REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 31.10.2016

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me titull: “Pavarësia e Gjyqësortit” mbajtur në Ohër, Maqedoni në datat 28-29 tetor 2016. Në këtë aktivitet merrnin pjesë kryetarë Gjykatash të Larta, gjyqtarë, juristë dhe ekspertë të ligjit nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnia dhe Herzegovina, Kosova, Gjeorgjia, Lituania, Polonia, Sllovenia, Kroacia, Republika Çekedhe SHBA. Aktiviteti organizohej nga Gjykata e Lartë e Maqedonisë në bashkëpunim me CEELI (Instituti për Iniciativë Ligjore për Evropën Qëndrore dhe Lindore) dhe Departamentin Amerikan të Shtetit për Luftën kundër Narkotikëve dhe Forcimin e Ligjit.

Organizimi i kësaj konference kishte në fokus pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe pozicionimin e gjykatave si promovues të shtetit demokratik kushtetues. Në këtë kuadër konferenca dhe të pranishmit nënvizuan se pavarësia e gjyqësorit përbën premisë thelbësore për të gjithë shtetet demokratike duke përfaqësuar një shtyllë të rëndësishme të shtetit të së drejtës, bazuar në mirëfunksionimin, eficencën dhe paanshmërinë e gjykatës.

Në fjalën e tij Z. Zaganjori, diskutoi mbi sfidat e pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke përfshirë këtu rolin e pavarësisë institucionale, organizative, ekonomike si dhe kushteve të nevojshme për një ushtrim eficent të detyrës së gjyqtarit. Ai vuri theksin tek rëndësia që ka garantimi kushtetues i pavarësisë së sistemit gjyqësor, apo e çdo gjyqtari, në një shtet demokratik, në raport me pushtetet e tjera. Kjo pavarësi nuk duhet nënkuptuar në vetvete si një pavarësi nga ligji, që mund të sjellë shmangien e gjyqtarit nga përgjegjësia, përgjegjshmëria dhe llogaridhënia, për vendimet dhe veprimet e tij. Cilësia, pavarësia dhe eficienca përbejnë elemente kyç për një sistem efektiv drejtësie. Ofrimi i një shërbimi gjyqësor të shpejtë, cilësor dhe efektiv përbën një detyrim ndaj qytetareve, e në këtë aspekt është e nevojshme krijimi i kushteve dhe mekanizmave qe mundësojnë realizimin e këtij objektivi.

Pavarësia e gjyqtarëve nuk është një e drejtë apo privilegj që ju jepet atyre për interesat vetjake, por për interesat e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve. Në këtë frymë duhet të orientohet edhe vëmendja e institucioneve shtetërore që kanë si detyrë primare mbrojtjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe përmirësimin e përbërjes së tij nisur vetëm nga dy kritere kryesore ndershmëria dhe profesionalizmi.

Item 1
 

 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte