REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 13.09.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me ftesë të Ministrit Federal të Drejtësisë të Austrisë Z. Wolfgang Brandstetter dhe Presidentes së ELI-t Znj. Diana Wallis, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në Konferencën Vjetore të Institutit për të Drejtën Evropiane (ELI), e cila zhvilloi punimet në datat 6-8 shtator 2017 në Vjenë, Austri. Ky aktivitet i organizuar në Bashkinë e Vjenës dhe Universitetin e Vjenës mblodhi për tre ditë me radhë përfaqësues të institucioneve evropiane, gjyqtarë, juristë, akademikë dhe specialistë të së drejtës evropiane. Ishin të pranishëm gjithashtu disa Kryetarë të Gjykatave të Larta dhe Kushtetuese të shteteve anëtare dhe shteteve kandidate në BE.

Gjykata e Lartë i është bashkuar misionit të këtij Instituti për zhvillimin e një kulture të përbashkët evropiane dhe rritjen e cilësisë të së drejtës evropiane në hapësirën evropiane, duke u bërë anëtare e këtij mekanizmi të rëndësishëm. Së bashku me rreth 100 institucione homologe, ajo bën pjesë që prej 4 vitesh në këtë Institut me statusin e vëzhguesit institucional.

Temat kryesore të trajtuara në konferencë ishin: parimet e përbashkëta kushtetuese si vlera themelore në zhvillimin progresiv të së drejtës evropiane; unifikimi i parimeve themelore evropiane me natyrë procedurale në gjykimin civil; të drejtat e njeriut në Bashkimin Evropian dhe Karta e të Drejtave Themelore; unifikimi i praktikave të shteteve anëtare lidhur me çështjet e falimentimit; nevoja e rritjes së zbatimit të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve në shtetet anëtare, duke synuar zvogëlimin e backlog-ut dhe rritjen e efektivitetit dhe pavarësisë të pushtetit gjyqësor.

Gjatë kësaj konference Z. Zaganjori ka shkëmbyer mendime dhe pikëpamje për çështje të ndryshme të trajtuara në diskutimet e zhvilluara në panele, si dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve evropiane, me Presidenten e ELI-t Znj. Diana Wallis, Lordin Thomas, Lordin Vos, homologë nga vende të ndryshme, etj.​

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte