Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë është instanca më e lartë ankimuese për çështjet civile, administrative dhe penale në Shqipëri, që gëzon kompetencën për të prishur (latinisht: “cassãre”) vendimet e gjykatave më të ulëta. Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit. Gjykata nuk mund të vendosë zgjidhjen e ndryshme të çështjes duke marrë prova të reja, por ka të drejtë vetëm ta kthejë për gjykim çështjen në gjykatën kompetente, vendimi i së cilës shfuqizohet.
Gjykata e Kasacionit shqyrton dhe analizon ligjin dhe rrethanat e çështjes vetëm për aq sa i nevojitet asaj për të interpretuar ligjin ose një koncept të së drejtës, pa bërë një shqyrtim të ri të fakteve dhe provave. Në këtë kuptim, funksioni i Gjykatës së Lartë sot është të kontrollojë nëse ligji është interpretuar dhe zbatuar në mënyrë korrekte nga gjykatat më të ulta, vendimi i të cilave kundërshtohet. Gjykata e Lartë nuk ka si thelb të veprimtarisë së saj shqyrtimin e fakteve dhe të provave në një çështje konkrete, por në raste të caktuara kjo mund të bëhet vetëm në lidhje dhe për aq sa ndihmon Gjykatën të interpretojë ligjin e zbatueshëm.
TRUPAT GJYKUESE
Duke pasur parasysh rolin e rishikuar të Gjykatës së Lartë, risi në ndryshimet në procedurë është njësimi i përbërjes së trupit gjykues në Kolegjin Civil, Kolegjin Penal dhe Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë . Kështu, në varësi të fazës se ku ndodhet shqyrtimi i dosjes apo i çështjeve që ngrihen për shqyrtim, përbërja e trupave gjykues varion, si më poshtë:
GJYQTARI I VETEM
Plotësimin e të metave të rekursit në çështjet civile dhe administrative:
§ gjyqtari relator shqyrton rekursin e depozituar në lidhje me plotësimin e kushteve formale dhe afateve kohore sipas ligjit dhe vendos njoftimin e palëve për plotësimin e të metave; në rast mosplotësimi relatori vendos kthimin e rekursit;
Kërkesat për përjashtim gjyqtari:
§ një gjyqtar i gjykatës, i ndryshëm nga gjyqtarët e kolegjit të cilit i përket gjyqtari që kërkohet të përjashtohet, vendos për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit, për çështjet civile, administrative dhe penale .
KOLEGJI ME TRUP GJYKUES TË PËRBËRË NGA 3 (TRE) GJYQTARË
§ Rekurset për të gjitha çështjet civile, administrative dhe penale që shqyrtohen në themel, si dhe ndaj vendimeve jopërfundimtare;
§ Rekurset për masat e sigurimit në çështjet penale;
§ Kërkesat për pezullimin e ekzekutimit të një vendimi civil apo administrativ, kërkesat për revokimin e vendimeve të pezullimit, kërkesat për gjykimin e çështjes tej afateve të arsyeshme, kërkesat për heqjen e dënimit administrativ me gjobë për rekurse apo kërkesa abuzive etj.
§ Ankimet ndaj vendimeve për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit, apo parashtrimet e gjykatave për ngritjen e mosmarrëveshjes së kompetencave.
KOLEGJ ME TRUP GJYKUES TË PËRBËRË NGA 5 (PESË) GJYQTARË
§ Rekurset në çështjet administrative e kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit që kanë shqyrtuar padi ndaj aktit nënligjor normativ ;
§ Rekurset që gjykohen në kuadër të njësimit dhe zhvillimit të praktikës gjyqësore .
KOLEGJET E BASHKUARA TË GJYKATËS SË LARTË
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, nënkupton Mbledhjen e Përbashkët të të gjithë gjyqtarëve të Kolegjit Civil, Kolegjit Penal dhe Kolegjit Administrativ. Me kërkesë të kolegjit ose të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, mund të nisë procedura për ndryshimin e praktikës gjyqësore, kur konstatohet se është e nevojshme me qëllim zbatimin e drejtë të ligjit nga gjykatat më të ulëta. Me ndryshimet kushtetuese të 2016, neni 141 i Kushtetutës është riformuluar, duke parashikuar kompetencën e Kolegjeve të Bashkuara për ndryshimin e praktikës dhe jo për njësimin e saj, siç ka qenë para ndryshimeve të vitit 2016. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se në thelb, vendimi i çdo kolegji të Gjykatës së Lartë është një vendim detyrues për gjykatat më të ulta dhe ka për qëllim konsolidimin dhe qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore.