REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KËSHILI I EMËRIMEVE NË DREJTËSI

Tiranë, 06.02.2020

NJOFTIM PËR MEDIAN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të tij dhe të anëtarëve zëvendësues, më përjashtim të anëtares Fatjona Memçaj për shkak të heqjes dorë nga diskutimi i çështjeve për shmangie të konfliktit të mundëshëm të interesit dhe të anëtarit zëvendësues Nazmi Troka për shkak të pamundësisë së pjesëmarrjes nga angazhimet në procese gjyqësore, përfaqësuesit të Avokatit të Popullit, përfaqësuesit të Presidentit të Republikës, si edhe të këshilltares ligjore rezidente të OPDAT në cilësinë e njërit prej institucioneve mbështetës me konsulenc ë në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e KED, ditën e sotme 06.02.2020,

zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku në rendin e ditës ishte përcaktuar të vijohej me diskutimet në lidhje me:

1. Shqyrtimin dhe miratimin e projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.4, datë 11.03.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”;

2. Shqyrtimin dhe miratimin e projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.5, datë 02.04.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”;

3. Ngritjen e një grupi pune për hartimin e rregullores së brendshme lidhur me detyrat e këshilltarëve dhe personelit administrativ të Gjykatës së Lartë të caktuar për mbështetjen e veprimtarisë së Këshillit, për veprimet e ndryshme administrative, për krijimin dhe mbajtjen e regjistrave, dokumentacionit, protokollit, arkivave dhe për sistemin e administrimit të çështjeve, për të përmbushur angazhimin e deklaruar të KED-së 2019 në nenin 22 të Rregullores së Brendshme.​

Në përfundim të kësaj mbledhje, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi miratoi me ndryshime:

1. Projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.4, datë 11.03.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”;

2. Projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.5, datë 02.04.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.

Gjithashtu, Këshilli ngarkoi Kryetarin që, brenda një afati një mujor, me mbështetjen e këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë të caktuar për mbështetjen e veprimtarisë së Këshillit, të përgatisin dokumentin e projektrregullores së brendshme me objekt detyrat e këshilltarëve dhe personelit administrativ të Gjykatës së Lartë të caktuar për mbështetjen e veprimtarisë së Këshillit, kryerjen e veprimeve të ndryshme administrative, krijimin, qarkullimin, ruajtjen dhe mbajtjen e dokumentacionit dhe të regjistrave, të protokollit, arkivave dhe për sistemin e administrimit të çështjeve.​

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte