Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi të martën datë 23.12.2025, mbledhjen e tij të radhës dhe njëkohësisht mbledhjen e fundit për vitin 2025. Mbledhja u zhvillua në përputhje me rendin e ditës të miratuar më parë.
Gjatë kësaj mbledhje Këshilli mori edhe vendimin për përfundimin e procedurës së verifikimit të znj. Alma Faskaj për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës më datë 30.10.2025, për shkak të tërheqjes së saj nga kandidimi. Përfundimi i procedurës u bë në përputhje me parashikimet ligjore dhe aktet nënligjore në fuqi që rregullojnë procesin e verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve për pozicionet kushtetuese.
Gjithashtu, sipas rendit të ditës, nga ana e Kryetarit të KED Sokol Sadushi, u paraqit Raporti Vjetor i Veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025, i cili u miratua nga të gjithë anëtarët. Ky raport do të bëhet publik në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, me qëllim informimin e publikut mbi veprimtarinë e Këshillit.

Gjykata e Lartë


