gjykata e larte_new politics logo_presentation_017_copy_2
DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË

Tiranë, 10.05.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në kuadër të organizimeve që zhvillohen çdo vit me rastin e 10 Majit, Ditës Kombëtare të Drejtësisë, një grup nxënësish të shkollës 9 vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë vizituan Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë.

E projektuar si “Dita e Hapur në Gjykatë”, nxënësit zhvilluan një takim në formën e bashkëbisedimit me gjyqtarët Florian Kalaja dhe Engert Pëllumbi, të cilët ushtrojnë detyrën e ndihmës magjistratit në Gjykatën e Lartë si dhe anëtarë të kabinetit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

"Dita e Hapur", e cila është kthyer prej vitesh në një traditë organizimi në Gjykatën e Lartë, ishte konceptuar si një ditë dialogu mes nxënësve dhe gjyqtarëve dhe u përqendrua kryesisht në njohjen e të rinjve me organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri, që nga themelimi i aktit të parë juridik më 10 maj 1913, proceset në të cilat po kalon sot gjyqësori në Shqipëri dhe veçanërisht në trajtimin e temave mbi drejtësinë penale tek të miturit, tema të cilat zgjuan interes tek të rinjtë të cilët me anë të pyetjeve drejtuar panelit, shuan kuriozitetin e tyre mbi çështje të ndryshme.

Gjyqtarët informuan të rinjtë se në kuadër të reformës në drejtësi, në vitin 2017 u miratua ndër të tjera dhe Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili përmban rregullime të veçanta që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të miturve, procedurën e hetimit, ndjekjen penale, procesin gjyqësor, ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër për të miturin.

Përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor në shkollë është një mekanizëm i cili synon të rrisë nivelin e njohjes së ligjit dhe të ulë ndjeshëm sjelljet negative tek të rinjtë duke parandaluar përfshirjen e tyre në aktivitete kriminale. Ky proces ndikon në përballjen e të rinjve me fenomenet sociale të përditshme, si përdorimi i lëndëve narkotike, përndjekjes së bashkëmoshatarëve, dhunës, vjedhjes, etj.​

 
 
 
 
 
 
 
 

 

Për kontakt: Ida Vodica Laska Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte