Buletini periodik nr. 1/2024

I. Jurisprudencë e përzgjedhur

 

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

 

1. Gjykata kompetente për paditë civile kur veçohen nga procesi penal (Fjalë kyçe: Padi civile në procesin penal, gjykatë kompetente)

 

vendimin nr.00-2023-4405, datë 30.10.2023, për shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror, KAGJL vlerëson se pavarësisht llojit të vendimmarrjes në shqyrtim themeli apo parashtrim kompetence, vendimet e Gjykatës së Lartë që përcaktojnë gjykatën kompetente për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje janë të detyrueshme për t`u zbatuar nga gjykata pritëse. Për paditë civile në procesin penal, si rregull, kompetente është gjykata penale. Në rastin kur vendimi penal prishet dhe kthehet për rigjykim vetëm për pjesën civile, kompetente është gjykata civile.

 

2. Gjykata kompetente për korrigjimin e të dhënave të AMTP dhe pavërtetësinë e dokumentit (Fjalë kyçe: Gjykatë kompetente, AMTP, korrigjim i AMTP, kriter formal, kriter substancial)

 

vendimin nr.00-2023-4462, datë 01.11.2023, KAGJL çmon se, kur përpara gjykatës shtrohet për shqyrtim korrigjimi i të dhënave të AMTP dhe pavërtetësia e dokumentit, kompetente për gjykimin e çështjes është gjykata administrative. Kur kriteri formal i kërkesëpadisë nuk dallohet qartë, është kriteri substancial i saj që shërben për të përcaktuar gjykatën kompetente nga ana lëndore. Kur kundërshtohet drejtpërdrejt veprimtaria administrative e organit publik për mënyrën e plotësimit të aktit, kompetente nga ana lëndore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është gjykata administrative.

 

3. Ligjshmëria e aktit normativ nënligjor për miratimin e tarifave të reja të ujit (Fjalë kyçe: Pavlefshmëri e aktit normativ nënligjor, furnizim me ujë, kompetencë ekskluzive)

 

vendimin nr.00-2023-5640(435), datë 11.12.2023, për konstatimin e pavlefshmërisë së akteve administrative të miratimit të rritjes së çmimit të furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura, KAGJL çmon se vendimmarrja për ndryshimin e nivelit të tarifave të ujit është kompetencë ekskluzive e Entit Rregullator të Ujit. Dhënia e mendimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë bëhet për shkak se shërbim publik i furnizimit me ujë është nën përgjegjësinë e njësive të vetëqeverisjes vendore. Pretendimet e ngritura nga paditësi nuk parashtrojnë argumente për pavlefshmërinë e aktit normativ nënligjor. 

 

4. Gjykata kompetente për shqyrtimin e padive me kërkime të përziera administrative dhe civile (Fjalë kyçe: Gjykatë kompetente, kërkime të përziera, dëm jashtëkontraktor)

 

vendimin nr.00-2023-5050, datë 12.12.2023, për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, KAGJL çmon se kur përpara gjykatës shtrohet për gjykim një padi me kërkime të përziera, e ku të paditur janë organi publik dhe subjektet private, gjykata civile duhet të shqyrtojë kërkimet me natyrë civile, ndërsa gjykata administrative kërkimet me natyrë administrative. Kur shqyrtimi i përbashkët i kërkimeve shkakton vështirësi në zhvillimin e gjykimit, gjykata e shkallës së parë veçon kërkimet që nuk janë në kompetencën e saj lëndore, duke ia kaluar ato gjykatës kompetente.

 

5. Rivendosja në afat zbatohet për afatet procedurale, jo për afatet materiale të ngritjes së padisë (Fjalë kyçe: Rivendosje në afat, afat procedural, afat material, kundërshtim veprimesh përmbarimore, padi që nuk mund të ngrihet)

 

vendimin nr.00-2024-17(4), datë 11.01.2024, për rivendosjen në afat, KAGJL vlerëson se instituti i rivendosjes në afat që përcakton neni 151 i KPC, shërben për rivendosjen e afateve procedurale dhe jo të afateve materiale për paraqitjen e padisë në gjykatë, për të cilat gjejnë zbatim pezullimi dhe ndërprerja e afateve të parashkrimit sipas KC. Zakonisht, afatet procedurale janë afatet që nisin të zbatohen pas paraqitjes së padisë në gjykatë.

 

6. Mbrojtja e pronës nga organi shtetëror përmes ushtrimit të pushtetit administrativ (Fjalë kyçe: Pronë publike, policia bashkiake, lirim dhe dorëzim sendi, posedues i paligjshëm, pushtet shtetëror, interes publik, pushtet administrativ)

 

vendimin nr.00-2024-319(12), datë 11.01.2024, për anulimin e aktit administrativ dhe pushimin e cenimit, KAGJL çmon se në zbatim të ligjit organik për policinë bashkiake, bashkitë si njësi të vetëqeverisjes vendore mund të përdorin policinë bashkiake për të mbrojtur pronat e tyre dhe për t`i liruar ato nga poseduesit e paligjshëm, pa pasur nevojën që t`i drejtohen më parë gjykatës. Ushtrimi i pushtetit administrativ, si pjesë e pushtetit shtetëror, legjitimon organin publik që të ushtrojë të drejtat e tij, t`i mbrojë ato dhe interesin publik, pa ndërmjetësinë e gjykatës.

 

7. Ligjshmëria e aktit të moskonfirmimit në detyrë të nëpunësit civil dhe lirimit të tij nga shërbimi civil (Fjalë kyçe: Shërbim civil, nëpunës civil, lirim nga shërbimi civil, largim nga shërbimi civil, moskonfirmim i nëpunësit civil, vlerësim i rezultateve në punë)

 

vendimin nr.00-2024-160(18), datë 16.01.2024, KAGJL çmon se, përfundimi i marrëdhënies së shërbimit civil mund të vijë për shkak të lirimit ose largimit të nëpunësit civil. Lirimi i nëpunësi nga shërbimi civil bëhet për shkaqe të parashikuara shprehimisht në ligj, të ndryshme nga shkeljet disiplinore për të cilat gjen zbatim largimi nga shërbimi civil. Kur lirimi nga shërbimi civil vjen për shkak të moskonfirmimit të nëpunësit në detyrë, gjykata kompetente duhet të hetojë dhe identifikojë shkakun e moskonfirmimit të nëpunësit civil. Kështu, gjykata duhet të vlerësojë proporcionalitetin e ndërprerjes së marrëdhënies në shërbimin civil, në raport me vlerësimet e rezultateve në punë të nëpunësit civil.

 

8. Mosmarrëveshjet administrative për fitimin e të drejtës për peshkim dhe procedurat administrative me faza (Fjalë kyçe: Procedurë administrative me faza, konkurrim publik, lidhje kontrate, kontratë administrative)

 

vendimin nr.00-2024-191(24), datë 18.01.2024, KAGJL vëren se ligji organik për peshkimin përcakton se e drejta për peshkim në ujërat e brendshme territoriale fitohet përmes konkurrimit publik, që zhvillohet në dy faza, (1) procedurën e konkurrimit për individualizimin dhe zgjedhjen e konkurrentit deri në shpalljen e fituesit dhe (2) lidhjen e kontratës me fituesin, pas shpalljes si i tillë. Kur konflikti gjyqësor përkon me fazën e parë të procedurës administrative të konkurrimit publik, atëherë nuk ndodhemi përpara një kontrate administrative. Procedura e konkurrimit, si një procedurë administrative më vete, është e dallueshme nga faza e dytë e lidhjes së kontratës administrative dhe kontrolli gjyqësor mbi fazën e parë nuk barazohet me kontrollin gjyqësor mbi kontratën administrative.

 

9. Dallimet mes mbarimit të mandatit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe përfundimit të statusit si magjistrat (Fjalë kyçe: Gjyqtar i Gjykatës së Lartë, magjistrat, mbarim mandati, përfundim i statusit si magjistrat)

 

vendimin nr.00-2024-190(23), datë 18.01.2024, për shfuqizimin e vendimeve të KLGJ, KAGJL vlerëson se termi mandat sipas nenit 179, pika 4, të Kushtetutës nuk ka të bëjë me afatin e ushtrimit të detyrës së anëtarit në Gjykatën e Lartë, pasi edhe pas ndryshimeve kushtetuese ai mbeti 9 vjeçar, por me mundësinë apo jo të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë për të qëndruar në detyrë mbi mandatin 9 vjeçar, deri në ardhjen e gjyqtarit zëvendësues (zgjatimin e mandatit). Përfundimi i mandatit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë nuk mund të barazvlerësohet me përfundimin e statusit si magjistrat, pasi këto institute janë të ndryshme. Përfundimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nuk sjell automatikisht/natyralisht mbarimin e statusit të magjistratit. KAGJL vlerëson se statusi i magjistratit për paditëset ka përfunduar për shkak të vullnetit të tyre, fillimisht të shfaqur me veprime konkludente me dorëzimin e detyrës dhe nisjen e aktivitetit privat, e së dyti përmes mosinteresimit të tyre as pranë ish-KLD dhe as pranë KLGJ për t`u caktuar si gjyqtare në apel, e rikonfirmuar kjo me përgjigjet refuzuese të paditëseve në vitin 2019 ndaj KLGJ. 

 

10. Gjykata kompetente për shqyrtimin e padive me kërkime të përziera për kundërshtimin e veprimeve administrative të regjistrimit të pronës dhe pavleshmërinë e veprimeve juridiko-civile (Fjalë kyçe: Gjykim administrativ, gjykim civil, gjykatë kompetente, kërkime të përziera, regjistrim prone,)

 

vendimin nr.00-2023-194, datë 25.01.2024, KAGJL çmon se kërkimet e ngritura në kërkesëpadi nga paditësi janë të përziera, të natyrës administrative dhe civile, e për rrjedhojë në zbatim të vendimit njësues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ato duhet të veçohen. Pretendimet me natyrë civile për pavlefshmërinë e kontratës së dhurimit dhe lirimin e dorëzimin e sendit janë në kompetencë të gjykatës civile, ndërsa ato për pavlefshmërinë e regjistrimit të pronës, si dhe çregjistrimin e saj, që janë të natyrës administrative, i përkasin për shqyrtim gjykatës administrative. 

 

 

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

 

1. Parashkrimi i dënimeve të huaja (Fjalë kyçe: Parashkrim dënimi, dënim i huaj, konvertim dënimi, masë dënimi, gjykatë e huaj)

vendimin nr.00-2023-1397(236), date 14.09.2023, KPGJL rithekson se për efekt të parashkrimit të dënimit, gjykatat duhet t'i referohen sanksionit të vendosur si dënim nga gjykata e huaj në vendimin e saj të formës së prerë/të parevokueshëm/res judicata, por jo pjesës së mbetur pa vuajtur të dënimit të caktuar. Gjykatat në konvertimin e dënimit nuk mund të kalojnë kufirin maksimal të parashikuar për të njëjtin fakt nga ligji shqiptar.

 

2. Gjykata kompetente kur vendimi i dënimit nuk është vënë në ekzekutim asnjëherë (Fjalë kyçe: Gjykatë kompetente, vendim dënimi i pa ekzekutuar)

 

vendimin nr.00-2023-1670, datë 26.10.2023KPGJL vendosi se gjykatë kompetente për shqyrtimin e kërkesave, kur vendimi i dënimit nuk është vënë në ekzekutim asnjëherë, do të jetë gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin.

 

3. Gjykata kompetente për të vendosur për sendet e sekuestruara (Fjalë kyçe: Gjykatë kompetente, sende të sekuestruara)

 

vendimin nr.00-2023-1533, datë 03.10.2023, KPGJL konstaton se gjykata që ka dhënë vendimin e pushimit të çështjes për personin nën hetim ka kompetencën lëndore për t’u shprehur edhe në lidhje me sendet e sekuestruara. Nëse vepra penale që akuzohet personi nën hetim do të kishte ndryshuar kompetencën lëndore, atëherë do të ishim në kushte të tjera dhe çështja do duhet t’i ishte dërguar gjykatës kompetente.

 

4. Dallimi në përmbajtje i “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” (Fjalë kyçe: Kultivim i bimëve narkotike, prodhim dhe shitje e narkotikëve)

 

vendimin nr.00-2023-1620(269), datë. 12.10.2023KPGJL thekson se objekti i figurave të veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” specifikohet në bazë të përmbajtjes së tyre dhe vlerëson se këto dy vepra penale veprojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra dhe konkurrojnë ndërmjet tyre. Figura e veprës penale të parë quhet e konsumuar nga ana objektive nëpërmjet veprimeve që kryhen nga subjekti i veprës penale që nga momenti i mbjelljes së bimës narkotike deri në momentin e korrjes/shkëputjes së bimës nga toka, ndërsa “mbajtja” e bimës narkotike në çdo formë tjetër, pasi është korrur/shkëputur bima nga toka përbën figurën e veprës penale të dytë.

 

5. Ndryshim/përcaktim i cilësimit juridik të veprës penale (Fjalë kyçe: Vrasje me dashje, tronditje e fortë psikike, afekti psikologjik)

 

vendimin nr.00-2023-1655(277), datë 17.10.2023KPGJL arsyeton se cilësimi juridik i veprës penale “Vrasje me dashje” dhe “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, kanë të përbashkët faktin se që të dyja kryhen me dashje. Lidhur me verifikimin e “afektit psikologjik” në veprën penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, konkludohet se tronditja psikike është afekt fiziologjik shumë i fortë që lind në mënyrë të menjëhershme, të rrufeshme, si pasojë e shkakut provokues, zgjat pak çaste dhe më pas kalon. Gjatë kohëzgjatjes së kësaj gjendjeje, personi nuk ka kontrollin e plotë të veprimeve të tij. Në rastin kur nuk rezulton që tronditja të ketë qenë e tillë, atëherë cilësimi juridik i veprës nuk mund të jetë ai i “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.

 

6. Rishikimi i vendimit gjyqësor të formës së prerë (Fjalë kyçe: Rishikim i vendimit të formës së prerë)

 

vendimin nr.00-2023-1717(282), datë 31.10.2023, KPGJL arsyeton se në gjykimin në apel të kërkesës për rishikim, gjykata nuk mund të tejkalojë përcaktimet e normave ligjore që rregullojnë gjykimin e këtij rasti dhe as të vlerësojë kontrollin e ligjshmërisë së vendimeve të mëparshme, në aspektin e vlerësimit të provave të shqyrtuara në këto gjykime, si dhe për sa i përket cilësimit juridik të veprave dhe caktimit të dënimit, por duhet të respektojë në mënyrë rigoroze vetëm marrjen e provës që ka vënë në lëvizje procesin duke e vlerësuar atë në unitet me provat që janë shqyrtuara në proceset e gjykimeve të mëparshme. Sa i përket zbatimit të ligjit penal favorizues me fuqi prapavepruese në këtë rast, do të zbatohet vetëm si përjashtim, kur ligji i ri nuk e konsideron më si vepër penale.

 

7. Rishqyrtimi gjyqësor në funksion të rimarrjes së provave deklaruese (Fjalë kyçe: Rishqyrtim gjyqësor, prova deklaruese, besueshmëri në prova)

 

vendimin nr.00-2023-1735(285), datë 31.10.2023, KPGJL thekson se rishqyrtimi gjyqësor në apel, në funksion të rimarrjes se provave të karakterit deklarues, mbi bazën e të cilave është vendosur pafajësia e të pandehurit në përfundim të gjykimit të shkurtuar në shkallë të parë, konsiderohet absolutisht i domosdoshëm në kushtet kur dyshimi lidhur me besueshmërinë e tyre, si në gjykimin e zakonshëm, ashtu edhe në gjykimin e shkurtuar mund të tejkalohet vetëm nëpërmjet aplikimit të marrjes së provës, në mënyrë të drejtpërdrejtë në prezencë të kontradiktoritetit të palëve para një gjykate të paanshme.

 

8. Caktimi i masës mjekësore ndaj personit të papërgjegjshëm – Vendim njësues (Fjalë kyçe: Caktim mase mjekësore, person i papërgjegjshëm, vepër penale, mosfillim procedimi penal, kompetencë)

 

vendimin njësues nr.00–2023–2241(312), datë 16.11.2023, KPGJL njëson praktikën: Kur dyshohet se vepra penale, është kryer nga një person që dyshohet të jetë i papërgjegjshëm, prokuroria nuk vendos mosfillimin e procedimit penal, pa regjistruar këtë procedim, por kryen hetime të mëtejshme.

Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për kundërvajtje penale, prokurori, bazuar në nenin 328, pika 1, shkronja “ç”, të KPP, vendos pushimin e çështjes penale për personin e papërgjegjshëm, të cilit i atribuohet vepra penale, kur rezulton se ndaj tij nuk duhet të caktohet masë mjekësore, sipas nenit 46 të KP.

Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për krime, prokurori, bazuar në nenin 328, pika 1, shkronja “ç” të KPP, i kërkon gjykatës (gjyqtarit të seancës paraprake) pushimin e çështjes penale për personin e papërgjegjshëm, të cilit i atribuohet vepra penale, kur rezulton se ndaj tij nuk duhet të caktohet masë mjekësore, sipas nenit 46 të KP.

Në përfundim të hetimeve paraprake, si në rastin kur procedohet për kundërvajtje penale, ashtu edhe në rastin kur procedohet për krime, ndaj personit të papërgjegjshëm që i atribuohet vepra penale dhe kur ndaj të cilit duhet të caktohet masë mjekësore, sipas nenit 46 të KP, prokurori i kërkon gjykatës (gjyqtarit të seancës paraprake) dërgimin e çështjes në gjyq për caktimin e masës mjekësore.

Gjyqtari i seancës paraprake, kur çmon se hetimet paraprake janë të plota, bazuar në nenin 332/dh, shkronja “a” të KPP, vendos pranimin e kërkesës së prokurorit dhe dërgimin e çështjes në gjyq për caktimin e masës mjekësore ndaj personit të papërgjegjshëm që i atribuohet vepra penale, sipas nenit 46 të KP.

Gjykata kompetente për caktimin e masave mjekësore, sipas nenit 46 të KP dhe nenit 46 të KPP, është gjykata që gjykon çështjen në themel.

Gjykata që shqyrton çështjen në themel, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, disponon me pushimin e çështjes penale, duke u bazuar në nenet  387, pika 1 dhe 328, pika 1, shkronja  “ç” të KPP dhe caktimin e masës mjekësore ndaj personit të papërgjegjshëm që i atribuohet vepra penale, sipas nenit 46 të KP, kur vërtetohen: 1. ekzistenca e faktit penal; 2. kryerja e tij nga ky person; 3. papërgjegjshmëria e këtij personi në kohën e kryerjes së veprës penale; 4. rrezikshmëria shoqërore e personit të papërgjegjshëm.

 

9 Cilësimi i faktit të përdorimit vetjak të lëndës narkotike (Fjalë kyçe: Lëndë narkotike, përdorim vetjak)

vendimin nr.00-2023-2236(311), datë 16.11.2023, KPGJL rithekson se dhënia e pafajësisë të të pandehurit në lidhje me veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, duke u mbështetur vetëm në deklarimet e të pandehurit dhe në informacionin e marrë në rrugë operative se ai është përdorues i lëndës narkotike është i gabuar. Në çdo rast duhet marrë në konsideratë dhe të vlerësohet jo vetëm sasia e lëndës, por edhe elemente po aq të vlefshëm, siç janë sasia e përbërësit aktiv të pranishëm në dozë, frekuenca mesatare e përditshme e marrjes së lëndës, në disa raste edhe metodat e paketimit dhe metoda e fraksionimit të saj, ku gjithmonë dhe në çdo rast, duhet të mbahet në konsideratë konteksti/rrethanat personale dhe faktike të çështjes konkrete.

10 Kompetenca lëndore për shqyrtimin e kërkesës masë shtrënguese & ekstradim (Fjalë kyçe: Kompetencë, kërkesë për ekstradim, kërkesë për masë shtrënguese)

vendimin nr.00-2023-1938, datë 16.11.2023, KPGJL thekson se kompetenca për të vendosur në lidhje me masat shtrënguese i përket gjykatës së rrethit ose asaj të apelit, në varësi të faktit se në cilën gjykatë ndodhen aktet në lidhje me kërkesën për ekstradim. Kontestimi në lidhje me ligjshmërinë e kësaj mase bëhet në çdo moment të ecurisë së procedimit të ekstradimit dhe në çdo fazë gjykimi.

11. Vazhdimi i ekzekutimit të dënimit të dhënë nga autoritetet e huaja (Fjalë kyçe:Vendim i huaj, marrëveshje dypalëshe, ekzekutim dënimi)

vendimin nr.00-2023-1937(306), datë 16.11.2023, KPGJL thekson se për sa i përket marrëdhënieve juridiksionale me Republikën e Italisë, marrëveshja dypalëshe ka përcaktuar taksativisht se për ekzekutimin e vendimeve zbatohet vazhdimi i ekzekutimit të dënimit të dhënë nga ana e autoriteteve gjyqësore italiane. Në lidhje me mënyrën e caktimit të dënimit, në marrëveshjen dypalëshe mes shtetit shqiptar dhe atij italian, është përcaktuar se ekzekutimi i vendimeve do të bëhet nëpërmjet ekzekutimit të dënimit menjëherë ose nëpërmjet një vendimi gjykate ose administrativ, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 10 të Konventës.

12. Efektet e rehabilitimit në vlerësimin e sjelljes së të pandehurit (Fjalë kyçe: Dënim plotësues, shuarje mase arresti, precedent penal, gjykim me shpejtësi, afat i arsyeshëm, krim zgjedhor)

vendimin nr.00-2023-1935(320), datë 21.11.2023, KPGJL mban qëndrimin se rehabilitimi shuan dënimet plotësuese dhe çdo efekt penal të dënimit, por nuk përjashton vlerësimin e precedentëve penalë dhe gjyqësore të të rehabilituarit, duke qenë se bëhet fjalë për fakte të cilat gjyqtari duhet t’i mbajë në konsideratë, në vlerësimin e sjelljes në të kaluarën të të pandehurit, në funksion të caktimit të dënimit. Shqyrtimi i kërkesave për zëvendësim të masës së sigurimit “Arrest me burg” duhet të bëhet nga gjykatat brenda 5 ditëve nga paraqitja e saj edhe pse ligji nuk parashikon si rast i shuarjes së masës së sigurimit, rasti kur gjykata nuk shqyrton kërkesën për revokimin, zëvendësimin e masës së sigurimit personal.

 

13. Detyrimi për arsyetimin e vendimit për vijimin e hetimeve nga gjyqtari i seancës paraprake (Fjalë kyçe: Arsyetim vendimi, gjyqtari i seancës paraprake, vijimi hetimeve)

vendimin nr.00-2023-2010(330), datë 05.12.2023, KPGJL arsyeton se gjyqtari i seancës paraprake ka detyrë të verifikojë nëse çështja është gati për gjykim, nëse hetimet janë të plota dhe akuza është ngritur drejt. Pushimi i akuzës apo çështjes në seancë paraprake vendoset vetëm kur dukshëm mungojnë elemente të përgjegjësisë penale të të pandehurit dhe jo kur kjo mund të rezultojë vetëm pas shqyrtimit gjyqësor dhe debatit të provave. Ai ka detyrimin ta arsyetojë vendimin lidhur me vijimin e hetimeve kur vlerëson se ka vend për hetime të mëtejshme dhe duhet domosdoshmërisht që në dispozitiv të shprehet për kthimin e akteve për vazhdimin e hetimeve.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

 

1. Pezullimi i ekzekutimit të vendimit nga Gjykata e Lartë nuk sjell shuarjen e të drejtës për të kërkuar kamatëvonesat (Fjalë kyçe: Kamatë, ekzekutim me vonesë, debitor, vendim i formës së prerë, vendim pezullimi, kreditor)

vendimin nr.00-2023-4986(526), datë 20.09.2023, për pagimin e kamatave për ekzekutimin me vonesë, KCGJL shprehet se debitori konsiderohet në vonesë për ekzekutimin e detyrimit nga data e marrjes formë të prerë të vendimit. Pezullimi i ekzekutimit të vendimit nga Gjykata e Lartë sipas nenit 479 të KPC nuk sjell shuarjen e të drejtës së kreditorit për t’i kërkuar kamatëvonesat për periudhën para dhe pas dhënies së vendimit të pezullimit ose pas revokimit të këtij vendimi, përderisa vonesa e debitorit për shlyerjen e detyrimit ka filluar para se të jetë pezulluar ekzekutimi i vendimit. Një vendim pezullimi në favor të palës debitore nuk mund të rëndojë të drejtat e palës kreditore jo vetëm për ekzekutimin e detyrimit, por edhe të çdo dëmi që rrjedh nga mospërmbushja e tij në kohë.

2. Juridiksioni i gjykatës shqiptare lidhur me detyrimin për ushqim në marrëdhëniet juridike me elemente të huaj (Fjalë kyçe: Detyrim për ushqim ndaj fëmijës, marrëdhënie me element të huaj, Konventa e Hagës, juridiksion i gjykatës)

vendimin nr.00-2023-4581, datë 08.11.2023, me elemente të huaj objekt detyrimin për ushqim të një fëmije të mitur me shtetësi shqiptare, por me vendndodhje në shtetin grek, KCGJL shprehet se çështja objekt gjykimi nuk i nënshtrohet përcaktimeve të Konventës së Hagës për ta nxjerrë jashtë juridiksionit shqiptar. Në rastin konkret merren në unitet dispozitat e ligjit nr.10428/2011, vendbanimi i subjektit që do të detyrohet për përmbushjen e detyrimit, duke përcaktuar se është gjykata shqiptare që ka juridiksion lidhur me kërkimin për detyrimin për ushqim.

3. Përcaktimi i gjykatës kompetente nisur nga kriteri i vendit të ekzekutimit të detyrueshëm (Fjalë kyçe: Pavlefshmëri e titullit ekzekutiv, gjykatë kompetente, vendi i ekzekutimit të detyrueshëm)

vendimin nr.00-2023-4726(666), datë 15.11.2023për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, KCGJL vlerëson të theksojë se gjatë fazës së ekzekutimit të detyrueshëm midis palëve krijohet një marrëdhënie procedurale e ndryshme nga ajo e detyrimit. Përcaktimi i gjykatës kompetente bëhet duke u nisur nga kriteri i gjykatës së vendit të ekzekutimit, e cila në rastin konkret është gjykata ku ndodhet sendi dhe jo, ajo e caktuar nga palët në kontratën e kredisë.

 

4. Përllogaritja e shpërblimit të dëmit moral dhe ekzistencial, duke marrë parasysh pagën bruto (Fjalë kyçe: Shpërblim dëmi jokontraktor, përllogaritje e dëmit, dëm jokontraktor) 

vendimin nr.00-2023-5022(677), datë 22.11.2023, për shpërblimin e dëmit me pasojë vdekjen si rezultat i rrymës elektrike, KCGJL shprehet se dëmi i pretenduar është dëm jokontraktor sepse midis paditësit dhe palës së paditur nuk ka ekzistuar një marrëdhënie juridike pune. Lidhur me mënyrën e përllogaritjes së dëmit moral dhe ekzistencial, gjykata çmon se për efekt dëmshpërblimi merret parasysh paga bruto pasi dëmshpërblimi në lidhje me një fakt të paligjshëm konsiston në vënien e përfituesit në të njëjtat kushte që do të ishte nëse ngjarja apo ky fakti i paligjshëm nuk do të kishte ndodhur. Gjykata e apelit ka aplikuar gabim mbi bazën e përllogaritjes së pagës neto në kundërshtim me dispozitat e nenit 646 të KC dhe dispozitat e KPu, neni 109.

5.Shpërblim dhe kompensim dëmi pasuror dhe jopasuror si pasojë e vdekjes (Fjalë kyçe: Aksident në punë, përgjegjësi e përzier, rregulla të sigurimit në punë)

 

Në vendimin nr.00-2023-5025(703), datë 06.12.2023KCGJL vëren se nëpërmjet provave të paraqitura, aksidenti me pasojë vdekjen e punëmarrësit gjatë ushtrimit të detyrës, ka ndodhur edhe për fajin e punëdhënësit. Kemi të bëjmë me përgjegjësi të përzier prandaj nga ana e gjykatave të faktit duhej hetuar në mënyrë shteruese, nëse janë respektuar kushtet e rregullat që i përgjigjen profilit të punës që ushtronte punëmarrësi dhe nga ana tjetër punëdhënësi i ka marrë të gjitha masat logjistike për t’i krijuar mjedisin e përshtatshëm dhe konform akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

 

6. Konstatim i pavlefshmërisë së pjesshme të kontratës së qirasë dhe pavlefshmërisë së zgjidhjes së kontratës së qirasë (Fjale kyçe: Kontratë qiraje, kohëzgjatje e qirasë, zgjidhje kontrate para afatit) 

 

Në vendimin nr.00-2023-5245, datë 13.12.2023KCGJL ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala paditëse për konstatimin e pavlefshëm të parashikimeve të kontratës, ku palët kanë rënë dakord shprehimisht se qiramarrësi ka të drejtë të zgjidhë kontratën e qirasë para afatit, pasi ka lajmëruar me shkrim qiradhënësin 6 muaj përpara. Edhe pse ka rezultuar e provuar se kohëzgjatja e parashikuar në kontratë ka qenë relativisht e madhe krahasuar me kontratat e zakonshme të qiramarrjes, legjislatori ka parashikuar disa dispozita të veçanta për kontratat me kohëzgjatje të madhe dhe ndonëse është një kontratë e tipizuar, palët janë të lira të përcaktojnë dhe vendosin edhe kushte të kontratave atipike. Pra nuk ndodhemi përballë një klauzole që kërkon miratim të veçantë, pasi ajo nuk është hartuar nga personi në dobi të të cilit është bërë klauzola, por edhe në rast se do të ndodheshim përballë një fakti të tillë, pala paditëse e ka shprehur vullnetin duke e miratuar atë përgjithësisht së bashku me çdo klauzolë të asaj kontrate. 

 

7. Elemente të pavlefshmërisë absolute në kontratat e shitjes së pasurive të paluajtshme (Fjalë kyçe: Kontratë shitje, pjesë takuese, bashkëpronësi në tërësi, pavlefshmëri absolute, pasuri e paluajtshme, parablerje)

 

Në vendimin nr.00-2023-5569 (759) , datë 20.12.2023 KCGJL vlerëson se tjetërsimi i sendit në bashkëpronësi si një i tërë, mund të bëhet vetëm me unanimitetin e vullnetit të të gjithë bashkëpronarëve, pavarësisht nga pjesa takuese. Në dallim nga shitja e pjesës së bashkëpronarit, që mund të bëhet vetëm pasi të respektohet e drejta e parablerjes e bashkëpronarëve të tjerë (neni 204 i KC), shitja në tërësi e një sendi në bashkëpronësi, duhet bërë me pëlqimin e të gjithë bashkëpronarëve, në të kundërt veprimi në tërësinë e tij është absolutisht i pavlefshëm. Në këto kushte, Kolegji konstaton se bashkëpronari shitës ka shitur jo vetëm pjesën e tij, por edhe të bashkëpronarëve të tjerë, pasi ka bërë shitjen në tërësi të sendit të paluajtshëm.

 

8. Konstatim i pavlefshmërisë absolute të testamentit (Fjalë kyçe: Trashëgimtar, testament, pavlefshmëri absolute)

 

Në vendimin nr.00-2023-5656(758), datë 20.12.2023 KCGJL çmon se lidhur me bazueshmërinë e shkaqeve të rekursit, paditësi në cilësinë e trashëgimtarit të vetëm testamentar, i është drejtuar gjykatës për konstatimin e pavlefshmërinë absolute të testamentit nr.51, datë 25.2.2008, duke pretenduar në thelb se nuk ka qenë testatorja ajo që ka shprehur vullnetin përpara noterit publik. Kolegji vlerëson se, vetëm kërkimi i konstatimit të pavlefshmërisë absolute të një veprimi juridik, i cili në kuptim të ligjit nuk prodhon asnjë pasojë juridike, pa një padi themeli apo pa kërkuar rregullimin e pasojave, nuk mund të paraqitet si padi më vete dhe nuk mund të merret në shqyrtim nga gjykata.

 

9. Përmbushje detyrimi kontraktor kompensues (Fjalë kyçe: Kontratë shërbimi, tërheqje para afatit, kompensim detyrimi, kusht penal)

 

vendimin nr.00-2023-5660, datë 22.12.2023 KCGJL vëren se instituti i tërheqjes nga kontrata vullnetarisht nga njëra palë i sjell efektet për përfundimin e kontratës kur kompensimi i përcaktuar në kontratë është paguar nga pala që bën tërheqjen, në të kundërt kontrata vazhdon. pagesa e detyrimit tarifor për periudhën e mbetur, kur pajtimtari përfundon kontratën para kalimit të 12 muajve, përbën një kompensim të detyrimin e tij për të respektuar afatin kontraktor. Për rrjedhojë ajo nuk përbën një kusht penal, pasi nuk është vendosur për të nxitur vazhdimin e kontratës midis palëve dhe as për të shpërblyer dëmin e pësuar nga pala e dëmtuar, por është një detyrim kompensues që zëvendëson detyrimin e vazhdimit të kontratës. 

 

II. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë

 

1. Mospranim i pretendimit për cenimin e të drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm/Njohje e deklaratës së njëanshme nga shteti për dëmshpërblim për vonesa në gjykim (Fjalë kyçe: Gjykim brenda afatit të arsyeshëm, dëmshpërblim, deklaratë e njëanshme e shtetit, kërkesë e papranueshme)

 

Në çështjen Cepiku dhe Seni SHPK kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 18175/12, vendim i datës 09.11.2023, për cenimin e të drejtës për t`u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm dhe për të patur një mjet efektiv ankimi, GJEDNJ shprehet për çështjen e parë se, njohja e njëanshme e masës së dëmshpërblimit nga shteti për vonesat në gjykimin e çështjes është e mjaftueshme për të mos vijuar me shqyrtimin e saj. Sa i përket çështjes së dytë, kërkesa është e papranueshme sepse nuk përmbush kërkesat formale të pranueshmërisë sipas KEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-229502

 

2. Mospranim i pretendimit për vonesa në ekzekutimin e vendimit të formës së prerë (Fjalë kyçe: Vendim i formës së prerë, vonesa në ekzekutim)

 

Në çështjen Sulkja kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 45799/13, vendim i datës 05.12.2023, për moszbatimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, GJEDNJ vlerëson se autoritetet kanë shprehur vullnetin për zbatimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, duke e thirrur kërkuesin për nënshkrimin e kontratës. Përderisa kërkuesi ka refuzuar të nënshkruajë kontratën për kushte të tjera nga çmimi i kontratës, atëherë kërkesa e tij është e papranueshme. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-230537

 

3. Mospranim i pretendimit për cenimin e të drejtës së pronës, si dhe të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm (Fjalë kyçe: Afat i arsyeshëm, e drejta e pronës, gjykim në afat të arsyeshëm)

 

Në çështjen Gurma kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 50249/13, vendim i datës 28.11.2023, për mosgjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe cenimin e të drejtës së pronës, GJEDNJ vlerëson se kërkesa dhe pretendimet e parashtruara janë të papranueshme. Për sa i përket arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Lartë, GJEDNJ thekson se një arsyetim i kufizuar nga ana e Gjykatës së Lartë për bazueshmërinë e vendimit të gjykatës së apelit është i mjaftueshëm, ndërsa sa i takon pretendimit për gjykim brenda afatit të arsyeshëm, GJEDNJ çmon se periudha mbi tetë vite për gjykimin e çështjes në të gjitha shkallët e gjyqësorit është e arsyeshme, për sa kohë që çështja vlerësohet komplekse. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-230362

 

4. Mospranim i pretendimit për cenimin e gjykimit të drejtë i lidhur me paqëndrueshmërinë e jurisprudencës së Gjykatës së Lartë (Fjalë kyçe: Gjykim i drejtë, paqëndrueshmëri e jurisprudencës gjyqësore, vendimarrje të ndryshme, qëndrime të ndryshme e të thella për një kohë të gjatë)

 

Në çështjen Prifti kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 56288/12, vendim i datës 21.11.2023, për shkeljen e parimit të gjykimit të drejtë, për shkak të paqëndrueshmërisë së jurisprudencës së Gjykatës së Lartë, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesi nuk i ka ngritur ato para gjykatave kombëtare dhe vendimmarrjet e ndryshme të Gjykatës së Lartë nuk janë të atij lloji që të konsiderohen “qëndrime të ndryshme për një kohë të gjatë” në praktikën gjyqësore. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-229859

 

5. Cenim i të drejtës së pronës nga autoritetet shtetërore (Fjalë kyçe: E drejta e pronës, vendim i paarsyetuar, kompensim për shpronësim, kompensim i padrejtë, kompensim i paarsyetuar)

 

çështjen Osmani kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 8706/18, vendim i datës 05.12.2023, për shkeljen e të drejtës pronës dhe të parimit të arsyetimit të vendimit gjyqësor, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është bazuar sepse nga gjykatat kombëtare nuk është arsyetuar mjaftueshëm mbi shumën e kompensimit që duhet t`i jepej kërkuesit për pronën e shpronësuar për interes publik. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-229319

 

6. Cenim i të drejtës për t`u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm (Fjalë kyçe: Afat i arsyeshëm, e drejta e pronës, gjykim në afat të arsyeshëm)

 

Në çështjen Vjola SHPK dhe DE SHPK kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 18076/12, vendim i datës 30.01.2024, për shkeljen e të drejtës pronës dhe mosgjykimin e çështjes brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi gjykimi i çështjes në të gjitha shkallët gjyqësore për më tepër se 7 vjet, e veçanërisht për mbi tre vjet në Gjykatën e Lartë, cenon të drejtën për t`u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm. GJEDNJ çmon se, në rastet kur para gjykatave kërkohet sigurimi i padisë, gjykatat vendase duhet të reagojnë në mënyrë të menjëhershme dhe të mos vonojnë gjykimin, pasi kështu shkelet e drejta për t`u dëgjuar brenda një afati të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-230623

 

7. Cenim i të drejtës për të shqyrtuar administrativisht pretendimet për kthimin dhe kompensimin e pronës brenda një afati të arsyeshëm (Fjalë kyçe: Afat i arsyeshëm, e drejta e pronës, procedurë administrative në afat të arsyeshëm, procedurë administrative për kthimin dhe kompensimin e pronës)

 

Në çështjen Kokalari kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 22493/12, vendim i datës 30.01.2024, për shkeljen e të drejtës për t`u proceduar administrativisht për kompensimin e pronës brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi autoritetet shtetërore kanë mbajtur për një kohë të gjatë pa përgjigje në juridiksionin administrativ pretendimet e kërkueses për kthimin dhe kompensimin e pronës. Shkelja është evidente veçanërisht për periudhën 2012 – 2019, kur ATP u ngarkua për të zgjidhur problemin e pronave me ligjin nr. 133/2015 dhe kërkuesve nuk u është bërë me dije mundësia e depozitimit të dokumentacionit. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-230624  

 

8. Cenim i të drejtës për t`u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm (Fjalë kyçe: Afat i arsyeshëm, gjykim në afat të arsyeshëm)

 

Në çështjen Victoria SHPK kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 31018/09, vendim i datës 22.02.2024, për shkeljen e të drejtës për t`u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi gjykimi i çështjes në të gjitha shkallët gjyqësore përfshi Gjykatën Kushtetuese për mbi 10 vjet, cenon të drejtën për t`u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-231087

 

9. Cenim i të drejtës së pronës për një kohë të gjatë e të paarsyeshme (Fjalë kyçe: E drejtë e pronës, kthim i pronës, afat i pa/arsyeshëm)

 

Në çështjen Jella dhe të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 7564/07, vendim i datës 05.03.2024, për shkeljen e të drejtës së pronës dhe moszbatimin e vendimit për kthimin e pronës, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi autoritetet shtetërore kanë dështuar për një kohë të gjatë që të zbatonin vendimin e KKKP të nxjerrë në favor të kërkuesit dhe kështu nuk i kanë mundësuar atij kthimin dhe posedimin e qetë të pronës. Për më tepër, kërkesat nuk janë trajtuar as sipas ligjit nr. 133/2015.  https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-231333

 

10. Mosnjohje e vendimit të arbitrazhit dhe mosekzekutim i tij për një kohë të gjatë e të paarsyeshme (Fjalë kyçe: Vendim arbirtrazhi, mosekzekutim, mosnjohje, afat i pa/arsyeshëm)

 

Në çështjen Iliria SRL kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 31011/09, vendim i datës 05.03.2024, për mosnjohjen dhe mosekzekutimin e vendimit të arbitrazhit, GJEDNJ çmon se kërkesa është e bazuar, pasi autoritetet shtetërore nuk i kanë dhënë zgjidhje pretendimeve të kërkuesit për një kohë të gjatë prej 17 vjetësh. Kësisoj, vonesa ishte e pajustifikueshme. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-231334

11.Rrëzim i pretendimit për shkeljen e gjykimit të drejtë në procesin penal (Fjalë kyçe: Gjykim i pa/drejtë, proces penal, e drejta për t`u mbrojtur, ndihmë juridike, përfaqësues ligjor, njohje)

 

Në çështjen Leka kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 60569/09, vendim i datës 05.03.2024, për zhvillimin e një procesi penal të padrejtë, të përfunduar me burgim përjetë, GJEDNJ çmon se kërkesa është e pabazuar, pasi procedura hetimore dhe procesi gjyqësor që është zhvilluar për kërkuesin ka qenë në tërësi i drejtë. GJEDNJ nuk gjeti shkelje në lidhje me mundësinë që ka pasur kërkuesi për të marrë ndihmë juridike dhe për t`u mbrojtur, si përgjatë fazës së gjykimit ku u bë një cilësim i ri juridik i veprës penale, ashtu edhe gjatë fazës hetimore, ku ndër të tjera u zbatua procedura e njohjes si mjet për marrjen e provës. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-231335

 

III. Buletini tematik

 

Në funksion të transparencës në vendimmarrje, si dhe njohjes së praktikuesve të së drejtës me jurisprudencën e Gjykatës së Lartë, Qendra e Dokumentacionit pranë kësaj Gjykate ka filluar këtë vit përgatitjen e edhe të buletinit tematik për institute juridike specifike që trajtohen në vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë. Janë publikuar 9 buletinë tematikë që mund t`i aksesoni në linqet si vijon:

 

  1. GJEDNJ për Gjykatën e Lartë https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletini-tematik-nr.1-%22gjednj-per-gjykaten-e-larte%22/
  2. Kontroll incidental i Gjykatës së Lartë në Gjykatën Kushtetuese https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletini-tematik-nr.2-%22kontroll-incidental-i-gjykates-se-larte-ne-gjykaten-kushtetuese%22/
  3. KCGJL - Për mbrojtjen e pronësisë https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletini-tematik-nr.3-%22per-mbrojtjen-e-pronesise%22/
  4. KPGJL - Masat e sigurimit https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletini-tematik-nr.-4-masat-e-sigurimit
  5. KPGJL – Aktet, njoftimet, afatet https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletin-tematik-nr.-5-aktet-njoftimet-afatet
  6. KPGJL – Gjyqtari i seancës paraprake  https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletini-tematik-nr.-6-gjyqtari-i-seances-paraprake
  7. KCGJL – Shpërblimi i dëmit jokontraktor https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletin-tematik-nr.-7-shperblimi-i-demit-jokontraktor
  8. KAGJL – Marrëdhëniet e punës në shërbimin civil https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletin-tematik-nr.-8-marredheniet-e-punes-ne-sherbimin-civil
  9. KPGJL – Kompetenca lëndore/tokësore në çështjet penale https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini/buletini-tematik-nr.-9-kompetenca-lendoretokesore-ne-ceshtjet-penale

 

IV. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë

 

Në dhjetor të vitit 2023 Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi zhvilloi takimin periodik me median, ku informoi publikun për veprimtarinë institucionale. Në këtë takim, Kryetari përmendi se një ndër problematikat më shqetësuese mbetet numri i lartë i rekurseve, që nuk e kalojnë testin e pranueshmërisë, ç`ka i sjell një ngarkesë të panevojshme Gjykatës së Lartë. Ndër të tjera, z. Sadushi inkurajoi avokatët që të ndjekin rregullat procedurale për paraqitjen e rekursve. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/deklarate-per-media 

 

Në 26 janar 2024 Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për çeljen e vitit të ri gjyqësor 2024. https://www.echr.coe.int/w/opening-of-the-judicial-year-2024 

 

Në 12 shkurt 2024 Gjykata e Lartë prezantoi analizën vjetore. Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi pasqyroi ecurinë e vendimmarrjes së Gjykatës përgjatë një viti mjaft dinamik, nga ku bie në sy dhënia e 7914 vendimeve nga të tre Kolegjet e saj. Për t`u njohur me raportin klikoni https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/prezantimi-i-raportit-vjetor-te-perfomances-se-gjykates-se-larte-2023 

 

Në 15 shkurt 2024 Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Antoni Blinken, gjatë vizitës së tij një ditore në Shqipëri, zhvilloi një takim me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, ku pjesëmarrës ishte edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi. Z. Blinken theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/antoni-blinken-takon-kreret-e-institucioneve-te-drejtesise 

 

Në datat 15 - 16 shkurt 2024 anëtarët e Gjykatave të Larta të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi u mblodhën në Prevallë, në një aktivitet kushtuar gjykimit në Gjykatën e Lartë dhe marrëdhënies së ndërsjellë mes tyre. Aktiviteti u përshëndet nga z. Fejzullah Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, z. Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe znj. Vesna Vučković, Kryetare në detyrë e Gjykatës Supreme të Republikës së Malit të Zi. https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/media/takim-i-perbashket-mes-anetareve-te-gjykatave-te-larta-te-shqiperise-kosoves-dhe-malit-te-zi 

 

Në datat 18 - 19 shkurt 2024 anëtari i Gjykatës së Lartë z. Asim Vokshi (pjesë e trupës së Kolegjit Administrativ) mori pjesë në seminarin me temë “Mekanizmat kundërveprues të vendimeve kontradiktore të Gjykatave të Larta, Gjykatave Kushtetuese ose speciale, si dhe të GJED-së e GJEDNJ-së”. https://www.facebook.com/photo/?fbid=402588832362933&set=pcb.402588899029593 

 

Në 13 mars 2024, në kuadër të iniciativës “Ditë e hapur në Gjykatë”, Gjykata e Lartë u vizitua nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, të cilët u njohën me historikun e institucionit ndër vite, organizimin dhe funksionimin aktual të saj. https://www.facebook.com/photo/?fbid=415059347782548&set=pcb.415059674449182 

 

V. Statistika

 

Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për vitin 2023 dhe përgjatë muajit janar 2024

 

Gjatë vitit 2023

 

Kolegji Administrativ ka dhënë 2978 vendime, nga të cilat 2851 janë vendime themeli, 53 kompetence/juridiksioni, si dhe 74 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi.

 

Kolegji Civil ka dhënë 2690 vendime, nga të cilat 2552 janë vendime themeli, 51 kompetence/juridiksioni, si dhe 87 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim.

 

Kolegji Penal ka dhënë 2245 vendime, nga të cilat 1534 janë vendime themeli, 681 kompetence/masa sigurimi, si dhe 31 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.

 

Në total, gjatë vitit 2023 janë dhënë 7914 vendime gjyqësore.

 

Gjatë janarit 2024

 

Kolegji Administrativ ka dhënë 196 vendime. 

 

Kolegji Civil ka dhënë 176 vendime. 

 

Kolegji Penal ka dhënë 187.

 

Në total gjatë janarit 2024 janë dhënë 559 vendime gjyqësore.

 

VI. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

 

Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun:  https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/rregullat-e-reja

 

VII. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e Hapur/Open court)

 

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/akreditimi/ 

 

Kontakto:

 

Tel.: +355 4 2257304;

 

Fax: +355 (4) 228837;

 

Email: info@gjykataelarte.gov.al;

 

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.