrëdhëniet e punës, përbën një nga masat përmes së cilës rivendoset gjendja e ligjshmërisë dhe garantohet efektivisht mbrojtja nga diskriminimi. Për rrjedhojë, Kolegji ndryshoi vendimet e gjykatave të faktit për pjesën ku ishte pranuar padia, duke rrëzuar kërkimin për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të pikës 2 të vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndërsa për pjesën tjetër la në fuqi vendimin e gjykatës.
II. Vendimi nr. 00-2025-630 (88), datë 20.02.2025 i Kolegjit Administrativ
Maksima -Pretendimi për diskriminim nuk mund të shqyrtohet i shkëputur nga e drejta tjetër themelore që pretendohet e cenuar, por në lidhje me të drejtën për mbrojtje gjyqësore efektive dhe me të drejtën për të fituar mjetet e jetesës me punë të ligjshme. Kur konstatohet gjendja e diskriminimit, por nuk merret në shqyrtim të plotë kërkimi për njohjen e të drejtës së pretenduar dhe pasojat që burojnë prej saj, si shpërblimi i dëmit pasuror e jopasuror, vendimi nuk përmbush standardin e arsyetimit dhe të mbrojtjes gjyqësore efektive.
Fjalë kyçe - diskriminim, mbrojtje gjyqësore efektive, e drejta për punë, shpërblimi i dëmit.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka kundërshtuar në gjykatë vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me të cilin ishte konstatuar mosdiskriminimi i saj nga Universiteti i Tiranës në procedurat e konkurrimit për vende të lira pune si personel akademik. Krahas këtij kërkimi, ajo ka kërkuar edhe ndreqjen e shkeljeve ligjore të pretenduara si diskriminuese, dhënien e vendit të mohuar të punës, shpërblimin e dëmit pasuror e jopasuror, si dhe njohjen e pasojave përkatëse lidhur me kamatëvonesat, sigurimet shoqërore, vjetërsinë në punë dhe titujt shkencorë. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e kishte pranuar padinë pjesërisht, duke shfuqizuar vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe duke detyruar Universitetin e Tiranës të shmangte e të mos përsëriste sjelljet diskriminuese ndaj paditëses, ndërsa kishte rrëzuar kërkimet e tjera. Mbi ankimin e palëve, Gjykata Administrative e Apelit e prishi këtë vendim dhe e ktheu çështjen për rigjykim, duke vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte shqyrtuar në mënyrë të plotë të gjitha kërkimet e padisë dhe nuk kishte kryer hetim të plotë e të gjithanshëm për to. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi. Kolegji arsyetoi se pretendimi për diskriminim duhej parë në lidhje me të drejtën kushtetuese për të fituar mjetet e jetesës me punë të ligjshme dhe me të drejtën për mbrojtje gjyqësore efektive. Në këtë këndvështrim, u çmua se gjykata e shkallës së parë, ndonëse kishte konstatuar gjendjen e diskriminimit, nuk kishte kryer hetim dhe vlerësim të plotë, të gjithanshëm dhe shterues për kërkimet e tjera të paditëses, që lidheshin me pagimin e pagave dhe shpërblimin e dëmit si pasojë e sjelljes diskriminuese. Kolegji vlerësoi se në këto rrethana, vendimmarrja e gjykatës së shkallës së parë mbetej e paplotë lidhur me gjendjen e diskriminimit që ajo vetë kishte konstatuar dhe nuk përmbushte standardin kushtetues të arsyetimit të vendimit dhe të mbrojtjes gjyqësore efektive. Po kështu, ai çmoi se gjykata e shkallës së parë nuk kishte bërë pjesë të shqyrtimit gjyqësor të gjitha kërkimet objekt padie. Për këtë arsye, Kolegji arriti në përfundimin se Gjykata Administrative e Apelit ka vepruar drejt kur ka prishur vendimin e shkallës së parë dhe e ka kthyer çështjen për rigjykim, ndaj vendimi i saj u la në fuqi.
III. Vendimi nr. 00-2022-887, datë 20.05.2022 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Kur pretendimet për diskriminim dhe viktimizim ngrihen në kuadër të një marrëdhënieje pune të rregulluar nga Kodi i Punës dhe kërkohet rregullimi i pasojave të ardhura prej saj, si rikthimi në punë dhe dëmshpërblimi përkatës, mosmarrëveshja ka natyrë civile dhe kompetenca lëndore për shqyrtimin e saj i përket gjykatës civile. Vetëm fakti që kërkimet për shpërblim dëmi ngrihen ndaj një organi publik nuk mjafton për ta cilësuar mosmarrëveshjen si administrative.
Fjalë kyçe - diskriminim, viktimizim, marrëdhënie pune, Kodi i Punës, kompetenca lëndore, gjykata civile, organ publik, dëmshpërblimi.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, e punësuar si specialist pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër mbi bazën e një kontrate individuale pune sipas Kodit të Punës, ka kundërshtuar largimin e saj nga detyra dhe ka pretenduar se në kuadër të marrëdhënies së punës është diskriminuar dhe viktimizuar nga punëdhënësi. Pas shqyrtimit të ankesës së paraqitur prej tij, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj paditësit për shkak të përgjegjësisë prindërore dhe të gjinisë. Më pas, pala paditëse i është drejtuar gjykatës me padi, duke kërkuar konstatimin e diskriminimit dhe viktimizimit, ndreqjen e pasojave të ardhura përmes rikthimit në vendin e mëparshëm të punës ose në një pozicion të barasvlershëm, kompensimin për pagat e pamarra nga momenti i largimit deri në rikthimin në punë, si dhe shpërblimin e dëmit jopasuror. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër shpalli moskompetencën lëndore, duke vlerësuar se mosmarrëveshja kishte të bënte me shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor të shkaktuar nga diskriminimi dhe për rrjedhojë i përkiste gjykatës administrative. Në vijim, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër ngriti mosmarrëveshjen e kompetencës pranë Gjykatës së Lartë, duke çmuar se kërkimet objekt padie ishin të natyrës civile, pasi lidhen me diskriminimin në marrëdhëniet e punës dhe me rregullimin e pasojave të ardhura prej tyre. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se kompetenca lëndore përcaktohet nga shkaku juridik i padisë dhe nga natyra e marrëdhënies juridike midis palëve. Në rastin konkret, ai arriti në përfundimin se natyra dhe shkaku ligjor i mosmarrëveshjes burojnë nga pretendimet për diskriminim dhe viktimizim në kuadër të marrëdhënies së punës ndërmjet palëve, marrëdhënie e cila rregullohet nga Kodi i Punës. Kolegji çmoi se vetëm fakti që kërkimet për dëmshpërblim janë ngritur ndaj një organi publik nuk mjafton për ta cilësuar mosmarrëveshjen si administrative, për sa kohë pretendimet lidhen me ekzistencën dhe pasojat e një marrëdhënieje pune. Në këto kushte, Kolegji arriti në përfundimin se kompetente për shqyrtimin e çështjes është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, si gjykata që ka kompetencë lëndore për mosmarrëveshjet që burojnë nga marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Kodi i Punës. Për këtë arsye, ai rregulloi kompetencën lëndore duke përcaktuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër si gjykatë kompetente dhe vendosi prishjen e vendimit të saj për moskompetencën lëndore.
IV. Vendimi nr. 00-2024-3621 (370), datë 24.09.2024 i Kolegjit Administrativ
Maksima - Bindjet politike përbëjnë shkaqe kushtetuese për të cilat diskriminimi është i ndaluar. Mosveprimet e kryera nga ana e autoriteteve publike, që krijojnë baza për mohimin e barazisë ndaj një personi, e që i ekspozon ata ndaj një trajtimi të padrejtë dhe jo të barabartë, kur ndodhen në rrethana të njëjta ose të ngjashme me persona të tjerë, gëzon të njëjtën mbrojtje ligjore për ndalimin e diskriminimit, sikurse në rastin kur autoriteti publik ka kryer diskriminim me veprim.
Fjalë kyçe - diskriminim, mosveprimi i organit publik, bindje politike, trajtimi i pabarabartë, barra e provës, dëmshpërblimi pasuror, rikthimi në funksionin publik, Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse, pas përfundimit të mandatit si anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i është drejtuar ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë me kërkesë për rikthim në funksionin e mëparshëm publik si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, por kërkesa e saj nuk është marrë në shqyrtim në asnjë rast, ndonëse gjatë kësaj periudhe janë shpallur vende vakante për emërime në këtë gjykatë dhe janë marrë në shqyrtim kërkesa të ish-anëtarëve të tjerë të KQZ për rikthim në funksionet që kishin ushtruar më parë. Në këto rrethana, pala paditëse ka kërkuar, ndër të tjera, konstatimin e diskriminimit, ndreqjen e shkeljes së ligjit, shpërblimin e dëmit material dhe moral, si dhe detyrimin e palës së paditur për të marrë në shqyrtim kërkesën dhe për të vendosur emërimin e saj në detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Apelit Tiranë. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e kishte pranuar padinë pjesërisht, duke konstatuar diskriminimin për shkak të mosmarrjes në shqyrtim të kërkesës së paditëses, duke detyruar ish-KLD ta merrte në shqyrtim kërkesën dhe duke akorduar dëmshpërblim moral. Mbi ankimin e palëve, Gjykata Administrative e Apelit e ndryshoi këtë vendim, pranoi pjesërisht padinë vetëm për sa i përket dëmit pasuror, duke detyruar palën e paditur të kompensonte diferencën e pagës deri në nivelin e pagës referuese të funksionit si nënkryetare e KQZ për periudhën 01.01.2013-01.01.2016, ndërsa rrëzoi kërkimet e tjera, përfshirë konstatimin e diskriminimit dhe dëmin moral. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerësoi se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit duhej prishur vetëm për sa i përket kërkimit për konstatimin e diskriminimit dhe shpërblimin e dëmit për këtë shkak, ndërsa për pjesën tjetër duhej lënë në fuqi. Kolegji arsyetoi se Gjykata Administrative e Apelit nuk kishte zbatuar drejt ligjin material dhe nuk kishte kryer hetim të plotë e të gjithanshëm për sa i përket pretendimit të paditëses se mosmarrja në shqyrtim e kërkesës së saj, në kushtet kur raste të tjera të ngjashme ishin trajtuar ndryshe, përbënte trajtim të pabarabartë për shkak të bindjeve politike. Kolegji theksoi se shkaqet e mbrojtura nga ligji nr. 10221/2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi” nuk janë shteruese dhe se pretendimi i paditëses lidhur me cilësinë e saj si anëtare e KQZ, përfaqësuese e një subjekti politik të caktuar, duhej vlerësuar në lidhje me shkakun kushtetues të bindjeve politike. Po kështu, Kolegji çmoi se mbrojtja nga diskriminimi nuk kufizohet vetëm në rastet e veprimeve të autoritetit publik, por shtrihet edhe në rastet e mosveprimit, kur ky krijon baza për mohimin e barazisë ose e ekspozon personin ndaj një trajtimi të padrejtë e të pabarabartë në krahasim me persona të tjerë në rrethana të njëjta ose të ngjashme. Për këtë arsye, përfundimi i Gjykatës Administrative të Apelit se diskriminimi do të ekzistonte vetëm nëse kërkesa do të ishte marrë në shqyrtim dhe më pas refuzuar për shkak të përfaqësimit politik, u vlerësua si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit. Në këto kushte, Kolegji arriti në përfundimin se Gjykata Administrative e Apelit duhej të zgjidhte mosmarrëveshjen në themel për sa i përket kërkimit për konstatimin e diskriminimit dhe shpërblimin e dëmit për këtë shkak, pas një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me rregullat e barrës së provës dhe me dispozitat e ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi. Ndërkohë, për pjesën tjetër të padisë, Kolegji la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, duke vlerësuar se dëmshpërblimi pasuror i akorduar e rivendoste paditësen në atë gjendje pasurore që do të kishte nëse mosveprimi i kundërligjshëm i palës së paditur nuk do të kishte ndodhur.
V. Vendimi nr. 00-2024-4282 (623), datë 25.10.2023 i Kolegjit Civil
Maksima - Mbrojtja nga diskriminimi për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari sindikale nuk kushtëzohet nga regjistrimi në gjykatë i sindikatës, por shtrihet edhe mbi veprimet paraprake për krijimin e saj. Në mosmarrëveshjet e punës me pretendim diskriminimi, gjykata duhet të identifikojë saktë shkakun e padisë, të dallojë mes zgjidhjes së kontratës për shkaqe të pajustifikuara dhe për shkaqe të paarsyeshme, si edhe të zbatojë drejt rregullat e posaçme të barrës së provës sipas ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi.
Fjalë kyçe - zgjidhja e kontratës së punës, veprimtaria sindikale, veprimet paraprake për krijimin e sindikatës, diskriminimi në punë, barra e provës, njoftimi për zgjidhjen e kontratës, dëmshpërblim.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse i është drejtuar gjykatës duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë së zgjidhjes së kontratës së punës dhe dëmshpërblimet përkatëse, duke pretenduar se marrëdhënia e punës ishte ndërprerë pa shkaqe të justifikuara dhe për shkaqe abuzive, për shkak të pjesëmarrjes së tij në veprimet paraprake për krijimin e një sindikate të punonjësve të shoqërisë së paditur. Gjykata e shkallës së parë i rrëzoi kërkimet për dëmshpërblim për zgjidhje të pajustifikuar dhe për diskriminim, me arsyetimin se nuk ekzistonte një sindikatë e regjistruar sipas ligjit, ndërsa Gjykata e Apelit e la në fuqi këtë qëndrim, por i njohu paditësit vetëm dëmshpërblim në masën e dy pagave mujore për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerësoi se vendimi i Gjykatës së Apelit ishte rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit procedural dhe material, pasi nuk ishte identifikuar drejt shkaku i padisë dhe nuk ishte kryer një hetim i plotë e i gjithanshëm i fakteve që kishin rëndësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Në këtë kuadër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmoi se ishin arritur përfundime kontradiktore lidhur me mënyrën e zgjidhjes së kontratës së punës, pasi nga njëra anë ishte pranuar se nuk provohej njoftimi me shkrim i zgjidhjes së kontratës sipas nenit 144/3 të Kodit të Punës, ndërsa nga ana tjetër ishte konsideruar i respektuar afati i njoftimit dhe për pasojë, zgjidhja e kontratës ishte cilësuar si e zakonshme. Po kështu, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerësoi se nenit 146/1, shkronja “e” të Kodit të Punës i ishte dhënë interpretim i gabuar, duke e kushtëzuar mbrojtjen nga diskriminimi për pjesëmarrje në veprimtari sindikale me ekzistencën e një sindikate të regjistruar në gjykatë. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arriti në përfundimin se kjo mbrojtje shtrihet edhe mbi veprimet paraprake për krijimin e sindikatës, ndaj duhej të shqyrtoheshin dhe vlerësoheshin provat e paraqitura në këtë drejtim, si edhe mendimi me shkrim i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke u zbatuar edhe rregullat e posaçme të barrës së provës sipas ligjit nr. 10221/2010. Për këto arsye, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me tjetër trup gjykues.
VI. Vendimi nr. 00-2022-1497 (210), datë 11.05.2022 i Kolegjit Civil
Maksima - Në mosmarrëveshjet për dëmshpërblim për shkak të diskriminimit dhe viktimizimit gjatë marrëdhënies së punës ndaj një shoqërie tregtare, edhe kur shteti është aksionar i saj, Avokatura e Shtetit nuk është palë e domosdoshme në proces, pasi kjo shoqëri nuk është organ i administratës publike apo ent publik.
Fjalë kyçe - diskriminim në marrëdhëniet e punës, viktimizimi, dëmshpërblim, Avokatura e Shtetit, shoqëri tregtare me kapital shtetëror, ndërgjyqësi e rregullt.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka kërkuar konstatimin e diskriminimit dhe viktimizimit nga ana e punëdhënësit, si edhe dëmshpërblim për dëmin pasuror e jopasuror të pësuar gjatë marrëdhënies së punës. Sipas rrethanave të paraqitura në gjykim, pala paditëse kishte punuar për një periudhë shumë të gjatë pranë palës së paditur, kishte ushtruar veprimtari sindikale dhe pretendonte se, pas ndryshimit të vendit të punës, uljes së pagës, mosrespektimit të gjendjes së tij shëndetësore dhe largimit nga puna, ishte vendosur në kushte diskriminuese dhe viktimizuese. Në dosje rezultonte gjithashtu se Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kishte konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë dhe viktimizim ndaj tij, si dhe kishte urdhëruar rikthimin në vendin e mëparshëm të punës. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e kishte pranuar pjesërisht padinë, duke konstatuar diskriminimin dhe viktimizimin dhe duke detyruar palën e paditur të dëmshpërblente palën paditëse për dëmin pasuror dhe jopasuror, ndërsa kishte rrëzuar kërkimet e tjera, përfshirë atë për rikthimin në vendin e punës. Mbi ankimin e palëve, Gjykata e Apelit Vlorë vendosi prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e çështjes për rigjykim, me arsyetimin se duhej thirrur në proces Avokatura e Shtetit, duke e konsideruar pjesëmarrjen e saj të nevojshme për shkak se pala e paditur ishte shoqëri tregtare me kapital 100% shtetëror. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerësoi se ky qëndrim i gjykatës së apelit ishte i gabuar. Kolegji arsyetoi se objekti i padisë lidhej me dëmshpërblimin për diskriminim dhe viktimizim në kuadër të marrëdhënies kontraktore të punës ndërmjet paditësit dhe shoqërisë Albpetrol SHA, ndërsa kjo e fundit nuk është organ i administratës publike apo ent publik, por shoqëri tregtare, për të cilën zbatohen dispozitat e ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, pavarësisht faktit që shteti është aksionar i saj. Për këtë arsye, nuk ndodheshim përpara rastit kur Avokatura e Shtetit duhet të ishte detyrimisht palë në proces.
VII. Vendimi nr. 00-2020-393, datë 30.09.2020 i Kolegjit Civil
Maksima - Në paditë që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës, përfshirë edhe ato me objekt konstatimin e diskriminimit nga punëdhënësi dhe dëmshpërblimin për pasojat e zgjidhjes së marrëdhënies së punës, kompetenca tokësore është alternative dhe e drejta e zgjedhjes ndërmjet gjykatave kompetente i takon paditësit. Kur pretendimi për diskriminim ngrihet ndaj një shoqërie tregtare dhe jo ndaj një organi publik, natyra e mosmarrëveshjes mbetet civile dhe gjykata nuk mund të shpallë moskompetencën e saj lëndore apo tokësore në kundërshtim me këto rregulla.
Fjalë kyçe - diskriminim në marrëdhëniet e punës, kompetenca tokësore alternative, e drejta e zgjedhjes së paditësit, kompetenca lëndore civile, shoqëri tregtare.
Përmbledhje - Në këtë çështje rezulton se pala paditëse ka ngritur padi ndaj punëdhënësit të saj, shoqërisë tregtare “X” SHA Patos, duke kërkuar konstatimin e faktit të diskriminimit, dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës, dëmshpërblim për mosrespektimin e procedurës dhe afatit të njoftimit, shpërblimin e dëmit jopasuror, si dhe rikthimin në vendin e mëparshëm të punës. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 455, datë 18.06.2020, shpalli moskompetencën e saj lëndore dhe territoriale dhe vendosi dërgimin e çështjes për kompetencë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kundër këtij vendimi ushtruan ankim të veçantë si pala paditëse, ashtu edhe pala e paditur. Pala paditëse pretendoi se mosmarrëveshja hynte në juridiksionin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, pasi bëhej fjalë për një padi që rridhte nga marrëdhëniet e punës dhe nga pretendimi për diskriminim në këtë marrëdhënie, ndërsa, sipas rregullave të kompetencës alternative, e drejta e zgjedhjes së gjykatës i takonte asaj si paditëse. Edhe pala e paditur kërkoi prishjen e vendimit, duke parashtruar se selia e saj ndodhej në Patos dhe se gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes ishte po Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerësoi se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier nuk kishte zbatuar drejt dispozitat procedurale lidhur me kompetencën tokësore dhe lëndore të çështjes. Kolegji arsyetoi se për paditë që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës gjejnë zbatim neni 47/1 i Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilit këto padi mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu edhe në gjykatën e vendit ku ka banimin paditësi, si dhe neni 7/2 i Kodit të Punës, sipas të cilit padia mund të ngrihet edhe në vendin ku punëmarrësi kryen zakonisht punën ose ku ndodhet qendra e punës që e ka punësuar atë. Kolegji vlerësoi se gjykata e shkallës së parë kishte gabuar edhe në trajtimin e kompetencës lëndore, pasi natyra e mosmarrëveshjes ishte civile, jo vetëm për shkak të marrëdhënies së punës ndërmjet palëve, por edhe sepse kërkimi për konstatimin e diskriminimit drejtohej ndaj një shoqërie tregtare dhe jo ndaj një organi publik.
- Çështje të GJEDNJ lidhur me diskriminimin në marrëdhëniet e punës
Emel Boyraz kundër Turqisë, aplikimi nr. 61960/08, vendim i datës 02.12.2014 https://hudoc.echr.coe.int/eng#{%22itemid%22:[%22001-148271%22]}
Përmbledhje – Mosmarrëveshja lindi sepse aplikantja, ndonëse kishte fituar konkursin për postin e punonjëses së sigurisë në degën Batman të TEDAŞ, nuk u emërua me arsyetimin se nuk plotësonte kushtin e të qenit person i seksit mashkull dhe të kryerjes së shërbimit ushtarak. Ajo e kundërshtoi këtë trajtim si diskriminues për shkak të seksit, duke pretenduar se posti nuk ishte i rezervuar vetëm për meshkuj dhe se i plotësonte të gjitha kushtet për emërim. Në këtë çështje, GJEDNJ vlerësoi se aplikantja ishte trajtuar ndryshe për shkak të seksit, pasi autoritetet administrative dhe gjykata e brendshme kishin konsideruar se posti i punonjësit të sigurisë në degën Batman të TEDAŞ ishte i rezervuar vetëm për burra dhe se për këtë arsye ajo nuk ishte e përshtatshme për atë detyrë. Gjykata theksoi se, kur dallimi në trajtim bazohet në seks, hapësira e vlerësimit të shtetit është e ngushtë dhe duhet të provohet jo vetëm se masa është e përshtatshme për qëllimin e ndjekur, por edhe se është e nevojshme në rrethanat konkrete. Në vijim, ajo konstatoi se autoritetet nuk kishin dhënë arsyetim konkret dhe të mjaftueshëm përse ky post duhej të ushtrohej vetëm nga burra, ndërsa nga aktet e çështjes nuk rezultonte që aplikantja të mos kishte qenë në gjendje të përmbushte detyrat e saj për shkak të seksit. Për këtë arsye, gjykata arriti në përfundimin se nuk ishte provuar që dallimi në trajtim të ndiqte një qëllim legjitim dhe se ai përbënte diskriminim për shkak të seksit (shih §§ 51-56).
Konstantin Markin kundër Rusisë [Dhoma e Madhe], aplikimi nr. 30078/06, vendim i datës 22.03.2012 https://hudoc.echr.coe.int/eng#{%22itemid%22:[%22001-109868%22]}
Përmbledhje – Mosmarrëveshja lidhej me refuzimin e autoriteteve ushtarake ruse për t’i dhënë aplikantit, një ushtarak me kontratë, leje prindërore trivjeçare. Pas divorcit dhe lindjes së fëmijës së tij të tretë, tre fëmijët mbetën në përkujdesjen e tij, ndërsa ish-bashkëshortja mori përsipër të paguante detyrimin ushqimor për ta. Në këto rrethana, aplikanti kërkoi leje prindërore me pretendimin se ishte i vetmi që kujdesej për fëmijët, por kërkesa iu rrëzua me arsyetimin se leja prindërore trivjeçare u njihej vetëm grave ushtarake. Atij iu dha fillimisht vetëm leje trimujore, por më pas u rikthye në detyrë. Aplikanti e kundërshtoi këtë trajtim, duke pretenduar se përjashtimi i tij nga e drejta për leje prindërore për shkak të seksit përbënte diskriminim. Në këtë çështje, GJEDNJ vlerësoi se përjashtimi i burrave, përfshirë ushtarakët, nga e drejta për leje prindërore nuk mund të justifikohej me referimin te ndarja tradicionale e roleve gjinore në shoqëri. Gjykata theksoi se stereotipet gjinore, si perceptimi i gruas si kujdestare kryesore e fëmijëve dhe i burrit si sigurues kryesor i të ardhurave nuk mund të përbëjnë në vetvete, justifikim të mjaftueshëm për një dallim në trajtim. Ajo arriti më tej në përfundimin se as argumenti i shtetit, sipas të cilit shtrirja e së drejtës për leje prindërore edhe te ushtarakët burra do të cenonte fuqinë luftarake dhe efektivitetin operacional të forcave të armatosura, nuk ishte i mbështetur në të dhëna konkrete, studime apo statistika të mjaftueshme. Për këto arsye, gjykata nuk e pranoi këtë justifikim (shih §§ 143-144).
Ortega Ortega kundër Spanjës, aplikimi nr. 36325/22, vendim i datës 04.12.2025 https://hudoc.echr.coe.int/eng#{%22itemid%22:[%22002-14542%22]}
Përmbledhje – Mosmarrëveshja nisi pasi aplikantja pretendoi se ishte diskriminuar për shkak të seksit në lidhje me pagën, duke qenë se paguhej më pak se kolegët e saj meshkuj në të njëjtin pozicion, dhe kërkoi barazimin e pagës si edhe dëmshpërblim. Ndërkohë, ajo u pushua nga puna me arsyetimin se kishte shkelur detyrimin e konfidencialitetit dhe rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi në kuadër të procedurave kundër diskriminimit kishte përdorur dhe përcjellë të dhëna të detajuara mbi pagat e kolegëve të saj. Aplikantja e kundërshtoi largimin nga puna duke pretenduar se ai përbënte një masë kundërvepruese për shkak të ankesës së saj lidhur me diskriminimin në shpërblim. Në këtë çështje, GJEDNJ theksoi se personat që pretendojnë se janë diskriminuar për shkak të seksit duhet të kenë mundësi reale dhe efektive për ta kundërshtuar këtë trajtim dhe për të kërkuar mbrojtje gjyqësore, pa u ekspozuar ndaj masave hakmarrëse nga punëdhënësi. Gjykata vlerësoi se detyrimet pozitive të shtetit sipas nenit 14 në lidhje me nenin 8 përfshijnë edhe detyrimin për të siguruar mbrojtje efektive kundër çdo mase hakmarrëse të punëdhënësit ndaj një punëmarrësi që ka paraqitur një ankesë ose padi për diskriminim mbi bazën e seksit (shih §§ 79-80).
Danilenkov dhe të tjerë kundër Rusisë, aplikimi nr. 67336/01, vendim i datës 30.07.2009 https://hudoc.echr.coe.int/eng#{%22itemid%22:[%22001-93854%22]}
Përmbledhje – Mosmarrëveshja lidhej me pretendimet e aplikantëve, anëtarë të sindikatës së portualëve në Kaliningrad, se punëdhënësi i tyre privat i kishte trajtuar në mënyrë diskriminuese për shkak të anëtarësisë sindikale, duke i vendosur në kushte më të pafavorshme pune dhe pagese. Ata pretenduan gjithashtu se autoritetet dhe gjykatat vendase nuk u kishin ofruar mbrojtje efektive kundër këtij trajtimi diskriminues. Në këtë çështje, GJEDNJ theksoi se është me rëndësi thelbësore që individëve të prekur nga trajtimi diskriminues t’u jepet mundësia për ta kundërshtuar atë dhe për të ushtruar padi për dëmshpërblim dhe forma të tjera mbrojtjeje. Në vijim, gjykata arriti në përfundimin se shteti nuk i kishte përmbushur detyrimet e tij pozitive për të garantuar mbrojtje gjyqësore të qartë dhe efektive kundër diskriminimit për shkak të anëtarësisë sindikale, duke konstatuar shkelje të nenit 14 në lidhje me nenin 11 të Konventës (shih §§ 124 dhe 136).
1. Abonohu në buletinin informativ elektronik
Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini
2. Njihu me jurisprudencën në JUDIX
Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Gjykata e Lartë