REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 27.06.2019

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta dhe Prokurorëve të Përgjithshëm, me temë “Terrorizmi dhe Migracioni i Paligjshëm”, të organizuar në datat 24-26 qershor në Budva, Mali i Zi. Organizatorë të kësaj nisme ishin Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme e Malit të Zi, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë. Partner në organizimin e këtij takimi ishte gjithashtu edhe Gjykata e Lartë e Shtetit Delaëare të SHBA-së. Pjesëmarrës në këtë takim ishin Kryetarë të Gjykatave të Larta dhe Prokurorive të Përgjithshme   nga rreth 20 shtete të Evropës Lindore dhe Qëndrore.

Në ditën e parë takimin e përshendetën me rradhë Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi Znj. Vesna Medenica, Prokurori i Pergjithsëhm i Malit të Zi Ivica Stankovic, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Zoran Pazin, si dhe Ambasdorja e SHBA në Podgoricë Judy Rising Reinke, të cilët theksuan nxitjen e bashkëpunimit gjyqësor nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve dhe mjeteve të hetimit me qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare si dhe kontributin që duhet të japing përfaqësuesit e nivelit të lartë të drejtësisë në garantimin e parimeve të shtetit të së drejtës.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, në fjalën e tij në takimin plenar të ditës së parë, theksoi se në kuadër të proceve integruese, globalizuese e në kohën e internetit ku po rritet kriminaliteti transnacional, shtetet e kanë për detyrë që të luëtojnë efektivisht kriminalitetin. Ky bashkëpunim është i domosdoshëm për të arritur këtë qëllim, por duke mos rrezikuar e respektuar të drejtat dhe liritë themelore të individit. Në këtë mënyrë mund të kontribuohet më mirë për paqen dhe sigurinë globale, si objektiva kryesore të OKB-së.

Duke iu referuar terrorizmit Z. Zaganjori, evidentoi ndër të tjera ndikimin e rëndësishëm që ka kjo veprimtari e rrezikshme ndaj popullsise civile dhe shtetit demokratik, prandaj në çdo kohë duhet të jemi të gatshëm dhe vigjilent për të marrë masat e duhura në luftën ndaj këtij fenomeni. Për të arritur balancën e duhur që kërkohet në këtë lufte duhet të mbahet parasysh interpretimi jo vetem i legjislacionit penal kombëtar, por veçanërisht i parimeve dhe standardeve ndëkombëtare.

Ai përmendi ndër të tjera nevojën për interpretimin teologjik të normave të së drejtës ndërkombëtare, të cilat fokusohen në objektin dhe qëllimin e rregullimeve në nivel global si dhe nevojen e interpretimit të normës Jus cogens dhe detyrimeve Erga omnes; parimit të rëndësishëm të së drejtës penale ndërkombëtare Aut dedere aut judiciare; procesit dhe parimeve të Nurembergut; Kartës e konventave të OKB-së, veçanërisht të katër konventave të Gjenevës (1949); rezolutave të Këshilli të Sigurimit; rezolutave smart të miratuara pas aktit terrorist të 11 shtatorit 2001; rregulloreve të BE-së, etj..

Z. Zaganjori vlerësoi rëndësinë e madhe që ka mbështjetja e aleatëve kryesor në këtë luftë, siç janë SHBA dhe demokracitë e tjera perëndimore. Më pas ai theksoi domosdoshmërinë e respektimit të disa standardeve kryesore që kanë të bëjnë me ngritjen e akuzës dhe gjykimin e çështjeve kundër terrorizmit, duke pasur si pika referimi vendimet dhe jurisprundencën e gjykatave ndërkombëtare dhe gjykatave të larta të disa prej demokracive kryesore në çështjet kundër terrorizmit si: Al Kadi dhe Al Barakat në GJEDNJ; Al Jeda dhe Al Musa etj., lidhur me nenet 2, 3, 5 të KEDNJ-së; vendimet e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara Hamdan kundër Rusfeld; çështjes Motesadek në Gjykatën Kushtetuese të Republikës Federale Gjermane; çështjes A (FC) etj. kundër Sekretarit te Shtetit për Ceshtjet e Brendshme; në Dhomën e Lordëve në Britaninë e Madhe (sot Gjykata e Lartë); vendimi Tarnac në Gjykatën e Kasacionit të Francës, etj..

Z. Zaganjori vuri në dukje se megjithëse terroristet nuk kanë aspak parasysh pasojat çnjerëzore të akteve të tyre kriminale, duke marrë jetë të pafajshme njerëzish, shtetet demokratike kanë për detyrë që luftën kundër tyre ta zhvillojnë të fortë, pa asnjë kompromis, duke respektuar standardet ndërkombëtare.

Duke referuar Shqipërisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë deklaroi se Shqipëria ka përkrahur pa rezerva luftën dhe masat kundër terrorizmit duke i materializuar këto edhe në strategji kombëtare në luftën kundër këtij fenomeni, në politikat për dialog dhe mirëkuptim mes të gjitha besimeve fetare (të cilat në rastin e Shqipërisë janë për tu vlerësuar dhe për tu marrë shembull për këdo e kudo në botë),   në ndryshimet e Kodit Penal në vitet 2007 dhe 2014, etj.. Për më tepër, Gjykata e Krimeve të Rënda ka arritur që përmes gjykimit të atyre pak rasteve të paraqitura deri tani (4-5 raste), të vendosë disa standarde positive lidhur me trajtimin e kësaj problematike.

Megjithatë Z. Zaganjori tha se krahas kësaj përvoje të pakët të fituar, duke patur parasysh edhe praktikat më të mira ndërkomëtare, në gjykimin e çështjeve të tilla duhet t’u kushtohet më shumë vëmendje edhe specializimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me hetimin dhe gjykimin e këtyre çëshjteve; nevojës për të pasur ekspertizë të kualifikuar në proceset gjyqësore për të sqaruar dhe përcaktuar drejt terminologjinë dhe ritet në veprimtarinë ekstremiste; nevojës së menaxhimit më të mirë të seancave dhe transmetimin sa më profesional nga ana medias për publikun; nevojës për të bashkërenduar më mirë thëniet e dëshmitë e viktimave dhe dëshmitarëve të mbrojtur; bashkëpunimit mes autoriteteve respektive, prokurori dhe gjykata të rajonit; nevojës së bashkëpunimit rajonal nëpërmjet krijimit të një rrjeti për shkëmbimin e informacioni që lidhet me hetimin dhe gjykimin e veprimtarive terroriste; hetimit dhe gjykimit të çështjeve serioze të terrorizmit në gjykatat ndërkombëtare, etj..

Gjatë ditëve të konferencës u organizuan takime të përbashkëta dhe kryetarët e delegacioneve u priten edhe nga Kryeministri i Malit të Zi, Z. Dusko Markovic.

 

Item 1
 
 

 

 

 

 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte