REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, më 05.11.2018

NJOFTIM PER MEDIAN

Me ftesë të Kryetares së Gjykatës së Lartë të Malit të Zi Znj. Vesna Medenica, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Xhezair Zaganjori, mori pjesë në aktivitetet me rastin e organizimit të Ditës së Drejtësisë dhe Konferencës Gjyqësore së Malit të Zi, të cilat u zhvilluan në datat 29-31 tetor 2018 në Cetinje dhe Budva, Mal i Zi.

Në këtë aktivitet ishin të ftuar edhe delegacione nga Gjykatat e Larta te disa vendeve te tjera. Në Ceremoninë e Hapjes së Ditës së Drejtësisë, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi Znj. Vesna Medenica dhe Presidenti i Malit të Zi SH.T.Z. Milo Gjukanoviç. Në konferencë përshëndetën disa nga delegacionet e shteteve të ftuara, ku mes tyre përshëndeti edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori.

Në fjalën e tij Z. Zaganjori përshëndeti organizatorët e aktivitetet dhe theksoi rëndësinë që ka pushteti gjyqësor në një shtet demokratik, rëndësinë që merr dita e drejtësisë, e cila bën që të reflektosh mbi të shkuarën, si dhe të mendosh për të ardhmen. Gjithashtu Z. Zaganjori u ndal në rëndësinë që ka një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe efektiv në mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të qytetarëve. Pavarësia është një element i qenësishëm, pasi pa një pavarësi reale nuk mund të ketë një sistem gjyqësor i cili të jetë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Z. Zaganjori theksoi se vendet e Ballkanit janë me fat që janë pjesë e projektit madhor për tu integruar në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian është një bashkim vlerash, ku Shtetet Anëtare duhet të plotësojnë kriteret e nenit 2 të Traktatit të BE-së, të cilat përcaktojnë se në themel rë BE-së janë parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Në këtë kuadër, ne si pushtet gjyqësor, duhet të punojmë shumë për të arritur këto vlera dhe për të përcaktuar objektiva të qarta, të cilat nuk duhet të jenë një qëllim në vetvete, por duhet të jenë në shërbim të interesave të shtetit dhe qytetarëve ne vecanti.

 

Item 2
 
Item 3

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte