DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Tiranë, 29.05.2023
Në ambientet e Gjykatës së Lartë u zhvillua të hënën takimi me një delegacion nga Republika e Kosovës, kryesuar nga z. Albert Zogaj, Kryetar i KGJK-së, z. Blerim Sallahu, Zëvendës Ministër i Drejtësisë, z. Fejzullah Rexhepi, Gjyqtar i Gjykatës Supreme dhe kandidat i propozuar për Kryetar të Gjykatës Supreme, z. Isuf Jahmurataj, Kryesues i Grupit të Punës për Kodin e Procedurës Civile, z. Alban Krasniqi dhe z. Idlir Peçi, Ekspertë Afatgjatë në Programin e BE-së për Sektorin e Drejtësisë dhe znj. Franciska Zhitja Imeri, Gjyqtare në Gjykatën Komerciale të Republikës së Kosovës. Ky delegacion u prit nga Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi, i cili shoqërohej në këtë takim nga Kryetari i Kolegjit Civil, z. Artur Kalaja dhe z. Asim Vokshi, gjyqtar i Kolegjit Administrativ.
Objekti i takimit ishte Kodi i ri i Procedurës Civile në Kosovë, drafti i të cilit do të hartohet brenda këtij viti, në kuadër të një reforme të thellë në drejtësinë civile, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke u bazuar në modelin e Gjermanisë dhe Austrisë. Gjatë zhvillimit të takimit u diskutua për bashkëpunimin më Gjykatën e Lartë lidhur me konceptet e drejta si dhe zbatimin e tyre në praktikë nga palët në procedurë. U nënvizua nga pala kosovare së në kuadër të zhvillimeve në strukturën e gjykatave në Kosovë, në vitin 2022 janë krijuar gjykatat komerciale dhe pritet të ketë zhvillime të reja edhe për gjykatat administrative.
Zëvendëskryetari Sokol Sadushi informoi delegacionin kosovar për zhvillimet lidhur me ndryshimet në Kodin shqiptar të Procedurës Civile dhe ndikimin e tyre në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë, duke pasur në vëmendje edhe gjykatat digjitale dhe sistemet e menaxhimit të dosjeve gjyqësore mes dy vendeve. Në përfundim të takimit, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë shprehin angazhimin për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh me mbështetjen e fondacioneve të huaja, ku pala kosovare e konsideron Gjykatën e Lartë e Shqipërisë edhe si urë lidhëse me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, në të ardhmen, pasi Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Për kontakt: Ida Vodica Laska Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al www.gjykataelarte.gov.al