REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 09.05.2019

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në kuadër të 106 vjetorit të Ditës Kombëtare të Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Misioni EURALUIS V, organizuan me këtë rast aktivitetin e përbashkët me ttitull: “90 vjetori i Kodit të parë Civil Shqiptar (1929) Përqasje historike dhe aktuale. Baltasar Benussi – Themeluesi i doktrinës së të Drejtës Civile në Shqipëri”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin anëtarë të Gjykatës së Lartë, të gjykatave të Apeleve dhe gjykatave të Rretheve Gjyqësore, magjistratë, pedagogë të Fakultetit Juridik dhe Shkollës së Magjistraturës, prokurorë, etj..

Takimin e përshëndeti fillimisht Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, i cili theksoi së pari se këto aktivitete janë jo vetëm të rëndësishme por dhe shumë me vlerë, pasi krijojnë mundësi për të kthyer kokën pas, për të parë dhe vlerësuar kontributin e çmuar të patriotëve shqiptarë, të cilët në kuadër të pavarsisë, forcimit e modernizimit të shtetit shqiptar, të ndërmerrnin hapa konkretë për miratimin e një legjislacioni përparimtar dhe një sistemi gjyqësor të standardeve më të mira ndërkombëtare për kohën.

Më pas Z. Zaganjori, vlerësoi në mënyrë të veçantë Kodin Civil Shqiptar (1929), i cili pa dyshim mund të konsiderohet një ndër ligjet më të avancuara, pasi u mbështet kryesisht në Kodin Civil Francez, Zviceran dhe Italian. Me këtë rast ai u ndal tek figura e shquar e juristit dhe gjyqtarit Baltasar Benussi, si një ndër kontribuesit kryesor për hartimin e Kodit Civil Shqiptar si dhe një ndër përsonat më të angazhuar për zbatimin e tij në praktikë. Në mënyrë të veçantë, Z. Zaganjori, përmendi kontributin e z. Benussi për hartimin e dy komentarëve të Kodit Civil me tituj: “Obligimet dhe kontratat përgjithsisht” dhe “Sendet, zotnimi dhe modifikimet e tij”, si dhe protagonizmin e tij të veçantë në botimin e revistës “Jurisprudenca Shqiptare” në të cilën analizoheshin dhe komentoheshin me standarde ndërkombëtare vendimet e Gjykatës së Lartë (Diktimit), si dhe ku botoheshin artikuj të juristëve më në zë lidhur me institute të veçanta, kryesisht të së drejtës civile.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Znj. Naureda Llagami Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, theksoi se Kodi Civil i vitit 1929 shënon një moment historik për drejtësinë shqiptare i cili është po aq i rëndësishëm sa edhe shpallja e pavarësisë. Në simbolikën e tij sot, ky kod shënon një ndarje nga e kaluara – e drejta zakonore dhe ajo otomane. Kjo ndarje nga e kaluara dje ishte shumë më e vështirë se sot. Ky kod shënon lindjen e një shteti dhe drejtësie moderne bazuar mbi burimet më të avancuara të kohës.

Znj. Llagami, duke iu referuar reformës në drejtësi e quajti atë si kryefjala e proceseve më të rëndësishme që po kalon vendi nga konsolidimi i shtetit të së drejtës dhe deri tek integrimi evropian. Sipas saj, ky përvjetor shënon disa nga arritjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare në 100 vitet e fundit, të cilat lidhen me krijimin e institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë, të cilat krijojnë garancitë institucionale për një pushtet gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe efikas. Këto arritje nuk janë as fillimi as fundi; por një moment i rëndësishmëm historik i cili erdhi si një nevojë sociale apo aq sa dhe si një lëvizje transformative brenda sistemit të drejtësisë. Si një pikë kthese po aq sa edhe si një vazhdimësi e zhvillimeve njëshekullore të doktrinës juridike dhe institucionale.

Drejtuesja e misionit EURALIUS V në Shqipëri, Znj. Agnes Bernhard, theksoi se 90 vjet më parë Kodi Civil ishtë tregues i ambicjes së Shqipërisë për modernizim, gjë e cila ka avoluar me kohën dhe sot pas 90 vitesh, drejt integrimit në BE, ka të tjera sfida përpara. Znj. Berhnard trajtoi edhe çështjen e të Drejtës Private nën prespektivën e BE-së. BE ushtron disa kompetenca në drejtim të rregullimit të së drejtës private të shteteve anëtare, nëpërmjet miratimit të direktivave që synojnë përqasjen dhe harmonizimin e legjislacionit të këtyre shteteve ku përmenden fusha të tilla si; e drejta intelektuale, mbrojtja e konsumatorit, e drejta e shoqërive tregtare, etj.. Duke uruar që Shqipëria të integrohet sa më parë në BE, ajo theksoi se ka ende një numër të madh të akteve të BE-së në fushën e së drejtës private, që do të sjellin një valë modernizimi dhe hapje drejt Bashkimit Evropian.

Ish kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Thimjo Kondi në fjalën e tij, e vlerësoi këtë ngjarje historike si një arritje të rëndësishme të traditës së të drejtës sonë. Kjo arritje madhore bëri të mundur që ky kod të renditet ndër kodet civile më të përparuara të kohës dhe që historikisht e drejta civile shqiptare t’i përkasë sistemit europian të së drejtës civile, brenda të cilit klasifikohen dy grupime apo shkolla kryesore, ajo e vendeve latine dhe gjermanike. Z. Kondi u shpreh se kjo nismë madhore për reformin të thellë të kuadrit kushtetues, ligjore institucional, në vendin tonë të dalë nga sundimi i gjatë otoman, nga pushtimet e huaja gjatë luftës së parë botërore, që trashëgonte një prapambetje të madhe ekonomike e sociale, arsimore e kulturore, ishte shumë e vështirë për t’u realizuar. Kjo kërkonte që fatet e vendit t’i merrnin në dorë njerëz të përkushtuar e të ditur, patriotë e vizionarë si Baltazar Benussi, i cili shquhej jo vetëm si jurist me një kulturë të gjerë të formuar në perëndim, jo vetëm si një prakticien, por edhe për kontributin e tij të çmuar për krijimin dhe zhvillimin e doktrinës së të drejtës civile shqiptare, me një sërë botimesh të vlefshme që nuk e humbasin kurrë aktualitetin.

Në referimin e tij me titull “Kodi Civil i vitit 1929, përmes jurisprudencës së Gjykatës së Diktimit”, Z. Florian Kalaja, Ndihmës Magjistrat në Gjykatën e Lartë, transmetoi disa mesazhe kushtuar Kodit Civil të parë Shqiptar dhe themeluesit të doktrinës shkencore të së drejtës civile Baltazar Benussi. Ai theksoi se ky Kod, shënoi fillimin e traditës ligjore të kodifikimit të së drejtës Shqiptare. Ky moment historik e vendosi Shqipërinë në mozaikun e vendeve kontinentale të së drejtës (civil laë). Jurisprudenca e Gjykatës së Diktimit të Mbretnisë Shqiptare ndër vite e ridimensionoi rëndësinë multidisiplinore normative të Kodit Civil. Për mes saj Kodi Civil shërbente si etalon i drejtësisë kushtetuese dhe ligjore në përditësimin e kontrollit gjyqësor mbi aktet ndërmjet privatëve dhe shtetit; si baza ligjore me të cilën duhet të konformoheshin aktet nënligjore normative dhe vetë aktet individuale administrative.

Gjithashtu ai u ndal edhe tek trashëgimia jurisprudenciale nomofilatike një shekullore e autoritetit më të lartë gjyqësor Shqiptar. Në 106 vjetorin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë, Gjykata e Lartë e gjen veten me mbështetjen më të madhe kushtetuese dhe ligjore që ka pasur në histori lidhur me zhvillimin e nomofilatisë. Por për të përmbushur këtë mision kushtetues në shekullin e XXI nuk mundet të fshihet memoria jurisprudenciale, tradita, historia dhe trashëgimia e më shumë se njëshekullore e autoritetit më të lartë gjyqësor Shqiptar. Kështu jurisprudenca e Gjykatës së Kasacionit, e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Diktimit do të duhet të shërbejnë si gurët e themelit për këtë sfidë kushtetuese të shekullit XXI të Gjykatës së Lartë.

Kodifikimi i së drejtës Shqiptare, ishte një tjetër mesazh referuar aktivitetit, i cili sipas Z. Kalaja, duhet të njihet si parim kushtetues i ligjbërjes. Në 90 vjetorin e Kodit Civil të parë Shqiptar ajo që duhet të kremtohet më shumë është identiteti dhe përkatësia e Shqipërisë në sistemin kontinental të së drejtës së kodifikuar.

Në referimin e Z. Engert Pëllumbi, Ndihmës Magjistrat në Gjykatën e Lartë, mesazhi ishte përqëndruar tek “Risitë e Kodit Civil të vitit 1929, në institutet e së Drejtës Familjare”. Ai kujtoi përpjekjen për laicizmin e legjislacionit familjar i cili nuk kaloi pa tensione dhe ndërhyrje nga jashtë. Shembulli më domethënës i saj kishte të bënte me divorcin, një praktikë e cila nuk njihej nga e drejta kanonike. Me gjithë përpjekjet e Shtetit të Vatikanit dhe atij Italian për ta parandaluar këtë revolucion në institutin e martesës, i cili mund të kishte ndikimit edhe përtej detit, Mbreti Zog nuk pranoi të bënte asnjë lëshim në këtë drejtim.

Gjithashtu ai përmendi edhe faktin se Kodi Civil, i hartuar dhe miratuar në këtë kohë, përbën padyshim një nga aktet me më tepër rëndësi në vendosjen e themeleve të shtetit modern shqiptar. Kodi Civil i mbretërisë pati rëndësi të madhe në atë kohë sepse për herë të parë vendosi mbi baza ligjore marrëdhëniet familjare, të cilat do të ishin unike për të gjithë Shqipërinë. Kodi Civil, megjithëse një kod krejtësisht perëndimor, nuk ngurroi që të ruante edhe traditën kombëtare në ato institute të cilat kishin rrënjë të thella dhe që nga ana tjetër nuk e cenonin as karakterin laik të tij dhe as orientimin që kishte marrë në përgjithësi legjislacioni shqiptar i atyre viteve.

Sipas Z. Pëllumbi, Kodi Civil i vitit 1929 përbën ndoshta hapin më serioz që ka hedhur ndonjëherë shteti shqiptar për rregullimin e marrëdhënieve civile dhe posaçërisht atyre familjare. Ai përbën padyshim ligjin civil më të mirë që ka pasur Shqipëria deri më sot, duke i dhënë ndërkaq edhe një orientim të qartë në lidhje me familjen të cilës do t’i përkiste ky legjislacion. Për fat të keq jeta e tij ishte e shkurtër dhe tashmë ai mbetet vetëm si një relike e vyer e së shkuarës, por nga e cila mund të marrim dhe të mësojmë shumë për të ardhmen.

Një temë intersante kushtuar proceseve integruese të Shqipërisë, u prezantua nga Znj. Aulona Hazbiu, eksperte pranë misionit EURALIUS V, e cila trajtoi ndikimin e mundshëm të së drejtës evropiane në Kodin Civil Shqiptar, duke bërë një pasqyrë të përqasjes së direktivave të BE-së në fushën private, në Kodin Civil apo në legjiclacionin e brendshëm.

Item 1
 
 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte