BULETINI PERIODIK NR.2/2024

I. Jurisprudencë e përzgjedhur

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

1. Efektet e rekursit të palës rekursuese ndaj palës jorekursuese, gjykata kompetente për kërkimet e përziera përpara datës 04.11.2013, si dhe pasuritë që nuk mund të legalizohen (Fjalë kyçe: gjykatë kompetente, kërkime të përziera, efektet e rekursit, pasuri që nuk mund të legalizohet, pasuri publike, palë jorekursuese)

 

vendimin nr.00-2023-4416(357), datë 02.11.2023, KAGJL çmon se kur interesat ligjore të të paditurve nuk kanë lidhje të ngushtë mes tyre, pasi ata janë thirrur në gjykim në mënyrë të pavarur, rekursi i ushtruar nga njëri prej tyre nuk i shtrin efektet ndaj tjetrit. Kur padia ka kërkime të përziera të natyrës administrative dhe civile dhe është depozituar përpara datës 04.11.2013, në zbatim të vendimit njësues 3/2014 të KBGJl, shqyrtimi i saj duhet të bëhet nga gjykatat civile. Brigjet e detit përfshihen në pasuri publike të patjetërsueshme dhe nuk mund të bëhen pjesë e zonës së legalizimeve.

 

2. Gjykata kompetente për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit (Fjalë kyçe: fazë ekzekutimi, titull ekzekutiv, gjykatë kompetente, gjykatë civile, kontratë administrative, kontratë për sigurimin e mjeteve dhe jetës së zjarrfikësve)

 

vendimin nr.00-2023-4756, datë 21.11.2023, për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për faturat tatimore që burojnë nga kontrata e sigurimit të punonjësve zjarrfikës, KAGJL çmon se kompetente është gjykata administrative, për sa kohë që mosmarrëveshja në fazën e ekzekutimit buron nga një kontratë administrative, e cila ka në thelb shërbimin publik, që kjo kontratë siguron nëpërmjet ekzekutimit të saj. 

 

3. Kriteret për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe sigurimit të padisë (Fjalë kyçe: pezullim ekzekutimi i vendimit, sigurim padie)

 

vendimin nr.00-2023-5088, datë 07.12.2023, KAGJL vlerëson se, pavarësisht rregullimit specifik që parashikohet për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë në vija të përgjithshme gjejnë zbatim kushtet ligjore dhe kriteret e sigurimit të padisë, pasi institutet janë të ngjashme. Për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë KAGJL verifikon: (1) nëse ka rekurs të ushtruar; (2) nëse ka argumente konkrete ligjorë dhe/apo prova nga kërkuesit, që mbështesin pretendimin për ekzistencën e një dëmi të menjëhershëm dhe të riparueshëm, që mund të passjellë ekzekutimi i vendimit gjyqësor të formës së prerë, e më tej (3) nëse rezulton garanci e ofruar me prova respektive. Ndërkohë, sigurimi i padisë jepet deri sa vendimi nuk ka marrë formë të prerë.

 

4. Shtrirja e përgjegjësisë edhe për përdoruesit e produktit që nuk i është paguar akciza (Fjalë kyçe: akcizë, kundërvajtje administrative, nënprodukt nafte)

 

vendimin nr.00-2023-5350(441), datë 12.12.2023, për shfuqizimin e aktit administrativ të autoriteteve doganore, KAGJL vlerëson se në funksion të zhvillimit të praktikës gjyqësore, për subjektet që kanë detyrimin për të kërkuar shenjimin e naftës bruto apo nënprodukteve të saj, gjykata duhet të mbajë në konsideratë kundërvajtjet administrative në fushën e akcizave. Gjykata duhet të ketë parasysh në këto raste se për pagimin e akcizës për produktet apo nënproduktet e naftës, pa shenjimin e detyrueshëm ligjor, ngarkohet me përgjegjësi administrative jo vetëm çdokush që e tregton, por edhe për ata që mbajnë apo përdorin produkte të tilla.

 

5. Njoftimi i palëve në gjykimin e përshpejtuar në apel në dhomë këshillimi (Fjalë kyçe: gjykim i përshpejtuar në apel, e drejta për t`u dëgjuar, kontradiktoritet, proces i rregullt ligjor, njoftim individual)

 

vendimin nr.00-2024-1287(73), datë 22.02.2024, KAGJL çmon se kur gjykata e apelit vendos shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi mbi bazë dokumentesh me procedurë të përshpejtuar, ajo ka detyrimin që të njoftojë individualisht palët, krahas njoftimit me shpallje publike, pasi në të kundërt cenohet procesi i rregullt ligjor, e drejta për t`u dëgjuar dhe mundësia që kanë palët për të depozituar parashtrime me shkrim. 

 

6. Gjykata kompetente për shqyrtimin e rekurseve ndaj vendimeve gjyqësore për shkarkimin e prokurorëve përpara vitit 2016 (Fjalë kyçe: prokuror i shkarkuar,  kompetencë ekskluzive e Gjykatës së Lartë, masë disiplinore, proporcionaliteti, diskrecion, zvarritje e rëndë e procedimeve, diskretitim i rëndë i figurës së prokurorit)

 

vendimin nr.00-2024-1235(74), datë 26.02.2024, KAGJL vlerëson se është kompetent për shqyrtimin e kësaj çështjeje, pasi tagrin kushtetues dhe ligjor për të vlerësuar pranueshmërinë, bazueshmërinë dhe themeltësinë e rekurseve, e ka vetëm Gjykata e Lartë dhe asnjë organ tjetër shtetëror. Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë tagër për të shqyrtuar bazueshmërinë në ligj të rekurseve ndaj vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit. Sipas Kolegjit edhe aktet apo vlerësimet me natyre diskrecionare i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor, porse në këto raste, gjykata duhet të mbajë gjithnjë parasysh standardin e abuzimit apo jo me juridiksionin nga ana e organit shtetëror të pajisur me mundësinë për të vlerësuar dhe peshuar rëndësinë e një fakti të caktuar në një procedurë disiplinore. Gjykata ka detyrimin që kur hedh poshtë vlerësimin e rëndësisë së fakteve nga ana e organit disiplinor, të analizojë një për një se përse ky vlerësim nga ana e organit disiplinor është i paligjshëm apo arbitrar.

7. Padia e shpërblimit të dëmit jashtëkontraktor, lindja e saj, si dhe raporti me paligjshmërinë e veprimit administrativ/mosveprimin e organit publik (Fjalë kyçe: përgjegjësi shtetërore, shpërblim dëmi, dëm jashtëkontraktor, mosveprim i organit publik, veprim administrativ i paligjshëm, afat për ngritjen e padisë – vendim njësues)

vendimin njësues nr.00-2024-1494(154), datë 15.04.2024, KAGJL çmon se, padia për kërkimin e shpërblimit të dëmit jashtëkontraktor, të shkaktuar nga veprimi ose mosveprimi i organit publik është proceduralisht e pavarur nga padia, me të cilën kërkohet paligjshmëria e veprimit apo mosveprimit administrativ që pretendohet se ka shkaktuar dëmin. Padia për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor mund të bashkohet në një padi të vetme me padinë për paligjshmërinë e veprimit apo mosveprimit administrativ, ashtu si mund të ngrihet edhe pas padisë për kërkimin e paligjshmërisë së sjelljes së organit publik, por gjithnjë brenda afateve të parashkrimit të përcaktuara nga ligji i posaçëm. Në rastin kur paligjshmëria e veprimit apo mosveprimit administrativ pretendohet si shkak thelbësor i dëmit dhe si e tillë përbën edhe vetë shkakun e padisë për dëmshpërblim, atëherë padia për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, ndonëse proceduralisht është e pavarur, në kuptimin material ndërvaret nga fati i padisë për paligjshmërinë e veprimit apo mosveprimit administrative. Kur paligjshmëria e veprimit apo mosveprimit të organit publik është shkaku përcaktues i shkeljes së konstatuar që ka sjellë në mënyrë të drejtëpërdrejtë dëmin konkret për subjektin, atëherë ngritja në afat e padisë për shqyrtimin e paligjshmërisë së veprimit/mosveprimit administrativ ndikon në mënyrë thelbësore mbi përfundimin e gjykimit administrativ, në lidhje me pranimin apo rrëzimin e padisë për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, por nuk ndikon në llogaritjen e afatit për paraqitjen e kësaj padie sipas ligjit nr. 49/2012.

 

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

 

1.Një marrëveshje e vlefshme arbitrazhi nuk pengon palët t’i drejtohen juridiksionit gjyqësor për marrjen e masës së sigurimit të padisë (Fjalë kyçe: masa e sigurimit të padisë, marrëveshje arbitrazhi, juridiksion gjyqësor, cenim i juridiksionit, shqyrtim në themel)

 

vendimin nr.00-2023-5666(580), datë 11.10.2023, për marrjen e masës së sigurimit të padisë KCGJL konkludon se një marrëveshje e vlefshme arbitrazhi nuk i pengon palët t’i drejtohen juridiksionit gjyqësor të zakonshëm me kërkimin për marrjen e masës së përkohshme të sigurimit të padisë. Paraqitja e një kërkese të tillë nuk mund të konsiderohet si e papajtueshme me marrëveshjen e arbitrazhit apo si cenim i juridiksionit, të cilit i takon shqyrtimi në themel i çështjes.

 

2. E drejta e ndryshimit të shkakut ligjor të padisë dhe detyrimi i gjykatës për zbatimin e parimit të disponibilitetit të padisë (Fjalë kyçe: ndryshim shkaku ligjor, shtim objekti padie, zvogëlim objekti padie, parim i disponibilitetit)

 

vendimin nr.00-2023-5006(717), datë 06.12.2023, KCGJL në referim të nenit 185 të KPC, vlerëson se pala paditëse gjatë hetimit gjyqësor mund të ndryshojë shkakun ligjor të padisë ose pa e ndryshuar atë mund të shtojë, të pakësojë ose të ndryshojë objektin e padisë që në mungesë të paditurit ose të personave të tretë të thirrur në gjykim duhet t’u komunikohen atyre me shkrim. Gjithashtu, KCGJL vëren se parimi i disponibilitetit të padisë cenohet, kur përputhshmëria midis asaj që kërkohet dhe asaj që vendoset, shkelet nga gjykata duke ndërhyrë në “pushtetin” e disponimit të palës, duke u shprehur përtej kufijve të kërkimit, për çështje të cilat nuk mund të konstatohen kryesisht prej saj.

 

3. Përcaktimi i natyrës juridike të kërkimit dhe mosmarrëveshjes objekt gjykimi (Fjalë kyçe: shkak ligjor, padi detyrimi, radhë preferimi e kreditorëve)

 

vendimin nr.00-2023-5049(715), datë 06.12.2023, KCGJL vlerëson se pretendimet e palës paditëse për regjistrim në hipotekë dhe përcaktimin e radhës së preferimit të kreditorëve, nuk mund të shqyrtohen dhe zgjidhen me padi për kundërshtim veprimesh përmbarimore. Gjykata ka për detyrë që të identifikojë dhe të zgjidhë konfliktin objekt gjykimi, duke iu përmbajtur shkakut ligjor të kërkesëpadisë, pra të drejtës subjektive që paditësi pretendon se i është cenuar, pa u lidhur vetëm me dispozitën ligjore që paditësi i referohet në atë që njihet si “baza ligjore” e padisë.

 

4. Kompetenca tokësore në çështjet për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit (Fjalë kyçe: titull ekzekutiv, kompetencë tokësore, gjykim gracioz)

 

vendimin nr.00-2023-5091, datë 13.12.2023, KCGJL vlerëson se në gjykimin me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, për shkak të natyrës së posaçme të tij si një gjykim i cili zhvillohet në dhomë këshillimi mbi bazë dokumentesh, bëhet pothuajse e pamundur që të vihet në diskutim nga gjykata çështja e kompetencës tokësore, pasi nuk ka një palë kundërshtare që të ngrejë prapësimin e mungesës së kompetencës tokësore të gjykatës para të cilës është paraqitur kërkesa. Nga ana tjetër pala kërkuese prezumohet se e ka shprehur vullnetin se kush gjykatë do e gjykojë kërkesën për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, në momentin e paraqitjes së saj para gjykatës respektive.

 

5. Detyrimi i respektimit të parimit të kontradiktoritetit dhe të barazisë së armëve (Fjalë kyçe: ndërgjyqësi e gabuar, parimi i kontradiktoritetit në gjykim, parimi i barazisë së armëve)

 

vendimin nr.00-2023-5304(737), datë 13.12.2023, KCGJL vëren se në rastin objekt shqyrtimi, kur personi i tretë ka ndërruar jetë para dhënies së vendimit të gjykatës, në referim të nenit 199 të KPC, gjykata kryen kalimin procedural kur njëra nga palët vdes dhe çështja vazhdon nga ose kundër trashëgimtarëve të saj. KCGL vlerëson se moskrijimi i drejtë i ndërgjyqësisë cilësohet si shkelje e standardeve për një proces të rregullt ligjor dhe është analizuar në drejtim të shkeljes së parimit të kontradiktoritetit në gjykim, si edhe në atë të barazisë së armëve.

 

6. Kompetenca për gjykimin e mosmarrëveshjes me kërkime të përziera civile dhe administrative (Fjalë kyçe: kompetencë lëndore, pension pleqërie, mosmarrëveshje civile, mosmarrëveshje administrative, kërkime të përziera, veçim kërkimesh)

 

vendimin nr.00-2023-5574(769), datë 20.12.2023, KCGJL thekson se në rastin e mosmarrëveshjeve që kundërshtohet në mënyrë direkte veprimtaria administrative e organit publik, në funksion të lidhjes së pensionit, mes kërkuesit dhe organeve të sigurimeve shoqërore për plotësimin ose jo të kushteve për përfitimin e të drejtës së pensionit, kompetente për nga pikëpamja lëndore për gjykimin e mosmarrëveshjes do jenë gjykatat administrative. Kur në objektin e gjykimit ka disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative dhe këto kërkime janë një bashkim i thjeshtë i tyre, atëherë referuar neneve 61 dhe 159 të KPC dhe neneve 13 e 23 të ligjit nr. 49/2012, gjykata duhet të veçojë kërkimet që nuk janë në kompetencën e saj lëndore, duke ja kaluar ato gjykatës kompetente.

 

7. Legjitimiteti procedural në regjistrimin e ndryshimeve statutore të partisë politike (Fjalë kyçe: parti politike, subjekt juridik, organ drejtues, legjitimitet procedural)

 

vendimin nr.00-2023-5377(786), datë 27.12.2023, KCGJL shprehet se gjykata në shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e ndryshimeve statutore, si dhe akteve të miratuara nga organet e partisë politike, fillimisht vlerëson nëse kërkesa plotëson parakushtet e saj procedurale, duke identifikuar nëse kërkesa është paraqitur nga organi që përfaqëson subjektin juridik, në këtë rast partinë politike dhe më pas vijon me shqyrtimin e çështjes. Kolegji vlerëson se gjykata e apelit duhej t’i jepte përgjigje çështjes nëse pala që ka paraqitur ankimin ka legjitimitet procedural por edhe substancial që të kundërshtojë një vendim gjyqësor me natyrë deklarative, i cili ka dalë nga një gjykim, në të cilin, nuk ka qenë palë pjesëmarrëse në pozicionin e personit të tretë ose palës së interesuar. KCGJL çmon se gjykata e apelit duhet të përcaktojë se kush është organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët subjektin juridik PDSH.

 

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

 

1. Kriteret e përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor (Fjalë kyçe: përsëritje shqyrtimi gjyqësor, provë e re, gjykim i shkurtuar)

vendimin nr.00-2023-2007(331), datë 05.12.2023, KPGJL çmon se, vlerësimi i kërkesës për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor nga gjykata e apelit, në rast të deklarimit të pafajshëm të të pandehurit gjatë gjykimit në shkallë të parë, duhet bërë nisur nga kriteri se cila provë nga ato që parashikon KPP është e nevojshme të merret gjatë përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor, që nuk është marrë gjatë gjykimit në shkallë të parë e që duke u vlerësuar me të tjerat ndryshon vlerësimin ndaj të provuarit të akuzës përtej çdo dyshimi të arsyeshëm duke respektuar pozitën procedurale të të pandehurit. Parashikimit i këtij neni (paragrafi 4 i nenit 427 të KPC), është i zbatueshëm jo vetëm në rastin e shqyrtimit në apel të një çështje penale të përfunduar me vendim pafajësie përgjatë gjykimit zakonshëm, por edhe në rastin e procedimit me ritin e gjykimit të shkurtuar.. Procedura e gjykimit të shkurtuar nuk e pengon gjykatën e apelit në zbatimin e kësaj garancie për të pandehurin pasi prevalon garancia për dhënien e një vendimi fajësie mbi prova të shqyrtuara sipas parimit të marrjes së provës në mënyrë të drejtpërdrejtë nga gjykatat.

2. Kriteret për cilësimin juridik të veprës “Trafikimi i të miturve” (Fjalë kyçe: trafikim i të miturve, elementet e cilësimit të veprës)

vendimin nr.00-2023-2015(340), datë 07.12.2023, KPGJL përcaktoi se arsyetimi i vendimit, si kusht i domosdoshëm për vlefshmërinë e vendimit penal, nuk plotësohet kur gjykata riprodhon mekanikisht përmbajtjen tërësore (fjalë për fjalë) të provave, ashtu siç i janë referuar nga prokuroria në kërkesën për gjykim, apo si i ka konstatuar gjatë gjykimit, ashtu edhe kur ai nuk i përmend fare provat që merr për bazë në dhënien e vendimit (përfshirë edhe argumentin pse nuk i pranon provat e kundërta). Kolegji vëren se shtimi artificial i volumit fizik të një vendimi gjyqësor penal, me riprodhimin tërësor të çdo akti apo prove që ndodhet në fashikullin e gjykimit, nuk e bën vendimin më të mirë apo më të arsyetuar, madje përkundrazi mund të prodhojë efektin e kundërt që e bën vendimin gjyqësor më të vështirë për tu kuptuar. Kjo paraqitet me rëndësi, pasi vendimi i gjykatës nuk i drejtohet vetëm profesionistëve të së drejtës, por palëve, nga të cilat i pandehuri shpesh herë është person që nuk ka formim të mjaftueshëm juridik. Vendimi gjyqësor duhet të jetë i qartë dhe i kuptueshëm dhe siç parashikon neni 383(1)(ç) i KPP të përmbajë “[...] parashtrimin e përmbledhur të rrethanave të faktit dhe provat mbi të cilat bazohet vendimi, si dhe arsyet për të cilat gjykata i quan të papranueshme provat e kundërta.”.  Parashikimi kushtetues se kushdo ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet përmbledh në vetvete dy koncepte themelore, dëgjimin e palëve dhe  gjykimin e çështjes. Të gjykosh do të thotë të vlerësosh faktet, të thuash çfarë përfundimi faktik rrjedh prej provave të pranuara në proces dhe pasi të bësh këtë, ti mbivendosësh faktit të konstatuar, kuptimin e ligjit të zbatueshëm, për të evidentuar nëse fakti në fjalë futet apo jo në elementët e veprës penale që parashikon KP. Arsyetimi në këtë drejtim, është conditio sine qua non, për vlefshmërinë e vendimit gjyqësor.

3. Garantimi i të drejtave procedurale në procesin penal kur gjen zbatim amnistia (Fjalë kyçe: padi civile në procesin penal, amnisti, pushim i gjykimit)

vendimin nr.00-2023-2037(333), datë 07.12.2023, KPGJL arsyeton se pushimi i çështjes në gjykatën e apelit si pasojë e “amnistisë”, pa u shprehur mbi bazueshmërinë e vendimit të gjykatës së shkallës së parë që e ka deklaruar të pafajshëm të akuzuarin dhe ka rrëzuar padinë civile, cenon dhe rëndon të drejtat e tij procedurale. Gjykatat duhet të shprehen mbi vërtetësisë/provueshmërisë e akuzës së ngritur ndaj të akuzuarit dhe nëse shqyrtimi gjyqësor do të konfirmojë akuzën ndaj të akuzuarit, atëherë gjykata duhet të vendosë pushimin e çështjes, në zbatim të dispozitave të ligjit “Për dhënie amnistie”. Në të kundërt, nëse provohet pafajësia e të akuzuarit, ky i fundit duhet të shpallet i pafajshëm.. Në një rast të tillë, padia civile e ngritur ndaj tij mbetet e pashqyrtuar në themelin e saj, ndërkohë që në rastin konkret kjo padi është rrëzuar në themel nga gjykata e shkallës së parë.

4. Momenti i lindjes së përgjegjësisë së funksionarit për mbledhjen e taksave dhe tatimeve (Fjalë kyçe: përgjegjëgjësi  e funksionarit shtetëror, lindje e detyrimit fiskal, )

vendimin nr.00-2023-2116(345), datë 12.12.2023, KPGJL arsyeton se rregullsia e veprimit/mosveprimit të funksionarit shtetëror të ngarkuar për mbledhjen e taksave dhe tatimeve brenda afatit ligjor, vlerësohet duke u bazuar në faktin nëse është formalizuar detyrimi fiskal. Pas këtij momenti lind detyrimi ligjor i funksionarit që të ndërmarrë të gjitha veprimet e parashikuara ligjore, në funksion të mbledhjes së detyrimit. Nuk mund të ketë përgjegjësi penale  për veprën “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore” për mosvjeljen e një detyrimi fiskal që nuk ka lindur akoma, apo minimalisht që nuk ka ekzistuar në kohë, përpara veprimeve apo mosveprimeve të ndërmarra nga funksionari i ngarkuar për mbledhjen e tij.

5. Vlera e deklarimeve të bashkëtëpandehurit në të njëjtën vepër penale ndaj të pandehurit të bashkakuzuar (Fjalë kyçe: deklarim i bashkëtëpandehurit, i pandehur, i bashkakuzuar, përdorim i deklarimeve të bashkëtëpandehurit)

vendimin nr.00-2023-2165(346), datë 12.12.2023, KPGJL vlerëson se në interpretim të nenit 152/3 të KPP, deklarimet e bëra nga bashkëipandehuri në të njëjtën vepër penale mund të përdoren në një proces gjyqësor ndaj të pandehurit të bashkakuzuar vetëm nëse ato vlerësohen e arsyetohen në analizë e në unitet me provat e tjera gjatë gjykimit që konfirmojnë vërtetësinë e tyre, në ndryshim nga dëshmia e cila ka në vetvete vlerë provuese pa qenë e nevojshme të plotësojë kushtin e përcaktuar në nenin 152/3. Në një vendim gjyqësor fajësia e të pandehurit nuk mund të mbështetet vetëm në deklarimet e bashkëtëpandehurit nëse nuk ka prova të tjera dhe nuk analizohet besueshmëria e këtyre deklarimeve në raport me prova të tjera me qëllim konfirmimin e vërtetësisë së tyre, sipas kërkesave të nenit 381 paragrafi ç) i KPP. Procedura e gjykimit të shkurtuar nuk mund të kompromentojë parimin e detyrueshmërisë së vlerësimit të deklarimeve të bashkëtëpandehurit në raport me provat e tjera të gjykimit.

6. Përgjegjësia penale e personit juridik (Fjalë kyçe: përgjegjësi penale e personit juridik, vepër e kryer në emër dhe dobi të personit juridik)

vendimin nr.00-2024-18(6), datë 11.01.2024, KPGJL arsyeton se përgjegjësia penale e personit juridik buron nga vepra penale e kryer nga personi fizik i cili ka vepruar në emër dhe dobi të tij. Për të konsideruar një person juridik si të fajshëm duhet që vepra penale e kryer në emër dhe dobi të tij të provohet nga ana objektive dhe subjektive. Në planin praktik, për të provuar fajësinë e personit juridik, detyra themelore e gjykatës është interpretimi i drejtë i këtyre dy kushteve në mënyrë kumulative që të përcaktohet përgjegjësia penale e personit juridik.

 

II. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë

1. Mospranim i pretendimit për cenimin e procesit të rregullt ligjor dhe të drejtës së pronës (Fjalë kyçe: proces i rregullt ligjor, e drejtë prone, shterimi mjeteve të brendshme të ankimit, mjete efektive ankimi)

 

Në çështjen Rexhepi SHPK kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 44789/07, vendim i datës 13.02.2024, për cenimin e procesit të rregullt ligjor dhe të drejtës së pronës, GJEDNJ shprehet se, kërkesa nuk është e bazuar pasi kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit. GJEDNJ shprehet se, vendimi i Gjykatës së Lartë për mospranimin e rekursit të kërkuesit pa dhënë arsyetim të detajuar, nuk përbën shkak për shkelje të nenit 6 të KEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-231678

 

III. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë

 

Në datat 27 - 30 mars 2024 anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese zhvilluan një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takuan me përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë në Washington D.C. Delegacioni shqiptar u shoqërua nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në SHBA z. Ervin Bushati. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/vizite-e-delegacionit-shqiptar-nga-gjykata-e-larte-dhe-ajo-kushtetuese-ne-shtetet-e-bashkuara-te-amerikes-27-30-mars-2024 

 

Në 30 mars 2024 Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dha një intervistë për emisionin “Ditari” në Zërin e Amerikës.  Z. Sadushi theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi dhe u shpreh se efektet e saj kanë nisur dhe pritet të jenë edhe më të dukshme në vijim. https://www.linkedin.com/events/intervist-ekryetaritt-gjykat-ss7179881661549998080/ 

 

Në 5 prill 2024, në kuadër të iniciativës “Ditë e hapur në Gjykatë”, Gjykata e Lartë u vizitua nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, anëtarë të klubit “Elita Studentore”, të cilët u njohën me historikun e institucionit ndër vite, organizimin dhe funksionimin aktual të saj, si dhe patën mundësinë që të zhvillonin një gjyq simulues. https://gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/opendaygjykata/studente-te-fakultetit-te-drejtesise-se-universitetit-te-tiranes-anetare-te-klubit-%22elita-studentore%22-ne-bashkepunim-me-gjykaten-e-larte-organizuan-nje-praktike-mesimore-ne-ambientet-e-gjykates./ 

 

IV. Statistika

 

Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë gjatë periudhës janar - mars 2024

 

Kolegji Administrativ -  619 vendime.

Kolegji Civil -   687 vendime. 

Kolegji Penal - 525 vendime.

 

Në total gjatë tremujorit të parë të vitit 2024 janë dhënë 1831 vendime gjyqësore.

 

Mbeten për shqyrtim 22 454 çështje gjyqësore. 

 

V. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

 

Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun:  https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/rregullat-e-reja 

 

VI. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e Hapur/Open court)

 

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/akreditimi/ 

 

Kontakto:

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.