REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 06.05.2020

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në kuadër të nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar rishtazi në mbështetje të Gjykatës së Lartë për përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, u zhvillua të mërkurën një takim midis Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Projektit të USAID-it Drejtësi për të Gjithë.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Znj. Naureda Llagami, Zv.Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Ardian Dvorani, si edhe anëtarët e kësaj gjykate, gjyqtarët Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Ervin Pupe, u takuan me Drejtoren e Projektit Znj. Anne Trice dhe Zv. Drejtoren e Projektit Znj. Olta Lolo, për të diskutuar rreth hapave konkretë për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Pjesëmarrësit rishikuan dhe diskutuan mbi kërkesat e Marrëveshjes së Mirëkuptimit dhe ranë dakord mbi disa çështje të cilat kanë të bëjnë me: Konceptet për të ofruar një ndërgjegjësim më të lartë të publikut rreth Gjykatës dhe mbështetjes që ajo do të marrë, në këtë kuadër; Afatet kohore për përgatitjen e thirrjeve për aplikim për Nëpunësit për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura; Caktimin e personelit nga Gjykata e Lartë që do të asistojë Projektin Drejtësi për të Gjithë për të përkufizuar më mirë përmirësimet që i nevojiten sistemit të menaxhimit të çështjeve në gjykata.

Zbatimi në praktikë i këtij memorandumi pritet të sjellë jo vetëm reduktimin e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën eLartëpor dhe parandalimin e shtimit të mëtejshëm të tyre.

Gjatë ditëve në vijim, pjesëmarrësit do të punojnë mbi plotësimin e detyrave individuale të cilat do të diskutohen në një takim tjetër në javën që vjen.

Takimi i dt.06.05.2020

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte