gjykata e larte_new politics logo_presentation_017_copy_2
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Tiranë, 13.12.2022

NJOFTIM PËR MEDIAN

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi mori pjesë në aktivitetin me temë “Drejt ekselencës gjyqësore”, organizuar me qëllimin për të evidentuar arritjet dhe sfidat e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe funksionalitetit të plotë të Gjykatës së Lartë, ku prioritet mbetet ulja e numrit të çështjeve të prapambetura.

Në fjalën e tij, mbajtur me këtë rast Z. Sadushi theksoi: “Gjykata e Lartë rinisi punën e saj në prill 2020, në një situatë të paprecedentë, në kulmin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, vetëm me 3 gjyqtarë, me gjysmën e administratës në dispozicion, me një godinë që nuk i përshtatet tërësisht funksionit të saj dhe me më shumë se 36.000 çështje, në pritje për tu shqyrtuar! Sot, pa kaluar ende 3 vjet nga rifillimi i punës, bilanci duket pozitiv dhe shpresëdhënës. Gjykata e Lartë ka 15 gjyqtarë, 24 këshilltarë ligjorë, një staf që plotësohet vazhdimisht, por edhe shumë dosje, ritmi i shqyrtimit të të cilave nuk duket aq pa shpresë sa 3 vjet më parë. Nëse backlogun e gjetëm në shifrat e 36.000 dosjeve, sot numri i tyre është ulur në 29,674”.

Sadushi vuri theksin tek përgjegjësia e institucionit që ai drejton, për të gjetur mënyra sa më efikase në drejtim të uljes së numrit të çështjeve të prapambetura, dhe tek përgjegjshmëria që po tregon trupa gjyqësore në kuptimin e situatës se opinioni publik ka pritshmëri, jo vetëm për vendimmarrje të shpejtë, por edhe cilësore dhe të qëndrueshme, duke gjetur një raport të drejtë midis gjykimit shpejtë dhe me cilësi.

”Qytetarët presin drejtësi dhe ndryshe nga dosjet gjyqësore nuk mund të trajtohen si çështje numrash. Ata meritojnë vëmendjen e duhur, pasi secili prej tyre ka një histori njerëzore të mishëruar në një çështje gjyqësore. Çdo çështje duhet parë me vëmendje, jo vetëm për efektin që sjell në praktikën gjyqësore në përgjithësi, por edhe për palët në veçanti. Ata duhet të marrin sinjalin e duhur se çështja e tyre po gjykohet me vëmendjen që i takon. Gjykata e Lartë po e kryen funksionin e vet kushtetues të njësimit dhe zhvillimit të praktikës gjyqësore, duke kërkuar vazhdimisht mënyra, mjete dhe rrugë të reja që sigurojnë shpejtësi, korrektësi, cilësi dhe transparencë në vendimmarrje. Ky është një proces i vazhdueshëm që kërkon një vizion të qartë dhe angazhim serioz për ta realizuar. Prandaj çdo kontribut në këtë drejtim i aktorëve brenda dhe jashtë sistemit gjyqësor është i mirëpritur. Të tillë e kemi trajtuar edhe ndihmën e pakursyer dhe të vlefshme që ka dhënë Projekti “Justice for All", i financuar fillimisht nga USAID dhe tashmë nga INL, me fokus uljen e numrit të çështjeve të prapambetura. Ky projekt ishte partneri ynë kryesor, menjëherë pasi Gjykata e Lartë rinisi funksionimin e saj. Pas afro 3 vjetësh rezulton të ketë qenë hapi i duhur dhe më efikas për uljen e numrit të backlogut të trashëguar, si dhe për ruajtjen e legjitimitetit vendimmarrës të Gjykatës së Lartë. Rreth 70% e çështjeve të kategorizuara e përpunuara paraprakisht nga nëpunësit (NUNÇP) dhe të dorëzuara pranë këshilltarëve ligjorë, janë shqyrtuar nga Gjykata. Tashmë, këta nëpunës janë më të orientuar, por edhe shumë më profesionistë për produktin që nxjerrin.

Zëvëndëskryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh se evadimi i çështjeve të prapambetura nuk duhet të kuptohet si një çështje që i përket vetëm e Gjykatës së Lartë. Ajo duhet të pranohet si një shqetësim që lidhet me nivelin e përfaqësimit profesional, si të institucioneve publike, ashtu edhe të avokatëve. Për këtë arsye, çdo rekursues dhe në veçanti institucionet publike, i kanë të gjitha mundësitë për të bërë detyrën e tyre për uljen e backlogut. Mjafton t´í referohemi shifrave në vite për të kuptuar se më shumë se 70% e rekurseve të paraqitura nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Një shifër e tillë dëshmon për numrin shumë të lartë të rekurseve haptazi të pabazuara që paraqiten.

Në përfundim të fjalës së tij, Z. Sadushi tha se: “Rikthimi i besimit tek sistemi i drejtësisë që kërkon angazhim maksimal nga të gjithë gjyqtarët, këshilltarët ligjorë dhe stafi administrativ është dhe mbetet sfida thelbësore e Gjykatës së Lartë, e cila mund të kapërcehet vetëm nëse të gjithë japin kontributin e tyre. Asistenca e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë me ekspertizën më të mirë në çështjet e administrimit të drejtësisë, jo vetëm është e mirëpritur, por edhe e nevojshme për të çuar deri në fund misionin e reformës në drejtësi, e cila nuk do të ishte realizuar pa mbështetjen dhe kontributin e tyre, duke iu përshtatur kërkesave të fazës së re në të cilën gjendemi, jo më të një faze në emergjencë, por të një faze që shkon “Drejt ekselencës gjyqësore”.

 
 

 

Për kontakt: Ida Vodica Laska Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte