REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 08.06.2017

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka marrë pjesë në Konferencën e VII Vjetore të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila zhvilloi punimet në Budapest, Hungari në datat 4-7 qershor 2017. Konferenca organizohet me mbështetjen e Institutit CEELI (Iniciativa Ligjore për Evropën Qendrore dhe Lindore) dhe gjyqtarëve amerikanë John Walker dhe Clifford Wallace.

Punimet e kësaj konference, iu kushtuan pavarësisë së pushtetit gjyqësor; financimit të gjyqësorit me fonde buxhetore; rolit dhe përgjegjësisë së kryetarëve të gjykatave; aksesit në drejtësi; thjeshtimit të procedurave të gjykimeve dhe apelimeve; menaxhimit elektronik të çështjeve gjyqësore; uljes së backlog-ut dhe vonesave si dhe menaxhimin e fluksit të çështjeve të regjistruara, etj..

Z. Zaganjori, në sesionin kushtuar teknologjisë së informacionit në gjykata, theksoi se zhvillimi i shpejtë i këtyre teknologjive ka hapur rrugën dhe ka krijuar mundësi për modernizimin e sistemit gjyqësor. Kjo ka sjellë përmirësim të administrimit të drejtësisë, lehtësim të aksesit të publikut në gjykata, rritje të transparencës dhe përhapje të gjerë informacionit ligjor. Instalimi i sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve gjyqësore në gjykata ka transformuar ndjeshëm veprimtarinë e tyre. Tashmë shumë shtete kanë instaluar në gjykatat e tyre sisteme elektronike të menaxhimit të çështjeve gjyqësore (ICMIC). Përdorimi i sistemeve ICMIC tani konsiderohet si një element kyç për të përmirësuar administrimin e drejtësisë dhe që përben një vlerë të shtuar në punën e gjykatave.

Në sesionin kushtuar rritjes së nivelit profesional të gjyqtarëve, Z. Zaganjori u shpreh se edukimi ligjor dhe trajnimi i gjyqtarëve konsiderohet si një element thelbësor i pavarësisë gjyqësore, per faktin se nëpërmjet tij sigurohet kompetenca profesionale dhe cilësia e veprimtarisë së gjyqësorit në përgjithësi. Gjyqtarët konsiderohen si ofrues të një shërbimi publik dhe për ketë arsye është e nevojshme që ata të jenë të pajisur me aftësitë e nevojshme për të përmbushur në mënyre të suksesshme misionin e tyre. Z. Zaganjori renditi disa nga arsyet përse janë të nevojshme këto trajnime si; plotësimi i kritereve seleksionuese profesionale në procesin e rekrutimit të gjyqtareve dhe avancimit të tyre në karriere, rritjen e numrit të çështjeve gjyqësore, kompleksitetin e ligjeve, përballjen me çështje ligjore të mprehta, krijimin e gjykatave të specializuara, etj.

Sa i takon funksionit unifikues të Gjykatës së Lartë, në drejtim të sigurimit të interpretimit dhe të zbatimit në mënyrë uniforme të ligjit nga gjykatat, Z. Zaganjori u ndal në rëndësinë dhe peshën që ka ky funksion i Gjykatës së Lartë përsa i përket konsolidimit të jurisprudencës dhe sigurisë juridike, uljen e backlog-ut të çështjeve dhe rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve.

Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Lartë, ka nisur si iniciativë e Institutit CEELI me seli në Pragë dhe gjyqtarëve amerikanë, por duke parë interesimin dhe përfitimin prej saj, kryetarët e Gjykatave të Larta të këtyre shteteve, vendosën unanimisht që kjo konferencë të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse.

Item 1

 

 

 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte