REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 31.05.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka marrë pjesë në Konferencën e VIII Vjetore të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila zhvilloi punimet në Vilnius, Lituani në datat 28-29 maj 2018. Konferenca u organizua me mbështetjen e Gjykatës së Lartë të Lituanisë dhe Instituti CEELI Iniciativa Ligjore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropën Qendrore dhe Lindore. Rrethi i Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore përfshin 26 vende anëtare.

Që në ditën e parë Konferenca u përshëndet nga Presidentja e Republikës së Lituanisë Znj. Dalia Grybauskaitė, Kryetari i Parlamentit Z. Viktoras Pranckietis dhe Ministri Lituanez i Drejtësisë Z. Elvinas Jankevicius. Më pas përshëndetën konferencën edhe Z. Christopher Lehmann drejtori i përgjithshëm i institutit CEELI si dhe gjyqtarët e njohur amerikanë John Walker dhe Clifford Wallace.

Punimet e kësaj konference, iu kushtuan disa çështjeve kryesore sikurse janë; përmirësimi i administrimit të Gjykatave të Larta dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rendet e brendshme juridike. Sa i përket administrimit të gjykatave, vëmendja u përqendrua kryesisht në menaxhimin e çështjeve, reduktimin e dosjeve të prapambetura, specializimin e mëtejshëm të gjyqtarëve, shqyrtimin e ankesave të paraqitura në gjykatë dhe aspekte të tjera në lidhje me gjetjen dhe zbatimin e procedurave sa më efektive. Gjithashtu vëmendje e veçantë iu kushtua edhe marrëdhënieve ndërmjet gjyqësorit dhe pushteteve të tjera si dhe problematikave aktuale që kanë të bëjnë me pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, në sesionin e parë me temë; “Marrëdhëniet e gjyqësorit me pushtetet e tjera dhe Pavarësia e Pushtetit Gjyqësor” theksoi rëndësinë e veçantë që merr pavarësia e pushtetit gjyqësor në një shtet të së drejtës, si një element të rëndësishëm sigurie në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve. Po kaq rëndësi ka edhe bashkëpunimi mes tre pushteteve, të cilët duhet të ushtrohen jo vetëm në mënyrë të pavarur, por edhe të balancuar, nëpërmjet zgjidhjeve kushtetuese që garantojnë një kontroll të ndërsjellë dhe që krijojnë një ekuilibër të mjaftueshëm midis tyre (check and balance). Për këtë arsye pavarësia duhet të jetë një element i qenësishëm dhe real i pushtetit gjyqësor, pasi pa këtë element, as që mund të flitej për drejtësi. Pavarësia e gjyqtarëve nuk është një privilegj i tyre, por në interes të sundimit të ligjit dhe të garantimit të të drejtave të qytetarëve.

Duke iu referuar vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, Z. Zaganjori theksoi se krahas arritjeve, ka raste kur këto vende ende përballen me tendencën e politikës për të ndërhyrë në çështjet e drejtësisë. Në këtë aspekt aleati më i mirë i pushtetit gjyqësor në garantimin e kësaj pavarësie do të ishin media dhe shoqëria civile.

Duke iu referuar procesit të reformës në drejtësi, Z. Zaganjori vlerësoi zgjidhjet kushtetuese të ndërmarra në sistemin e drejtësisë si dhe informoi kolegët mbi vështirësitë me të cilat po ndeshet sot sistemi në tërësi në implementimin e tij. Për zgjidhjen e këtyre vështirësive duhet të gjenden mënyra që mundësojnë kalimin sa më normal të këtij procesi, larg paragjykimeve dhe mungesës së vlerësimit objektiv.

Më pas, sipas programit Z. Xhezair Zaganjori moderoi punimet e sesionit IV të kësaj konference kushtuar implementimi të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rendet e brendshme juridike të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.

Në fjalën e tij hyrëse ai vuri në dukje se është për tu vlerësuar fakti që pothuajse të gjithë Kushtetutat e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë dhe Shqipërinë, i garantojnë Konventës një vend të privilegjuar. Sigurisht që kjo duhet përshëndetur, pasi i ka ndihmuar këto vende, që vijnë nga diktaturat komuniste, për të zbatuar standardet bashkëkohore në fushën e të drejtave të njeriut. Me këtë rast, ai theksoi gjithashtu se GJEDNJ ka arritur të plotësojë dukshëm këto pritshmëri, pasi përmes vendimeve të saj ajo ka ndikuar pozitivisht në demokracitë e reja për të:

· Garantuar parimet e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe parimet e demokracisë liberale;

· Garantuar një shoqëri të hapur dhe demokratike;

· Nxitur kontrollin gjyqësor të legjislacionit, kryesisht nëpërmjet vendimeve pilote, etj..

Më këtë rast Z. Zaganjori evidentoi edhe disa nga rastet kryesore të impaktit pozitiv të drejtpërdrejtë që kanë patur në realitetin shqiptar disa vendime konkrete të GJEDNJ-së.

Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Lartë, ka nisur si iniciativë e Institutit CEELI me seli në Pragë dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara Z. John Roberts në vitin 2011. Duke parë interesimin dhe përfitimin prej saj, kryetarët e Gjykatave të Larta të 26 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, vendosën unanimisht që kjo konferencë të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse.

Item 1

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte