REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 10.07.2020

NJOFTIM PËR MEDIAN

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 10.07.2020, ora 12.30, zhvilloi mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës së përcaktuar më pare dhe vendosi:

1. Miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të datave 03.02.2020, 05.02.2020, 06.02.2020 dhe të mbledhjes së fundit të datës 30.06.2020.

2. Miratimin e ndryshimeve të projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 4, datë 11.03.2019 të Këshillit për Emërime në Drejtësi “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar”.

3. Miratimin e ndryshimeve të projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 5, datë 02.04.2019 të Këshillit për Emërime në Drejtësi “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar”.

4. Miratimin e ndryshimeve të projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr. 1, datë 08.02.2019 të Këshillit për Emërime në Drejtësi “Për miratimin e rregullores së brendshme për funksionimin e Këshillit për Emërime në Drejtësi”, i ndryshuar”.

Miratimi i këtyre ndryshimeve në projektvendimet e sipërcituara vjen në zbatim të rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin nr.978/2020, datë 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ndryshimet e miratuara në mbledhjen e sotme do të pasqyrohen në aktet rregullatore të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të bërë të mundur vijimin e procesit në tërësi mbi përzgjedhjen e kandidaturave për vendet vakante, si dhe do të publikohen të plota në ditët në vijim.

Këshilli vendosi që mbledhja e radhës e KED të zhvillohet në datën 17.07.2020, ora 13.30, ku do të diskutohet mbi shqyrtimin e dy vakancave që i takojnë institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte