gjykata e larte_new politics logo_presentation_017_copy_2
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Tiranë, 20.10.2023

NJOFTIM PËR MEDIAN

Një delegacion i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Kryetari Sokol Sadushi dhe gjyqtarët Ilir Panda, Artur Kalaja, Ervin Pupe, Sander Simoni e Margarita Buhali, qëndruan gjatë datave 18-20 tetor 2023 në Gjermani në kuadër të një vizite pune në Mynih, Landin e Bavarisë.

Vizita studimore në Republikën Federale të Gjermanisë, i ofroi përfaqësuesve të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë një pasqyrë mbi praktikat dhe përvojat më të mira të institucioneve gjyqësore që do të vizitohen në Bavari si edhe mundësinë e promovimit të kontakteve ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë, si një vend kandidat për anëtarësim në BE.

Gjatë takimeve në Gjykatën Kushtetuese të Bavarisë dhe në Gjykatën e Lartë Rajonale të Mynihut, gjyqtarët patën mundësinë të diskutonin në lidhje me ndarjen e juridiksionit gjyqësor dhe atij kushtetues; kontrollin konkret të normës duke përcjellë perspektivën shqiptare dhe atë gjermane; sjelljen e gjyqtarit te zakonshem e atij kushtetues gjatë konstatimit të boshllëqeve ligjore; raportet mes Gjykatës Kushtetuese të Landit dhe asaj federale; kushtet dhe kriteret e lejueshmërisë së rekursit nga Gjykata e Lartë e Landit, etj..

Delegacioni shqiptar, zhvilloi gjithashtu një takim edhe në Ministrinë e Drejtësisë, mbi sigurimin e pavarësisë së gjyqesorit në Gjermani, eksperiencat gjyqesore të të dyja vendeve sa i takon procesit gjyqësor dhe problemeve të përbashkëta si edhe efektivitetit dhe rolin e këtij pushteti në rritjen e besueshmërisë së publikut, etj..

Ndërsa gjatë vizitës në Gjykatën Federale të Patentave, gjyqtarët patën mundësinë të diskutonin në lidhje me kriteret e lejueshmërisë dhe bazueshmërisë së ankimit; ekzekutimit të vendimeve; procedurat dhe kriteret për padinë e deklarimit të pavlefshmërise së patentave; praktikat e gjykatës për dhënien ose revokimin e licensave, etj..

Aktiviteti u organizua nga Fondacioni Hanns Seidel në Shqipëri, i cili mbështet vazhdimisht Gjykatën e Lartë për të mundësuar pjesëmarrjen e saj në aktivitete profesionale, brenda dhe jashtë vendit dhe prej vitesh jep kontribut në zbatimit të standardeve të BE-së në fushën e drejtësisë.

 
 
 
 
 

 

Për kontakt: Ida Vodica Laska Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte