Është zgjeruar gama e disponimeve të Gjykatës dhe është unifikuar vendimmarrja në çështjet civile, penale dhe administrative. Kolegji përkatës ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pas shqyrtimit të çështjes, mund të vendosë:
§ mospranimin e rekursit, në rastet kur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikon ligji;
§ prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës të shkallës së parë;
§ prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues;
§ prishjen e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës të shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë, kur vendimi jopërfundimtar i gjykatës së shkallës së parë është marrë në kundërshtim me ligjin dhe kjo shkelje nuk është konstatuar nga gjykata e apelit;
§ prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit dhe pushimin e gjykimit të çështjes;
§ ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, kur zbatimi i ligjit procedural apo material nuk diktohet nga nevoja për rishqyrtimin dhe rivlerësimin e fakteve apo të provave të çështjes;
§ lënien në fuqi të vendimit të apelit.
§ Vlen të theksohet që parashikimi i “ndryshimit të vendimit të shkallës së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes” nuk duhet kuptuar si një vendimmarrje që e “shndërron Gjykatën e Lartë në një gjykatë fakti”. Kjo lloj vendimmarrje duhet kuptuar si një drejtë e kufizuar e Gjykatës për të zgjidhur përfundimisht çështjen me qëllim shmangien e zvarritjeve të panevojshme të qytetarëve në kërkim të drejtësisë. Prandaj, në raste përjashtimore, pa qenë e nevojshme marrja e provave të reja ose rishqyrtimi apo rivlerësimi i tyre, me qëllim zbatimin e njësuar të ligjit material ose procedural, çështja zgjidhet në një mënyrë të ndryshme nga sa është vendosur nga gjykatat më të ulta.
Kur Gjykata vendos dërgimin e çështjes për rigjykim, në vendim përcaktohet se cila pjesë e vendimit ose gjykimit të faktit prishet dhe për cilën pjesë të mosmarrëveshjes duhet të zhvillohet rigjykimi.