DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Tiranë, 17.11.2023
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në datë 28.09.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi, çështjen penale me nr. 61014-523-2023 akti, që i përket; Kërkues: Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me objekt: “Parashtrim qëndrimi për mosmarrëveshjen e kompetencës", në çështjen penale me palë: Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Person nën hetim: F.M.
Në përfundim të shqyrtimit në dhomë këshillimi, kolegji vendosi:
Kalimin e çështjes penale me nr. 61014-523-2023, datë regjistrimi 04.09.2023, për shqyrtim në seancë gjyqësore me qëllim njësimin e praktikës gjyqësore në lidhje me çështjet:
1- Cila është procedura që duhet të ndiqet nga prokurori lidhur me caktimin e masës mjekësore ndaj personit të papërgjegjshëm për të cilin dyshohet se ka kryer vepër penale, në kushtet kur sipas dispozitave 290 dhe 328 të KPP, procedimi penal për raste të tilla nuk duhet të fillojë ose nëse ka filluar duhet të pushohet?
2- Cila është gjykata kompetente dhe mënyra e disponimit të saj për caktimin e masave mjekësore, në kushtet kur sipas dispozitave 328 dhe 332/dh, pg.I, germa “ç” të KPP, çështja penale për raste të tilla duhet të pushohet?
· Në datat 26.10.2023 dhe 16.11.2023 , Kolegji mori në shqyrtim, në seancë gjyqësore çështjen dhe arriti në këtë përfundim njësues në lidhje me përgjigjen e pyetjes së parë :
1.1 Kur dyshohet se vepra penale, është kryer nga një person që dyshohet të jetë i papërgjegjshëm, prokuroria nuk vendos mosfillimin e procedimit penal, pa regjistruar këtë procedim por kryen hetime të mëtejshme.
1.2 Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për kundërvajtje penale, prokurori, bazuar në nenin 328, pika 1, shkronja “ç” të Kodit të Procedurës Penale, vendos pushimin e çështjes për personin e papërgjegjshëm, të cilit i atribuohet vepra penale, kur rezulton se ndaj tij nuk duhet të caktohet masë mjekësore, sipas nenit 46 të Kodit Penal.
1.3 Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për krime, prokurori, bazuar në nenin 328, pika 1, shkronja “ç” të Kodit të Procedurës Penale i kërkon gjykatës (gjyqtarit të seancës paraprake), pushimin e çështjes për personin e papërgjegjshëm, të cilit i atribuohet vepra penale, kur rezulton se ndaj tij nuk duhet të caktohet masë mjekësore, sipas nenit 46 të Kodit Penal.
1.4 Në përfundim të hetimeve paraprake, si në rastin kur procedohet për kundërvajtje penale, po ashtu kur procedohet për krime, ndaj personit të papërgjegjshëm që i atribuohet vepra penale dhe ndaj të cilit duhet të caktohet masë mjekësore, sipas nenit 46 të Kodit Penal, prokurori i kërkon gjykatës (gjyqtarit të seancës paraprake) “Dërgimin e çështjes në gjyq, sipas nenit 327, pika 6, shkronja “b” të Kodit të Procedurës Penale.
· Lidhur me pyetjen e dytë Kolegji ka arritur në këtë përfundim njësues:
2.1 Gjykata kompetente për caktimin e masave mjekësore, sipas nenit 46 të Kodit Penal dhe nenit 46 të Kodit të Procedurës Penale është gjykata që gjykon çështjen në themel.
2.2 Gjyqtari i seancës paraprake, kur çmon se hetimet paraprake janë të plota, bazuar në nenin 332/dh, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale, vendos pranimin e kërkesës së prokurorit dhe dërgimin e çështjes në gjyq për caktimin e masës mjekësore ndaj personit të papërgjegjshëm që i atribuohet vepra penale, sipas nenit 46 të Kodit Penal.
2.3 Gjykata që gjykon çështjen në themel, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, disponon me pushimin e çështjes penale bazuar në nenet 387, pika 1 dhe 328, pika 1, shkronja “ç” të Kodit të Procedurës Penale dhe caktimin e masës mjekësore ndaj personit të papërgjegjshëm që i atribuohet vepra penale, sipas nenit 46 të Kodit Penal, kur vërtetohen:
2.3.1 ekzistenca e faktit penal;
2.3.2 kryerja e tij nga ky person;
2.3.3 papërgjegjshmëria e tij në kohën e kryerjes së veprës penale;
2.3.4 rrezikshmëria shoqërore e personit të papërgjegjshëm.
Për këto arsye, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet 91 dhe 438 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:
1. Dërgimin e akteve të çështjes penale me nr. 247 Regj. Themeltar, datë 31.07.2023 vendimi, gjyqtarit të “seancës paraprake” pranë Gjykatës të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës mjekësore, të parashikuar nga neni 46 i Kodit Penal, ndaj personit për të cilin kërkohet të caktohet masa mjekësore, F. M.
2. Ky vendim është njësues dhe dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.
Për kontakt: Ida Vodica Laska Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al www.gjykataelarte.gov.al