REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 29.07.2020

NJOFTIM PËR MEDIAN

Prezantimi i “Udhërrëfyesit për funksionimin e Gjykatës së Lartë” ishte qëllimi i takimit të organizuar nga projekti Justice for All (USAID), EURALIUS V, Këshillit të Lartë Gjyqësor me pjesëmarrjen e rëndësishme të drejtuesve të KLGJ, Gjykatës së Lartë si edhe Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Zj. Yuri Kim, Ambasadorit të Delegacionit Evropian Z. Luigi Soreca, etj.

Gjatë takimit të përbashkët mes palëve prezente në sallë si dhe lidhjeve online, në zbatim të masave anti Covid-19, u diskutua mbi rëndësinë që ka ky udhërrëfyes në kuadër të funksionalitetit të Gjykatës së Lartë, e cila sot është në qëndër të vëmendjes se faktorëve kombëtarë dhe atyre ndërkombëtarë.

Kryefjala e këtij takimi ishte funksionimi i Gjykatës së Lartë, i cili nënkupton se strukturat e përcaktuara me ligj, si ato gjyqësore edhe administrative, të jenë të ngritura në atë masë sa t’i lejojnë Gjykatës të trajtojë në shkallë të arsyeshme çështjet e prapambetura dhe ato të reja.

Në këtë kuadër e përqëndroi fjalën e saj edhe kryetarja e KLGJ Zj. Naureda Llagami e cila theksoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Gjykata e Lartë po përballen me një situatë tejet të vështirë sa i përket funksionalitetit të kësaj gjykate. Të dy institucionet e pranojnë që funksionimi i Gjykatës së Lartë është thelbësor për gjyqësorin në Shqipëri dhe, çka është më e rëndësishme, për qytetarët e Shqipërisë. Aksesi në drejtësi mbetet një përparësi kyçe si për Këshillin, ashtu edhe për Gjykatën.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim vuri në dukje së sistemi gjyqësor në këto ditë duhet të bazohet pikë së pari tëk rritja e besimit të publikut dhe komunikimi mes palëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesin Reformën në Drejtësi dhe do të bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar Gjykatën e Lartë, funksionimi i së cilës lidhet me zgjidhjen e disa problemeve kryesore me të cilat përballet sot gjyqësori në Shqipëri. Zj.Kim i kërkoi KLGJ-së që të gjejë zgjidhje sa më të efektshme dhe të shpejta për të plotësuar numrin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Edhe Ambasadori i Delegacionit Evropian në Tiranë Z. Luigi Soreca, theksoi se mungesa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë sjell mungesë të vendimmarrjes duke çuar në uljen e besimit të publikut tek gjyqësori dhe Reforma në Drejtësi. Për të zgjidhur këtë situatë sipas Z. Soreca është e nevojshme të bashkëpunohet dhe të komunikohet sa më shumë mes palëve me përgjegjësi dhe gadishmëri të madhe. Ambasadori Soreca vlerësoi angazhimin e deritanishëm të tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe punën serioze të kryer prej tyre gjatë tre muajve të parë të emërimit në detyrë, si dhe vlerësoi maksimalisht vizionin e Zv.Kryetarit të kësaj gjykate mbi transparencën dhe publikimin në një kohë sa më të shpejtë të vendimeve dhe aktivitetit të gjykatës, për uljen e numrit të çështjeve gjyqësore.

Më pas Zv.kryetari i KLGJ Z. Maksim Qoku u përqëndrua më në detaje në lidhje më hapat konkretë që po hedh KLGJ në plotësimin e trupës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë duke theksuar se shumë shpejt kjo gjykatë do të ketë një numër të arsyeshëm gjyqtarësh të cilët do të rrisin performancën e saj si dhe do të jenë në gjendje të shqyrtojnë një numër më të madh të dosjeve gjyqësore.

Ndërsa Zv.Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, duke përmenduar vështirësitë më të cilat po përballet sot gjykata si dhe anëtarët e saj, renditi problematikat të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëherëshme në mënyrë që të kemi një gjykatë funksionale dhe në shërbim të drejtësisë e mbi të gjitha të publikut. Sipas Z. Sadushi udhërrëfyesi është një plan veprimi i qartë i cili do të garantojë aksesin e domosdoshëm në drejtësi, uljen e numrit të çështjeve gjyqësore, vendimmarrje të strukturuar e të qëndrueshme drejt orientimit të praktikës gjyqësore. Ai vlerësoi ndihmën e projektit Drejtësi për të Gjithë i cili së bashku më KLGJ, me anë të “Memorandumit të Përbashkët” bëri të mundur sjelljen e 12 Nëpunësve për Uljen e Numrit të Çështjeve Gjyqësore, të cilët kanë nisur punën për seleksionimin e dosjeve emergjentë për shqyrtim.

Megjithëse aktualisht Gjykata e Lartë funksionon me minimumin e anëtarëve të saj, Kolegji Administrativ, Civil dhe Penal i kësaj gjykate, kanë përballuar prej muajit prill, një punë voluminoze e cila evidentohet në marrjen e 892 vendimeve gjyqësore.

Item 1
 
 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte