GENTI SHALA

Anëtar i Gjykatës së Lartë


Genti SHALA u lind më 19 qershor 1972 në Shkodër. Ai përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 1994, duke marrë titullin “Jurist”. Që nga viti 2002 ka ndjekur trajnimet e vazhdueshme në Shkollën e Magjistraturës, duke u përgatitur sipas kërkesave të formimit profesional të magjistratëve, dhe ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme në fushën e së drejtës, brenda dhe jashtë vendit.

Karriera e tij në sistemin gjyqësor filloi më 30 mars 1995, kur u emërua Ndihmës Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Malësi e Madhe. Më pas, ai shërbeu si Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër (1998–2004) dhe në Gjykatën e Apelit Shkodër (2004–2007). Gjatë periudhës 2007–2010, z. Shala ishte anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa prej vitit 2010 deri në dhjetor 2025 ushtronte funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Gjatë vitit 2023, ai ka shërbyer gjithashtu si Anëtar Zëvendësues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Me dekretin nr. 471, datë 12 dhjetor 2025 të Presidentit të Republikës, Genti Shala u emërua Anëtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.