REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 17.06.2019

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me ftesë të Kryetarit të Shoqatës së Gjykatave të Larta të Vendeve Frankofone (AHJUCAF) Z. Ousmane Batoko dhe Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj shoqate Z. Jean-Paul Jean, Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në Kongresin e VI-të të AHJUCAF-it, i cili u zhvillua në datat 13-15 qershor 2019, në Beirut, Liban. Kongresi i këtij viti u organizua në Liban, pasi përkonte gjithashtu edhe me 100 vjetorin e krijimit të Gjykatës së Kasacionit së Libanit.

Në ditën e parë të aktiviteteve u zhvillua ceremonia e përvjetorit të Gjykatës së Kasacionit së Libanit, të cilën e përshëndeti ndër të tjerë edhe Presidenti i Republikës së Libanit Z. Michel Aoun, Ministri i Drejtësisë Z. Albert Aziz Serhan, Kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Libanit Z. Jean Fahed, e të tjerë.

Ditën e hapjes së kongresit, krahas përshëndetjes së Kryetarit të AHJUCAF Z. Ousmane Batoko, fjalën e morën edhe kryeministri Libanez Z. Saad Hariri, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Francës Z. Bertrand Louvel dhe Prokurori i Përgjithshëm i Francës François Molins, e të tjerë.

Tema kryesore e konferencës së këtij viti ishte “Shkëmbimi i jurisprundencës së Gjykatave të Larta në kohën e internetit”.

Në fjalën e tij me temë “Transparenca e vendimeve gjyqësore dhe besimi i publikut në sistemin e drejtësisë”, mbajtur në panelin kushtuar publikimit të vendimeve gjyqësore, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë Z. Zaganjori, evidentoi rëndësinë që ka ky proces për të krijuar një sistem të shëndoshë drejtësie. Për këtë arsye, publiciteti i veprimtarisë gjyqësore, aksesi i publikut në drejtësi dhe hapja e kësaj veprimtarie ndaj shoqërisë përmes komunikimit me publikun janë elemente themelore për një sistem gjyqësor transparent, i cili është karakteristikë e vendeve me sistem demokratik.

Ndërsa duke u ndalur në rëndësisnë që paraqet në çdo kohë publikimi i vendimeve gjyqësore, Z. Zaganjori tha se qëllimi i publikimit në mënyrë të përmbledhur të vendimeve të Gjykatës, ashtu sikurse veprohet edhe në shumë gjykata evropiane, është t’i tregohet opinionit publik se gjyqtarët i marrin vendimet e tyre në mënyrë të pavarur dhe plotësisht transparente, duke zbatuar standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe të drejtësisë kushtetuese. Duke patur parasysh mënyrën sesi vepron në këtë aspekt Gjykata Evropiane e Drejtësisë apo Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duhet thënë se kësaj pjese i është kushtuar një rëndësi e veçantë nga këto institucione. Numri i stafit të dedikuar për të bërë përmbledhjen e vendimeve është relativisht i lartë dhe zyrat e marrëdhënieve me median dhe publikun punojnë në mënyrë të tillë që vendimi të përcillet tek palët e interesuara, qytetarët dhe media, sa më i thjeshtë, i kuptueshëm, i shkurtër dhe i qartë. Gjithashtu, në rastet e çështjeve me interest të lartë publik, ditën e dhënies së vendimit gjykata, në bashkëpunim me zyrën e shypit duhet të përgatisë një ekstrakt të vendimit të marrë, duke e vënë në dispozicion të publikut menjëherë pas shpalljes së vendimit nga trupa gjyqësore. Duke marrë parasysh nivelin e ulët të besimit të publikut në organet gjyqësore, nevojitet një vullnet i fortë nga të gjithë, për përmirësimin e transparencës, duke e shprehur atë përmes një qasje proaktive në publikimin e informacioneve dhe përmirësimin e funksionimit të shërbimit të marrëdhënieve me publikun.

Në mbrëmjen ceremoniale të zhvilluar natën e parë, ndër të tjerë, edhe Z. Zaganjori u nderua me “Çekiçin e drejtësisë”, si vlerësim për veprimtarinë e tij aktive në Shoqatën Frankofone të Gjykatave të Larta.

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë është anëtare themeluese e kësaj Shoqate që prej vitit 2001. Aktualisht kjo shoqatë përbëhet nga 70 shtete anëtare. Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj përkrah gjykatave të tjera të larta frankofone duke shprehur idetë dhe mendimet e saj në lidhje me problematikat e lindura duke u bërë kështu një nga anëtaret më aktive dhe të çmuara të kësaj shoqate.

Item 1
 
 
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte