REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 20.03.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori mori pjesë në Forumin e Pestë Rajonal për Evropën Juglindore “Rule of Law”, organizuar nga qendra AIRE dhe Mbrojtësit e të Drejtave Civile mbajtur në Shkup të Maqedonisë më 16 dhe 17 mars 2018.

Qëllimi i Forumit është promovimi dhe zbatimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) në nivel të brendshëm, si dhe nxitja e bashkëpunimin rajonal në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, gjatë procesit të integrimit në BE.

Në këtë forum marrin pjesë mbi 150 gjyqtarë nga Gjykatat e Larta dhe Gjykatat Kushtetuese të Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Fjalimet e hapjes së punimeve të forumit u mbajtën nga Zoran Zaev, Kryeministër i Republikës së Maqedonisë, Bilen Saliji, Ministër i Drejtësisë, Charles Edmund Garret, Ambasadori Britanik dhe Mats Stafansson, Ambasadori i Suedisë në Maqedoni.

Gjatë këtij forumi u diskutua mbi çështje të tilla si; ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose degradues, sipas nenit 3 të KEDNJ-së - praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; gjyqtarët e GJEDNJ-së dhe gjyqtarët kombëtarë, duke përfshirë detyrimet pozitive të Shteteve për të siguruar përputhjen e tyre me standardet e themeluar nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve Çnjerëzore; përfitimi dhe zbatimi i praktikave më të mira dhe zgjidhjet e mundshme; sfidat me të cilat përballet sot GJEDNJ në Strasburg dhe gjykatat kombëtare; etj.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Zaganjori, evidentoi në fjalën e tij, problemet që kanë të bëjnë me implementimin e standardeve të vendosura nga Strasburgu veçanërisht në shtetet ballkanike, të cilat me të drejtë, duke patur parasysh të shkuarën e tyre, i kanë garantuar një vend të privilegjuar këtyre standardeve, në sistemin juridik të brendshëm. Sipas Z. Zaganjori, vendet e Ballkanit duhet të kenë në fokus të tyre standardet e konventës në përgjithësi, duke theksuar rëndësinë që kanë për jurisprudencën parashikimet e nenit 3 të KEDNJ. Për këtë është e rëndësishme bashkëpunimi më CPT (Komitetin për Parandalimin e Torturës), veçanërisht referuar masave të arrestit, kushtet e ndalimit, trajtimin e personave të ndaluar, etj.

Forumi mbështetet nga Qeveria Britanike, Qeveria e Suedisë dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.​

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte