Nëntor 2025
“Përmbledhje/Ecuria e qëndrimeve të Gjykatës së Lartë”
Gjykata e Lartë, referuar vendimmarrjeve të saj, tregon qëndrueshmëri në parimet themelore që udhëheqin institutin e ekstradimit në çështjet e viteve të fundit.
Sa i takon garancive ndërkombëtare dhe zbatimit formal të kushteve, në vendimet e analizuara, Gjykata e Lartë ruan një qasje të qëndrueshme mbi parimin se ekstradimi është një procedurë, e cila mund të lejohet vetëm kur përmbushen plotësisht kushtet e përcaktuara në Konventën Evropiane për Ekstradimin, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë. Kjo linjë vihet re që nga vendimi nr. 96 (7), i vitit 2022, ku Kolegji përcakton qartë kufijtë midis pengesave ligjore objektive (si p.sh mungesa e reagimit të shtetit kërkues brenda afatit) dhe pengesave faktike (si p.sh arratisja e personit), duke theksuar se vetëm e para prodhon efektet e humbjes së fuqisë së vendimit të ekstradimit. Ky standard ligjor formal përsëritet edhe në vendimin nr. 1230, të vitit 2023, ku Gjykata thekson detyrimin e gjykatave për të arsyetuar plotësisht jo vetëm mbi masën e sigurimit, por edhe mbi statusin juridik të vendimit të ekstradimit dhe pezullimin e tij.
Sa i takon analizës drejt garancive materiale, Gjykata e Lartë, në trajtimin e çështjeve të ekstradimit, kalon nga verifikimi formal i kushteve drejt analizës së përmbajtjes materiale të garancive ndërkombëtare dhe të drejtave themelore. Vendimi nr. 1408 (199), i vitit 2024 thekson se mungesa e specifikimit të saktë të veprave penale në kërkesën për ekstradim dhe mospasja e garancive të qarta për respektimin e parimit të specialitetit përbëjnë shkelje thelbësore që e bëjnë ekstradimin të papranueshëm. Kjo përfaqëson nje evoluim duke përfshirë edhe garancitë substanciale ndërkombëtare të kushteve të ekstradimit.
Gjykata e Lartë, me vendimin njësues nr. 1611 (125), të vitit 2024, konsolidon praktikën gjyqësore mbi zbatimin e parimit të reciprocitetit në procedurat e ekstradimit, në marrëdhëniet juridiksionale me një shtet që ka vendosur rezervën ligjore në normën ndërkombëtare për moszbatimin e saj për çështje që janë në juridiksionin e atij shteti, duke përcaktuar se vlerësimi i këtij parimi i takon ministrit të Drejtësisë, ndërsa gjykatat duhet të kufizohen në verifikimin e kushteve ligjore dhe atyre të konventave për lejimin e ekstradimit. Gjykata saktëson se ekstradimi mund të pranohet edhe nëse ndjekja penale apo dënimi janë parashkruar sipas ligjit shqiptar. Vendimi njëson një praktikë të paqëndrueshme dhe vendos një standard të qartë për zbatimin e konventave ndërkombëtare, duke forcuar bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në procedurat e ekstradimit.
Sa i takon parimit të proporcionalitetit dhe garantimit të të drejtave themelore, në vendimet më të fundit, si nr. 1421 (205) dhe nr. 1533 (222), të vitit 2024, vërehet një qasje pozitive drejt mbrojtjes së të drejtave themelore të individit në procedurat e ekstradimit. Kolegji thekson se masa e sigurimit nuk mund të shërbejë si pengesë për vazhdimin e procedurës së ekstradimit, duke ruajtur parimin e efektivitetit të drejtësisë, por duhet të garantojë njëkohësisht të drejtën për liri dhe proces të rregullt ligjor.
Po ashtu, kërkesa për azil, sipas gjykatës, nuk përbën pengesë automatike për ekstradim kur është paraqitur pas kërkesës së shtetit të huaj, duke ruajtur balancën midis të drejtës së individit dhe detyrimeve ndërkombëtare të shtetit, me qëllim shmangien e abuzimit me të drejtën për azil pa cenuar garancitë e mbrojtjes ndërkombëtare të individit.
Lidhur me qëndrimin mbi kompetencën dhe unitetin procedural, ky vendim evidenton qasjen për të konsoliduar kompetencën funksionale të gjykatës që shqyrton njëkohësisht kërkesën për masën e sigurimit dhe atë për ekstradim. Ky interpretim siguron unitet procedural, duke rritur efektivitetin dhe sigurinë juridike. Kjo qasje është pjesë e një linje të qëndrueshme që shfaqet edhe në vendimin nr. 1421 (205), për masën e sigurimit, ku gjykata mbron vazhdimësinë dhe vlefshmërinë e procesit të ekstradimit pavarësisht nga ndryshimet e masave të sigurimit personal.
Për një qasje më të plotë ndaj trajtimit të këtij instituti, më poshtë gjenden vendimmarrje konkrete të Kolegjit Penal, të përmbledhura në funksion të analizimit të kësaj tematike:
- Vendimi nr. 00-2022-96 (7), datë 13.01.2022 i Kolegjit Penal – (Rast kur ndodh humbja e fuqisë së vendimit të ekstradimit)
Maksima – Afatet e parashikuara për dorëzimin në procedurat e ekstradimit vlejnë vetëm për personat që janë nën masë shtrënguese dhe jo për ata që i shmangen drejtësisë. Humbja e fuqisë së vendimit të ekstradimit ndodh vetëm kur shteti kërkues nuk vepron brenda afatit ligjor, ndërsa mungesa e dorëzimit për shkak të arratisjes së personit nuk prodhon efektet e shuarjes.
Fjalë kyçe – ekstradim, afate ligjore, person në kërkim, masë sigurimi, afat dorëzimi, humbje e fuqisë së vendimit të ekstradimit.
Përmbledhja e vendimit – Në këtë çështje, u shqyrtua rekursi i prokurorisë kundër vendimit të gjykatës së apelit që kishte shpallur humbjen e fuqisë së vendimit për ekstradimin e shtetasit X.KPGJL konstatoi se gjykata e apelit kishte interpretuar gabimisht dispozitat mbi afatet e ekstradimit, duke i zbatuar ato edhe për persona që i shmangen masës së sigurimit dhe ndodhen në arrati, duke theksuar se këto afate vlejnë vetëm për personat që janë nën masë shtrënguese dhe se humbja e fuqisë së vendimit të ekstradimit ndodh vetëm kur shteti kërkues nuk vepron brenda afatit të përcaktuar dhe jo kur personi nuk gjendet. Gjykata vuri në dukje se autoritetet italiane kishin ndërmarrë të gjitha veprimet për ekstradimin, por ai nuk u realizua për shkak të arratisjes së të kërkuarit. Ndërkohë, Kolegji vlerësoi se gjykata e apelit kishte konkluduar për rënien e motivit të ekstradimit pa verifikuar nëse vendimi i Gjykatës së Apelit të Gjenovës (Genova, Italia) i përkiste të njëjtit proces penal dhe nëse ishte përfundimtar. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë prishi vendimin dhe ktheu çështjen për rishqyrtim, duke urdhëruar verifikime përmes letërporosisë mbi statusin e të kërkuarit dhe vlefshmërinë e vendimit të huaj.
- Vendimi nr. 00-2023-1230, datë 13.07.2023 i Kolegjit Penal – (Qëndrimi jashtë afateve nën masën e sigurimit për efekt të ekstradimit)
Maksima – Në shqyrtimin e një kërkese që lidhet me procesin e ekstradimit, gjykata duhet të arsyetojë jo vetëm mbi masën e sigurimit personal të caktuar për efekt ekstradimi, por edhe mbi kërkimin për humbjen e fuqisë së vendimit të ekstradimit, duke verifikuar gjendjen e procedimit penal në ngarkim të personit dhe veprimet e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë pas pezullimit të ekstradimit.
Fjalë kyçe – ekstradim, shuarje mase sigurimi, humbje fuqie vendimi, pezullim ekstradimi.
Përmbledhja e vendimit – Në këtë çështje, u shqyrtua rekursi i Prokurorisë kundër vendimit që kishte lejuar shuarjen e masës “arrest në burg” dhe kishte caktuar “arrest në shtëpi” për shtetasin X, masë e vendosur për efekt ekstradimi. Gjykatat e faktit arsyetuan se, pasi vendimi i ekstradimit kishte marrë formë të prerë dhe Ministria e Drejtësisë e kishte pezulluar ekzekutimin sipas nenit 500 të Kodit të Procedurës Penale, mbajtja në paraburgim përtej afateve ligjore nuk justifikohej dhe duhej zëvendësuar masa e sigurimit. KPGJL konstatoi se gjykatat kishin gabuar në interpretimin e ligjit procedural penal, pasi ishin kufizuar në shqyrtimin e masës së sigurimit, pa dhënë një arsyetim për kërkimin kryesor që lidhej me humbjen e fuqisë së vendimit të ekstradimit, i cili ishte objekti i parë i kërkesës. Si rrjedhojë, Kolegji prishi vendimin e apelit dhe ktheu çështjen për rishqyrtim pranë saj, duke urdhëruar kryerjen e hetimit të plotë mbi pezullimin e ekstradimit dhe arsyetimin mbi kërkimin për humbjen e fuqisë së vendimit të ekstradimit.
- Vendimi nr. 00-2024-1408 (199), datë 25.07.2024 i Kolegjt Penal – (Kushtet e refuzimit të ekstradimit)
Maksima – Kërkesa për ekstradim duhet të përcaktojë saktë veprat penale për të cilat kërkohet dorëzimi i personit dhe përdorimi i formulimeve të paqarta bie ndesh me parimin e specialitetit. Mungesa e garancive të qarta dhe paraprake nga shteti kërkues për respektimin e këtij parimi përbën shkelje, duke e bërë të papranueshëm ekstradimin.
Fjalë kyçe – ekstradim, kërkesë e paspecifikuar, parimi i specialitetit, garanci ndërkombëtare, dënim joproporcional, refuzim ekstradimi.
Përmbledhja e vendimit – Në këtë çështje, u shqyrtua rekursi i shtetasit X kundër vendimit të gjykatës së apelit që kishte lënë në fuqi lejimin e ekstradimit të tij drejt Republikës së Koresë së Jugut, ku ai akuzohej për veprën penale të “mashtrimit”. Kolegji Penal konstatoi se kërkesa për ekstradim e paraqitur nga ministri i Drejtësisë së Koresë së Jugut përmbante formulimin “mashtrime, etj.”, duke mos përcaktuar qartë veprat penale për të cilat kërkohej ekstradimi. Ky formulim, sipas Kolegjit, cenon parimin e specialitetit, pasi lë të hapur mundësinë që, pas ekstradimit, shtetasi të ndiqet, procedohet ose dënohet edhe për vepra të tjera që nuk janë përfshirë në kërkesën fillestare për ekstradim. Gjykatat e faktit kishin pranuar garancitë e autoriteteve koreane pa i verifikuar konkretisht, duke u kufizuar në deklarime të përgjithshme për respektimin e parimit të specialitetit. Në mungesë të garancive të tilla dhe për shkak të formulimit të pasigurt të kërkesës, ekstradimi do të përbënte shkelje të parimit të specialitetit dhe parimit të fajësisë së dyfishtë e sanksionit të ndërsjellë, pasi gjendet i bazuar pretendimi i paraqitur si shkak rekursi se në shkelje të këtyre parashikimeve e garancive, në rast ekstradimi mund të procedohet e dënohet dhe për akuza të tjera përveç atyre për të cilat është kërkuar ekstradimi, mund të dënohet për një vepër penale që nuk është parashikuar në legjislacionin tonë penal, si dhe mund t’i nënshtrohet dënimit joproporcional me burgim të përjetshëm dhe atij të dyfishtë me punë të detyruar. Në përfundim, Kolegji rrëzoi kërkesën për ekstradim, duke vlerësuar se ajo nuk përmbushte kushtet për lejimin e tij.
- Vendimi nr. 00-2023-1938, datë 16.11.2023 i Kolegjit Penal – (Kompetenca lëndore për shqyrtimin e kërkesës së masës shtrënguese dhe asaj për ekstradim)
Maksima - Gjykata që shqyrton kërkesën për caktimin e masës shtrënguese shqyrton edhe kërkesën për ekstradim.
Fjalë kyçe - kompetencë, kërkesë për ekstradim, kërkesë për masë shtrënguese.
Përmbledhja e vendimit - Në këtë çështje, u konstatua mosmarrëveshja për kompetencën funksionale, pasi dy trupa gjykues, gjyqtari që ka gjykuar kërkesën në lidhje me masën shtrënguese (revokimin/shuarjen e saj) dhe gjyqtari që i ka kaluar çështja për gjykim pas prishjes së vendimit të gjykatës së apelit, nuk pranojnë të marrin në shqyrtim çështjen penale me objekt lejim ekstradimi ndaj shtetasit X. Kolegji vlerëson se, me shqyrtimin e kërkesës për revokim, gjykata shprehet në funksion të deklarimit të paligjshmërisë ose jo të masës shtrënguese, e cila është e lidhur ngushtësisht me kërkesën për ekstradim, sepse caktohet për llogari të saj dhe kushtëzohet nga pranimi ose jo i kërkesës për ekstradim. Ky trup gjykues kur është shprehur për vijueshmërinë e masës shtrënguese ka vlerësuar në thelb edhe nëse ekzistojnë/vijojnë kushtet për dhënien e një vendimi në favor të ekstradimit, prandaj Kolegji vlerëson se është i njëjti trup gjykues që duhet të marrë në shqyrtim edhe kërkesën për ekstradim.
- Vendimi njësues nr. 00-2024-1611 (125), datë 22.05.2024 i Kolegjit Penal – (Parimi i reciprocitetit dhe kushtet e zbatimit të tij gjatë shqyrtimit të kërkesave për ekstradim)
Maksima - 1. Në marrëdhëniet juridiksionale me një shtet që ka vendosur rezervën ligjore në normën ndërkombëtare për moszbatimin e saj për çështje që janë në juridiksionin e atij shteti, parimi i reciprocitetit dhe zbatimi i tij është një kusht që vlerësohet nga ministri i Drejtësisë, si autoriteti kompetent i shtetit të kërkuar. Gjykata vlerëson kushtet për lejimin e ekstradimit në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë. 2. Gjykata, pranon kërkesën për ekstradimin e shtetasve shqiptar edhe në rast se ndjekja penale dhe dënimi janë parashkruar sipas ligjit penal shqiptar. Gjykata, në përputhje me nenin 122 të Kushtetutës, zbaton nenin 10, paragrafi i dytë, të Konventës Evropiane “Për Ekstradimin”, ndryshuar me Protokollin e Katërt Shtesë të kësaj konvente edhe nëse ndonjë nga shtetet palë në këtë marrëveshje kanë vendosur rezervë në normën ndërkombëtare.
Fjalë kyçe - rezervë ligjore, moszbatim i normës ndërkombëtare, parim i reciprocitetit, ekstradim, ndjekje penale e parashkruar, dënim i parashkruar, zbatim i konventës.
Përmbledhja e vendimit – Në këtë çështje, Kolegji konstatoi qëndrime të ndryshme të gjykatave, por edhe të trupave gjykuese të KPGJL në drejtim të zbatimit të “Protokollit të Katërt Shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin”, gjatë shqyrtimit të kërkesave për ekstradim të bëra nga shteti italian kundrejt shtetit shqiptar, me subjekt ekstradimi shtetas shqiptar, të cilët ishin dënuar nga gjykatat italiane, nën zbatimin e parimit të reciprocitet të pranuar nga neni 26 i Konventës Evropiane për Ekstradimin, ku në disa raste ishte pranuar zbatimi i këtij parimi prej gjykatave shqiptare dhe në disa raste jo. Në kuadër të këtyre qëndrimeve të ndryshme, Kolegji vlerësoi njësimin e praktikës për zgjidhjen e çështjes nëse duhet të zbatohet parimi i reciprocitetit nga gjykatat në marrëdhëniet juridiksionale me një shtet, i cili ka vendosur rezervë ligjore në normën ndërkombëtare për moszbatimin e saj për çështjet që janë në juridiksionin e atij shteti, dhe, së dyti nëse duhet të pranojë gjykata kërkesën për ekstradimin e shtetasve shqiptarë, në rast se ndjekja penale apo dënimi janë parashkruar sipas ligjit penal shqiptar, drejt një shteti i cili ka vendosur rezervë në normën ndërkombëtare, duke mospranuar kërkesën për ekstradim të shtetasve të tij për shkak se vepra penale ose dënimi është parashkruar sipas ligjit të atij shteti, për çështje që janë në juridiksionin e tij.
- Vendimi nr. 00-2024-1421 (205), datë 13.09.2024 i Kolegjit Penal – (Masa e sigurimit nuk mund të kushtëzojë kërkesën për ekstradim)
Maksima - Masa e sigurimit personal nuk kushtëzon vlefshmërinë e procedurës së ekstradimit dhe gjykata duhet të vazhdojë shqyrtimin e kërkesës për ekstradim edhe pas mbarimit ose ndryshimit të saj, duke garantuar respektimin e të drejtave themelore të personit dhe kushteve të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe legjislacioni i brendshëm.
Fjalë kyçe - ekstradim, masë sigurimi, efekt i mbarimit të masës, kohëzgjatje e masës së sigurimit, garanci procedurale, proces i rregullt ligjor.
Përmbledhja e vendimit - Në këtë çështje, trajtohet rekursi i prokurorisë kundër vendimit të gjykatës së apelit, e cila kishte refuzuar kërkesën për ekstradimin e shtetasit X drejt Italisë. Prokuroria kërkonte prishjen e këtij vendimi, duke pretenduar se gjykata e apelit kishte interpretuar gabim ligjin procedural penal, sidomos lidhur me efektet e mbarimit të afatit të masës së sigurimit dhe mungesën e garancive të shtetit italian. Kolegji vlerësoi se masa e sigurimit personal, edhe pse mund të shërbejë për garantimin e dorëzimit të personit, nuk e kushtëzon shqyrtimin e kërkesës për ekstradim. Revokimi apo ndryshimi i saj nuk sjell humbjen e kompetencës për të vazhduar procesin. Gjykata e apelit kishte gabuar kur kishte lidhur detyrimisht dhënien e vendimit me afatin e masës “arrest në burg”, duke mos pritur dokumentacionin shtesë nga autoritetet italiane që mbërriti disa ditë pas përfundimit të afatit. Kolegji sqaroi se, nëse masa e sigurimit skadon, gjykata mund ta zëvendësojë atë me një masë më të butë, si “arrest në shtëpi”, dhe të vijojë shqyrtimin pa pengesa. Në përfundim, Kolegji vendosi prishjen e vendimit të apelit dhe ktheu çështjen për rishqyrtim, duke udhëzuar gjykatën e faktit të rivlerësojë në mënyrë të plotë garancitë ligjore të ofruara nga shteti italian dhe rrethanat konkrete të rastit, pa e kushtëzuar procesin nga masa e sigurimit personal.
- Vendimi nr. 00-2024-1533 (222), datë 24.09.2024 – (Kushtet për lejimin dhe ndalimin e ekstradimit)
Maksima – 1. Përjashtimi i shtetit kërkues nga Këshilli i Evropës nuk e pengon zbatimin e Konventës Evropiane për Ekstradimin, për sa kohë ai mbetet palë në Konventë dhe i përmbahet detyrimeve të saj. 2. Kërkesa për azil nuk përbën shkak ndalues për ekstradim kur është paraqitur njëkohësisht ose pas kërkesës për ekstradim.
Fjalë kyçe - lejim ekstradimi, federata ruse, kusht ndalues i ekstradimit, kushtet lejuese të ekstradimit, garantimi i së drejtës së lirisë, garantimi i së drejtës së sigurisë, parimi i specialitetit.
Përmbledhja e vendimit - Në këtë çështje, u shqyrtua rekursi i shtetasit X kundër vendimit të gjykatës së apelit, e cila kishte lejuar ekstradimin e tij drejt Federatës Ruse. Rekursuesi kundërshtoi vendimin duke pretenduar se ekstradimi do të cenonte të drejtën e tij për liri dhe siguri, në kundërshtim me nenin 39 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 3 të KEDNJ, si dhe se Federata Ruse, tashmë e përjashtuar nga Këshilli i Evropës, nuk mund të përfitonte nga Konventa Evropiane për Ekstradimin. Ai gjithashtu argumentoi se kishte paraqitur kërkesë për azil në Shqipëri, çka duhej të përbënte pengesë për lejimin e ekstradimit. KPGJL arrin në përfundimin se përjashtimi i shtetit kërkues, në këtë rast Federata Ruse nga Këshilli Evropës, nuk kushtëzon zbatimin e detyrimit të shtetit tonë për ekstradimin e shtetasve rusë për llogari të autoriteteve gjyqësore ruse, në zbatim të Konventës Evropiane për Ekstradimin dhe asaj për Marrëdhëniet Juridiksionale me Jashtë, përderisa shteti kërkues i përmbahet angazhimit në kuadër të kësaj Konvente. Po ashtu, u sqarua se kërkesa për azil përbën shkak ndalues për ekstradim vetëm kur është paraqitur dhe pranuar para dorëzimit të kërkesës për ekstradim nga shteti i huaj. Në rastin konkret, kërkesa e shtetit rus ishte depozituar më 27.09.2023, ndërsa kërkesa për azil më 03.10.2023, pra pas nisjes së procedurës, ndaj kjo rrethanë nuk përbënte pengesë ligjore. Si rrjedhojë, Kolegji çmoi se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për lejimin e ekstradimit, duke lënë në fuqi vendimin e apelit.
Abonohu në buletinin informativ elektronik
Abonohu në buletinin informativ elektronik, duke plotësuar formularin në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/buletini dhe njihu me përmbajtjen e tyre në linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/buletini
Njihu me jurisprudencën në JUDIX
Abonohu në JUDIX për t`u njohur me jurisprudencën e përzgjedhur të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar të dhënat në linkun: https://judix.gjykataelarte.gov.al/
Kontakto
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: info@gjykataelarte.gov.al
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Gjykata e Lartë