• 1
    gjykata e larte
  • 2
    Salle gjyqi
  • 3
    Salla e mbledhjeve te gjyqtareve
  • 4
    Salla e kolegjeve te bashkuara

gjykata e larte_new politics logo_presentation_017_copy_2
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Tiranë, 22.09.2023

NJOFTIM PËR PUBLIKUN

Kolegji Administrativ njofton se në datën 22.09.2023, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me nr. 31003-00313-00-2021 akti, me palë paditës: K. T., të paditur: Enti Kombëtar i Banesave, Drejtoria e Përgjithshme, Enti Kombëtar i Banesave, Drejtoria Rajonale Tiranë, me objekt: "Detyrimin e të paditurve: Enti Kombëtar i Banesave, Drejtoria e Përgjithshme dhe Enti Kombëtar i Banesave, Dega Rajonale, Tiranë, t’i kthejnë paditësit shumën e vlerës monetare sipas ekstraktit bankar të datës 18.08.2018, etj......."

Me vendimin e ndërmjetëm të datës 24.04.2023 kolegji shtroi për njësim pyetjet:

1. Cilat janë elementët ligjorë që duhen mbajtur parasysh për identifikimin dhe dallimin e kontratave administrative nga ato civile?

2. Në kuptim të ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, ose në rastin kur organi publik ndërhyn me akt nënligjor për zbatimin e një objektivi social në favor të përfituesve, kontratat që lidhen me këtë rast do të cilësohen si kontrata administrative apo si kontrata civile?

3. Kontrata e privatizimit, në kuptim të ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore” dhe të ligjit nr. 9321, datë 25.11.2004, “Për privatizimin e banesave dhe objekteve të kthyera në banesa”, është kontratë administrative apo civile?

· Në seancën e sotme kolegji arriti në këtë përfundim njësues në lidhje me përgjigjen e pyetjes së parë :

Së pari: Një kontratë do të konsiderohet administrative, kur krahas pranisë si palë të një organi publik (kriteri organik) verifikohet domosdoshmërisht edhe krijimi, ndryshimi apo shuarja e një marrëdhënie juridike konkrete, për shkak të zbatimit të normave të së drejtës publike (kriteri material), në funksion të një shërbimi publik dhe të realizmit të një interesi publik, të cilit i shërben. Për rrjedhojë, është edhe natyra juridike (shkaku ligjor i mosmarrëveshjes në gjykim), që do të përcaktojë gjykatën kompetente.

- Së dyti: Elementë kryesorë përcaktues për identifikimin e një kontrate administrative janë: shërbimi në interesin publik, që përbën shkakun e kontratës; kufizimi i lirisë kontraktore; epërsia e organit publik, në kuptim të kufizimit të vullnetit kontraktor të palës tjetër për kushte të caktuara të panegociueshme të kontratës, të rregulluara nga e drejta publike; karakteri specifik i kontratës, lidhur me të drejtën e organit publik për tërheqje të njëanshme nga kontrata, kur nuk arrihet marrëveshja për ndryshim ose prishje të saj, kundrejt detyrimit për t’i paguar palës private dëmin e shkaktuar.

- Së treti: Në një kontratë administrative palët qëndrojnë në raport me njëra-tjetrën në një marrëdhënie që imponohet nga parimi i ushtrimit të fuqisë/pushtetit sovran, ku mbajtësi i këtij sovraniteti bazohet te kuadri normativ i së drejtës publike. Kontrata është administrative, kur pavarësisht pjesëve të saj që normohen nga e drejta private, evidentohet qartë se rregullimi në tërësi i saj nga normat e së drejtës publike, peshon më shumë.

- Së katërti: Dallimi mes kontratës publike dhe private, në funksion të përcaktimit të kompetencës lëndore, bëhet jo nëpërmjet leximit literalisht të kontratës, por nëpërmjet analizës në thelb të përmbajtjes së saj dhe natyrës së mosmarrëveshjes. Objekti, qëllimi dhe normat, që rregullojnë marrëdhënien juridike, duhet të evidentohen qartë si nga palët në proces, ashtu edhe në analizën dhe konkluzionin, që nxjerr gjykata lidhur me këtë çështje.

· Lidhur me pyetjen e dytë Kolegji ka arritur në këtë përfundim njësues:

Interesi publik i strehimit të personave të pastrehë dhe me mundësi të ulët ekonomike bën që të ekzistojnë rregulla specifike për kontratën e shitjes së banesave sociale, që plotëson kriterin material të kontratës administrative - praninë e marrëdhënieve juridike në fushën e së drejtës publike. Kontrata e shitjes së banesave sociale është në funksion të një shërbimi publik, që ofron shteti, nisur nga interesi publik për zbatimin e objektivave sociale të parashikuar në nenin 59(1)(b) të Kushtetutës dhe rregullohet e i nënshtrohet regjimit juridik të së drejtës publike. Për rrjedhojë, shqyrtimi i mosmarrëveshjeve në lidhje me këtë lloj kontrate, do të jetë në kompetencën e gjykatës administrative.

· Lidhur me pyetjen e tretë, Kolegji arrin në përfundimin se:

Kontrata e privatizimit të banesave shtetërore, në kuptim të ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” dhe të ligjit nr. 9321, datë 25.11.2004 “Për privatizimin e banesave dhe objekteve të kthyera në banesa” ka elementet e një kontrate administrative.

Megjithatë, për të përcaktuar gjykatën kompetente për shqyrtimin e një mosmarrëveshje, në të cilën vihet në diskutim një kontratë privatizimi banese, përcaktuese do të jetë natyra juridike e mosmarrëveshjes dhe kërkimet konkrete të palëve.

Nëse pala kundërshton kontratën administrative, për shkak se bie ndesh me normat e të drejtës publike dhe ka për pasojë kthimin e pronës tek organi publik, kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjes është gjykata administrative.

Nëse një person i tretë, që nuk është palë në kontratë, kërkon njohjen pronar apo bashkëpronar mbi banesën e privatizuar nga pala tjetër, sipas ligjeve të mësipërme, pavarësisht se në mënyrë të tërthortë ngre pretendime edhe për vlefshmërinë e kontratës së privatizimit, mosmarrëveshja në këtë rast është e natyrës civile dhe shqyrtimi i saj është në kompetencën e gjykatës civile.

Për këto arsye, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nënin 63, pika 1, shkronja “dh” të ligjit nr. 49/2012, datë 03.05.2012, “Për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” (i ndryshuar), vendosi:

1. Prishjen e vendimit nr. (86-2021-288), datë 21.04.2021 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë, me të njëjtin trup gjykues.

2. Ky vendim për njësimin e praktikës gjyqësore publikohet në Fletoren Zyrtare.

 

Për kontakt: Ida Vodica Laska Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte