DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Tiranë, 10.05.2017
Me rastin e 10 majit Ditës Kombëtare të Drejtësisë, një grup studentësh të Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë si dhe nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri” vizituan Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë.
E projektuar si “Dita e Hapur në Gjykatë”, nxënësit dhe studentët zhvilluan një takim në formën e bashkëbisedimit me Kryetarin e Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, Kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Znj. Enkeledi Hajro dhe kryesuesin e Seksionit Penal në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë Z. Petrit Çomo.
"Dita e Hapur", e cila ishte konceptuar si një ditë dialogu mes studentëve dhe gjyqtarëve, u përqendrua kryesisht në njohjen e të rinjve me organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri, që nga themelimi i aktit të parë juridik më 10 maj 1913 dhe veçanërisht në trajtimin e temave mbi drejtësinë penale tek të miturit, tema të cilat zgjuan interes tek të rinjtë të cilët me anë të pyetjeve drejtuar panelit të gjyqtarëve, shuan kuriozitetin e tyre mbi çështje të ndryshme.
Gjyqtarët informuan të rinjtë se në kuadër të reformës në drejtësi, në vitin 2017 u miratua ndër të tjera dhe Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili përmban rregullime të veçanta që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të miturve, procedurën e hetimit, ndjekjen penale, procesin gjyqësor, ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër për të miturin.
Përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor në shkollë është një mekanizëm i cili synon të ulë ndjeshëm sjelljet negative tek të rinjtë duke parandaluar përfshirjen e tyre në aktivitete kriminale. Ky proces ndikon në përballjen e të rinjve me fenomenet sociale të përditshme, si përdorimi i lëndëve narkotike, përndjekjes së bashkëmoshatarëve, dhunës, vjedhjes, etj.
Për kontakt: Ida Vodica Laska Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al www.gjykataelarte.gov.al