1. Jurisprudencë e përzgjedhur
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
1. Gjykata kompetente për pagimin e sigurimeve shoqërore në marrëdhëniet që rregullohen nga Kodi i Punës (Fjalë kyçe: Gjykatë civile, kompetencë lëndore, mosmarrëveshje kompetence, sigurime shoqërore, pension pleqërie, marrëdhënie pune, ligj i posaçëm)
Në vendimin nr.00-2024-308, datë 01.02.2024, KAGJL vlerëson se mosmarrëveshja për detyrimin e palëve të paditura në cilësinë e punëdhënësit, për të derdhur kontributet në fondin e sigurimeve shoqërore për paditësen në cilësinë e punëmarrëses, është kërkim që rrjedh nga marrëdhënia e punës. Natyra dhe pozicioni i punës së paditëses nuk rregullohen nga dispozitat e ndonjë ligji të posaçëm, por nga Kodi i Punës (KPu) dhe për rrjedhojë kërkimet kanë natyrë civile e duhet të shqyrtohen nga gjykata civile.
2. Kuptimi i taksës/rentës minerare dhe dokumentacioni i nevojshëm për rimbursimin e saj (Fjalë kyçe: Rimbursim i taksës/rentës minerare, rentë/taksë minerare, leje minerare, eksportues minerar)
Në vendimin nr.00-2024-1409(72), datë 22.02.2024, për ndryshimin e akteve të organeve tatimore për rimbursimin e rentës minerare, KAGJL vëren se, sipas VKM nr. 7/2012, nëse subjekti zotërues i lejes së shfrytëzimit eksporton mineralin e nxjerrë nga miniera apo nënproduktin e prodhuar nëpërmjet një subjekti tjetër të vetëm eksportues, renta paguhet si nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit, ashtu edhe nga eksportuesi, që rimbursohet për këtë pagesë. Sipas VKM nr. 7/2012, renta minerare paguhet pranë autoriteteve tatimore nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit dhe pranë autoriteteve doganore nga eksportuesi. Në mbështetje të aktit nënligjor, që eksportuesi të përfitojë rimbursimin e rentës minerare, ai duhet të depozitojë këtë dokumentacion: a) kopje të mandatit të arkëtimit, ku pasqyrohet vlera e rentës minerare e paguar në doganë; b) kopje të faturës tatimore të blerjes së mineralit nga subjekti i lejes së shfrytëzimit dhe c) kopje të kontratës së shitjes të lidhur midis subjektit blerës eksportues dhe shitësit të mineralit. Me hyrjen në fuqi të VKM nr. 512/2013, që ndryshoi VKM nr. 7/2012, eksportuesi nuk paguan për herë të dytë rentën minerare mbi vlerën e faturës së shitjes në bazë të çmimeve të eksportit/çmimit FOB (free of board), por vetëm diferencën ndërmjet kësaj vlere me vlerën e rentës së paguar nga shitësi në organin tatimor.
3. Ligjshmëria e gjobës kur nuk njoftohet ndryshimi i adresës në aktivitetin e lojrave të fatit (Fjalë kyçe: Lojëra fati, gjobë, njoftim për ndryshim adrese)
Në vendimin nr. 00-2024-790(85) datë 29.02.2024, për shfuqizimin e aktit administrativ (gjobë) të njësisë së mbikëqyrjes së lojrave të fatit (NJMLF), KAGJL vlerëson se akti është i ligjshëm, pasi paditësi duhet të kishte ndjekur procedurat e parashikuara nga ligji i posaçëm për hapjen dhe mbylljen e pikës ku ushtrohet aktiviteti, si dhe për çdo zhvendosje të vendit (sallës) ku zhvillohej aktiviteti. Duke ndryshuar adresën e ushtrimit të aktivitetit, paditësi praktikisht ka hapur një sallë të re, pa njoftuar më parë dhe pa marrë miratimin paraprak të NJMLF.
4. Gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së punës (Fjalë kyçe: Mosmarrëveshje civile, kompetencë lëndore, marrëdhënie pune, gjykatë civile, punonjës i FSDKSH)
Në vendimin nr.00-2024-794, datë 29.02.2024, KAGJL çmon se gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës së punonjësve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është gjykata civile, për sa kohë që marrëdhënia e tyre e punës rregullohet nga Kodi i Punës.
5. Fillimi i procedurës disiplinore ndaj prokurorit dhe oficerit të Policisë Gjyqësore (Fjalë kyçe: Detyrim i organit publik për të vepruar, padi që nuk mund të ngrihet, procedim disiplinor ndaj prokurorit, procedim disiplinor ndaj oficerit të Policisë Gjyqësore)
Në vendimin nr.00-2024-878, datë 07.03.2024, KAGJL vlerëson se gjendemi përpara një padie që nuk mund të ngrihet, pasi individi nuk mund të kërkojë nisjen e ecurisë disiplinore ndaj një prokurori apo oficeri të Policisë Gjyqësore dhe gjykata nuk mund të detyrojë Prokurorin e Përgjithshëm apo Këshillin e Prokurorisë që të nisë procedimin disiplinor ndaj tyre.
6. Pamundësia e rikthimit në detyrë e punonjësve të administratës doganore (Fjalë kyçe: Rikthim në detyrë, punonjës i administratës doganore, nëpunës civil, shërbim civil, ligji i posaçëm)
Në vendimin nr.00-2024-998(105), datë 12.03.2024, KAGJL vlerëson se të drejtën e rikthimit në detyrë e gëzojnë nëpunësit civilë, kur largimi i tyre nga shërbimi civil çmohet i paligjshëm nga gjykata. Punonjësit e administratës doganore, që u rregullohet marrëdhënia e punës sipas Kodit të Punës dhe ligjit të posaçëm, gëzojnë vetëm të drejtën e dëmshpërblimit me paga.
7. Gjykata kompetente për paditë me kërkime të përziera civile dhe administrative (Fjalë kyçe: Kërkime të përziera, mosmarrëveshje civile, mosmarrëveshje administrative, pavlefshmëri testamenti, refuzim i noterit, hartim i aktit noterial)
Në vendimin nr.00-2024-1010, datë 12.03.2024, KAGJL çmon se në rastet kur një padi ka kërkime të përziera të natyrës civile dhe administrative, atëherë gjykata duhet të veçojë kërkimet që nuk janë në kompetencë të saj lëndore, me përjashtim të rastit kur nga zgjidhja e kërkimeve civile vjen si pasojë detyrimi i një organi publik për të kryer disa veprime administrative. Në zbatim të ligjit organik për noterinë, ndaj refuzimit të noterit për të hartuar aktin noterial, palët mund të ankohen pranë gjykatës administrative, pasi mosmarrëveshja ka natyrë administrative. Në lidhje me kërkimet e tjera si pavlefshmëria e testamentit/aktit noterial, që mbrohen përmes padisë trashëgimore, rezulton se janë të natyrës civile dhe duhet të gjykohen nga gjykata civile.
8. Ligjshmëria e aktit administrativ të largimit nga shërbimi civil (Fjalë kyçe: Largim nga shërbimi civil, akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, nëpunës i kategorisë së mesme drejtuese, komision disiplinor, procedurë disiplinore, shkelje shumë të rënda)
Në vendimin nr.00-2024-1692(107), datë 12.03.2024, KAGJL vlerëson se nuk ndodhemi përpara një akti administrativ absolutisht të pavlefshëm të largimit nga shërbimi civil, për sa kohë që akti është nxjerrë nga organi kompetent, që përkon me komisionin disiplinor, autoritet përgjegjës për shqyrtimin e ecurisë disiplinore për nëpunësit e kategorisë së mesme drejtuese në shërbimin civil. Ndërkohë, për shqyrtimin e masave disiplinore të rënda dhe shumë të rënda ndaj anëtarëve të TND, kompetent është Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes për TND.
9. Konkurrimi i prokurorëve në lëvizje paralele, përfaqësimi pa avokat në Gjykatën e Lartë (Fjalë kyçe: Prokuror, lëvizje paralele, vlerësim etik profesional, vlerësim me procedurë të përshpejtuar, përfaqësim pa avokat në Gjykatën e Lartë)
Në vendimin nr.00-2024-2215(110), datë 13.03.2024, KAGJL vlerëson se kur përpara Gjykatës së Lartë marrin pjesë palë që zotërojnë njohuritë e duhura të ligjit material dhe procedural në nivel të njëjtë apo më të lartë se avokati i licencuar, si gjyqtarë, prokurorë, avokatë apo juristë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mund t`u lejohet e drejta për t’u përfaqësuar pa avokat në Gjykatën e Lartë. KAGJL çmon se procedura e lëvizjes paralele të prokurorëve kalon në tre faza, ku a) në fazën e parë verifikohen kandidatët për plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit; b) në fazën e dytë kandidatët e kualifikuar renditen sipas numrit të vlerësimeve etike dhe profesionale dhe rezultateve në këto vlerësime, dhe c) në fazën e tretë KLP merr vendimin për transferimin e kandidatit të renditur i pari. Fillimisht, kandidimi është i hapur vetëm për kandidatët që kanë dy vlerësime etike profesionale dhe KLP rendit ata mes njëri-tjetrit, bazuar mbi rezultatet e vlerësimit etik profesional. Së dyti, në rast se nuk ka kandidatë që kanë dy vlerësime etike profesionale, procedura e lëvizjes paralele hapet për magjistratët, të cilët nuk janë vlerësuar dy herë (neni 43/8). Së treti, kur nuk ka kandidatë që kanë një vlerësim etik profesional, procedura e lëvizjes paralele hapet për magjistratët, të cilët nuk janë vlerësuar ndonjëherë. KAGJL çmon se karriera e magjistratit bazohet tek vlerësimi i tij profesional. Për pasojë, procedura e lëvizjes paralele të prokurorëve duhet të zhvillohet, duke u mbështetur jo vetëm tek vlerësimet profesionale ekzistuese të prokurorëve, por edhe duke marrë masat KLP që të realizojë dhe përfundojë vlerësimet për ata që nuk e kanë atë.
10. Marrëdhënia e punës së funksionarëve politikë në njësitë e vetëqeverisjes vendore(Fjalë kyçe: Ndërprerje e marrëdhënieve të punës, funksionar politik, motive politike, kryetar bashkie, zëvendëskryetar bashkie, nënkryetar i njësisë bashkiake)
Në vendimin nr.00-2024-1922(120), datë 27.03.2024, KAGJL vlerëson se, nënkryetari i bashkisë dhe nënkryetari i njësisë bashkiake janë funksionarë politikë, e për rrjedhojë marrëdhënia e tyre e punës nuk rregullohet nga Kodi i Punës. Për funksionarët politikë, marrëdhënia e punës përfundon edhe për motive politike, pasi ndërprerja është nën diskrecionin e titullarit të institucionit.
11. Gjykata kompetente për vlerësimin e titujve të pronësisë dhe kompetenca e ASHK për administrimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme (Fjalë kyçe: Padi që nuk mund të ngrihet, padi njohje, mosmarrëveshje civile, vlerësim i titullit të pronësisë, mbivendosje prone)
Në vendimin nr.00-2024-1735(128), datë 28.03.2024, KAGJL vlerëson se ndodhemi përpara një padie që nuk mund të ngrihet, pasi ASHK nuk ka kompetencë që të vlerësojë ligjshmërinë e titullit të pronësisë, të verifikojë mënyrën e fitimit të pronësisë, të korrigjojë titullin e pronësisë apo të krijojë titull pronësie. Shqyrtimi i titullit të pronësisë bëhet nga gjykata civile, që mund të investohet përmes një padie civile njohjeje. Vetëm pasi të jetë zgjidhur mosmarrëveshja në themel nga gjykata civile, individi mund t`i drejtohet ASHK, e cila ka si kompetencë regjistrimin e titujve të pronësisë në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
12. Përfitimi i pensionit të parakohshëm nga ushtaraku dhe ligji i zbatueshëm për këtë përfitim (Fjalë kyçe: Pension i parakohshëm, vjetërsi shërbimi si ushtarak, përfitim i pensionit të parakohshëm, ligj i zbatueshëm për pensionin e parakohshëm, kërkesa për pension të parakohshëm, llogaritje e pensionit të parakohshëm)
Në vendimin nr.00-2024-1871, datë 02.05.2024, KAGJL vlerëson se e drejta e përfitimit të pensionit të parakohshëm nuk parashkruhet. Personi që i kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i ka lindur kjo e drejtë, i paguhet përfitimi nga data e lindjes të së drejtës. Në rast se kërkesa është paraqitur pas 1 viti nga data e lindjes së të drejtës, kërkuesi përfiton pension, por pagesa e pensionit i fillon, jo nga data e lindjes të së drejtës, por nga data e paraqitjes së kërkesës. Përfitimet e njohura, por të pa tërhequra nga personi, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo për më shumë se për një vit. Kolegji Administrativ vëren se ligji i zbatueshëm për paditësin është ligji nr. 10142/2009, si ligji në fuqi në momentin kur është paraqitur kërkesa fillestare për pension, por edhe kërkesa për llogaritjen e pensionit.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë
1. Shfuqizimi i ligjit në bazë të të cilit ka dalë akti nënligjor nuk sjell detyrimisht shfuqizimin e aktit (Fjalë kyçe: Shfuqizim ligji, humbje e fuqisë juridike të aktit)
Në vendimin nr.00-2023-2187(352), datë 19.12.2023, KPGJL u shpreh se shfuqizimi i ligjit në bazë dhe për zbatim të të cilit ka dalë akti nënligjor, nuk çon detyrimisht ipso jure në shfuqizim dhe humbje të fuqisë juridike të aktit nënligjor. Humbja e fuqisë juridike të një akti administrativ, referuar përcaktimeve të Kodit të Procedurës Administrative, bëhet me akt të shprehur nga organi që e ka nxjerrë aktin.
2. Kompetenca lëndore e kërkesave “Rishikim vendimi” (Fjalë kyçe: Kompetencë lëndore, kërkesë për rishikim)
Në vendimin nr.00-2024-11, datë 12.01.2024, KPGJL rithekson se kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rishikim është gjykata e zakonshme për vepra të kryera para krijimit të gjykatës së posaçme dhe që nuk hyjnë në kategorinë e veprave penale që bëjnë pjesë në kompetencën lëndore të kësaj gjykate. Pas krijimit të gjykatave të posaçme, çështjet për të cilat vendoset prishja e vendimeve të gjykatave për krimet e rënda dhe që nuk janë në kompetencën lëndore të gjykatave të posaçme, do të dërgohen për rigjykim në gjykatat e zakonshme.
3. E drejta e ankimit ndaj vendimit përfundimtar për veprat penale që ndiqen kryesisht (Fjalë kyçe: E drejta e ankimit, viktima, trashëgimtarë të viktimës, mashtrim)
Në vendimin nr.00-2024-55, datë 19.01.2024, KPGJL vlerëson se vepra penale e mashtrimit është nga ato vepra që ndiqen kryesisht nga organi i akuzës (hetimin dhe barrën e provës e ka organi i akuzës, prokuroria) dhe në këtë rast ligji procedural penal të drejtën e ankimit ndaj vendimit përfundimtar ia ka njohur prokurorit, i cili është ai që mbron akuzën në gjykim dhe njëkohësisht edhe të drejtat ligjore të viktimës apo trashëgimtarëve të tij/saj.
4. Përcaktimi “i gjinisë së afërt” në veprën penale për shkak të marrëdhënieve familjare (Fjalë kyçe:Dhuna në familje, gjini e afërt, pjesëtar i familjes)
Në vendimin nr.00-2024-98(15), datë 23.01.2024, KPGJL sqaron se sa i përket përcaktimit të rrethit të subjekteve që përfshihen në grupimin e ashtuquajtur “gjini e afërt” nuk gjen zbatim ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, pasi nuk është ligj penal dhe, për rrjedhojë, nuk është i zbatueshëm nga gjykata penale në gjykimin e veprave penale. Lidhja e gjakut midis nipit dhe xhaxhait klasifikohet si “gjini e afërt” dhe për shkak të kësaj lidhjeje këta persona konsiderohen subjekte të posaçme të veprës penale “Dhuna në familje”.
5. Mosnjoftimi i trashëgimtarëve të viktimës përbën pavlefshmëri absolute të procesit (Fjalë kyçe: Pavlefshmëri absolute, njoftim i trashëgimtarit të viktimës/të pandehurit në gjendje të lirë, korrigjimi i akteve absolutisht të pavlefshëm, nënshkrimi i personit që merr njoftimin)
Në vendimin nr.00-2024-176(23), datë 23.01.2024, KPGJL vlerëson se mosrespektimi i rregullave për njoftimin e trashëgimtarëve të viktimës/të pandehurit në gjendje të lirë (mosnjoftim nga ana e personit që ka firmosur për njoftimin e palës/palëve, duke mos i marrë gjenealitetet e personit që merr përsipër njoftimin dhe lidhjen e tij me të pandehurin) passjell pavlefshmëri absolute të procesit të zhvilluar në gjykatë dhe të vendimit përfundimtar dhe për këtë shkak çështja do të rigjykohet. Pavlefshmëritë absolute të aktit procedural penal konstatohen dhe ngrihen edhe kryesisht nga organi (prokurori/gjykata) para të cilit ndodhet çështja, edhe kur pala e interesuar, të cilës i është cenuar një interes nga akti i pavlefshëm, nuk vepron; ngrihen në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit; nuk ekziston mundësia e korrigjimit të tyre.
6. Subjektet që i përkasin forcave të policisë kanë detyrimin të ndërhyjnë për të neutralizuar çdo situatë kriminale në fuksion të përmbushjes së detyrës (Fjalë kyçe: Subjekt i forcave të policisë, përmbushje detyre, neutralizim i situatave kriminale)
Në vendimin nr.00-2024-305(38), datë 22.02.2024, KPGJL sjell në vëmendje se subjektet që i përkasin forcave të policisë kanë përgjegjësinë dhe detyrimin, në funksion të përmbushjes së detyrës dhe zbatimit të ligjit, jo vetëm të ruajnë rendin dhe sigurinë publike por edhe të pengojnë vepra penale dhe kapjen e autorëve të tyre, përveç rasteve kur pamundësia për të vepruar është objektivisht e justifikuar. Sipas ligjit të posaçëm, këta subjekte kanë detyrimin të ndërhyjnë menjëherë për të neutralizuar çdo situatë të mundshme, pasi vlerësohen si persona me aftësi të posaçme për të vepruar në këto lloj situatash parakriminale dhe justifikimi i mosveprimit, për shkak të harkut kohor të shkurtër në të cilin ndodh ngjarja kriminale, nuk përbën pamundësi objektive për të vepruar kur provohet qartë së ata kanë kuptuar situatën kriminale që mund të vinte për shkak të konfliktit të lindur.
7. Vendimi administrativ i formës së prerë nuk mund të shërbejë si shkak për rishikimin e vendimit penal të formës së prerë (Fjalë kyçe: Rishikim vendimi penal, shkak rishikues)
Në vendimin nr.00-2024-367(53), datë 29.02.2024, KPGJL arsyeton se vendimi administrativ i formës së prerë nuk mund të shërbejë si shkak për rishikimin e vendimit penal të formës së prerë, në kuptim të nenit 450, pika 1, shkronja “a” të KPP, pasi kjo dispozitë ka parasysh një vendim tjetër po të juridiksionit penal që ka pranuar fakte të papajtueshme me vendimin objekt rishikimi. Pavarësisht se ligjvënësi nuk e ka thënë në mënyrë të shprehur, kjo është e deduktueshme qartazi nga parimet e ndryshme që ndjekin juridiksionet e ndryshme gjyqësore, duke qenë gjithësisht e ditur se procesi penal ka standarde më të forta garantuese se procesi civil apo administrativ.
8. Kohëzgjatja e fuqisë juridike të masës së sigurimit (Fjalë kyçe:Masë sigurimi, arrest në shtëpi, formë e prerë, ekzekutimi i vendimit penal)
Në vendimin nr.00–2024–432(60), datë 07.03.2024, KPGJL vlerëson se, me marrjen formë të prerë të vendimit gjyqësor penal të dënimit nuk mund të flitet për ekzistencë të fuqisë juridike të masave të sigurimit. Masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” humbet fuqinë me marrjen formë të prerë të vendimi të dënimit penal. Pas këtij momenti, e gjithë procedura e ekzekutimit është përgjegjësi e koordinimit midis gjykatës së apelit, që ia përcjell vendimin gjykatës së shkallës së parë, kjo e fundit prokurorit të ekzekutimeve në prokurorinë pranë saj dhe më tej prokurorit që nxjerr urdhrin e ekzekutimit. Moskoordinimi për një kohë të gjatë midis institucioneve për ekzekutimin e vendimit penal, nuk do të thotë që shtetasi i dënuar të vijojë të jetë me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”.
9. Mospagimi i taksave dhe pastrimi i produkteve të veprës penale (Fjalë kyçe: Fshehja e të ardhurave, mospagimi i taksave dhe tatimeve, pastrim i produkteve të veprës penale)
Në vendimin nr.00-2024-453(68), datë 12.03.2024, KPGJL arsyeton se nëse veprat penale në fushën e taksave dhe tatimeve janë vepër kryesore e nëse mund t’i paraprijnë veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” apo mund të konkurrojë me të, jurisprudenca dhe praktika gjyqësore ka pranuar lidhjen midis përfitimeve nga evazioni fiskal dhe pastrimit të parave. Nëse të ardhurat nga mospagimi i taksave përdoren në një transaksion për të gjeneruar të ardhura të tjera, duke u investuar fiktivisht në investim në emër të personave të tjerë në aksion, devident, paga të personave që nuk ekzistojnë në marrëdhënie pune e që rimerren sërish tek shoqëria siç janë vlerësuar si gjendje fakti në gjykimet në shkallë të parë dhe të dytë, atëherë nuk kemi të bëjmë me “kursime” në favor të gjendjes së kompanisë, por me një nga format sesi mund të kryhet pastrimi i produkteve të veprës penale.
10. Proporcionaliteti gjatë kontrollit dhe sekuestrimit të të dhënave kompjuterike (Fjalë kyçe: Sekuestrim, të dhëna kompjuterike, e drejta e privatësisë, proporcionaliteti)
Në vendimin nr.00-2024-515(76), datë 25.03.2024, KPGJL sqaron se është detyrë e gjykatave të faktit që të verifikojnë nëse gjatë procedurës së sekuestrimit, veprimet e sekuestrimit në tërësinë e sendeve të sekuestruara cenojnë të drejtat e privatësisë familjare, personale apo profesionale dhe nëse gjatë sekuestrimit e kontrollit janë zbatuar nevojat për ndërhyrje më anë të këtyre mjeteve të kërkimit të provës në raport me proporcionalitetin në planin sasior, cilësor e kohor. Kolegji vlerëson se rregullat e përgjithshme të parashikuara në nenin 208 “Objekti i sekuestrimit” të KPP, përveçse kur në nenin 208/a “Sekuestrimi i të dhënave kompjuterike” ka parashikim të posaçëm, do të zbatohen edhe në rastin e sekuestrimit të të dhënave kompjuterike.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
1.Kontrata e huasë nuk përbën titull ekzekutiv (Fjalë kyçe: Kontratë huaje, titull ekzekutiv, detyrim në të holla, mospërmbushje e detyrimit kontraktor)
Në vendimin nr.00-2024-689(790), datë 10.01.2024, KCGJL shprehet se fakti që kontrata e huasë është noteriale dhe përmban një detyrim në të holla, nuk i japin asaj cilësinë e titullit ekzekutiv sipas nenit 510/d të KPC. Qëndrimi pasiv i debitorit në përmbushje të detyrimit kontraktor i jep të drejtë kreditorit t’i drejtohet gjykatës me padi kundër tij dhe jo të kërkojë lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, pasi kontrata e huasë nuk e ka një cilësi të tillë. Gjykatat e faktit para se të vlerësonin në themel nëse detyrimi i përmbajtur në kontratën e huasë ekzistonte apo ishte shuar, duhet të kishin vlerësuar në mënyrë primare nëse ndodheshim apo jo para një titulli ekzekutiv.
2. Juridiksioni gjyqësor në çështjet me objekt heqjen e përgjegjësisë prindërore me elemente të huaj (Fjalë kyçe: Heqje e përgjegjësisë prindërore, marrëdhënie me elemente të huaj, Konventa e Hagës, juridiksion i gjykatës)
Në vendimin nr.00-2024-182, datë 17.01.2024, për heqjen e përgjegjësisë prindërore të një fëmije të mitur, lindur dhe me vendodhje në Itali, me shtetësi shqiptare, KCGJL shprehet se për të vlerësuar se cili është juridiksioni gjyqësor që do të konkludojë mbi çështjen e heqjes së përgjegjësisë prindërore të babait, duhet të mbahet parasysh vendqëndrimi i zakonshëm i fëmijës së mitur. Sipas nenit 3/a të Konventës së Hagës, konstatohet se elementi i huaj për çështjen konkrete i referohet vendqëndrimit të fëmijës në shtetin italian, prandaj përjashtohet juridiksioni i gjykatës shqiptare në gjykimin e kërkimit për heqje të përgjegjësisë prindërore.
3. Dëmshpërblimi paraprak nuk shuan detyrimin e punëdhënësit për respektimin e afatit të njoftimit (Fjalë kyçe: Zgjidhje e kontratës me afat të pacaktuar, respektimi i afatit të njoftimit, kontratë pune, dëmshpërblimi paraprak)
Në vendimin nr.00-2024-207(7), datë 17.01.2024, për dëmshpërblimin për mosrespektimin e procedurës në zgjidhjen e marrëdhënies së punës, në zbatim të vendimit njësues të datës 12.12.2023, KCGJL shprehet se afati i njoftimit në rastin e zgjidhjes së kontratës së punës me kohëzgjatje të pacaktuar nga punëdhënësi nuk konsiderohet i respektuar në kuptim të neneve 141 dhe 143 të Kodit të Punës, kur punëdhënësi i paguan punëmarrësit paraprakisht, në formë dëmshpërblimi, shumën korresponduese të pagave të këtij afati. Ky dëmshpërblim nuk zëvendëson dhe as shuan detyrimin ligjor të punëdhënësit për të vijuar marrëdhënien juridike të punës me punëmarrësin deri në fund të afatit të njoftimit, pavarësisht të drejtës së tij për të mos e zënë në punë punëmarrësin gjatë kësaj periudhe, sipas nenit 129 të Kodit të Punës.
4. Vlerësimi i ndërtimeve pa leje në padinë e rivendikimit në kuadër të ligjit për legalizimet (Fjalë kyçe: Padi rivendikimi, legalizim, ndërtim informal)
Në vendimin nr.00-2024-375(32), datë 24.01.2024, për padinë e rivendikimit, në zbatim të vendimit të gjykatës kushtetuese nr.35/2007, KCGJL shprehet se gjykata ka detyrimin që të hetojë dhe verifikojë nëse ndërtimet e kryera në tokën e tjetrit përfshihen dhe janë objekt i legalizimit apo ka përfunduar legalizimi i tyre sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9482/2006. Kohëzgjatja e procesit të legalizimit për shkak të vonesave administrative shtetërore, nuk mund të kufizojë të drejtën e pronarit të ndërtimit informal për të mbrojtur pasurinë e tij gjatë këtij procesi. Në të kundërt, legalizimi nuk do të përmbushte qëllimin ligjor për njohjen e të drejtën e pronësisë.
5. Urdhri i ekzekutimit duhet të përmbajë masën konkrete të detyrimit deri në momentin e lëshimit (Fjalë Kyçe: Pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, urdhër ekzekutimi, titull ekzekutiv, kundërshtim i veprimeve përmbarimore, kontratë kredie bankare)
Në vendimin nr.00-2024-214(40), datë 31.01.2024, KCGJL shprehet se pavlefshmëria e titullit ekzekutiv qëndron në mospërputhjen ndërmjet realitetit që përfaqëson titulli ekzekutiv, me realitetin që ekziston efektivisht. Për llogaritjen e kamatëvonesave në vijim të lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, Kolegji çmon se mospërmbushja e detyrimit nga debitori i jep tё drejtë kreditorit (bankës në rastin konkret) që tё kёrkojё vёnien nё ekzekutim tё detyrueshёm të titullit, për të cilin është lëshuar urdhri i ekzekutimit. Edhe sikur të pranohej se kontrata midis palëve nuk zgjidhet por vijon edhe pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, ky urdhër i referohet përmbajtjes së titullit ekzekutiv në momentin e lëshimit dhe nuk mund të shtrijë efektet e tij në vijueshmëri për detyrimet e tjera që eventualisht do të rridhnin nga kontrata/titulli ekzekutiv, përfshi këtu kamatëvonesat.
6. Për kërkesëpadi që ngrihen gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit nuk lejohet sigurimi i padisë (Fjalë Kyçe: Faturë energjie elektrike, titull ekzekutiv, sigurim i objektit të padisë)
Në vendimin nr.00-2024-223(43), datë 31.01.2024, KCGJL shprehet se në kushtet kur pala paditëse i është drejtuar gjykatës me anë të padisë së pavlefshmërisë së titullit ekzekutiv faturë energjie elektrike, atëherë në bazë të nenit 203/2 të KPC, për këtë lloj padie nuk mund të zbatohen rregullimet e kodit për masat e sigurimit të padisë. Gjykatat kanë interpretuar në mënyrë të gabuar ligjin procedural, nuk kanë analizuar diferencën midis mjetit të sigurimit të padisë të parashikuar nga neni 202 e vijues i KPC dhe atij pezullues të parashikuar nga neni 609 i KPC.
7. Gjykata kompetente për mosmarrëveshjet e punës së mësuesve të sistemit arsimor parauniversitar (Fjalë kyçe: Kompetencë lëndore, mësues, sistem arsimor parauniversitar, gjykatë administrative)
Në vendimin nr.00-2024-515, datë 21.02.2024, për përcaktimin e kompetencës lëndore, KCGJL çmon se gjykata kompetente për gjykimin e mosmarrëveshjeve që lindin nga marrëdhënia e punësimit të mësuesve të sistemit arsimor parauniversitar publik, janë gjykatat administrative.
8. Zbatimi i dispozitave të Kodit të Punës kur marrëdhënia e punësimit rregullohet me ligjin e posaçëm nr.9901/2008 (Fjalë kyçe: Marrëdhënie pune, shoqëri tregtare, dëmshpërlim për zgjidhjen e menjëhershme e të pajustifikuar, dëmshpërblim për mosrespektimin e procedurës së shkarkimit)
Në vendimin nr.00-2024-517, datë 21.02.2024, për dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës, në rastin e shkarkimit të drejtorit të shoqërisë tregtare, KCGJL shprehet se në kushtet kur ligji nr.9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” nuk parashikon zgjidhje për problemin e dëmshpërblimit të paditësit për zgjidhje të menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës dhe dëmshpërblimit për shkak të mosrespektimit të procedurës së shkarkimit, gjykatat në zbatim të nenit 4 të Kodit të Punës, duhet t`i referohen dispozitave përkatëse të Kodit të Punës.
9. Legjitimiteti i kërkimit të veçimit të pjesës takuese të debitorit në rastet e vendosjes së sekuestros konservative (Fjalë kyçe: Sekuestro konservative, bashkëpronësi, regjim i bashkësisë ligjore, pjesët takuese, pjestim i detyrueshëm)
Në vendimin nr.00-2024-1049(124), datë 19.03.2024, në referim nenit 76 i KF KCGJL vlerëson që pasuria objekt sekuestro është në pronësi të të dy bashkëshortëve si rezultat i regjimit juridik të bashkësisë ligjore dhe është pikërisht i interesuari që ka barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën. Ndërsa për veçimin e pjesës takuese të bashkëpronarit debitor dhe pjestimin e pasurisë në bashkëpronësi respektohen të njëjtat dispozita për mënyrën e ndarjes së kësaj pasurie, ndryshimi qëndron në legjitimimin aktiv të këtyre kërkimeve, ku për veçimin e pjesës takuese të bashkëpronarit debitor, gjykata vihet në lëvizje nga përmbaruesi, duke u legjitimuar në këtë mënyrë që të kërkojë një pjesëtim të detyrueshëm që nuk ka të nevojshëm vullnetin e bashkëpronarëve për ta bërë atë.
11. Dallimi midis ndërgjyqësisë dytësore dhe ndërgjyqësisë të detyrueshme (Fjalë kyçe: Ndërgjyqësi e detyrueshme, palë e tretë, ndërgjyqësi dytësore, e drejtë pronësie)
Në vendimin nr.00-2024-1192(145), datë 26.03.2024, KCGJL konkludon se ndërgjyqësia dytësore apo thënë ndryshe personat e tretë, nuk mundet të jenë pjesë e ndërgjyqësisë së detyrueshme, pasi në këtë kategori palësh bëhet fjalë vetëm për palët në kuptimin e ngushtë nga varet e drejta dhe fakulteti që ligji i njeh paditësit për të vendosur se kujt ia kundrejton pretendimet në padi apo thënë ndryshe është rrjedhojë dhe përditësim i parimit të disponibilitetit maksimal të padisë. Kolegji vlerëson se detyrimi objekt gjykimi i kundrejtohet palës së paditur, pasi pretendohet se kjo palë duhet t’i njohë paditësit pronar si trashëgimtar të ish-pronarit. Në kërkimet dhe pretendimet e parashtruara nga paditësit nuk ka asnjë kërkim që shtrihet ndaj personave të tretë, për njohje pronësie. Për rrjedhojë, duke mos pasur ndërgjyqësi të detyrueshme, nuk ka asnjë shkak ligjor se përse të zbatohet kryesisht nga gjykata dhe jashtë shkaqeve të apelit të ushtruar nga pala shkronja ‘‘d’’, e nenit 467, të KPC.
12. Prekluziviteti si parakusht i ndryshëm procedural nga çështja e juridiksionit (Fjalë kyçe: Afat ankimi, prekluzivitet, juridiksion gjyqësor, e drejtë pronësie)
Në vendimin nr.00-2024-1258, datë 27.03.2024, KCGJL vlerëson se në të gjitha rastet kur ka një vendim nga ATP në lidhje me kërkesën e ish-pronarit, pavarësisht mënyrës së disponimit (rrëzim, pranim apo mbyllje e procedimit pa u shprehur për themelin e kërkesës etj.), juridiksioni administrativ për këtë kërkesë konsiderohet i ezauruar dhe menjëherë lind e drejta e subjektit të interesuar për t’ju drejtuar juridiksionit gjyqësor, që sipas ligjit nr. 133/2015 do të ushtrohet për herë të parë nga gjykatat e apelit. Në këtë drejtim, çështja e respektimit apo jo e afatit ligjor të kundërshtimit në rrugë gjyqësore të këtij vendimi nuk është një çështje që lidhet me mungesën e juridiksionit gjyqësor por me prekluzivitetin apo jo të këtij ankimi, që përbën një parakusht të ndryshëm procedural nga çështja e juridiksionit, shqyrtimi i të cilës fillimisht, sipas parimit të respektimit të shkallëve të pushtetit gjyqësor, të parashikuar nga neni 135 i Kushtetutës, i përket gjykatës së apelit me juridiksion fillestar.
2. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë
1. Mospranim i pretendimit për shkeljen e të drejtës për t`u dëgjuar dhe të drejtës së pronës (Fjalë kyçe: Mjet efektiv ankimi, ankim kushtetues individual, shterim i mjetit efektiv të ankimit)
Në çështjen Zerva kundër Shqipërisë, kërkesa nr.37570/18, vendim i datës 12 mars 2024, për shkeljen e të drejtës për t`u dëgjuar dhe të drejtës së pronës, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesit nuk kanë shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit, siç rezulton që të jetë edhe ankimi kushtetues individual. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë përbën një mjet efektiv ankimi, të detyrueshëm për t`u shteruar nga kërkuesit përpara se t`i drejtohen GJEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-233304
2. Mospranim i pretendimit për vonesa në ekzekutimin e vendimit të formës së prerë dhe vendimit të GJEDNJ (Fjalë kyçe: Vendim i formës së prerë, vendim i GJEDNJ, vonesa në ekzekutim, afat i arsyeshëm)
Në çështjen Boçari kundër Shqipërisë, kërkesa nr.75984/11, vendim i datës 19 mars 2024, për moszbatimin brenda një afati të arsyeshëm të vendimit gjyqësor të formës së prerë dhe vendimit të GJEDNJ, Gjykata vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi mbas dhënies së vendimit Gjon Boçari kundër Shqipërisë, Agjencia Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë u ka njohur kërkuesve pronësinë, duke zgjidhur mosmarrëveshjen. Periudha prej 1 viti, e 4 muajsh, e 15 ditësh nga dhënia e vendimit prej GJEDNJ, e deri në zbatimin e tij nga AKKP Vlorë, nuk mund të cilësohet si shkelje e afatit të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-233307
3. Mospranim i pretendimit për cenimin e të drejtës së pronës (Fjalë kyçe: E drejtë e pronës, mjet efektiv ankimi, shterim i mjetit efektiv të ankimit, padi civile për shpërblim dëmi)
Në çështjen “Alba Games” dhe Biti kundër Shqipërisë, kërkesa nr.47108/08, vendim i datës 19 mars 2024, për cenimin e të drejtës së pronës nga ndryshimi i legjislacionit për lojërat e fatit, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesit nuk kanë shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit. Kërkuesit kanë pasur të gjitha mundësitë që t`i drejtoheshin gjykatave civile me padi për shpërblimin e dëmit për heqjen/revokimin e licencës së lojërave të fatit, si rezultat i ndryshimit të legjislacionit përkatës. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-233308
4. Mospranim i pretendimit për cenimin e aksesit në gjykatë, për shkak të nxjerrjes së çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor (Fjalë kyçe: Akses në gjykatë, juridiksion gjyqësor, mosshterim i mjeteve ligjore administrative, shterim i mjetit efektiv të ankimit)
Në çështjen “Albania Online Service Provider” SHPK kundër Shqipërisë, kërkesa nr.31425/06, vendim i datës 2 prill 2024, për cenimin e të drejtës së aksesit në gjykatë, për shkak të nxjerrjes së çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit. Sipas legjislacionit të kohës, kërkuesi mund të përdorte mjetet ligjore administrative përpara organit publik për të siguruar lidhjen e kontratës apo për të vënë në ekzekutim një akt administrativ. Për sa kohë një mjet i tillë nuk është është përdorur nga kërkuesi, atëherë nuk janë shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit dhe kërkesa në GJEDNJ mbetet e papranueshme. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-233862
5. Mospranim i pretendimit për cenimin e jetës private, për shkak të ndalimit për t`u emëruar/kandiduar për 15 vite në institucionet e sistemit të drejtësisë, si rezultat i dorëheqjes përpara nisjes së procesit të “Vetting” (Fjalë kyçe: Jetë private, proces Vetting-u, dorëheqje, ndalim emërimi prej 15 vitesh, institucion i sistemit të drejtësisë, zhvillim profesional, karrierë në gjyqësor)
Në çështjen Bala kundër Shqipërisë, kërkesa nr.21141/20, vendim i datës 9 prill 2024, për cenimin e të drejtës për jetë private, për shkak të ndalimit për t`u emëruar/kandiduar për 15 vite në institucionet e sistemit të drejtësisë, si rezultat i dorëheqjes përpara nisjes së procesit të “Vetting”, GJEDNJ çmon se kërkesa është e pabazuar, pasi neni 8 i KEDNJ nuk garanton emërimin në një pozicion të kategorisë së lartë në institucionet e sistemit të drejtësisë. Për rrjedhojë, neni 8 i KEDNJ mbetet i pazbatueshëm në këtë rast. GJEDNJ vëren se kërkuesja nuk ka mbajtur pozicion si gjyqtare apo prokurore, që t`i cenohej zhvillimi profesional dhe karriera në sistemin gjyqësor me ndalimin 15-vjeçar për t`u emëruar në këto institucione. Dorëheqja e kërkueses nga pozicioni si këshilltare në Gjykatën Kushtetuese, i la asaj një hapësirë të vogël vendesh për t`u emëruar në pozicione të kategorisë së lartë në gjyqësor, gjatë periudhës së ndalimit të emërimit prej 15 vitesh. Për më tepër që, kandidimi i vetëm i saj ka qenë për anëtare në Gjykatën Kushtetuese. Ndalimi 15-vjeçar për t`u emëruar në institucionet e drejtësisë për të gjithë subjektet që u dorëhoqën përpara “Vetting”, përbën një masë të përgjithshme më legjitime për arritjen e qëllimit, sesa trajtimi i tyre rast pas rasti, pasi kjo e fundit do të sillte shumë pasiguri juridike. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-233721
6. Cenim i të drejtës për jetë private, si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve pozitive nga shteti për të mbrojtur fëmijën e kërkuesit nga dëmtimi në shkollën private (Fjalë kyçe: Jetë private, detyrim pozitiv i shtetit, dëmtim i fëmijës, shkollë private, gjykim në afat të arsyeshëm, akses në Gjykatën Kushtetuese, interes i fëmijës, shterim i mjeteve efektive të ankimit)
Në çështjen Biba kundër Shqipërisë, kërkesa nr.24228/18, vendim i datës 7 maj 2024, për cenimin e të drejtës për jetë private, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve pozitive nga shteti për të mbrojtur nxënësit në shkollë, si dhe mosgjykimin e çështjes brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ çmon se kërkesa është e bazuar, pasi nga mënyra se si është zhvilluar procesi civil për shpërblimin e dëmit biologjik për fëmijën e kërkuesit, duket qartë se atij nuk i është mundësuar një mbrojtje e plotë. Rrëzimi i padisë civile dhe mënyra se si janë zbatuar mekanizmat ligjorë nga ana e autoriteteve shtetërore, nuk ka garantuar mbrojtjen e interesit të fëmijës, për sa kohë që kjo mbrojtje ka qenë detyrë e institucionit arsimor brenda të cilit ndodhej fëmija nën mbikëqyrje. Shteti ka dështuar të përmbushë detyrimet pozitive në kuadër të nenit 8 të KEDNJ. Sa i takon mosgjykimit të çështjes civile në Gjykatën e Lartë brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ çmon se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit, përkatësisht dispozitat e KPC për gjykimin e posaçëm për afatin e arsyeshëm. GJEDNJ konstatoi cenim të aksesit në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të llogaritjes së gabuar të afatit 4-mujor, që duhet të llogaritej nga data e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Lartë dhe jo nga data e shpalljes së këtij të fundit. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-233411
3. Aktivitetet e Gjykatës së Lartë
Në datën 29 Prill 2024, Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi zhvilloi një takim me Ambasadorin e BE-së në Shqipëri z. Silvio Gonzato, me fokus forcimin e mëtejshëm të gjyqësorit shqiptar në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në takim u bisedua edhe për nevojën që kanë gjykatat e të gjitha niveleve në vend për infrastrukturë dhe kushte dinjitoze pune. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/ambasadori-i-be-se-ne-shqiperi-silvio-gonzato-vizite-ne-gjykaten-e-larte-takon-kryetarin-sokol-sadushi
Në kuadër të “Ditës së drejtësisë”, më 10 Maj 2024, në ambientet e Gjykatës së Lartë u zhvillua një gjyq imitues i të drejtës penale me studentë të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Ky aktivitet i veçantë në këtë ditë të shënuar, ishte frut i bashkëpunimit të Gjykatës së Lartë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Për t`u përgëzuar ishte performanca mjaft e mirë e studentëve, të cilët e kishin përgatitur gjyqin imitues nën mbikëqyrjen e këshilltarit ligjor ndihmësmagjistrat z. Elton Frashëri dhe pedagoges së FDUT znj. Eralda Methasani “Çani”. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/gjykata-e-larte-e-republikes-se-shqiperise-ne-bashkepunim-me-fakultetin-e-drejtesise-universiteti-i-tiranes-organizuan-%22gjyqin-imitues%22-ne-te-drejten-penale-me-pjesemarrjen-e-studenteve-te-ketij-fakulteti./
Pasditen e 10 Majit 2024, në ditën e 111 vjetorit të krijimit të Gjykatës së Lartë, u zhvillua një takim i përbashkët me gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, të gjykatave të apelit, të shkallës së parë, si dhe me anëtarë gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ky dialog midis gjyqtarëve, në funksion të mirëadministrimit të drejtësisë, trajtoi marrëdhëniet mes gjykatave dhe organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe nxorri në pah problematikat dhe vështirësitë që po hasin gjyqtarët gjatë ushtrimit të detyrës, si në drejtim të volumit të punës ashtu edhe në drejtim të mungesës së infrastrukturës. Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi theksoi pamjaftueshmërinë e burimeve njerëzore, materiale dhe financiare në gjykata, si ndër problematikat më kryesore aktuale në vend. Gjatë diskutimit u shkëmbyen ide për përmirësimin e situatës, me qëllim adresimin e tyre edhe me aktorë të pushteteve të tjera në ekzekutiv apo legjislativ. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/tryeze-e-perbashket-e-gjyqtareve-me-rastin-e-10-majit-dites-kombetare-te-drejtesise.
Në datën 13 Maj 2024, Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi, në prani të përfaqësueses së Këshillit të Evropës znj. Giulia Re, promovoi botimin më të ri të Gjykatës së Lartë, një përmbledhje të përzgjedhur të vendimeve të tri Kolegjeve të kësaj Gjykate gjatë viteve 2021 - 2023. Ky botim i vjen në ndihmë gjyqtarëve shqiptarë të shkallës së parë dhe të apelit, prokurorëve dhe juristëve për njohjen me jurisprudencën e Gjykatës dhe zbatimin e njësuar të ligjit në vend. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/gjykata-e-larte-nxjerr-botimin-me-te-ri-mbi-harmonizimin-e-praktikes-gjyqesore-ne-shqiperi
Në datën 29 Maj 2024, Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dhe anëtarë të tjerë të trupës gjyqësore, në mjediset e Gjykatës së Lartë, pritën delegacionin gjyqësor britanik i kryesuar nga Lord Justice James Dingemans. Në takim u bisedua mbi mënyrën se si sistemet gjyqësore mund të punojnë së bashku në një program për të mbështetur gjyqtarët e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/lord-justice-james-dingemans-vizite-zyrtare-ne-gjykaten-e-larte
4. Statistika
Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për muajin prill 2024
Kolegji Administrativ ka dhënë 271 vendime, nga të cilat 249 janë vendime themeli, 3 kompetencë/juridiksion, si dhe 19 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.
Kolegji Civil ka dhënë 286 vendime, nga të cilat 268 janë vendime themeli, 8 kompetencë/juridiksion, si dhe 10 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.
Kolegji Penal ka dhënë 277 vendime, nga të cilat 269 janë vendime themeli, 1 kompetencë/juridiksion, si dhe 7 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/kërkesa të ndryshme.
Në total për muajin prill 2024 janë dhënë 834 vendime gjyqësore.
5. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/format_rekursi_5207_1_3d
6. Dy vjet nga buletini i Gjykatës së Lartë
U bënë dy vjet nga fillimi i publikimit online të buletinit informativ periodik të Gjykatës së Lartë. Nisur nga përshtypjet dhe komentet e marra, kjo nismë ka rezultuar mjaft e pëlqyeshme dhe e mirëpritur, duke ndihmuar në përhapjen dhe njohjen e jurisprudencës së Gjykatës së Lartë, zbatimin e njësuar të ligjit në vend nga praktikantët e së drejtës. Në këtë dy vjetor të buletinit informativ, me kënaqësi ju informojmë se janë publikuar në total 505 vendime gjyqësore, nga të cilat 166 janë të Kolegjit Administrativ, 131 të Kolegjit Civil, 138 të Kolegjit Penal, 4 të Kolegjeve të Bashkuara, ndërsa 66 janë vendime të GJEDNJ kundër Shqipërisë. Përgjatë këtyre dy viteve, Gjykata e Lartë ka shpërndarë 25 buletinë, ku 16 kanë qenë periodikë dhe 9 tematikë.
7. Aksesi në faqen e re të Gjykatës së Lartë
Për një orientim më të mirë në faqen e re të Gjykatës së Lartë, në linkun më poshtë, do të gjeni video udhëzuese për përdorimin e saj https://www.youtube.com/@gjykataelarteshqiperi
8. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur)
Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/akrediti
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: info@gjykataelarte.gov.al;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.