REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 03.09.2019

NJOFTIM PËR MEDIAN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 03.09.2019, zhvilloi mbledhjen e radhës me këtë rend dite:

1. Diskutimi dhe vendimmarrja në lidhje me rishikimin e vendimit nr. 116 datë 09.08.2019 “Për pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e subjektit që e ka vënë në lëvizje, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur me Dekretin nr. 10723 datë 07.02.2018 nga Presidenti i Republikës.

2. Diskutimi dhe vendimmarrja lidhur me vijimin e procedurës së verifikimit të kandidates Zhaklina Peto për dy kandidimet e saj për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese

Në përfundim të diskutimeve dhe në mbështetje të pikës 1 të nenit 125 dhe pikës 1 të nenit 149/d të Kushtetutës, të nenit 229, pikës 1 të nenit 234, 235 e vijues të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si edhe të pikës 44 të vendimit nr. 4, datë 11.03.2019 “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”,

nisur nga vendimi nr. 201, datë 22.08.2019 i Gjykatës Administrative të Apelit që ka disponuar shfuqizimin e vendimit nr. 108 datë 02.08.2019 dhe vendimit nr. 109 datë 02.08.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KEDvendosi, në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës:

1. Revokimin e vendimit nr. 116 datë 09.08.2019 “Për pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e subjektit që e ka vënë në lëvizje, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur me Dekretin nr. 10723 datë 07.02.2018 nga Presidenti i Republikës”.

2. Vijimin me përparësi të procedurës së verifikimit të kandidaturës së znj. Zhaklina Peto për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur me Dekretin nr. 10723 datë 07.02.2018 nga Presidenti i Republikës.

Gjithashtu, sa i takon pikës së dytë të rendit të ditës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, vendosi:

1. Vijimin me përparësi të procedurës së verifikimit të kandidaturës së Znj. Zhaklina Peto për vendin në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018.

2. Thirrjen e ekspertit të caktuar për procedurën e verifikimit të pasurisë së kandidates Zhaklina Peto, sipas orientimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, për të zhvilluar një seancë me pyetje dhe sqarime drejtuar ekspertit lidhur me mendimet e dhëna në aktin e ekspertimit.

Vendimet e Këshillit për çështjet e sipërcituara gjenden të publikuara në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, pjesa për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte