REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 12.12.2019

NJOFTIM PËR MEDIAN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 11.12.2019, nga ora 13.45 deri në orën 18.30 zhvilloi mbledhjen e radhës, me këtë rend dite:

1. Shpallja dhe fillimi i procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

2. Miratimi i kalendarit të intervistave me kandidatët e lejuar për kandidim në vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

3. Miratimi i ekspertëve të gjuhëve të huaja në funksion të realizimit të intervistave me kandidatët e lejuar për kandidim.

4. Relatimi për procedurën e ndjekur për vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidaturave dhe zhvillimi i intervistave, sipas ligjit, me kandidatët e lejuar në vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shpallur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

5. Hedhja e shortit për caktimin e anëtarit të Këshillit, relator për ndjekjen e procedurave të verifikimit dhe të vlerësimit të vendit vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi në datën 21.08.2019.

Në përfundim të diskutimit të çështjeve të rendit të ditës, Këshilli vendosi :

1. Fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

2. Miratimin e ekspertëve për vlerësimin e nivelit të zotërimit të gjuhëve të huaja, të deklaruara nga kandidatët e lejuar për vendet vakante.

3. Miratimin e kalendarit të intervistave me kandidatët e lejuar për vendet vakante.

4. Në vijim të mbledhjes, me miratimin e këtyre vendimeve, KED zhvilloi proceset e relatimit të procedurave të ndjekura deri më tani për vlerësimin e kandidaturave për vendin vakant të Inspektorit të lartë të Drejtësisë, si edhe zhvilloi intervistat, sipas ligjit, me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant si më poshtë:

- Artur Metani

- Eris Hysi

- Joana Asimi Sorraj

- Lindita Troja

- Sokol Stojani

Zhvillimi i intervistave të kandidatëve të lejuar për kandidim, u krye në sallën e mbledhjeve të KED, në prani të anëtarëve të Këshillit, Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit të Presidentit të Republikës, në rolin e vëzhguesit. Kandidatët paraqitën platformën e tyre mbi vizionin, objektivat dhe sfidat e lidhura me ushtrimin e kompetencave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe organizimin, funksionimin e drejtimin e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED.

Në përfundim të relatimit dhe intervistave me të gjithë kandidatët e lejuar, në zbatim të dispozitave të Kushtetutës dhe të ligjit nr.115/2015 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të vijojë menjëherë me përmbushjen e detyrimeve të tij brenda afatit ligjor 10 ditor, për shqyrtimin nga secili anëtar i Këshillit të dokumentacionit të çdo kandidati të lejuar, për njohjen e plotë dhe të thelluar me të dhënat e jetës profesionale dhe të dokumenteve profesionale të paraqitura për vlerësim nga kandidatët, në funksion të përmbushjes së kompetencës së vlerësimit dhe pikëzimit të secilës kandidaturë.

Pas kryerjes së këtyre veprimeve dhe bisedimit kolegjial për vlerësimin dhe caktimin e pikëzimit për secilën kandidaturë për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, sipas meritave profesionale, morale dhe organizuese e drejtuese të parashikuara me ligj, brenda këtij afati ligjor 10 ditor do të thirret mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të miratuar Listën Përfundimtare për Renditjen e Kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Raportin e Arsyetuar mbi procedurën e ndjekur dhe vlerësimin e kryer për kandidatët e renditur për këtë vend vakant. Këto vendime, së bashku me vendimet e arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidatët, shoqëruar me tabelat e pikëve të dhëna nga secili anëtar i Këshillit, bëhen publike në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, pjesa e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Raporti i arsyetuar, lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe aktet përkatëse të veritifikimit, vlerësimit dhe pikëzimit të çdo kandidati për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do ti dërgohen menjëherë organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që të ushtrojnë, sipas përcaktimeve të Kushtetutës, kompetencën dhe detyrimin kushtetues të zgjedhjes dhe emërimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

5. Sipas rezultatit të shortit manual, anëtarja e Këshillit, zonja Vitore Tusha është caktuar relatore për ndjekjen e procedurave të verifikimit dhe të vlerësimit të vendit vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi në datën 21.08.2019.

6. Në lidhje me 19 nga procesverbalet e përmbledhur të mbledhjeve të Këshillit të datave 21.01.2019, 28.01.2019, 01.02.2019, 08.02.2019, 15.02.2019, 22.02.2019, 01.03.2019, 08.03.2109, 11.03.2019, 18.03.2019, 21.03.2019, 28.03.2019, 29.03.2019,. 02.04.2019, 05.04.2019, 10.05.2019, 14.05.2019, 24.05.2019 dhe 31.05.2019, sipas kërkesës së tyre, për ti dhënë më shumë kohë të nevojshme për shqyrtim anëtarëve të Këshillit dhe pjesëmarrësve të tjerë në mbledhet e KED, Këshilli vlerësoi ti kalojë në një mbledhje tjetër të tij.

 
Artur Metani
 
Eris Hysi
 
Joana Asimi Sorraj
 
Lindita Troja
 
Sokol Stojani

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte